Lidhjet e mafisë dhe kreut ushtarak kroat
AIM Zagreb, 11.04.2001.
Qërimi i paradokoshëm mafioz i hesapeve mafioze mu në qendër të Zagrebit, ku u vra "mbreti kroat i bixhozit" Vjeko Slishko, kurse më pas edhe vrasësi i tij James Marty Cappia, belgjikas me pasaportë kroate, zbuloi lidhjen e fuqishme të Ushtrisë kroate me njerëzit e nëntokës. Por, edhe këtë rrëfim skandaloz të sipërfaqësuar pasi BDK-ja (Bashkësia Demokratike Kroate) humbi zgjedhjet në vitin e kaluar, pushteti i ri në krye me kryeministrin Ivica Raçan sikur nuk dëshiron ta sanksionojë, por vetëm tenton me një hetim të zbehtë ta flak tej në harresë. Rasti i vrasjes së Vjeke Slishkos zbulon shumë pikëprerje brenda kreut ushtarak, por edhe degëzime e gërshetime lidhjesh me Ushtrinë Kroate, ku për hetim "nëse dëshirohet" ekzistojnë shumë gjurmë që mund të shpiejnë në adresën e njëmendtë.
Por ministri i mbrojtjes Jozo Radosh, duket se, gjatë deklaratës së tij dhënë "Jutarnji List-it" të Zagrebit, më 27 mars 96 vetëm pesë ditë pasi ishte vrarë Slishko - që më parë pranoi pengesat e veçanta nga eprorët e kreut të Ushtrisë Kroate dhe mafisë. Në pyetjen e gazetarit se a ka dijeni rreth lidhjeve së gjeneral Skenderit dhe Filipoviqit me vrasësin e Vjeke Slishkës, Radosh u përgjigj: "Nuk kam njohuri, por me siguri se kanë ekzistuar relacione personale. Në këtë nuk ka kurfarë dyshimi. Kush ka rol në punët kriminale - unë nuk e di. Ministria e Mbrojtjes nuk disponon me kësi evidence.
Megjithatë, fakti se Radoshi lëshoi vendim për hetim rrënjësor të arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes për të supozuarit dëshmon se ka hasur në gjurmë të shumta që çojnë drejt lidhjes të të ndjerit belgjikanit, Marti Xhejms Kapia, vrasësit të Vjeke Slishkës, me eprorë të lartë të Ushtrisë Kroate. Personi kyç që mund t'i japë policisë të dhëna të dëshirueshme rreth belgjikanit që vrau Slishkon, e që më pastaj edhe vet të përfundonte në asfaltin e Zagrebit, është gjenerali i pensionuar i Ushtrisë Kroate Ante Roso. Përndryshe Roso është mburrur publikisht se e ka sjellur kah mesi i vitit 1991, në fillim të luftës në Kroaci, 21 vjeçarin e atëhershëm Marti Kapia. Ai nuk fsheh se ishte i vetmi nga Kroacia që vuri kurorë lulesh të freskëta mbi varrin e tij në Holandë.
Roso në Kroaci erdhi nga Legjioni i të huajve dhe me siguri atje janë njoftuar me belgjikanin e ri Kapia. Tek ai, me siguri, kishte besim të jashtëzakonshëm, sepse në fillim të 1995 personalisht këtë ia propozoi Mirosllav Tugjmani, atëherë drejtues i HIS-it, shërbimit sekret shtetëror. Derisa Roso gjendej në Shtatmadhorinë e mbrojtjes kroate, në Bosnjë e Hercegovinë, do të intervenonte përmes letrave të adresuar a jo vetëm deri te Mirosllav Tugjmani, por edhe te ministri i atëhershëm i mbrojtjes Gojko Shushka dhe ndihmësi i tij gjenerali Vlladimir Zagorçi, duke i dhënë kështu ndihmë të jashtëzakonshme Kapias për të furnizuar dhe transportuar mjete teknike dhe materiale dhe gjitha format logjistike në Kroaci, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Me çfarë merrej dhe ç'punë bëri Kapia vetëm mund të paramendohet, kurse sa ishte i rëndësishëm për atë që bëri dhe ç'lidhje kishte me kreun ushtarak flet edhe e dhëna se ai ishte i lirë edhe pse në Cepinë, afër Osijekut, diku kah 1996 vrau një njeri. Gjatë procesit në Gjyqin Rajonal të Osjekut, që assesi të përfundonte, madje as pas katër vitesh, nuk u shkua më larg se sa deri te dëshmitë balistike. Kapia gjithnjë i shmangej daljes para gjyqit, kurse gjatë katër vjetëve u paraqit vetëm njëherë, ndërkoi që injoroi gjithë diskutimet tjera, me justifikimin se ishte në udhëtim jashtë vendit dhe vizitë nënës së tij të sëmurë. Në listën e gjatë gjyqësore të vrasjeve që bër i Kapia afër Osjekut (vrau Ratko Zrnin, anëtar i HSP 1861 të Paraqinit, kurse hetuesia e kualifikoi si vepër e bërë në vetmbrojtje) gjenden mjaft dokumente që vështirë se mund të ndërlidhen me procedurën ndëshkuese dhe ku gjeneralë të Ushtrisë Kroate shkruajnë karakteristika të ndryshme për Kapinë, plot me tone ledhatuese, që vështirë se mund të sqarohen ndryshe veçse si presion ndaj gjyqit për ta liruar Kapianë nga dënimi për vrasje. Mbrojtja e për të sihte aq e madhe dhe karakteristike sa belgjikanit i shkruan edhe dy gjeneralë kroat - Filipoviqi dhe Skenderi, në formacionin e të cilëve - në Rendin Gardian të Kroacisë (i njohur në opinion si Garda pretoriane e Tugjmanit) - pat shërbyer.
