Stacioni i fundit i Orient Expres
AIM TIRANA, 29 mars 2001
Dikur ishin vetëm dy, ndërsa sot numërohen me dhjetra, ndoshta mund të kenë kaluar dhe qindëshin. Askush në fakt nuk mund ta thotë me saktësi se sa skafe kanë në zotërim sot skafistët e Vlorës. Ajo që dihet mirë është se policia shqiptare ka vetem njw. Pa llogaritur katër të tjerë që ndodhen larg bregur, në ishullin e Sazanit, por që janë pronë e Guardia di Finanza, e angazhuar në luftën kundër trafikut të njerëzve dhe cfaredo gjëje tjetër që kalon nga Vlora në drejtim të Italisë.
Në vitin 1992 dy skafet e parë në Vlorë kishin për pronarë italianët dhe shqiptarët në atë kohë ishin të punësuar. Shqipëria vinte nga një periudhë e madhe izolimi e shumë njerëz ishin të gatshëm të shkonin në Perëndim me çfardolloj kushti. Dhe ndersa do t'u duhej të prisnin me ditë, javë apo muaj pas mureve të ambasadave të huaja, dy skafet italo-shqiptare qenë e vetmja mundësi e shpejtë, pak e kushtueshme, por më tepër e sigurtë se rradha para përfaqësive të huaja në Tiranë. Kwshtu biznesi nisi të ecte mirë, aq mirë sa vetem dy skafe nuk mund të përballonin dot atë fluks të madh "udhëtarësh". Me kalimin e muajve shqiptarët nisën të kuptojnë se nuk ia kanë më nevojën pronarëve italianë, dolën më vete dhe kështu nga dy skafe u bënë katër, tetë e në më pak se dy vjet ky aktivitet u bë shumë shqetësues për Qeverinë italiane, e cila shihte se nuk mund t'ia dilte dot të frenonte numrin e madh të klandestinëve që zbarkonin për çdo ditë në brigjet e Italisë jugore.
Ketu e ka zanafillën një lloj lufte njësoj si macja me miun mes shtetit dhe skafistëve, në të cilën gati asnjëherë nuk ka pasur të humbur e të fituar. Ata që kanë lënë kokën kanë qenë vetëm njerëzit që jo pak herë kanë parë t'u ndërpritet ëndërra në mes, të gjendur të mbytur në ujerat e kanalit të Otrantos. "Ky det ka ngrënë shumë jetë", ta presin vlonjatët.
Në mënyrë figurative deti i Vlorës ka ngrënë edhe shumë koka zyrtarësh të lartë, një ndër të cilët edhe Sokol Koçiu, ish-komisari që ra peng i skafistëve pas aksionit më të madh antiskaf të organizuar ndonjëherë në këtë qytet. E që tani ndodhet në burg i akuzuar për favorizim të trafikut të drogës.
Jemi duke udhëtuar me të fundit komisar të policisë lokalenë të njëjtën makinë. "Salla marrje. Më dërgo një nga Shqiponjat këtu para repartit se ka një sherr". Nga radioja e vogël e dorës e Gjovalin Lokës, prej dy muajsh Drejtor i Policisë së Prefekturës së Vlorës, herë pas here dëgjohen marrje e dhënie mes vartësve të tij. Komisari zhytet paksa ne kolltukun e veturës së tij, teksa dëgjon si pa interes bisedat në radio dhe tund ngadalë kokën. Zëri përsëritet sërish duke kërkuar me insistim një nga makinat e 19-tës, ndërkohë që nga salla vonon përgjigja. Loka pret dhe pak dhe veshtron anash rruges, nga deti.
Papritmas Loka ngrihet, rrëmben radion dhe me një ton të fortë i thërret njerëzve të tij. "O salla, po dërgoje pra atë 19-tën se na vdiqe, u duhet sot atyre, jo nesër". Nga ana tjetër e radios zëri i kapur në befasi belbëzon vetëm një "si urdhëron 02". Komisari lëshon sërish radion, thuajse me mërzi. "Dreqi ta hajë, as kaq nuk bëjnë dot", duket sikur thoshtë fytyra e tij. Shoferi që e njihte mirë shefin, nuk fliste, edhe pse kishte lënë përgjysëm një bisedë pak më parë. Po ashtu, edhe ne te tjeter, një shqiptar dhe dy amerikanë, e mbyllëm gojën.
Teksa ecim rrugës në drejtim të Rradhimës, lokalitet në të dalë të Vlorës, Komisar Loka nxiton të tregojë me gisht një pjesë të bregut poshtë. "Ja këtu i kapëm disa nga skafet pak kohë më parë". Terreni shumë i pjerrët nuk të jep aspak përrshtypjen e një qendre nga ku mund të nisen me dhjetera klandestinë për çdo natë të bukur e me det të qetë.
Instiktivisht, teksa makina ecën me shpejtësi, ngrejmë dhe anojmë kokat për nga bregu poshtë, por përveç disa shkurreve dhe nja dy shkëmbinjve disa metra brenda detit nuk shohim asgjë më tepër. Për një çast nisa të imagjinoj kurdë e kinezë që zvarriteshin poshtë deri te gomonia, sepse sytë nuk po më zinin asnjë shteg të vogël ku mund të mbështesje këmbët.
Makina kthehet befas djathtas dhe papritur para nesh shfaqet një postbllok hekuri. Presim pakëz, sepse te trau nuk kishte këmbë njeriu. Pak çaste më vonë një polic duke vrapuar nxiton të nderojë Lokën dhe ngre traun aq pak sa autostrada blu të mund të hynte brenda. "Moli i Rradhimës", thotë Drejtori dhe nxiton me hap të shpejtë drejt pjesës së betonit ku janë ankoruar një cisternë e madhe e vjetër, e anuar dukshëm majtas si dhe një traget i vogël i bardhë, dikur pronë e VEFA-s. "Këtë do ta marrë një vlonjat e do ta bëjë traget për turistë", hidhet e thotë një miku ynë që po na shoqëronte.
"Do ta përdorë për të shkuar në Sazan, Triport e vende të tjera". Meqë ra fjala, kujtohem dhe e pyes mikun për turizmin në Vlorë. "Ka pasur plot këtë vit", ma kthen ai, duke nënkuptuar verën e shkuar. "Gati një mijë të huaj".
E shoh me dyshim, sepse 1000 të huaj në Vlorë nuk janë pak gjë, dhe do të kisha dëgjuar më parë për këtë. Ashtu sikur kam dëgjuar se në Sarandë e Himarë këtë vit është bërë hataja në turistë të huaj dhe shqiptarë. "Jo jo, mos u habit kaq shumë. Edhe unë njoh disa njerëz, amerikanë, që kanë kaluar pushimet këtu", ma kthen Joshua, njëri nga dy amerikanët.
Bisedën tonë e ndërpret zhurma e motorëve të një skafi në ngjyrë blu që i afrohet molit. Pak metra para nesh ai gati shuan motorët dhe afrohet ngadalë, ndërkohë që dy njerëz, që në atë errësirë të krijuar dukeshin si dy hije, afrohen ta ndihmojnë të ankorojë buzë betonit. I pari hidhet Loka, më pas vijojmë ne të tjerët. Rradha përcaktohet nga shkalla e trimërisë, dhe unë vendos të hidhem në kuvertë i katërti. Më saktë i parafundit. Por në këtë moment, dëgjohet zëri i motoristit, i cili na lutet të qëndrojmë në tokë dhe për pak kohë sa të kontrollojë motorin. Kuverta hapet dhe brenda saj duken dy motorë, si brenda një grope. Minutat ecin dhe megjithë provat e herëpashershme motori, që më parë punonte, tani sikur përton të ndizet. Në një moment ndihet një erë e keqe, si e djegur, dhe gjithë skafi mbushet me tym të bardhë. Motoristi nxiton sacnga njëra anë e skafit tek tjetra dhe i bërtet ushtarit të stakojë baterinë. "Fluturuam", thashë me vete duke mos e fshehur frikën se mos, në rastin më të mirë, mund të shpërthente ndonjë zjarr. Kaloi dhe pak kohë dhe gjithçka u normalizua. E kam fjalën te tymi, motori nuk donte as të merrte as të jepte.
Komisar Loka ndërkohë gjen rast dhe flet me vartësit. Vetëm pak para se të prishnin motorin kishin diktuar një gomone. Skafistët, të frikësuar, patën hedhur të tërë njerëzit në breg dhe siç e do zakoni ishin larguar në drejtim të paditur.
Presim dhe ne. Loka nis e bëhet pak nervoz, por kjo ia shton disi dhe humorin. "Yheee klandestini", thotë me një lloj theksi në italisht. "Këtu është mirë, Vlora është qytet i qetë, nuk ka ngarkesën e punës së Tiranës", tregon ai duke e krahasuar me eksperiencën që ka pasur më parë si shef i krimeve te Komisariati 1 në kryeqytet. "Por ka një gjë të vogël të keqe, ka detin afër që i infekton pak njerëzit", shton duke buzëqeshur. Eh deti!
Pas ndonjë tre çerek ore të gjithë i japin fund përpjekjeve për të rregulluar motorin dhe nuk ka mbetur gje tjeter vecse per t'u kthyer mbrapsht tek makinat. "Hë si thoni ju, a luftohen skafet kështu", na drejtohet njëri syresh. "Ky skaf, tregon ai me gisht ? ka një jetë që është prodhuar. Në teori duhet të kapi një shpejtësi 30 milje në orë, në praktikë do ishim të lumtur të shkonte te 20-25 milje në orë". Pothuajse një e treta e shpejtësisë së gomoneve të skafistëve. "Dhe është i vetmi që kemi".
Diku më tutje dikush i zemëruar shfryhet kundër italianëve. "Ne kemi këto që kemi, domethënë këtë skaf, italianët kanë gjithçka, skafe, helikopterë e mjete të tjera dhe prapë na e vënë neve fajin. Kurse ata të tjerët,skafistët kanë skafe më të shpejta, celularë, mjete të tjera komunikimi. Hë si mendon ti, se mund të ndalohet trafiku në këtë mënyrë?!" Në atë mënyrë në fakt nuk mund të ndalohet. "Ne shumë kemi bërë deri tani", thotë një tjetër.
Sipas shifrave zyrtare janë ndaluar 11 skafe e gomone vetëm dy muajt e parë të vitit 2001, ndërsa vitin e kaluar numri i gomoneve dhe skafeve të kapura arrin në 34 të tillë.
Guida jonë, një gazetar lokal, pohon me kokë si për të dhënë të kuptohet se gjithçka thonë ata njerëz është e vërtetë. E befas shton diçka jo fort të zakontë, që i kalon kufijtë e Vlorës. "Këtu në Shqipëri, thotë ai, hyjnë vetëm 40% e parave të këtij trafiku, pjesa tjetër mbetet në Itali". E si për ta përforcuar dhe më këtë përfundim sjell shëmbullin e fillimit. "Kur nisi kjo punë u bënë shkak italianët. A mendoni se shqiptarët mund ta bëjnë vetë tërë këtë trafik? Po në Itali si kalojnë ata njerëz? Kush i pret? Kush i dërgon në veri të Italisë e më pas në gjithë Evropën Perëndimore?". "Jo se po them diçka të re, por jemi stacioni i fundit i trenit Orient-Ekspres", e mbyll bisedën me humor komisar Loka.
AIM Tirana
BLEDAR ZAGANJORI