Drejtësi vetëm në Hagë

Pristina Apr 6, 2001

Prishtinë, 6.04.2001.

Rasim Ramadani, rreth 60 vjeç, nga fshati Krushë e Madhe të komunës së Prizrenit në jug të Kosovës, po qëndronte mbi varrin e djalit të tij të vrarë dy vjet më parë gjatë një fushate spastrimi të forcave serbe të sigurimit në fshatin e tij. Dy djemtë e tjerë të tij konsiderohen si "të zhdukur", ndonëse familja beson se ata janë vrarë, ndërsa kufomat e tyre janë asgjësuar. Djemtë e Rasimit janë ndarë nga familjet e tyre dhe së bashku me mbi 200 bashkëfshatarë të tjerë janë marrë nga forcat serbe pak ditë pasiqë kishte filluar fushata e goditjeve ajrore të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe. Dyvjetori i vrasjes së këtyre njerëzve në atë që llogaritet një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, ka koinciduar me arrestimin e ish-presidentit jugosllav të akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviq. Rasim Ramadani dhe bashkëfshatarët e tij qëndrojnë pranë varrezave, në disa prej të cilave nuk ka trupa, dhe tundin kokat e tyre në shenjë mosbesimi me të marrë lajmin se Millosheviqi është arrestuar. Ata nuk ndiejnë ndonjë lehtësim, madje në disa raste pohojnë se janë të fyer me akuzat për "korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare", në bazë të të cilave në Beograd është luajtur "spektakli" i veprimit të "drejtësisë". Por, jo vetëm ata. Në Kosovë vështirë mund të gjesh dikë që nuk e ka përcjellë me dyshim shfaqjen lidhur me arrestimin e "vozhdit". Për shumicën e shqiptarëve kosovarë "arrestimi i Millosheviqit është materializim i tij dhe veprimeve të tij". Nuk ishte "drejtësia ajo që veproi në Beograd, por trysnia dhe synimi për të përfituar përkrahjen materiale, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", pohohet këtu.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve ishin poaq skeptikë sa edhe votuesit e tyre. Në reagimet e para ata thanë se "do të besojnë në arrestimin e Sllobodan Millosheviqit vetëm kur ta shohin në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë. Gjithçka që ndodh jashtë saj, pohojnë ata, është teatër". Nekibe Kelmendi, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëshorti dhe dy djemtë e së cilës janë vrarë nga forcat e sigurimit natën kur edhe filluan bombardimet e NATO-s, thotë se "gjykatat vendore në Serbi kanë të drejtë të gjykojnë Millosheviqin për krimet kundër shtetit të tyre, mirëpo ky gjykim nuk i përmbush kërkesat e drejtësisë ndërkombëtare". Zyrtarët e Partisë Demokratike, të udhëhequr nga ish drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, mendojnë se "akuzat në bazë të të cilave është realizuar arrestimi i Millosheviqit janë përpjekje për ta amnistuar atë nga përgjegjësia kryesore - krimet kundër njerëzimit". Sipas zyrtarëve të kësaj partie "arrestimi i Millosheviqit është një fitore e pjesërishme e të drejtës ndërkombëtare, por vetëm dorëzimi i tij në Hagë nënkupton fitore të drejtësisë dhe të humanitetit". Partia e tretë politike shqiptare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e mendimit se megjithatë "arrestimi i Millosheviqit përfaqëson fillimin e fundit të një periudhe të errët, fillimin e fundit të një politike militariste". Nënkryetari i kësaj partie, Bajram Kosumi, pohon se "hezitimet e deritashme për arrestimin e Millosheviqit dhe gjithë kriminelëve të luftës, tregojnë se edhe Vojisllav Koshtunica edhe Zoran Gjingjiqi dhe bashkëmendimtarët e tyre janë janë njerëz të së kaluarës, janë nxënës shpirtërorë të Millosheviqit, meqë nuk kuptojnë se procesi që është duke u zhvilluar tash në rajon është një proces i cili nuk ka kthim prapa dhe që ka të bëjë me demokracinë e përgjithshme, jo vetëm në një vend por në gjithë rajonin".

Arrestimi i Sllobodan Millosheviqit në fillim të pranverës, përkatëisht në përvjetorin e "luftës së tij të madhe kundër NATO-s", është përcjellë nga tubimet përkujtimore anë e kënd Kosovës, në të cilat shënohet përvjetori i masakrave të mëdha të forcave të tij kundër shqiptarëve të Kosovës. Shqiptarët pohojnë se Millosheviqi me bashkëpunëtorë duhet të përgjigjet për mijëra të vrarë, për disa mijëra të zhdukur dhe gati një milion të deportuar në fushatën për spastrimin etnik të Kosovës. Ata duan gjyq, jo teatër.

Vëzhguesit e këtushëm, ndërkaq, thonë se arrestimi i Millosheviqit është një hap i mirë. Pavarësisht se nën cilat akuza është bërë, ai ndodhet prapa grilave, ndërsa autoritetet në Beograd nuk mund të arsyetohen më se nuk mund të bëjnë burgosjen dhe dorëzimin e tij në Gjykatën e Hagës. Dhe nëse është arritur të arrestohet "peshku më i madh", atëherë zyrtarët serbë nuk do të mund të arsyetohen më me pamundësinë për të arrestuar "peshqit më të vegjël" që duhet të përfundojnë në Hagë. Sipas këtyre vëzhguesve më "optimistë", tashmë ka filluar procesi i vënies në jetë të drejtësisë ndërkombëtare dhe "lëmshit" të personave përgjegjës për krime lufte në Kosovë i është gjetur filli. Si të dëshironte t'i përforcojë pohimet e tyre, Piter Faith, i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Luginën e Preshevës, paralajmëroi se edhe hallka të tjera të zinxhirit komandues të forcave të ushtrisë serbe do ta pësojnë fatin e ish-kryekomandnatit të tyre. Duke iu përgjigjur shqetësimit të shqiptarëve pas njoftimeve se komandanti i Shtabit të ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, ish komandant i trupave jugosllave në Kosovë dhe besnik i Millosheviqit, është parë në zonën kufitare të Serbisë me Kosovën, zoti Faith tha se "një gjë e tillë më nuk do të ndodhë, ndërsa për një muaj apo dy ai do të largohet nga skena dhe me siguri do të përgjigjet për veprimet e tij". Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë nuk kanë bërë shumë komente lidhur me arrestimin e Millosheviqit. Disa nën arsyetimin se "kjo çështje nuk është në mandatin e tyre", ndërsa disa të tjerë duket për të mos u ngutur me deklarata që në raste të tilla nuk mund të jenë të tilla që t'i kënaqin të gjitha palët. Vetëm koamndanti i forcave paqerujatëse të udhëhequra nga NATO-ja (KFOR), gjenerali italian Karlo Kabigjozu, tha se arrestimi i Millosheviqit shënon fundin e një regjimi dhe të një epoke të dhunës.

Por, vëzhgues të tjerë më të prirur për të analizuar anët e errëta të zhvilimeve balkanike, mendojnë se arrestimi i Sllobodan Millosheviqit nuk paraqet ndonjë moment shumë të rëndëishëm për Kosovën. Para së gjithash, sipas tyre, ky akt vetëm mund të përforcojë pozicionin edhe ashtu relativisht të favorshëm të Beogradit karshi Kosovës. Autoritetet e reja të atjeshme të cilësuara si "demokratike" nga evroperëndimorët do të nguten të përfitojnë shumë nga ky veprim i tyre, për të cilin ata janë të prirur të besojnë se është pjesë e një "konsipracioni më të ngatërruar të politikanëve serbë". Slloba, sipas tyre, mund të mos përgjigjet për krimet e vartësve të tij në Kosovë, ndërsa Beogradi mund të përfitojë. Kuloaret politike e apolitike duan të besojnë se të paktën Washingtoni zyrtar nuk do të fascinohet me këtë "operetë policore prej sapuni" dhe nuk do të lëshojë pe pa e dërguar Millosheviqin në Hagë.

Për Rasim Ramandanin dhe bashkëfshatarët e tij Millosheviqi duhet të dënohet. "Dënimi i tij nuk mund t'i ngjallë të dashurit tanë, por ai duhet të ndodhë, që më kurrë të mos përsëriten krimet e tij as në Kosovë e as askund tjetër në botë", thotë Rasimi.

AIM Prishtinë, Besnik BALA