Kroacia dhe arrestimi i Millosheviqit
AIM Zagreb, 06.04.2001.
Edhe pse askush nuk do ta pranonte publikisht, megjithatë, Kroacia mbetet mjaft e befasuar se si është bërë aq lehtë arrestimi i Sllobodan Millosheviqit. Para ca kohe ishte bllokuar gjysma e Kroacisë shkaku i arrestimit të një gjenerali kroat, kurse serbët as për të parin mes të parëve kriminel nuk mundën të organizonin demonstrata. Ata qindra njerëz që kujdestaruan në Dedinje nuk ia vlen as të përmenden.
Kroacia, natyrisht, e përshëndeti burgosjen e Millosheviqit. Kryetari i Republikës Stjepan Mesiq menjëherë, në një deklaratë të veçantë, lavdëroi vendosmërinë që treguan autoritetet e Beogradit dhe shprehu besim se edhe ata janë të vetëdijshëm që Millosheviqi doemos duhet të përfundojë në Gjyqin e Hagës.
Gjitha reagimet në Kroaci potencojnë se Millosheviqi doemos duhet të përgjigjet në Hagë për krimet e luftës që ka bërë. Megjithatë në kreun shtetëror ndjehen dallime. Disa tregojnë mjaft rezervë ndaj veprimeve të autoriteteve të Beogradit, duke vlerësuar se kjo nuk është e mjaftueshme, madje thonë se është e sajuar, kurse të tjerë pohojnë se gjykimi në Beograd është vetëm hapi i parë, siç thuhet, i udhëtimit të Millosheviqit në pakthim.
Kështu ministri i punëve të jashtme Tonino Picula thekson se ish-kryetari jugosllav nuk mund të ngarkohet vetëm për makinerinë finansiare dhe mashtrimet zgjedhore dhe shprehet se "burgosja e tij nuk do të thotë edhe mëtej se ai i është nënshtruar drejtësisë". Picula dyshimin e vet e
bazon në argumentin se në Serbi jetojnë edhe mëtej të tjerë që duhet të jenë në Hagë, të akuzuar për krime lufte, përkrah treshit nga Vukovari, Shllivançaninit, Mrkshiçit dhe Radiqit.
Në variantin radikal të këtij grupacioni që gjërat i shohin me dyshim hyn edhe nënkryetari i Kuvendit kroat Zdravko Tomac, i cili shpejtoi me vlerësimin se turma rreth burgosjes së Millosheviqit është vetëm një shfaqje e madhe para bashkësisë ndërkombëtare. Ai disa orë para se kolona nga Dedinja të drejtohej drejt burgut të Beogradit, deklaroi se përleshjet përreth vilës së Millosheviqit janë një pjesë e skenarit përmes të cilit i sugjerohet botës se me burgosjen e kryetarit të dikurshëm jugosllav do të destabilizohet Serbia, kurse dorëzimi i tij në Hagë do të shkaktonte luftë qytetare.
Kryetari Mesiq, nga ana tjetër, pohon se burgosja dhe gjykimi i Millosheviqit në Beograd është hapi parë i tij drejt Tribunalit të Hagës. "Bëhet fjalë për një manovër taktike. Autoritetet në Serbi dëshirojnë ta gjykojnë për kriminalitet dhe mashtrim zgjedhor, kurse pasi ta kompromitojnë mjaft atëherë do t'ia dorëzojnë Gjyqit të Hagës", tha Mesiq duke shtuar se burgosja e Millosheviqit hap udhën e sanksionimit të lehtë të të gjithë kriminelëve të luftës.
Politikanët kroat gjithashtu theksojnë se Beogradi nuk duhet të lajë hesapet vetëm me vozhdin e dikurshëm, por edhe me projektin e vet serbomadh. Disa, madje, porosisin se përfundimisht duhet dorëzuar jo Millosheviqin, por politikën e tij. Kështu për shembull, kryeministri Ivica Raçan do të deklarojë: "Konfuzioni rreth burgosjes së kryetarit të dikurshëm jugosllav flet se më lehtë ishte largimi i Millosheviqit nga pushteti se sa largimi i Serbisë nga politika e tij".
