Të drejtat e minoriteteve dhe statusi i Kosovës
Prishtinë, 14.04.2001.
"Gjendja e pakicave kombëtare ne Kosovë është ende larg që të jetë e pranueshme", pohuan përfaqësuesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe ata të Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) pas publikimit të një raporti për gjendjen e pakicave që nga tetori i vitit të kaluar e deri në shkurt të vitit 2001. Shefi i OSBE-së, ambasadori Daan Everts, tha se "lajmi kryesor i këtij raporti është se nuk ka asnjë lajm të mirë". Ndonëse para tetorit të vitit 2000 ishte shënuar një periudhë e "ndritshme" e gjendjes së pakicave joshqiptare në Kosovë, gjërat kishin marrë sërish tatëpjetën. Vrasja e katër pjesëtarëve të komunitetit ashkali në Kosovën qendrore, kur ata po ktheheshin në shtëpitë e tyre, ishte fillimi i një periudhe të dhunshme që përfundoi me vrasjen e të paktën 10 pjesëtarëve të komunitetit serb në një sulm me bombë të telekomanduar në një autobus në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë të komunës së Podujevës.
Kjo gjendje i ka vënë të gjithë para dilemave se çfarë të bëjnë. Ambasadori Everts pohon se "kjo çështje nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake e policore, por duhet kërkuar forma të tjera.". Raporti u publikua kur në Prishtinë i kishte mbyllur punimet një tryezë e bisedimeve e organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike nga New Yorku ku merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe në të cilat temë bisedimesh ishte raporti i shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre. Drejtuesi i bisedimeve, kryetari i Projektit për Marrëdhënie Etnike Allain Kassof, ishte ulur për të satën herë ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre serbë për të kërkuar pikat e mundshme të vendosjes së "mirëbesimit" midis tyre.
Në muajin prill të vitit 1997, më pak se një vit para shpërthimit të luftës në Kosovë, zoti Kassof kishte ulur në tryezën e bisedimeve joformale në New York, përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe ata të opozitës së atëhershme serbe. Zoti Kassof thotë katër vjet më vonë se ngjarjet e vitit 1999, lufta dhe dëmet e mëdha psikike dhe morale kane krijuar një situatë në të cilën mund të flitet vetëm për mundesinë e rindërtimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, nëse kjo është e mundshme, por në rrethana tërësisht të ndryshme. Për zotin Kassof është e qartë se shqiptarët nuk do të pranojnë të kthehen në federatën e dominuar nga serbet dhe tash shtrohet pyetja se si do të realizohet kjo me serbët që jetojnë në Kosovë dhe ata serbë që duan të kthehen. Në radhë të parë, sipas zotit Kassof, kjo çështje kërkon zbatimin e disa ndryshimeve, së pari nga ana e shqiptarëve. Fillimisht do të kërkohej një deklaratë shumë e fuqishme e udhëheqësve, përfshirë këtu edhe zotin Thaçi e zotin Rugova, se serbët do të jenë të mirëseardhur dhe të mbrojtur jo vetëm në enklavat e tyre, por edhe në vetë shoqërinë kosovare. Megjithatë, kjo nuk do të mjaftonte për faktin se këtu bëhet fjalë për qasje të popullatës. Një qasje të re duhet të ketë edhe Beogradi zyrtar, veçanërisht në formë të sinjaleve që duhet t'i dërgohen popullatës serbe këtu. Dikush në Beograd, më në fund duhet të pranojë realitetin se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Serbët këtu, ndërkaq, duhet të dërgojnë sinjalin e tyre se janë të gatshëm ta pranojnë këtë gjendje të re. Asnjëra prej këtyre gjërave nuk ka ndodhur ende dhe kjo është një prej arsyeve pse këtu vazhdon të ketë pasiguri rreth mundësisë së bashkëjetesës në të ardhmen.
Por, jo të gjitha gjërat duken tërësisht të errëta. Një vit më parë në Budapest është mbajtur takimi i parë në temën Shqiptarët dhe Fqinjët e tyre. Ishte ai takimi i parë i shqiptarëve dhe serbëve pas luftës dhe të dyja palët qysh atëherë shprehën "gatishmërinë" që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për problemet e tyre, por jo të kthehen në status quo. Në takimin e ardhshëm, ndërkaq, që u mbajt në Athinë, diskutimet u bënë më konkrete, kurse në takimin e fundit në Prishtinë, u hap kaptina kosovare e këtyre diskutimeve dhe ato kishin të bënin me atë se në çfarë kushtesh dhe në ç'mënyrë serbët do të pranonin të marrin pjesë në zgjedhjet qendrore, që do të ishte edhe një hap i rëndësishëm psikik për ta, por edhe inkurajim për tërë ata që synojnë ta ndërtojnë një Kosovë të re. Kjo, megjithatë, nuk e zgjidh statusin e Kosovës, por as statusin e serbëve që jetojnë brenda saj, ndonëse do të ishte një hap drejt një të ardhmeje më të definuar. Zoti Kassof më tej është i mendimit se "gatishmëria për ta bërë atë që duhet dhe që është e drejtë ekziston te të dyja palët, por ato nuk e dinë se si ta bëjnë atë. Ata janë të kufizuar nga limitet e mentalitetit të tyre, nga historia e afërt, nga pasiguria e rezultateve për të ardhmen. Por, ata janë duke e thënë atë që duhet dhe ky është një hap i rëndësishëm. Problem në vete tash paraqet përkthimi i këtij vullneti të mirë në veprim konkret".
Përfaqësuesit e shqiptarëvë të Kosovës janë të bindur se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës do të zgjidhte të gjitha problemet dhe veshtirësitë ndëretnike. Mirëpo, diplomatët dhe analistët ndërkombëtarë mendojnë se do të vlente pikërisht e kundërta. Në mesin e tyre është edhe zoti Kassof, i cili pohon se fillimisht duhet të zgjidhen raportet ndëretnike, para se të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës. Kjo për faktin se bota e jashtme do të ishte më e gatshme të shkojë në cilindo drejtim që ajo mendon se duhet nëse sigurohet se në Kosovë ka harmoni ndëretnike. Sa më shumë që kjo të zvarritet, aq më shumë do të zvarritet edhe përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës.
AIM Prishtinë, Besnik BALA