Dënim dhe mbështetje

Pristina Mar 29, 2001

Prishtinë, 28.03.2001.

Rastësi e çuditshme, por në përvjetorin e sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake jugosllave, liderët kryesorë politikë të shqiptarëve të Kosovës po nënshkruanin një deklaratë kundër dhunës së bashkëkombësve të tyrë në Republikën fqinje të Maqedonisë. Liderët e viktimave që shpëtimin nga agresioni serb e kishin gjetur te bombat e NATO-s, tash po "dënonin agresionin e bashkëkombësve të tyre". Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike dhe ish drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, ish komandant i kësaj ushtrie dhe tash kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nënshkruan një deklaratë të përbashkët me të cilën u "bëjnë thirrje grupeve ekstremiste në Maqedoni që të lënë armët dhe të kthehen në mënyrë paqësore në shtëpitë e tyre". Kjo deklaratë ishte kërkuar prej tyre nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian - Javier Solana, përfaqësues i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Chris Patten, komisioner për zhvillim dhe rindërtim ekonomik dhe Ana Lindt, ministre e jashtme e Suedisë, kryesuese aktuale e BE-së. Të tre këta zyrtarë të lartë pas vizitës në Maqedoni vizituan edhe Kosovën dhe nga liderët shqiptarë kërkuan "distancimin e qartë dhe të prerë nga ata që argumentet e tyre politike përpiqen t'i mbrojnë me bomba e plumba". Gjatë disa orëve sa zgjatën bisedimet, liderët shqiptarë kishin përsëritur qëndrimin e tyre se "janë kundër dhunës, pavarësisht se nga kush zbatohet", por këto fraza nuk kishin pirë ujë. Liderët evropianë kishin këkruar shprehimisht "dënimin e grupeve shqiptare që luftojnë në Maqedoni". Gazetat lokale e quajtën "të tmerrshme" trysninë që ishte bërë mbi liderët shqiptarë. Javier Solana, të cilin shqiptarët e çmojnë si mikun e tyre të madh për shkak të rolit të tij gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, kishte përmendur pikërisht këtë rol si argument në trysninë ndaj liderëve politik të Kosovës. "Miku ishte kthyer për të marrë borxhet", prandaj ai nuk kishte përtuar kësaj radhe t'ua përkujtonte shqiptarëve tërë atë që kishte bërë Perëndimi për ta. Kolegu i tij Chris Patten nuk përtoi t'ua përmendte atyre 1 miliardë e 500 milionë marka gjermane të dedikuara për Kosovën nga Bashkimi Evropian, të cilat tha ai "duhet t'i arsyetojë para taksapaguesve të vendeve të Evropës perëndimore, parlamentarëve e mediave të tyre". Zyrtarët evropianë thanë se "deklarata e tillë u duhej për ta vënë në tryezën e takimit të vendeve të Bashkimit Evropian në Stokholm të Suedisë". Ndoshta liderët shqiptarë kurrë nuk ishin ndier më të kërcënuar. Zyrtarët evropianë kishin qenë të prerë. "Mosdistancimi nga dhuna nënkupton izolim të Kosovës nga komuniteti ndërkombtar". Ndoshta ishte hera e parë që liderët shqiptarë e kuptuan me tërë mend se "përkrahja e jashtëzakonshme ndërkombëtare për Kosovën dhe shqiptarët ishte lëkundur me gjithë mend. Dy nga liderët ishin pajtuar, ndërsa Ramush Haradinaj kishte shtyrë nënshkrimin për një ditë. Nënshkrimet, megjithatë, u hodhën dhe e tëra që arritën të "fitojnë" liderët shqiptarë ishte t'ia shtojnë deklaratës edhe një fjali ku kërkohej nga autoritetet maqedone që të jenë të përmbajtura dhe t'i qasen zgjidhjes së problemit me mjete politike e demokratike". Nëse me pjesën e parë të deklaratës ata "po shpëtonin Kosovën nga izolimi ndërkombëtar", me pjesën e dytë duket se po luftonin për të shpëtuar "fytyrën" para opinionit të brendshëm. Pasi kishin hedhur firmat në deklaratë, ata ishin "fshehur" nga sytë e opinionit publik duke u lënë vartësve të tyre "këmbët e arushës në dorë" që t'ia shpjegojnë publikut arsyet e një veprimi të tillë.