Një befasi të madhe shkaktoi ajo që pranoi Millosheviqi se ka finansuar armatimin e serbëve në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ministria e punëve të jashtme reagoi ashpër se deklarata e Millosheviqit rreth "finansimit të agresionit nuk befason askend në Kroaci". "Viktimat që nga dita e parë e dinin se ishin viktima të realizimit të projektit për Serbinë e Madhe", thuhet në komunikatën e MPJ dhe konkludohet se ky pranim i Millosheviqit "vetëm shpejton dhe lehtëson nevojën e dorëzimit sa më të shpejtë të tij në Hagë". Ekspertët e së drejtës, nga ana tjetër, thonë se deklarata e Millosheviqit është "tërësisht befasuese" sepse paraqet "një fakt të drejtëpërdrejtë dhe të fuqishëm rreth përzierjes së tij në zhvillimet luftarake në Kroaci dhe BeH". "Agresioni në Kroaci definitivisht merr përmasat e një karakteri ndërkombëtarë", thonë juristët dhe konkludojnë se "pas këtij pranimi të Millosheviqit, pagesa e dëmeve të luftës në Kroaci merr përmasa reale".
Vënia e Millosheviqit prapa grillave mund të konsiderohet si përfundim definitiv i luftës. Njëkohësisht është dëshmi se e drejta, edhe kur vjen
shumë ngathtë, siç ishte në këtë rast, megjithatë erdhi. Vjen koha kur krerët luftarak doemos duhet të japin llogari publikisht, së pari për kriminalitet, pastaj për krime lufte. Me gjykimin e Millosheviqit hapet mundësia e sanksionimit të shpejtë dhe pa pardon të të gjithë atyre që e
meritojnë këtë. Për Kroacinë kjo do të thotë se me siguri para Tribunalit, në një kohë të afërme, do të gjenden ata që bënë krime lufte në Vukovar e Dubrovnik, por gjithashtu edhe Zagrebi në bashkëpunimin me Gjyqin e Hagës nuk do të mund të mbështetet në shembullin e keq të Beogradit.
Burgosja e Sllobodan Millosheviqit për Kroacinë do të thotë edhe ndarje nga një komoditet relativ, kur Zagrebi, pa ndonjë punë të madhe, konsiderohej superior ndaj gjithë tjerëve në këtë rajon jostabil. Beograd tashmë ka forcuar mjaft pozitat e veta. Në këtë drejtim është indikative intervista e ambasadorit amerikan në Beograd Uilliam Montgomerit dhënë një javoreje zagrebase rreth burgosjes së Millosheviqit. Me insistimin e vet për dorëzimin në Gjyqin e Hagës, Kroacia me siguri tenton të sugjerojë se në Beograd megjithatë nuk është gjithçka siç dëshiron bashkësia ndërkombëtare. Por, këto vërejtje jo rrallë janë si ndarje leksionesh, sikur Zagrebi ka thithur gjithë trurit e demokracisë, sa mund të stërshesë kapacitetin shtesë të ndryshimeve në shtetet tjera.
Disa analistë të pavarur gazetaresk pohojnë se liderët kroat, sipas përvojës pushtetore, e dijnë mirë se është më lehtë të rrëzohej Tugjmani dhe BDK-ja (Bashkësia demokratike kroate) se sa tugjmanizmi. Me shkuarjen e Tugjmanit dhe humbjen zgjedhore të BDK-së nuk u mund përfundimisht edhe politika e tij. Kroacia është mjaft e ngathtë dhe shumë vështirë merr veten pas kësaj. Prandaj është joreale që të pritet demillosheviqizmi i Serbisë brenda natës. Gjithashtu potencohet se Zagrebi nuk ka kurfarë të drejte t’i shprehet Beogradit se nuk është e mjaftueshme që Millosheviqi të gjykohet vetëm për kriminalitet. Madje edhe sikur të bëhej fjalë për procesuimin e veprimtarive kriminale të padronit nga Dedinja, është shumë më tepër se sa që bëri pushteti kroat në oborrin qeveritar. Gjashtëshja qeveritare nuk mundi të bëjë zbërthimin e asnjë kopse, madje as të hajnave të vegjël të BDK-së.
AIM, Zagreb
JELENA LOVRIQ