Dialogu, shkurtpamësia dhe mrekullia e dylbive
Merdare - Prishtinë, 25.03.2001.
Disa dhjetëra gazetarë vendorë e ndërkombëtarë po ziheshin me njëri-tjetrin në afërsi të kufirit verior të Kosovës me Serbinë për një palë dylbi. Ata kishin lënë mënjanë kamerat, fotoaparatet dhe mikrofonat e tyre dhe po "luftonin" për një palë dylbi të vogla të njërit prej kolegëve, i cili ishte treguar më "largpamës". Dylbitë ishin e vetmja mundësi për ta që të shihnin se kush do të ulej në tryezën e bisedimeve në takimin e parë ndërmjet një delegacioni të qeverisë serbe dhe delegacionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që duhej të fillonin procesin e zgjidhjes paqësore të konfliktit 18 muajsh. Uturima e helikopterit britanik i mblodhi gazetarët përreth kolegut të tyre të "privilegjuar", i cili numëronte anëtarët e delegacioneve, shumicën me emër, që po hynin në bazën e trupave britanike të forcës shumëkombëshe të udhëhequr nga NATO-ja (KFOR), në Merdare, vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës e Serbisë në veri të Prishtinës. Trupat ushtarake nuk lejonin afrimin e gazetarëve, të cilët nga një largësi prej disa qindra metrash po përpiqeshin që me rrugë "klandestine" të mësonin çfarë po ndodhte brenda në tendat e KFOR-it, ku po zhvilloheshin skenat e para të asaj që do të duhej të shënonte fillimin e shthurjes së një konflikti që mori dhjetëra jetë njerëzish dhe shpërndau nëpër botë mijëra të tjerë.
Meqë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, Pitter Faith, i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, lordit George Robertson dhe Stefan Lehne, i dërguar i Bashkimit Evropian, nuk po dukeshin para gazetarëve, filloi "loja" e deklaratave kundërthënese që nga brenda arrinin nëpërmjet telefonave mobilë të "harruar" hapur nga ndonjë anëtar i delegacioneve. Kryesuesi i delegacionit serb Nebojsha Çoviq, zëvendëskryeministër i Serbisë, kishte hedhur mbi tavolinë kërkesën që luftëtarët shqiptarë të njohur si Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të lirojnë gjashtë serbë të arrestuar prej tyre. Dy nga të arrestuarit ishin ushtarakë të ndaluar në fshatin Tërrnoc në rrethana të panjohura, ndërsa katër të tjerët ishin civilë tek të cilët, sipas luftëtarëve shqiptarë, ishin gjetur armë dhe mjete eksplozivi. Anëtarët e delegacionit shqiptar e kanë hedhur poshtë kërkesën e zotit Çoviq, duke theksuar se "çështja nuk është në mandatin e tyre, meqë të arrestuarit janë në duart e shërbimeve përkatëse të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit". Sipas tyre, të arrestuarit kishin hyrë në zonë të "ndaluar" dhe kishin shkelur edhe marrëveshjen për armëpushim të nënshkruar nga vetë zoti Çoviq dhe komandnati i luftëtarëve shqiptarë. Megjithatë, ata thanë se "luftëtarët janë të gatshëm të bëjnë këmbimin e tyre" me guerilë të arrestuar nga forcat qeveritare. Kjo për Çoviqin ishte e papranueshme, meqë këmbimi nënkupton "njohjen edhe publike të tyre si palë në konflikt". Mëgjithatë, ai ka nxjerrë argumente të tjera në tryezë duke theksuar se drejtësia serbe është e gatshme të dëshmojë arsyet e plota të arrestimit të guerilëve. Mirëpo, duket se nuk ishte çështja e të arrestuarve ajo që shtyu për të paktën katër orë takimin ballë për ballë të të dyja delegacioneve. Për katër orë rresht ndërmjetësuesi Faith kishte ushtruar "shatël diplomacinë" e tij nga tenda në tendë për ta bindur Çoviqin që të ulej në tryezën e bisedimeve, meqë ky i fundit kishte kundërshtuar faktin që delegacioni shqiptar udhëhiqej nga Ridvan Qazimi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, i cili është i njohur me emrin komandant Lleshi. Për disa orë me radhë gazetarët ndoqën me dylbi komandant Lleshin, i cili qëndronte ulur në hyrje të tendës ushtarake duke fërkuar mjekrrën e tij të madhe, e cila kësaj radhe i mbulonte kravatën në vend të uniformës ushtarake. Agjencitë informative qarkullonin lajmin se delegacioni serb ishte tërhequr dhe se "bisedimet" kishin dështuar. Të gjitha citonin kryesuesin serb të delegacionit, Nebojsha Çoviq.
Megjithatë, në orën 19 delegacionet u ballafaquan në atë që Pitter Faith e quajti "hap të parë shumë të rëndësishëm në procesin e bisedimeve". Rreth orës 21 në mbrëmje helikopteri britanik e transferoi për në Luginën e Preshevës delegacionin shqiptar, automobilat kthyen prapa për në Serbi Çoviqin dhe anëtarët e delagacionit të tij, ndërsa dylbitë e gazetarëve mbetën të "papërdorshme" për shkak të errësirës që kishte mbuluar Merdaren.
Zoti Faith nuk u duk i pakënaqur. Ai tha se delegacionet kanë biseduar lirshëm dhe në një atmosferë të përzemërt për të gjitha çështjet e hapura, ndërsa u pajtuan që bisedimet të vazhdojnë një javë më vonë në njërin nga fshatrat e luginës së Preshevës. I dërguari i Bashkimit Evropain, Stefan Lehne, madje shtoi se "të dyja palët u pajtuan që era e dhunës në Ballkan ka përfunduar dhe se është koha që të dyja palët të punojnë së bashku për arritjen e një zgjidhjeje paqësore". Zoti Lehne tha po ashtu se nëse "kjo do të ketë sukses, atëherë do të mund të shërbente si shembull i mirë edhe për të tjerët në rajon". Duke kuptuar aludimin e mundshëm tek ajo që po ngjet në Maqedoni, ai dhe zoti Faith u ngutën të shpjegojnë se "lugina e Preshevës dhe Maqedonia janë çështje të ndara."
Një ditë më pas, përfaqësuesit e shqiptarëve thanë se është krijuar hapësirë për vazhdimin e bisedimeve, ndërsa takimin e parë e quajtën "me vlera historike" për rajonin e trazuar. Komenet e tyre ata i bënë derisa po ktheheshin nga funerali i njërit nga guerilët, për të cilin ata thanë se ishte vrarë me pushkë snajperike në fshatin Konçul të komunës së Bujanocit, aty ku është edhe Shtabi i Përgjithshëm i luftëtarëve shqiptarë.
Sidoqoftë, Merdare shënoi fillimin e një procesi, i cili që në fillim dëshmoi se do të jetë i vështirë. Merdare, vend i "allishverisheve" shqiptaro-serbe, vend i doganave që ende nuk funksionojnë, vend i krimit ku 11 qytetarë serbë kanë humbur jetën në shpërthimin që ndodhi në një autobus të përcjellë nga KFOR-i, vend ku ushtria jugosllave ka fituar vizën për të hyrë në zonën tokësore të sigurisë, mbase do të mund të shndërrohej në vend të fillimit të fundit të një lufte në fillim të së cilës "luftatarët" shqiptarë ishin "kryengritës" ndaj serbëve që, nën Millosheviqin e akuzuar për krime lufte, ishin "djem të këqij", ndërsa tash rolet kanë ndryshuar. Përfaqësuesit e shqiptarëve thanë se në procesin e zgjidhjes së problemit bartin në kurriz fatin e 100 mijë banorëvë të Luginës së Preshevës. Por, në kurrizin e tyre tashmë po peshonte rëndë edhe lufta e "homonimëve" të tyre në Maqedoni.
AIM Prishtinë, Besnik BALA