Burgjet, hallkë që lidh Kosovën me Serbinë

Pristina Apr 4, 2001

Prishtinë, 31.03.2001.

"Të burgosurit shqiptarë në Serbi janë zinxhiri i vetëm që lidh Kosovën me Serbinë. Çdo shqiptar i burgosur që lirohet është një hallkë më pak në atë zinxhir të mallkuar", ka thënë pak ditë më parë Abdullah Hoxha, rreth dyzet vjeç, ndërsa po çmallej me të afërmit e tij te hangarët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ai nuk i kishte parë të afërmit e tij dhe nuk i njihte disa nga fëmijët e familjes së tij, të cilët kishin lindur dy vjetët e fundit, apo që tashmë ishin rritur. Ai, bashkë me të vëllain e tij më të ri, Tomorrin, ishin arrestuar nga forcat serbe të sigurimit vetëm pak ditë para se Millosheviqi të pranonte humbjen. Bashkë me të tjerët është dërguar në burgje të ndryshme në Serbi në ditët kur në Kosovë tashmë po hynin forcat paqeruajtëse ndërkombëtare nën udhëheqjen e NATO-s, ndërsa forcat e Millosheviqit po e lëshonin vendin. Marrëveshja tekniko-ushtarake, me të cilën janë saktësuar detalet e tërheqjes dhe ripozicionimit të forcave serbe, nuk ishte disenjuar për ta përfshirë edhe lirimin e civilëve të zënë rob. Gati një milion refugjatë shqiptarë janë kthyer në Kosovë nga vendet fqinje, ku kishin gjetur strehim, dhe vetëm atëherë u hetua mungesa e gati 7000 personave. Në fund të qershorit të atij viti është liruar deri tani grupi më i madh i shqiptarëve të burgosur - 145 sish. Organizatat kosovare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës pohonin se në listat e tyre gjenden më shumë se 7000 njerëz për fatin e të cilëve nuk dihej asgjë.

Në fund të vitit 1999, me përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, autoritetet e Beogradit publikuan një listë emrash të shqiptarëve që ndodheshin në burgjet e Serbisë. Sipas asaj liste, në burgje ishin pak më shumë se 2000 shqiptarë, ndërkohë që për pesë mijë të tjerë nuk kishte kurrfarë informacioni.

"Që nga qershori i vitit 1999 e deri më sot nga burgjet e Serbisë janë liruar më shumë se 1600 shqiptarë", thotë Vjosa Osmani, përgjegjëse për informim pranë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, për të shtuar se zyrtarisht në burgjet serbe ndodhen diç më tepër se 400 persona.

Lirimet më të fundit të disa grupeve të shqiptarëve, më shumë se 200 sish, janë kryer në pajtim me Ligjet për Amnisti të aprovuar në fillim të marsit të vitit 2001 nga parlamenti federativ dhe Kuvendi i Serbisë. "Janë liruar 49 të burgosur, ndërsa po ua shtuam atyre edhe 99 të liruar sot, gjithsejt 148 të burgosur janë liruar në bazë të Ligjit për Amnistinë", ka thënë zëdhënësja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Caroline Dueillese. Në ndërkohë është liruar edhe një numër që i afrohet shifrës prej 200 të amnistuarish, aq sa edhe kishin paralajmëruar përafërsisht zyrtarët e Beogradit. Me Ligjin republikan dhe federal për amnistinë janë përfshirë vetëm ata të burgosur që janë mbajtur në burg pa kurrfarë procedure gjyqësore të ndërmarrë kundër tyre, ose ata që janë dënuar në bazë të nenit 136 të Kodit Penal të RFJ-së, d.m.th. për vepër penale "bashkim për veprimtari armiqësore", ligj ky i zbatuar kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit.

Mirëpo, me amnisti nuk janë përfshirë ata shqiptarë të Kosovës që janë akuzuar ose dënuar për veprën penale "terrorizëm". Midis atyre që nuk janë përfshirë me këtë ligj është edhe një numër të burgosurish nga grupi i parë i shqiptarëve të burgosur, të cilët janë dënuar si persona të lidhur me fillimet e UÇK-së, grupin e armatosur që e kishte filluar rezistenën e armatosur kundër forcave të Millosheviqit, dhe të cilët kanë qenë të dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë deri në njëzet vjet burg. Një numër më i vogël i tyre, ndërkaq, këto ditë megjithatë janë liruar. Për kolegët e tyre që ende ndodhen prapa grrilave nuk kanë nihmuar as vlerësimet e organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të cilat proceset gjyqësore kundër tyre i kishin vlerësuar në atë kohë si procese të montuara politike.

Në këtë kontekst, administratori i Kosovës, Hans Haekkerup, që në fillim të mandatit të tij si shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka kërkuar zyrtarisht nga pushteti në Beograd që të kthehen në Kosovë të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen aktualisht në burgjet serbe. "Ata që janë të pafajshëm dhe ata kundër të cilëve nuk është ngritur kurrfarë aktpadie, duhet liruar menjëherë, ndërsa për të tjerët do të sigurojmë gjykime të drejta në pajtim me standardet ndërkombëtare këtu në Kosovë", ka thënë asohere Haekkerup.

Mirëpo, Qeveria e Beogradit u bë e shurdhër ndaj kërkesave të tilla. Shqiptarët e Kosovës, nga ana tjetër, të vetmet shpresa për kthimin e të afërmëve të tyre i kanë vënë te presioni që bashkësia ndërkombëtare do të duhej ta ushtronte mbi Qeverinë e re në Beograd. Shefi i atëhershëm i Misionit Civil të OKB-së në Kosovë, Bernar Kushner, në fjalimin e tij të mbajtur para Parlamentit Evropian ka kërkuar që heqja e sanksioneve ndërkombëtare kundër Serbisë të kushtëzohet me lirimin e shqiptarëve të burgosur. Bashkësia ndërkombëtare, ndërkaq, e orientuar për t'i ofruar mbështetje qeverisë së z. Koshtunica, si shpërblim për rrëzmin e Millosheviqit nga pushteti, nuk ka treguar mirëkuptimin e duhur për kërkesat e zotit Kushner, të cilat ishin njëkohësisht edhe kërkesa të opinionit kosovar.

Shqiptarëve, ndërkohë, nuk u mbeti tjetër pos të bënin presion mbi administratën ndërkombëtare këtu, që ajo ta shtonte presionin ndaj Beogradit në nivele më të larta. Në fund të vitit të kaluar, pas rrebelimit që përfshiu disa burgje të Serbisë, mijëra shqiptarë të brengosur për fatin e të afërmve të tyre të burgosur, protestuan disa javë radhazi në qendër të Prishtinës, duke paralizuar ashtu jetën në kryeqytetin e Kosovës, ku është e vendosur edhe selia e administratës ndërkombëtare. Mirëpo, as kjo nuk rezultoi me ndonjë sukses, pos që Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq iu lejua që të organizojë në bazë të rregullt vizita të familjarëve të burgosurve shqiptarë në Serbi. "Muajve të fundit kushtet janë përmirësuar deri diku, por atje është ende një ferr i vërtetë për shqiptarët", ka thënë Faton Malaj, një i ri nga Deçani, i cili këto ditë është liruar pas dy vite e gjysmë qëndrimi në burg pa kurrfarë akuze të ngritur kundër tij. Edhe zyrtarët e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar thonë që, bazuar në vizitat e tyre burgjeve serbe, mund të konstatohet se gjendja në burgje është më e mirë.

Megjithatë, të burgosurit e posaliruar thonë se çdo incident në Kosovë, në të cilët pësojnë pjesëtarë të komunitetit serb, mund të ketë pasoja të rënda edhe për të burgosurit shqiptarë në Serbi. Jo për faktin se kemi të bëjmë aty me një politikë zyrtare a shtetërore, por pse veprimet e individëve në personelin e burgjeve nuk mund të kontrollohen në rrethana të tilla. Nga ana tjetër, ende nuk dihet zyrtarisht sa shqiptarë do të lirohen në pajtim me ligjin më të fundit për amnistinë. Fillimisht është pohuar se nga ky ligj do të përfitojnë 108 shqiptarë, por ky numër është tejkaluar moti. "Ne nuk kemi të dhëna për këtë, meqenëse informacionet për të liruarit na servohen mbi bazën ditore dhe vetëm një ditë para lirimit", thotë zëdhënësja Caroline Dueillese.

Sidoqoftë, lirimi i të gjithë shqiptarëve nuk do të kalojë pa probleme. Në të vërtetë, me zgjidhjen e këtij problemi do të hapet edhe një çështje tjetër - çështja e personave të zhdukur. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, konsiderohet se të tillë sot ka rreth 2000. Ky numër ishte shumë më i lartë deri në formimin e Komisionit për Zbulimin dhe Identifikimin e Viktimave të Luftës, që qe themeluar vitin e kaluar në kuadër të UNMIK-ut. Gjatë hetimeve të përbashkëta të ekspertëve të Tribunalit të Hagës dhe organizatës amerikane ABBACELI, një numër i atyre që konsideroheshin të zhdukur janë gjetur dhe identifikuar si të vrarë në varrezat masive. Trupat e shumë kufomave janë gjetur edhe individualisht në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Punët lidhur me të burgosurit dhe të zhdukurit i kryen tani një zyrë e UNMIK-ut, që u themelua si rezultat i një kompromisi ndaj kërkesave të shqiptarëve për institucionalizimin e kësaj çështjeje duke formuar një departament të veçantë pranë strukturave të përbashkëta administrative.

"Të burgosurit që mbahen në Serbi janë plagë e hapur e Kosovës", ka përsëritur disa herë gjatë mandatit të tij Bernar Kushner, ndërsa shqiptarët thonë se lirimi i të gjithë të burgosurve do të ishte një hap i parë drejt ndërtimit të një shoqërie tolerante në Kosovë...

AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI