Humbje në vlerë prej 255 milionë dollarësh

Pristina Apr 2, 2001

Prishtinë, 31.03.2001.

Takimi teknik i donatorëve, i mbajtur muajin e kaluar në Prishtinë, përkundër krizës dhe dhunës së pranishme në Kosovë dhe në rajon, e verifikoi ndihmën prej 1,2 miliardë DEM që do ta përfitojë sivjet Kosova. Por, llogaritë dëshmojnë se shuma do të jetë më e vogël nga ajo që është paralajmëruar, meqenëse një pjesë e madhe mjeteve që nuk u shpenzuan gjatë viti 2000 do të barten në vitin 2001. Dhe, pse e tërë kjo shumë e përmendur nuk vjen në Kosovë, fajin mund ta kenë edhe kosovarët, të cilët nuk kishin një ofertë më të madhe për realizimin e projekteve të ndryshme. Madje, siç vlerësojnë shumë analistë kosovarë, edhe mjetet e derdhura në Kosovë nuk u realizuan në ndonjë mega - projekt, pos atij për prodhimin e rrymës elektrike. Të gjitha shkuan në mikro projekte, për infrastrukturë dhe veprimtari shërbyese.

Shtetet dhe donatorët e tjerë kishin planifikuar që gjatë vitit 1999 dhe 2000 në Kosovë të investojnë një miliardë e 543 milionë dollarë, kurse ishin konfirmuar një miliardë e 281 milionë dollarë, ndërsa janë realizuar vetëm 853,7 milionë dollarë. Lëvizje interesante vërehen në lëmin e rindërtimit dhe zhvillimit, ku është premtuar se do të jepen një miliardë e 436 milionë dollarë, prej të cilëve janë kontraktuar 965 milionë, kurse janë realizuar 710 milionë dollarë. Në këtë segment qëndron edhe humbja më e madhe e kosovarëve. Sikurse ata të ishin më të përgatitur, atëherë do të kishin edhe 255 milionë dollarë më shumë. Tani, kjo transhë është bartur për këtë vit, dhe ajo minuson shumën e përgjithshme që kishin premtuar donatorët gjatë takimit në hotelin "Grand" të Prishtinës.

Është interesant të theksohet fakti se pjesa më e madhe e mjeteve të paguara erdhën nga qeveritë e shteteve të ndryshme të botës - 585 milionë dollarë, nga 808 milionë dollarët e premtuar. Ndërkaq, institucionet dhe organizatat, siç janë Komisioni Evropian, UNDP dhe Banka Botërore, ndonëse kishin premtuar 735 milionë dolarë, kanë dhënë diçka më pak se një të tretën e këtyre mjeteve.

Sipas raporteve të ofruara në Konferencën e Donatorëve, ndihmë më të madhe financiare Kosovës i ka dhënë qeveria e SHBA-ve, e cila në Kosovë ka dërguar 122 milionë dolarë, nga 221 milionë dollarë sa kishte premtuar. Pas saj është Britania e Madhe me 90 milionë dollarë, Japonia me 86 milionë dollarë, e cila ka edhe shkallën më të lartë të përmbushjes së obligimeve. Ndërkaq, në mesin e 22 shteteve të tjera që ndihmuan janë edhe Holanda me 53 milionë dollarë, Zvicra - 57; Gjermania - 49; Suedia -28,8 ; Kanada - 27; Danimarka - 23, për të arritur deri të Norvegjia, e cila kishte premtuar 30 milionë dollarë, por asgjë nuk ka kontraktuar, e as paguar. Ndërkaq, në listën e donatorëve janë edhe Turqia dhe Sllovakia, që asgjë nuk kanë premtuar dhe as investuar në Kosovë.

Nga kjo edhe shihet qartë se barrën më të madhe për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës e ka marrë mbi vete Komisioni Evropian, i cili deri më tani ka investuar 249 milionë dollarë, ndërsa Bnaka Botërore ka dhënë vetëm 15,10 milionë dollarë, kurse UNDP-ja vetëm dy milionë e njëqindmijë dollarë.

Megjthatë, shuma e mjeteve që sipas donatorëve kanë ardhur në Kosovë nuk është e vogël. Mirëpo, nëse ky investim matet përmes shtimit të të ardhurave kombëtare, prodhimit industrial dhe bujqësor, si edhe me numrin e ri të të punësuarve, atëherë shtrohet pyetja se nga shkuan këto mjete.

Në "llogarinë përfundimtare" të donatorëve thuhet se për buxhetin e Kosovës janë dhënë 143 milionë dollarë, ndërkaq për rindërtim dhe zhvillim janë investuar 632,2 milionë dollarë. Në sistemin elektroenergjetik të Kosovës janë investuar 101,4 milionë dollarë, për ndërtimin e shtëpive - 133; për financimin e institucioneve të ndryshme - 110,7; pastaj është shëndetësia me 53 milionë dollarë; arsimi - 40; bujqësia -32; ekonomia private - 30; sistemet i ujësjellësve -34; për miniera - 19,4 dhe për destinime të tjera 46,14 milionë dollarë.

Kosovarët me të drejtë nuk janë të kënaqur me rrjedhat e deritashme të punëve. Ndonëse si vëllim, shumat e dhëna për Kosovën janë mjaft të mëdha, efektet e tyre megjithatë shumë pak vërehen, pohojnë analistët ekonomikë këtu. Rrymë nuk ka, përkatësisht dimri kaloi me restriksione dhe me import shumë të madh të saj, edhe gjatë ditëve të dimrit qytetet kanë reduktime të mëdha të ujit. Çfarë do të ndodhë verës, e cila sipas prognozave do të jetë shumë e thatë. Ose, përmendet shpesh edhe çështja e rrugëve, për të cilat, ndonëse janë të arrnuara dhe të sanuara, ekspertët thonë se cilësia e punëve nuk është e nivelit të lartë. Ata vlerësojnë se përdorimi i asfaltit të vjetër për të bërë rrugë të re është improvizim, i cili shumë shpejt do të vërehet si i dështuar. Ata përmendin edhe rastin e Klinës, ku është bërë sanimi i rrugëve të qytetzës, por menjëherë në hyrje është vënë shenja e ndalesës për kamiona të rëndë, meqenëse rruga e re nuk e duron peshën e tyre.

AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI