Vetem pak nga kutia e Pandores ballkanike

Tirana Mar 22, 2001

AIM Tirana, 22.03.2001

Ministri i Jashtem i Shqiperise dhe kryetar i rradhes i Procesit te Bashkepunimit te Europes Juglindore Paskal Milo nuk ka mundur t'i binde koleget e vet ballkanas qe te firmosin nje deklarate te perbashket rreth krizes maqedonase. Maqedonia dhe Bullgaria kundershtuan deklaraten, ne te cilen, ndersa denoheshin veprimet e ekstremisteve shqiptare dhe mbeshtetej sovraniteti i Maqedonise, kerkohej qe te ndaleshin me force veprimet e armatosura, nje terminologji qe duket se i referohet si luftetareve shqiptare, ashtu edhe forcave qeveritare maqedonase.

Ne te njejten kohe ne Shkup, gjate Samitit te Kryetareve te Parlamenteve te vendeve te Ballkanit, nenkryetari i Parlamentit shqiptar, Namik Dokle, ka bllokuar deri ne minuten e fundit deklaraten perfundimtare, dhe ka firmosur vetem pasi jane hequr nga teksti referencat ndaj rrezikut te Shqiperise se Madhe.

Megjithese qendrimi i Shqiperise ka qene i matur dhe i kujdesshem, kriza maqedonase ka shkaktuar nje krisje te thelle ne marredheniet e Tiranes me fqinjet e saj ballkanike. Megjithese si Tirana, ashtu edhe fqinjet, kane te njejtin qendrim persa i perket mbeshtetjes se sovranitetit dhe integritetit te Maqedonise, gjithnje e me shume po theksohen diferencat ne menyren se si palet e shohin krizen maqedonase dhe rruget e zgjidhjes se saj.

Ka te ngjare qe pas kesaj krize as Maqedonia nuk do te jete me ajo e para, pasi, pavaresisht nga zgjidhja, ne cdo rast marredheniet mes shqiptareve dhe maqedonasve jane tronditur keqas, por as Ballkani te mos jete ai i mepareshmi, pasi duket se boshtet e vjetra jane ringjallur dhe paternalizmat e reja kane ngritur krye. Eshte e qarte, ne Maqedoni kryeqohen jo vetem korridoret ballkanike, por edhe interesat. Ne te vertete, Kutia e Pandores ballkanike eshte plasaritur pak, por per fat te mire ende nuk eshte hapur.

Ne te vertete, te gjithe fqinjet ballkanike e kane patur nga nje problem te hapur me shtetin me te ri te Ballkanit. Greqia kishte ceshtjen e emrit, prej nga erdhi Lufta e Emrit ( Name's War). Bullgaria kishte problemin e gjuhes. Serbia kishte problemin e kufirit. Shqiperia kishte problemin e shqiptareve ne Maqedoni, qe perbejne nje te treten e popullsise.

Nente vjet me pare, kur Maqedonia shpalli pavaresine, Shqiperia ishte vendi i dyte pas Bullgarise, qe nxitoi ta njihte Republiken e vogel, ndersa me 1994 kur Greqia vendosi bllokaden kunder shtetit me te ri te Ballkanit, Tirana i ofroi Shkupit portin shqiptar te Durresit, per te zevendesuar bllokimin e Selanikut.

Krismat e pushkeve ne Tanushe dhe me pas ne Tetove nuk kane kaluar pa lene hije ne marredheniet mes dy vendeve. Shqiperia ka denuar qarte perdorimin e armeve nga guerriljet e UCK-se, te cilet i ka etiketuar si ekstremiste, por ne cdo rast ka shmangur perdorimin e termit "terroriste", aq i preferuar ne Shkup. Tirana nuk e desheron as "jugosllavizimin e Maqedonise" dhe as "libanizimin" e saj.