Në prill 1998 në Cepinë - ku Kapia kthente shpesh, ngase prej aty ishte bashkëshortja e tij - ndodhi një vrasje e dyfishtë e pandriçuar deri ditën e sotme. Vrasja është bërë profesionalisht: në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur asfarë gjurmësh, as gëzhoja të shkrepura nga revolja. Dy personat që dëshmuan në polici për vrasjen menjëherë më pas u vranë - njëri në Zagreb, tjetri në Frankfurt. Dobrosllav Paraga është i bindur se pas kësaj vrasje të dyfishtë qëndron Kapia.
Zërat që mund të dëgjoheshin pas vrasjes se personit që njihej si shef i nëntokës zagrebase dhe atë në mes të ditës dhe mu në qendër të Zagrebit, thonë se belgjiani kontravers ishte vrasës me pagesë që ka kryer detyrat e marra. Fotografia në gazetë e Kapia-së, derisa qëndron i përgjakur në asfaltin zagrebas, zbulon qartë se në vesh kishte dëgjonjëse dhe se ishte i lidhur me radiolidhje me ndonjë të panjohur që i jepte të dhëna rreth lëvizjen së Slishkos. Ata që e kanë njohur flisnin për udhëtimet e tij të shpeshta në Republikën e Kongos, kurse një dokument i zbuluar pas vdekjes së tij dëshmon se lidhja me Kongon ekzistonte vërtetë. Pra, sipas korespondencës së banorit Yvesa Marcela Ibalale, kolonelit kongonez, bëhet e qartë se Kapia punonte si këshilltar në Ministrinë e Sigurisë, nga mesi i korrikut deri në fund të shtatorit - 97 (pra gjysmë viti pasi kishte vrarë afër Osijekut Zrnon e lartpërmendur).Këta zëra thonë se veç profesionit të vrasësit të paguar ai merrej edhe me kontrabandën e armëve, por kishte lidhje edhe me drogën. Për kontrabandën me armë ekzistojnë dëshmi të shumta në shtypin europian, kurse për marrjen me narkotikë para shumë kohësh në shtypin e Bosnjë Hercegovinës u akuzua mbrojtësi i tij kryesor në Kroaci, gjenerali Ante Roso.
Pronari i firmës nga Bratisllava, "Joy Sllovakia", një kohë të gjatë ishte lidhja kryesore komerciale, që dilerit belgjikan të armëve, Zhak Monsierit i shërbente si një mburojë. Monsier, për të cilin mediat e huaja pohojnë se gjatë luftës në ish-Jugosllavi kishte kontrabanduar më shumë se 650 tonelata armë të ndryshme, kishte kontakte të shumta me shërbimet sekrete belgjikane, franceze, amerikane dhe izraelite, kurse emri i tij ishte i përzier edhe me shitjet e shumta të armëve në Iran, Kongo-Brazzavill dhe Kroaci. Kur t'i shtojmë kësaj shkresën e gjeneralit Roso dhe sugjerimit drejtuar Mirosllav Tugjmanit dhe Gojko Shushkut, ku e paraqiste si person me përvojë në furnizim me mjete teknike dhe materiale, thuajse tërësisht bëhet e sigurtë se si Kapia, veç punëve tjera të besueshme ishte edhe nyja e zinxhirit të kontrabandës me armë.
Javorja sarajevase "Slobodna Bosna" botoi në nëntor të vitit të kaluar se pas kontrabandës së drogës në këtë shtet fshehej gjenerali Ante Roso. Prej se kjo lidhje filloi të kalonte edhe përmes Kroacisë, thekson javorja e përmendur, shefi i atëhershëm i shërbimit sekret në Kroaci, Mirosllav Tugjman, urdhëroi hetime, por gjithçka u ndërpre kur erdhi tek emri i Millan Shushkut, vëllaut të ministrit të paprekshëm kroat të mbrojtjes Gojko Shushka, personit më të besueshëm të kryetarit të ndjerë kroat Franjo Tugjmanit. Në këtë qark kontrabandues ishte edhe Ivan Andabak, i cili momentalisht gjendet në burgun e Rjekës, nën akuzën se ka qenë pjesëmarrës në kontrabandën me drogë të fortë.
Hetimet policore rreth asaj se kush porositi vrasjen e Vjek Slishkës dhe me kend kishte lidhje Kapia kanë ngrirë dhe nuk japin kurfarë shprese. Përndryshe, Ante Roso u thirr në bisedë katërorëshe në policinë zagrebase, kurse pas marrjes në pyetje mbajti një konferencë bajate shtypi ku akuzoi "milicinë" se në bisedë fton njerëz të pafajshëm. Ai paralajmëroi ankesë ku do të kërkonte dëmshpërblim prej pesë milionë markash gjermane nga gazetat që shkruan se si Kapia iu rekomandua Tugjmanit për të punuar në shërbimin sekret. Kështu, sipas tij, humbi vendin e punës posa filluan të qarkullonin kësi rrëfimesh. Se ç'punë ka qenë ajo humbja e së cilës i ka kushtuar gjeneralit tashmë të pensionuar pesë milionë DM, mbase është edhe një e dhënë me të cilën duhet të merret policia.
AIM Zagreb
DRAGO HEDL