Ndjellësit e luftës
Edhe pse policia dhe zyrtarë të tjerë pohojnë se nuk ka asnjë gjurmë e zë të UÇK-së në Mal të Zi, disa parti tërheqin vërejtjen se edhe në Mal të Zi pritet një e ardhme e pasigurtë
AIM Podgoricë, 21.03.2001
Ashtu si Maqedonisë edhe Malit të Zi i kanoset rreziku i zjarrit të luftës që e ndezin ekstremistët shqiptarë. Rreziku shtohet njëtrajtësisht me rritjen e e popullaritetit të idesë për pavarësinë e Malit të Zi.
Janë këto gjitha pohimet me të cilat u “bombardua” opinioni publik në Mal të Zi. Llavën e hodhi gazeta “Glas Crnogoraca” ("Zëri i malazezëve"). Në numrin e parë të gazetës që doli pas një pauze të gjatë njëvjeçare, pra të martën më 19 mars, me mbititullin "Lajmi i fundit” dhe me titullin bombastik “Sindromi kosovar” shkruante:
- Siç merr vesh "Glas Crnogoraca", gjatë mëngjesit në Gusi, në shumë banesa dhe ndërtesa, u shfaqën grafitet "Ushtria Çlirimtare e Pllavës dhe Gusisë”. U ngjitën edhe pllakate me përmbajtje të njëjtë...
Të njëjtën ditë në këtë rrëfim u ndërfut agjencia informative Tanjug. Në servisin e saj u paraqit informacioni vijues: "Pjesëtarët e të ashtuqujaturës UÇK janë vërejtur gjatë tre ditëve të kaluara në malet e komunës së Gusisë, që gjendet në pjesën kufitare mes Malit të Zi ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, merr vesh Tanjugu nga burime të mirëinformuara në Podgoricë...".
Në "lojë" u inkuadruan edhe mediumet tjera "projugosllave" në Mal të Zi ("Dan", "Politika", "Vecernje novosti"... televizioni federal "Yu-info"). Edhe pse këto pohime u demantuan nga krerët e komunës së Plavës (nga të gjitha partitë pjesëmarrëse në Këshillin bashkiak), nga qytetarët e Plavës dhe Gusisë dhe krerët e MPB-së malazeze, mediat e përmendura vazhduan me fushatën e përhapjes së frikës.
U injorua edhe deklarata e zëdhënësit të Unionit Demokratik të Shqiptarëve Ferhat Dinoshës, edhe pse është fjala për politikan i cili padyshim ka mjaft autoritet te shqiptarët e Malit të Zi. Dinosha duke u thirrur në dëshmitë e Këshillit Qendror të partisë nga veriu i Malit të Zi, demantoi rrëfimet për paraqitjen e fletave shqiptaromëdha në rajonin e Plavës dhe shtoi se "Mali i Zi, sa u përket shqiptarëve që jetojnë në të, mund të jetë i qetë. Këtu nuk do të ndodh ajo që e kemi parë përreth".
Në vend të botimit të këtyre informatave dhe “qetësimin e topit” fushata e frikësimit të malazezëve u vazhdoi së bashku me tentimin e jetësimit të animoziteteve mes popujve shumicë dhe pakicë që jetojnë në Mal të Zi, përmes komunikatave dhe paraqitjeve publike të liderëve të partive "projugosllave". Nga kryeministri federal dhe nënkryetar i PSP Zoran Zhizhiçi, përmes PP, PPS dhe PSP e deri tek ekspozitura malazeze e PRS Momir Vojvodiçi, njëzëri dhanë edhe porosinë – vetëm së bashku me Serbinë mund të ruhet Mali i Zi, sepse është i vogël i pafuqishëm, pa UJ nuk mund të mbrohet nga ekstremistët shqiptarë.
Këtë më qartë e përshkroi gazetari i gazetës "Dan": "Tashmë është mëse e qartë se “Montenegro”-ja e pavarur do të ishe shumë shpejt e ndarë në regjionet e Përliçit (funksionarë i BDK-së në BeH), Peroviçit (lider i PLML) dhe Dinoshës...".
Gjykuar sipas të gjithëve këtu qëndron i gjithë rrëfimi. Kundërshtarët e pavarësisë shtetërore krijojnë edhe një “përbindësh” – duke pohuar se nëse Mali i Zi bëhet i pavarur atëherë ai do të “ngulfatej” nga fqinjët qëllimkëqinj. Lihet anash edhe fakti se pakica shqiptare në Mal të Zi përbën vetëm pesë përqind të popullatës së këtushme dhe sipas kësaj nuk paraqet pengesë serioze për paqën dhe integritetin territorial të Republikës.
Prandaj kryetari i Këshillit Qendror të partisë më të fuqishme malazeze, PDS, Miodrag Vukovic, duke u thirrur në informatat e shërbimeve shtetërore kompetente thotë se përgjegjësia për “shpikjen e UÇK-së në veri të Malit të Zi" i takon "strukturave të veçanta politike dhe formacioneve paramilitare” që “të vetëdijshëm për dobësinë e tyre kanë filluar të manipulojnë duke shpikur mashtrime".
Përndryshe kjo është hera e tretë që pjesëtarët e UÇK-së të "sulmojnë" Malin e Zi. Përralla e parë për pjesëtarët e UÇK-së në Mal të Zi u dëgjua në vjeshtën e vitit 1998, gjatë ardhjes së refugjatëve shqiptarë nga Kosova në Mal të Zi (që pas një qëndrimi të shkurtë në fshatin e Pllavës Meteh u deportuan në Shqipëri).
Nënkryetari i Qeverisë së atëhershme federale Danilo Vuksanoviç akuzoi atëbotë në parlamentin republikan se autoritetet malazeze dhe disa “eprorë të UJ-së” u kishin mundësuar kalim të lirë pjesëtarëve të UÇK-së përmes Malit të Zi. U përgjigjën ministrat malazez nga Partia Popullore (PP). Duke respektuar gjendjen e pauniformuar ata porositën Vuksanoviqin se “Shtatmadhoria e UJ-së e din ku dhe përse" mundësuan këtë aksion. Dhe këtu iu vu pikë gjithë kësaj përralle.
Disa muaj më vonë pasoi një aferë tjetër. Kryetari i atëhershëm i qeverisë federale dhe kryetar i PSP Momir Bulatoviç dhe nënkryetari i kësaj partie Predrag Bulatoviç vërtetuan se në Mal të Zi qëndrojnë 800 pjesëtarë të “njësive speciale të të ashtuauajturës UÇK", dhe se qeveria e Malit të Zi lejon praninë e tyre. Edhe më shumë se kaq: Bulatoviqët vërtetuan se një pjesë të këtyre forcave MPB-ja e Malit të Zi i rekruton edhe në rradhët e veta. MPB-ja malazeze demantoi këto pohime duke konstatuar se bëhet fjalë për “gënjeshtra që mund të cenojnë stabilitetin politik dhe nacional të Malit të Zi". Edhe atëherë Mali i Zi mbeti i qetë.
Athua e gjithë kjo do të kalojë lehtë edhe pas “zbulimit” të aktiviteteve të ekstremistëve shqiptarë në territorin e Malit të Zi? Ngjarjet në Maqedoni tërheqin vërejtjen për kujdes. Përkundër kësaj, qytetarët e nacionalitetit shqiptar gjatë dekadës së kaluar kushedi saherë vërtetuan lojalitetin e tyre ndaj Malit të Zi.
Kurse "lufta me grafite" nuk është asfarë risie në hapësirat e Malit të Zi. Shumica edhe mëtej kujtojnë gërvishjet që zbukuruan fasadat e qyteteve malazeze: "Kjo është Serbi", "Vdekje turqëve", "Muslimanët korba të zi..." ose "Serbët në maje"... Mund të paramendohet se “shkrimet” e fundit mund të arrijnë nga njëra prej këtyre kuzhinave.
Madje nuk mund të thuhet se kjo fushatë është e papritur. Thjesht – edhe kjo aferë paraqet fushatën më të ndyrë prazgjedhore (paraferendumiane) në Mal të Zi. Në pyetje është diçka e madhe dhe nuk do të zgjidhen mjete për të ardhur deri tek qëllimi i dëshiruar. Gjuha e urrejtjes, disa herë deri tani, u tregua si mjet efikas për tërhqjen e masës. Natyrisht janë të njohura edhe “kundërhelmet”: informimi me kohë i opinionit publik dhe forcimi i vetëdijes qytetare për domosdoshmërinë e tolerancës dhe bashkëjetesës...
Del se Malit të Zi edhe mëtej nuk i kërcënohet rreziku nga jashtë. Së pak jo aq serioziozisht se sa problemet e brendshme.
AIM, Podgoricë
ZORAN RADULOVIÇ