Nga ana tjeter, ndersa Shkupi ( dhe fqinjet e tjere ballkanike), flasin per nje konflikt te importuar nga Kosova, per Tiranen rrenjet e konfliktit qendrojne brenda Maqedonise, tek pakenaqesia e akumuluar e shqiptareve gjate dekades se ekzistences se Maqedonise. Teoria e "agresionit kosovar" mund te sherbeje si alibi e perkoheshme, por ne instance te fundit ajo i ngjet veprimit te strucit qe fsheh koken ne rere.

Ndersa Shkupi dhe fqinjet ballkanike jane te frikesuar nga fantazma e Shqiperise se Madhe ne Tirane ky kapitull quhet i mbyllur. Ndersa nacionalizmi serb u gatua ne Beograd, nacionalizmi kroat ne Zagreb, nacionalizmi shqiptar eshte nacionalizem, qe vjen jo nga Tirana, por nga periferite ose nga diaspora.

Kur ne ditet e para te krizes ministrat e jashtem te dy vendeve, Milo dhe Kerim, u takuan ne qytetin shqiptar te Peshkopise, ishte e veshtire te dalloje diferencat mes Tiranes dhe Shkupit.

" Shqiperia i ka dhene mbeshtetje te plote qeverise maqedonase per te marre masat ne Tanushevc dhe ne vendet e tjera ku ekstremistet provokojne incidente. Mesazhi eshte se asgje nuk do t'i demtoje marredheniet mes Shqiperise dhe Maqedonise, as ekstrenistet", tha kerim.

Por, me zhvendosjen e krizes ne Tetove dhe me ashpersimin e konfliktit te armatosur qendrimi shqiptar eshte bere me i rezervuar. Ndersa Shkupi e sheh zgjidhjen tek armet, Tirana e sheh tek dialogu.

Nuk vihen re ndryshime te rendesishme ne qendrimet e Qeverise dhe te opozites ndaj krizes maqedonase. Ministri i Jashtem Milo deklaroi se " Shqiperia eshte e mendimit se problemet e trasheguara nga e kaluara nuk mund te zgjidhen me arme, por vetem me nje dialog konstruktiv mes paleve".

Ndersa ish Presidenti Berisha, qe ka kerkuar angazhimin e NATO-s ne zgjidhjen e konfliktit, tha se " une dua t'i kujtoj zotit Trajkoski se shqiptaret kane votuar per pushtetin e tij dhe zotit Georgievski se qeveris vendin se bashku me shqiptaret".

Ndryshe nga kriza ne Kosove, kur territori shqiptar u be prapavije e UCK-se dhe nje Ho Shi Min trail per transportin e armeve ekzistonte ne kufirin e Shqiperise me Kosoven, nuk ka asnje te dhene se e njejta gje ngjet aktualisht ne rastin e krizes maqedonase. Ndersa lideret e Ushtrise Clirimtare te Kosoves vinin ne Tirane per te takuar kryeministrin e vendit, apo gjeneralet e NATO-s, lideret e gueriljes shqiptare ne Maqedoni jane krejtesisht te panjohur ne kryeqytetin shqiptar.

Sigurisht, Presidenti Trajkoski e mban mend se ne nentor te vitit te kaluar, u detyrua t'u telefononte me rradhe Presidentit, kryeministrit dhe madje edhe drejtuesve te partive opozitare ne Tirane, per t'u kerkuar qe ata te influenconin tek deputetet shqiptare ne Parlamentin maqedonas qe te mbeshtesnin Kabinetin Georgievski, qe rrezikonte te rrezohej pas largimit te Tupurkovskit. Por, nese Shqiperia ka nje influence te kufizuar tek lideret politike te shqiptareve te Maqedonise ( socialistet ne pushtet kane lidhje me te mira me Xhaferrin e PDSH, demokratet ne opozite me Imerin e PDP), nuk mund te flitet per ndonje influence te saj tek guerriljet.

Ne fakt, te gjitha palet ne Tirane i tremben asaj qe mund te quhet demonologji ndaj shqiptareve, me sakte demtimit te pandreqshem te imazhit te shqiptareve dhe sidomos armiqesimit te tyre me Perendimin. Ekziston frika se aksionet e armatosura te guerriljeve shqiptare kane qene kundraproduktive dhe mund te demtojne sidomos te ardhmen e Kosoves. Por, nga ana tjeter, shtypi gjithnje e me shpesh po nenvizon se guerriljet kane arritur suksesin e pare: kane sherbyer se katalizator per te terhequr vemendjen e komunitetit nderkombetar mbi nevojen e permiresimit te statusit te shqiptareve ne Maqedoni.

Aktualisht, Tirana ka pak ne dore per te influencuar mbi ngjarjet. Ne fakt, ajo ka filluar te numeroje refugjatet e pare, te cilet megjithate nuk kerkojne me shume se sa transportin nga Qafa e Thanes per ne Morine, nje rruge 300 km e gjate tranzit per ne Kosove. Frika e eskalimit te konfliktit, cka mund te sillte vale te medha refugjatesh, eshte gjithnje e me shume prezente ne Shqiperi.

Testi i Maqedonise ka qene me se i mjaftueshem per te pare reagimin e fqinjeve te tjere ballkanike. Me fillimin e krizes maqedonase fqinjet, duket si me magji, i kane lene sherret qe kane me njeri tjetrin dhe jane treguar te gatshem t'i ofrojne Maqedonise trupa, arme, helikoptere etj.

Oferta e Presidentit bullgar Stojanov per te derguar trupa ne Maqedoni sigurisht qe eshte dicka me shume se ai qe nuk ka ekzistuar ndonjehere: solidariteti ballkanik. Ne Tirane tingelloi ose si solidaritet sllav, ose si paternalizem bullgar. Pavaresisht se Qeveria socialiste bullgare tregoi se nuk e mbeshteste propozimin e kreut te shtetit per dergimin e trupave, eshte e paqarte se cfare permbante marreveshja ushtarake Georgievski-Kostov e 7 marsit. Presidenti shqiptar Mejdani refuzoi te prese ministrin bullgar te mbrojtjes gjate vizites se tij ne Tirane, nje sinjal i qarte se Tirana nuk e shihte me sy te mire futjen e hundeve te fqinjeve ne krizen maqedonase.

Po ashtu, oferta e Greqise per t'i dhene tre helikoptere Shkupit eshte pare me shqetesim ne Tirane. Athina ka kerkuar qe helikopteret te transportoheshin nepermjet hapesires ajrore shqiptare, me sa duket per te matur pulsin e autoriteteve te ketushme. Pas refuzimit te prere te Tiranes, greket duket se kane hequr dore nga afera e helikoptereve dhe ka qene Ukraina vendi qe ka nisur tre ose kater helikoptere drejt Shkupit.

Gjate diteve te krizes maqedonase ministri i jashtem shqiptar Milo dhe ai serb Svilanovic jane takuar per here te pare ne Vjene. Pas Takimit eshte botuar vetem nje deklarate me terma te pergjithshem ku behet fjale per "zgjidhjen paqesore te konfliktit ne Maqedoni" dhe "pershendetet armepushimi ne Luginen e Presheves". Shqiperia dhe Jugosllavia sapo kane rivendosur marredheniet diplomatike. Tirana e ka pare me dyshim marreveshjen per njohjen e kufirit mes Maqedonise dhe Jugosllavise dhe nuk kane qene te pakte zerat qe e kane konsideruar ate si nje element tensioni me teper.

Testi maqedonas duket se ka qene i hidhur per shqiptaret. Sic shkruante ditet e fundit e perditshmja Shekulli " ne vend te nje modeli per Ballkanin e neserm, Maqedonia po provon te jete nje molle sherri per Ballkanin e sotem".

AIM Tirane

REMZI LANI