Beogradi dhe Haga
Dorezimet e prolonguara
Me lobimet intenzive në Perëndim pushteti i ri serb i është shmangur presionit direkt për dorëzimin e Millosheviqit - mirëpo problemin nuk e ka zgjidhur
AIM Beograd, 27.3. 2001.
Pushteti i ri në Serbi - sipas pohimeve të tij - pati sukses që të pajtohet me Perëndimin për fatin e ish kryetarit jugosllav Sllobodan Millosheviq. “ Haga është e gatshme që të hesht një vit për Millosheviqin, të mos përmend dorëzimin e tij, nëse pushteti në RFJ përshpejton sjelljen e ligjit për bashkëpunim me Tribunalin dhe në mënyra tjera tregon gadishmëri për bashkëpunim”, deklaroi më 25 mars ministri i drejtësisë serbe, Vladan Batiq. Po atë ditë kryeministri Zoran Xhinxhiq u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve lidhur me datën e ekspedimit të Millosheviqit në Hagë: “ Mendoj se këtu ekziston ndonjë marrëveshje e heshtur me organizatat ndërkombëtare që më së pari atë problem duhet ta zgjidhim në vendin tonë, sepse nëpërmjet funksionit politik të Millosheviqit thyhet tërë tragjedia jonë gjatë 10 deri më 12 vjetëve të kaluara”.
Këto pohime janë rezultat i lobimeve intenzive shumëditëshe. Xhinxhiqi gjatë dy ditëve në Uashington kishte mbi 24 takime në të cilat edhe sektorit qeveritar edhe atij joqeveritar u përpoq t'i spiegojë se kërkesa e Kongresit amerikan që deri më 31 mars t'i jepen fakte konkrete për bashkëpunim me Tribunalin (lexo; dorëzo Millosheviqin) ishte diçka praktikisht joreale. Teza e tij ishte se SHBA-t, pa mëdyshje, Serbisë mund t'ia ndërpritnin ndihmën e paralajmëruar financiare dhe t'ia blokonin bashkëpunimin me institucionet financiare - por që atëherë pushteti demokratik do të gjendej në gjendje jashtëzakonisht të vështirë, kështu që duhej vetë të vlerësonin sa sa kjo ishte e arësyeshme, duke u nisur nga ajo që nuk kishte dallime ndërmjet qëllimeve të Serbisë dhe SHBA-ve, përveç atij sa u përket afateve optimale. Obrad Kesiq-i, analist i politikës së jashtme amerikane në Uashington, me deklaratën se “ ishte e pahijshme të shkohej kundër aleatit - derisa Serbët faktikisht janë bërë aleatë të Amerikës” shkoi edhe një hap përpara.
Batiq-i dhe ministri federativ i drejtësisë Momçilo Grubaç, në të njëjtën kohë shkuan në Hagë, në bisedat me shefat e Tribunalit. Karla del Ponte shprehu “ kënqësi” të padyshimtë për vizitën e tyre - gjë që ishte hera e parë që prokurori kryesor të përdorë fjalë të tillë për diçka që vinte nga Beogradi.
Disa sheja të vullnetit të mirë u çfaqën nga të dyja anët. Haga ngriti dy hetime: të parin - kundër antarëve të Ushtrisë Çlrimtare shqiptare të Kosovës për krimet kundër popullsisë joshqiptare të bëra në Krahinë nga qershori i vitit 1999 ( gjegjësisht nga hyrja e forcave paqëruajtëse). Deri tani vërtetonin se kjo ishte diçka e pamundëshme, sepse mandati i Tribunalit ishte vetëm për konfliktet luftarake - kurse në qershor të vitit 1999 lufta në Kosovë kishte përfunduar. Hetimi i dytë lidhet me përgjegjësinë eventuale për krimet e luftës të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ( tri komuna në jug të Serbisë në të cilat formacionet e emrimit të përmendur filluan të veprojnë gjatë vjeshtës së kaluar).
Pushteti në Beograd, nga ana tjetër, deri para do kohe paralajmëronte se ligji për bashkëpunim me Tribunalin - të cilin Haga përndryshe e vlerësonte si të panevojshëm - do të mund të sillej për katër-pesë muaj. Pas kthimit të dy ministrave nga Haga u publikua lajmi se në ndërkohë teksti i Projektligjit gjegjës ishte i shkruar, dhe se lidhur me të së shpejti duhej të deklarohej Qeveria federative. Në ndërkohë në Beograd pjesëtarët e MPB të Serbisë e burgosën nënshtetasin 39 vjeçar të BeH, Milomir Stakiq dhe ua dorëzuan përfaqësuesve të autroizuar të tribunalit të Hagës. Stakiq-i është akuzuar për gjenocid në vitin 1992 në territorin e komunës boshnjake të Prijedorit .
Megjithatë, vizita e dy ministrave Hagës dhe burgosja e Stakiqit treguan qartë dallimet e thella në garniturën qeveritare të Serbisë / RFJ / rreth pyetjes së Hagës. Presidenti i RFJ, Vojisllav Koshtunica, në Kuvendin e Partisë së tij demokratike Serbe deklaroi se dorëzimi në Hagë i prefektit të Prijedorit, Milomir Stakiq ishte “ përjashtim i cili nuk duhej bërë”, sepse ende nuk është sjellë Ligji për bashkëpunim me Tribunalin. Ministri Batiq - në intervistën në Televizionin e Republikës Serbe - atij ia ktheu se “ pikëpamjet personale” për dorëzimin e Stakiqit “nuk ishin më të rëndësishmet”. Pas kthimit nga Uashingtoni, kryeministri Xhinxhiq deklaroi se lidhur me bashkëpunimin me Hagën “ pengesa kryesore ishte ajo që në nivel federativ nuk ekzistonte pajtim rreth asaj vallë kishte mundësi kushtetuese dhe ligjore për bashkëpunim me Tribunalin”.
Si përfundim nga sa u tha më lartë, shihet qartë se pushteti demokratik i Beogradit nga Perëndimi ka fituar tajm- autin që edhe pak të shohë se çfarë të bëjë me kriminelët e akuzuar në krye të të cilëve qëndron Sllobodan Millosheviqi. Pas aprovimit të ligjit për bashkëpunim me Tribunalin - për të cilin pritet që kur të arrijë në Kuvendin Federativ mund të ketë diskutime të ashpra- do të bëhet e qartë se cili nga qeveria e re cilin dhe pse dëshiron ta gjykojë, respektivisht se vallë dikush tenton të mbrojë fajtorët për krimet e luftës. Në ndërkohë, policia dhe prokuroria serbe ende presin që dikush nga të gjykuarit, nga të arrestuarit dhe të burgosurit e shumtë të regjimit të kaluar të tregojë me gisht drejt Millosheviqit dhe të thot për cilindo lloj të krimit - ai më dha urdhër. Mirëpo kjo, siç dihet, ende nuk ka ndodh.
AIM Beograd
ROKSANDA NINCIQ