Luftimet e guerilëvë shqiptarë në Maqëdoni janë luftimet e para të cilat nuk i kanë "homogjenizuar" shqiptarët. Mbase është konflikti që i ka ndarë më së shumti ata. Nëse zyrtarët shqiptarë në Tiranë e përsërisnin vazhdimisht distancimin e tyre të plotë nga guerilët shqiptarë që veten e quajnë Ushtria Çlirimtare Kombëtare, Prishtina u tregua shumë e përmbajtur dhe problemin e kërkoi te qeveria mqedonase dhe qëndrimi i saj mohues ndaj të drejtave të shqiptarëve. Liderët shqiptarë e dënuan dhunën, por jo vetëm atë të guerilëvë shqiptarë. Deklarimet e zyrtarëve perëndimorë se Kosova po "dëmtohet rëndë nga zhvillimet në Maqedoni", kërcënimet se ajo po e varros "ëndrrën e shqiptarëve për vetëqeverisje", megjithatë ende nuk e kishin thyer "murin e heshtjes", ndërsa liderët, për të cilët cinikët thonë se vrapojnë pas ngjarjeve, tashmë po përballeshin me protestat e studentëve shqiptarë, të cilët brohoritën rrugëve të Prishtinës në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Liderët, këmba e të cilëve nuk ka shkelur në qytetin e studentëve (përveçse kur ishin vetë studentë), tashmë po përballeshin me një reagim që nuk kishin guxim as ta kundërshtonin e as ta përkrahnin. Nëse me deklaratat e tyre kishin hedhur poshtë pohimet se "dhuna është duke u bartur nga Kosova në Maqedoni", ata duket se nuk kishin përgjigje nëse "turmat" e të rinjve të mllefosuar nga pamjet e vrasjes së civilëve në Tetovë do të niseshin për matanë kufirit për të luftuar për "çështjen madhore"!

Sidoqoftë, ata e dënuan dhunën, u distancuan me nënshkrim nga guerilët dhe nëpërmjet mjeteve lokale të informimit hodhën tezën se e "shpëtuan Kosovën" dhe shqiptarët nga pagëzimi i tyre si "element destabilizues i Ballkanit". Vartësit e tyre u ngutën të shpjegojnë se ekziston një "konspiracion ndërkombëtar për t'i paraqitur shqiptarët si të tillë", ndërsa nënshkrimin e deklaratës e vlerësuan edhe si pasojë të "mungesës së një qëndrimi të prerë të liderëve shqiptarë në Maqedoni dhe atyre në Tiranë". Duket se, në rrugë të "përshtatshme", dikush ua bëri "me dije" edhe studentëve se protestat në përkrahje të guerilëvë shqiptarë në Maqedoni nuk ishin veprim i mençur", ndërsa parullat në pankartat e tyre ku, midis tjerash, shkruante: "Tirana, Prishtina, Tetova e Presheva janë një", nuk ishin më parulla të ditës.

Megjithatë, diçka u "shpëtua", thonë vëzhguesit lokalë. Nëse asgjë tjetër, thonë ata më të prirurit për qesëndi, atëherë shqiptarët e shpëtuan vetveten nga mendimi narcisoid se ata janë të "përkëdhelurit e botës". Viktimat e deridjeshme mbase e kutpuan se po rrëshqasin në pozitat e atyre që ishin bombarduar, edhe nga fakti pse ishin të bindur se po qe "faktor stabiliteti" , po të njëjtin mund ta sakrifikosh sa herë të duash.

Çështja e pazgjidhur shqiptare, ndërkaq, kësaj radhe nuk u dëshmua si argument i mjaftueshëm për të përligjur luftën e grupeve të armatosura që veten e quajnë Ushtria Çlirimtare Kombëtare, shkurtesa e së cilës koincidon me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. "UÇK", tha një diplomat perëndimor në Prishtinë, nuk mund të përsëritet në çdo pjesë ku jetojnë shqiptarët, ndërsa çdo përpjekje e tillë vetëm sa mund ta zbehë dhe ta dëmtojë të parën!

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA