Kushtetutë ose Kornizë Ligjore - retorikë a çështje thelbësore

Pristina Apr 12, 2001

Prishtinë, 12.04.2001.

Prilli është muaji vendimtar për procesin e hartimit të dokumentit më të lartë kushtetues të Kosovës, thanë në Prishtinë përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ata lokalë të Grupit Punues që është emëruar nga administratori i Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup. Që nga fillimi i punës hartuesit e këtij dokumenti janë shprehur të kënaqur me bashkëpunimin e tyre, mirëpo "mollë sherri" ka mbetur çështja e emërtimit të tij. Autoritetet ndërkombëtare thonë se ky dokument duhet të quhet kornizë ligjore, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë ngulin këmbë që ai të quhet kushtetutë e përkohshme e Kosovës. Që të dyja palët pajtohen se hartimi i këtij dokumenti është kusht i domosdoshëm për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të cilat sipas të gjitha parashikimeve duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, ndonëse askush nuk ka përmendur ndonjë datë të mundshme.Por, ajo që "tronditi" më se shumti hartuesit shqiptarë të këtij dokumenti ishte vizita ne Beograd e administratorit Haekkerup, ku ai me autoritetet e atjeshme pos çështjeve të tjera kishte hapur edhe çështjen e këtij dokumenti. Hartuesit shqiptarë reaguan që ditën ë vizitës duke tërhequr vërejtjen se ky është një "hap i nxituar i zotit Haekkerup". Madje, në reagimet e tyre ata e cilësuan si të panevojshëm edhe paralajmërimin e Haekkerupit se për të njëjtën çështje do të bisedojë edhe me Tiranën zyrtare. "Beogradi dhe Tirana mund të informohen për punën rreth kushtetutës, por nuk mund të kërkohet ndonjë ndikim i tyre e aq më pak ndonjë leje", thanë hartuesit shqiptarë, duke paralajmëruar madje edhe mundësinë e tërheqjes nga puna e grupit nëse Beogradi implikohet në të. Ndërkaq, liderët politikë të shqiptarëve thanë se "Kushtetuta e Kosovës mund dhe duhet të miratohet në Kosovë e jo jashtë saj". Lideri i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova, i njohur për qëndrimet e tij më të moderuara tha se mandati i administratorit Haekkerup shtrihet në Kosovë, ndërsa "kushtetuta duhet të miratohet nga Këshilli i Përkohshëm Administrativ dhe Këshilli Kalimtar i Kosovës". Megjith atë, dr. Rugova pranoi se këto dy struktura të vetadministrimit të përbashët të faktorëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë kanë mbi kokë administratorin, i cili në fund të fundit mund të vendosë vetë. Më i zëshëm në kundërshtimin e tij ishte kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, i cili prerazi tha se Beogradi nuk mund të vendosë më për kushtetutën e Kosovës. Për të mund të vendosin kosovarët, tha zoti Thaçi, duke kërkuar hapjen e një debati publik të qytetarëve të Kosovës. Ndërkaq, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk kishte ndonjë kundërshtim të hapur për vizitën e zotit Haekkerup në Beograd. Ai tha forcat politike kosovare janë të përcaktuara për një kushtetutë të përkohshme e jo për kornizë ligjore, mirëpo kjo është çështje që do të vendoset në strukturat më të larta të bashkadministrimit.Sidoqoftë, hartimi i këtij dokumenti është mbështetur nga të gjithë diplomatët e huaj që kanë vizituar Kosovën dhe nga përfaqësuesit vendorë, meqë mbi themelet e tij do të krijohen institucionet vetëqeverisëse të Kosovës. Por, "lufta" për pagëzimin e këtij dokumenti po ashpërsohet me afrimin e fazës përfundimtare të hartimit të tij. Administratori Haekkerup u kthye nga Beogradi me premtimin e presidentit jugosllav, Vojisllav Koshtunica, se "do të ndikojë mbi përfaqësuesit e sërbëve për t'u përfshirë në hartimin e dokumentit, por edhe në institucionet e Kosovës". Njeriu i parë i misionit ndërkombëtar në Kosovë që kaloi kufijtë dhe shkoi në Beograd (pararendësi i tij, francezi Bernard Kouchner, nuk kishte arritur të vendosë kontakte me Beogradin), luajti në një kartë duket të parefuzueshme për liderët shqiptarë. Çështjen e kornizës ligjore apo kushtetutës së përkohshme ai e ngriti në kuadër të bisedimeve ku për diskutim ishin shtruar edhe tema shumë të ndjeshme për shqiptarët, siç janë ato të të burgosurve politikë që mbahen në burgjet e Serbisë dhe çështja e personave të zhdukur. Pas kthimit të tij në Prishtinë u publikua premtimi i zyrtarëve serbë se deri në fund të prillit mund të zgjidhet çështja e grupit prej 143 shqiptarëve nga Gjakova që në maj të vitit 2000 janë dënuar me gjithsejt mbi 1600 vjet heqje lirie, nën akuzën se kanë kryer veprime terroriste. Aktivistët humanitarë thanë se përsëritja e procesit gjyqësor kundër tyre mund të shënojë fazën e parë të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së të burgosurve. Në stilin "edhe mishi të piqet dhe helli të mos digjet", Haekkerup u kthye nga Beogradi me gojën e mbushur lëvdata për autoritetet e atjeshme, por edhe me miratimin, mbase zemërthyer, të liderëve shqiptarë. Involvimi i Beogradit dhe Tiranës në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë nuk ishte lajm i mirë as për përfaqësuesit politikë e as për vëzhguesit e këtushëm. Pavarësisht prej lidhjeve emocionale apo edhe atyre "patriotike", ata nuk e panë me sy të mirë as përfshirjen e Tiranës zyrtare e cila, siç thonë komentuesit më ortodoksë, "kohëve të fundit sikur po ngutet të tregohet më e moderuar dhe më e prirur drejt të ashtuquajturave integrime rajonale". Involvimi i Beogradit, ndërkaq, është tërësisht i papranueshëm për shqiptarët, posaçërisht për shkak të pozicionit aktualisht shumë të favorshëm të tij përballë atij shqiptar. Shtrirja e ndikimit edhe ashtu të fuqishëm të Beogradit mbi komunitetin serb në Kosovë, për vëzhguesit shqiptarë nënkupton zvarritjen e mëtejme të ndërtimit institucional të Kosovës. Dhe nëse kërkesat e serbëve vendorë kanë mbetur gurë mulliri në qafën e ndërkombëtarëve, atëherë shtimi i këtyre kërkesave nga ana e Beogradit do të rëndojë edhe më shumë aspiratat e shqiptarëve.Danezi Haekkerup hyri në Beograd nëpërmjet dyerve të mëdha, me bekimin e organizatës që e ka emëruar në këtë post dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që për Kosovën parasheh një autonomi substanciale në kuadër të Republikës Federale të Jugosllavisë. "Sforcimi" i kësaj Rezolute i zbeh shpresat e shqiptarëve për realizimin e ëndrrave të tyre për pavarësinë e Kosovës, ndërsa përcaktimi i institucioneve të saj nëpërmjet një kornize ligjor e e jo nëpërmjet një kushtetute, atyre u duket si një kumt ogurzi.#AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA