Dënohet “faraoni” më i madh

Sofia Mar 30, 2001

Shefi i piramidës finansiare "Lajfcojs" u dënua me 23 vjet burg, por vështirë se do t'ua kthejë paratë të mashtruarve

AIM Sofija, 20.03.2001.

Për herë të parë në Bullgari një mashtrues i shkallës së parë dënohet me dënimin e merituar – është ky shefi i piramidës finansiare "Lajfcojs interneshenel" Majkl Kapustin që do të duhet të kalojë 23 vjet në burg, sepse ka bërë përvetësim të hollash dhe mashtrime.

Dënimi iu shqiptua shtetasit kanadez Mihail Kapustinit, i njohur si Majkl Kapustin për shkak të përvetësimit të afër 260 milionë levash të vjetër duke mashtruar 2821 kursimtarë në piramidën e tij që kishin kursyer gjatë periudhës prill 1994 - maj 1995. Veç kësaj faraoni do të duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore prej 13.474 levash, gjegjësisht markash.

Vlerësohet se ky dënim është i drejtë kur kemi parasyshë se sanksionimi për përvetësim parashë parasheh prej 10 deri 30 vjet burg. Është çështje tjetër se a do të mbetet i njëjtë dënimi. Kapustin paralajmëroi se do të shfrytëzonte të gjitha mundësitë që të “fitojë drejtësia”, duke e kaluar lëndën edhe në dy instanca tjera – Gjyqin e Apelacionit dhe Kasacionit. Lënda hetimore kundër Kapustinit është ngritur më 1995. Në shkurt të vitit 1996 ai u burgos në Gjermani dhe u ekstradua në Bullgari. Më 1998 hetuesia ia kaloi lëndën gjyqësisë, kurse në prill të vitit 1999 filloi procesi gjyqësorë kundër Kapustinit. Për shkak të pengesave të kursimtarëve, në gusht të vitit 2000, Gjyqi vendosi që gjykimi të bëhej pas dyerve të mbyllura.

Kapustin është akuzuar për përvetësim të 509 milionë levave të vjetër duke mashtruar 4731 kursimtarë. Gjyqi megjithatë e arsyetoi për larje të 249 milionë levash të vjetër nga 1910 kursimtarë.

Viktima të Kapustinit përgjithësisht ishin pleqtë e mashtruar që u garantohej një pleqëri dinnjitoze. Në mesin e të mashtruarve kishte shefa të mediave dhe gjyqtarë, por asnjë rom. Kursimtarët u mashtruan shkaku i zyrave të bukura, reklamave dhe dilerave të shumtë që premtonin se bëhej fjalë për fitime të mëdha. Besueshmëria u rrit edhe shkaku i përshëndetjeve dhe urimeve që i dërgonte për vitin e ri vet Kapustini.

Gjatë kohës së procesit gjyqësorë u përzie edhe emri i kryetarit Petar Stojanov, që sipas dëshmitarëve u afrua si konsultant për këshilla juridike në filialën e piramidës në Plovdiv më 1994. - 1995. Nga sekretariati për shtyp u demantuan këto informacione duke pohuar se Petar Stojanovi gjatë kësaj kohe ishte deputet.

Kapustin në mënyrë periodike hynte në grevë urie në burg duke u ligështuar nga 130 në 70 kilogramë. Kohën prapa grillave e shfrytëzoi për pikturim dhe organizim të ekspozitave në burgun qendror të Sofjes.

Gjykimi do të mbahet mend për zhagitje të vazhdueshme shkaku i ndërrimit të shpeshtë të avokatëve dhe përkthyesve dhe kërkesave që lënda të kthehej në hetim të mëtejmë. Faraoni gjithashtu kërkoi që hetuesi dhe gjyqtari sqarime se ç'janë ato kërkesa ligjore të autoriteteve të drejtësisë. Veprimi tjetër për zhagitjen e lëndës ishte premtimi i rrejshëm i Kapustinit se do t'ua kthente paratë kursimtarëve. Përndryshe, sipas gjitha gjasave të mashtruarit nuk do të fitojnë asgjë, sepse në llogaritë bankare të Kapustinit në Bullgari nuk ka asnjë lev. Ai gjithë paratë i deponoi jashtë, saktësisht në vendin Sejnt Xhons, në pushimoren e ishujve Karpe, Antigua dhe Barbuda. Atje paratë qëndruan tre muaj për të humbur pastaj në drejtim të panjohur.

Derisa gjykimit të tij në Sofje nuk i dihej fundi, familja e tij ngriti padi kundër Bullgarisë në Vankuver me vlerë prej 900 milion dollarësh amerikanë, sepse shteti kishte shkatërruar biznesin e tij. Pas burgosjes së Kapustinit Bullgaria ndërpreu prodhimin e ilaçit "Faktor R" që shkaktoi rrezik për mijëra kanadezë të sëmurë nga SIDA, thuhet në ankesën e gjyqësisë kanadeze.

Procesi gjyqësor i Kapustinit që zgjati rreth gjashtë vjet paraqet të një të arritur në teorinë e drejtësisë, sepse dëshmon për lëshimet në ligjet penale që doemos duhet të përmirësohen, komenton hetuesi i parë i kësaj lënde Mario Stojanov.

Është e vërtetë se procesi gjyqësor nxorri në shesh shumë paqartësi të jurispondencës bullgare, të bëra gjatë 10 vjetë reforma të vazhdueshme. U dëshmua se rrjedhat e reja demokratike në jurispondencën bullgare ofrojnë mundësi për çdo mashtrues që të mashtrojë sa të mundet. Duke shfrytëzuar gjithë defektet ligjore Kapustin vazhdimish ua solli në majë të hundës si gjyqtarëve poashtu edhe kursimtarëve të mashtruar. Në fund të fundit ai u fajësua vetëm për gjysmën e veprës kriminale. Hetuesia gjyqësore nuk arriti të dëshmonte se ai kishte vjedhur 2800 njerëz.

Megjithatë cili lejoi ngritjen e shjetëra piramidave gjatë viteve 90-ta ku u mashtruan 140 mijë bullgarë? Arsyetimi se bullgari është naiv dhe është vet fajtor, sepse shteti nuk mund të përzihet në raportet private qytetare nuk janë bindëse. Hetuesia konstatoi se gjithë makineria shtetërore mbeti pasive. Përse?

Në fillim të vitit 1996 me urdhër tani më të ish – kryeprokurorit Ivan Tatarçevit filloi të mbykqyrej veprimtaria e udhëheqësisë së atëhershme të Bankës Popullore Bullgare (BPB) dhe veçmas shërbimit për “mbykqyrje bankare". Tatarçevi dëshironte të dinte se athua nëpunësit nuk kishin bërë vepra penale shkaku i pasivitetit të tyre apo paaftësisë në lidhje me piramidat finansiare.

U dëshmua se që në fillim të 1994 hetuesisë në Dobric, Varna dhe Krxhali u ishin dërguar letra për mbykqyrje bankare duke iu bërë me dije bankave për rrezikun nga piramidat. Nga BPB megjithatë nuk u ndërmorr asnjë hap. U vërtetua se rreth njëqind persona paguan prej një deri dy mijë leva, kurse morrën më shumë se 4 milionë para përmbysjes së tyre. Përgjigja e Bankës Popullore Bullgare është se në rastin e piremidave nuk bëhet fjalë për veprimtari bankare dhe me këto raste duhet të merret hetuesia. Kurse hetuesia ose nuk ka reaguar ose reagimi është bërë me inicim të BPB. Kështu, në mesditë, ka lulëzuar ky hazard publik që në fund të fundit e ka paguar bullgari.

Edhe më i madhi, Majkl Kapustin nuk ishte i vetmi faraon dhe mashtrues. Ndërtuesit e “Qytetit të ëndrrave” në Sofje Solomon Anzhel dhe nënkryetari i firmës së tij Cavdar Rajçev duhet të dalin para gjyqit në maj. Ata doemos duhet të përgjigjen për përvetësim parashë në vlerë prej 169.918.897 leva të vjetër, të marrë për 309 banesa të pangritura. Procesi kundër firmës "Ist Uest Interneshenel" gjithashtu duhej të fillojë në maj. Iv Nedjalkov është akuzuar për përvetësim të 203.227.912 leva të vjetër nga një shoqëri gjatë periudhës 1993-1994. Janë paratë e afër 5.000 aksionerëve të kësaj piramide. Lënda gjyqësore kundër vëllezërve Fjodor dhe Ronald Cihijës dhe kundër Emil Stoilovit nga "MCS Bulgarija" është kthyer në rishqyrtim për shkak të disa thyerjeve të rregullave procedurale. Përndryshe ata akuzohen për përvetësim të 1.450.710 dollarëve amerikanë dhe 579.000 DM, të marrë nga 4.673 kursimtarë në periudhën 1993-1995. Këta të tre një kohë kanë qëndruar në burg dhe janë lëshuar pasi kanë paguar kaucionin. Tani nuk janë në vend kurse gjykimi vazhdon në mungesë të tyre.

Në tetor të vitit të kaluar Gjykata rajonale e Varnenskit e arsyetoi pronarin e shoqatës "Pram-Hristov" Rumen Hristovin, gruan e tij Pavlinën dhe kunatën Zhasmina Bonov që ishin akuzuar se kishin mashtruar gjatë periudhës 1994-1996 gjithsejt 424 kursimtarë për një shumë prej 104.031.788 leva.

Dënimi që iu shqiptua faraonit Majkl Kapustinit përbën një satisfaksion moral në vend, por tek kursimtarët e mashtruar ka shijen e hidhur, sepse përmban vetëm dimensionin moral. Ata që nuk mundën të dëshmonin se ishin të mashtruar nuk kanë asnjë gjasë që të marrin paratë e tyre nëse merret ndonjë hap qytetar për gjykim kundër faraonit. Të tjerët mund ta padisin që t'ua kthejë paratë. Megjithatë çka, kur nuk ka para?

AIM, Sofje

PLAMEN KULINSKI