Konflikti në Maqedoni nga perspektiva kosovare

Pristina Mar 19, 2001

Prishtinë,19.03.2001.

Kosovarët e dinë se çka është lufta dhe nuk do të dëshironin ta përjetojnë edhe popujt e tjerë, sidomos jo bashkëkobsit e tyre kudo që jetojnë. Prandaj, shpërthimin e konflikteve në Maqedoni, në mënyrë të veçantë rreziqet e zgjerimit, opinioni shqiptar i Kosovës i ndjek me shqetësime të mëdha. Në anketat e shpeshta që i bëjnë mjetet e këtushme të informimit, qytetarët, politikanët dhe partitë e preferojnë zgjidhjen politike të problemeve. Me atë rast, gati të gjithë, përkujtojnë se Kosova dhe populli i saj edhe sot dhe kush e di edhe sa gjatë do të jetojnë me pasojat e rënda të luftës. Megjithatë, ndërmjet politikës dhe qytetarëve ka disa dallime që, tash për tash, nuk duken thelbësore. Përkundër preferimit të mjeteve paqësore, qytetarët shqiptarë konsiderojnë se shqiptarët në Maqedoni kanë të drejtë të mos i durojnë diskriminimin dhe padrejtësitë në baza kombëtare.

Në anën tjetër, krahas mirëkuptimit për kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, duke përfshirë edhe arritjen a statusit të popullit shtetformues, politikanët dhe partitë shumë më qartë e kritikojnë përdorimin e armëve për zgjidhjen e problemeve. Por, javëve të fundit, politikanët dhe partitë kosovare dallohen për disa ndryshime në krahasim me qëndrimet e deritashme shqiptare që kanë karakter thelbësor dhe mund të kenë ndikim afatgjatë për zgjidhjen e nyjeve të vogla ose të mëdha ballkanike. Ndoshta për herë të parë në historinë e shqiptarëve të trollit kosovar, forcat e tij më të mëdha politike që aktualisht e gëzojnë besimin e gati gjithë elektoratit shqiptar deklarohen qartazi dhe pa mëdyshje për Maqedoninë si shtet i pavarur dhe për integritetin e këtij shteti në kufijtë e tashëm. Njëherësh, ato vlerësojnë se Maqedonia me territorin e saj të tashëm është faktor i stabilitetit në këtë pjesë të Ballkanit. Prandaj, pranohet dhe rekomandohet që shqiptarët e atjeshëm të bëjnë çmos që moskënaqësitë e veta t'i zgjidhin me mjete paqësore dhe brenda institucioneve të atij shteti.

Me rëndësi edhe më të madhe është fakti se për çështjen e pavarësisë të Maqedonisë tash ekziston një konsensus i liderëve dhe partive kryesore shqiptare nga të gjitha anët e kufirit. Forcat kryesore politike në Shqipëri - pozita dhe opozita, si dhe partitë shqiptare në Maqedoni i përsëritën këto ditë qëndrimet e veta të mëhershme për Maqedoninë e pavarur. Është me interes të madh të theksohet se në valën e tronditjeve që tash i përjeton Maqedonia për respektimin e integritetit territorial dhe të pavarësisë shtetërore u deklarua edhe udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) që është në krye të rezistencës të armatosur. Në këtë pikëpamje deklarimi ishte i qartë dhe pa mëdyshje. Ky është një fakt që tregon se konfliktet e tashme në Maqedoni nuk kanë pretendime territoriale, pushtimin ose shkëputjen e ndonjë pjese të territorit të shtetit. Po ashtu, për vlerësimin e konfrontimeve të tashme të armatosura në atë shtet, me rëndësi është të theksohet se kërkesat që kohë më parë i shtroi komanda e UÇK-së dhe që merren arsye për fillimin e rezistencës së armatosur nuk janë të panjohura për partitë, politikanët-në pushtet apo në opozitë dhe për opinionin e Maqedonisë. Kërkesat e tyre janë identike ose të ngjashme me kërkesat që partitë politike shqiptare I shtrojnë brenda institucioneve të shtetit që nga shpallja e pavarësisë të Maqedonisë para 10 vjetësh dhe të cilat kanë hasur në përkrahje të vazhdueshme të partive politike në Kosovë.

Mospajtimet që janë paraqitur brenda forcave të ndryshme politike shqiptare lidhur me çështjen e federalizimit të Maqedonisë, nuk duket se mund të bëhet mollë sherri për përçarje të mëdha brendashqiptare. Edhe pse ndër to ka pasur ithtarë të federalizimit, partitë shqiptare të Maqedonisë këtë nuk e kanë shtruar deri tash në formë të kërkesës zyrtare. Me sa dihet, federalizimin si kërkesë programatike e ka shtruar Partia Demokratike Kombëtare që u formua para disa javësh, si parti e katërt e shqiptarëve në Maqedoni. Prijësit e lëvizjes së tashme ushtarake në Maqedoni në kërkesat e veta nuk e përmendin federalizimin. Prandaj, konsiderohet këtu, nuk është e domosdoshme që kërkesat e subjekteve të atjeshme shqiptare për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë të merren si aspirata për federalizim. Ato kërkesa më parë duhet të lidhen me aspiratat që shqiptarët të fitojnë të drejta që do t'i barazonin me maqedonasit, që në opinionin e këtushëm shqiptar konsiderohen të drejta, për ta fituar statusin e popullit shtetformues. Megjithatë, në opinionin shqiptar të Maqedonisë ka ithtarë që angazhohen për autonominë shqiptare ose për federalizimin e shtetit. Ditë më parë, Partia Demokratike Shqiptare e Arbër Xhaferit i paraqiti argumentet e veta kundër federalizimit. Në Kosovë, deri tash, kundër federalizimit është deklaruar vetëm kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Megjithatë, kjo çështje nuk ka qenë temë debati dhe partitë shqiptare të Kosovës e kanë shprehur qartas dhe vazhdimisht se do ta përkrahin qëndrimin mbisundues të shqiptarëve në Maqedoni.

Para luftës në Kosovë, gati e gjithë lëvizja ilegale shqiptare e Kosovës, ku ishin inkuadruar edhe shumë shqiptarë nga viset tjera të ish Jgosllavisë, ka pasur në programin e saj kërkesën për bashkimin në një shtet të të gjitha viseve ku shqiptarët kanë përbërë shumicën e popullsisë. Për analiza më të gjera dhe më të thella të rrjedhave dhe të ndryshimeve të tashme të qëndrimeve thelbësore politike, është me rëndësi të theksohet se pikërisht kjo lëvizje e përgatiti dhe e udhëhoqi luftën kundër sundimit serb në Kosovë. Por, duke marrë parasysh rrethanat, sidomos ato ndërkombëtare, udhëheqja e UÇK-së të Kosovës qysh gjatë luftës filloi të bëjë korreksione thelbësore lidhur me idenë e bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet. Ky ndryshim është tash i qartë në qëndrimet e dy partive kryesore që dolën nga lufta. Fjala është për Partinë Demokratike të Kosovës, të Hashim Thaçit, dhe për Alencën për Ardhmërinë e Kosovës, të Ramush Haradinajt. Sipas numrit të votave të fituara në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, këto parti zënë vendin e dytë dhe të tretë në panoramën politike të Kosovës. Edhe pse në botë është shkruar shumë, edhe për qëllime manipuluese, tash duket qartazi se panshqiptarizma nuk ka pasur rrënjë të thella në Kosovë. Pas luftës, ithtarët e saj nuk patën ndonjë rol të theksuar në jetën politike, kurse në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ata u margjinalizuan nga vetë elektorati kosovar. Në mbështetje të qëndrimeve të shprehura javëve të kaluara do të mund të konkludohej se edhe opinioni i gjerë i Kosovës konsideron se kufijtë e Maqedonisë, të Serbisë dhe të Jugosllavisë (kuptohet, pa Kosovën), janë realitete që nuk mund të ndryshohen.

Në Prishtinë vlerësohet se Kosova pa institucione dhe e privuar nga e drejta për të vendosur për çkado qoftë, që po ashtu gjendet në kaos të llojit të vet, nuk mund të bëjë më shumë për ndalimin e konfliktit në Maqedoni dhe për qetësimin e shpirtrave në Ballkan. Nuk mohohet se në lëvizjen e tashme ushtarake në Maqedoni mund të ketë shqiptarë nga Kosova, por refuzohet çfarëdo lloj vlerësimi se ajo lëvizje është mall eksportues i Kosovës. Pohohet me këmbëngulje se rrënjët e problemeve janë në Maqedoni dhe se lëvizjen e atjeshme ushtarake, që është pjellë e rrethanave maqedonase, e përbëjnë dhe e udhëheqin shqiptarë - qytetarë të Maqedonisë. Në mbështetje të rrjedhave në dekadën e kaluar mund të supozohet se pa marrë parasysh format organizative dhe prezentimet e ndryshme, përbërja e tashme e UÇK-së të Maqedonisë, ndoshta edhe struktura organizative, është e vjetër, së paku, disa vjet dhe se nuk është fjala, siç thuhet, për grupe të vogla ekstremistësh.

Konflikti i tashëm në Maqedoni mori rrjedha të shpejta dhe nuk pati kohë për masa qetësimi që në nismën e tij. Por, njëherësh nuk pati disponim, as në Maqedoni e as në diplomacinë botërore, për intervenim të shpejtë paqësor. U vlerësua, si duket, se dënimet e ashpra verbale, presionet mbi Kosovën dhe intervenimet e ashpra të KFOR-it rreth kufijve të Kosovës, do të jenë të mjaftueshme që konflikti të mbahet i izoluar. Pjesë e këtyre pritjeve kanë qenë dhe mbesin vlerësimet e gabueshme se konflikti në Maqedoni është eksportuar nga Kosova. Pushteti maqedonas nuk heq dorë nga ky vlerësim. Por, duket sikur diplomacia botërore në këtë pikëpamje ka filluar të bëjë një ekuilibrim që, po të mos quhet qasje më reale, atëherë gjithsesi duhet të konsiderohet qëndrim që mund të jetë më frytdhënës. Mbesin dënimet e ashpra verbale, kërcënimet dhe veprimet e vendosura rreth kufijve të Kosovës, por njëherësh, këto ditë, me gjysëm ose me zë të plotë thuhet se konflikti duhet të zgjidhet brenda Maqedonisë. Me fjalë të tjera, sugjerohet se konflikti i ka rrënjët në Maqedoni. Komandanti i KFOR-it, gjenerali Kabigjozu, tha këto ditë se problemet në pjesë të ndryshme të kësaj pjese të Ballkanit i kanë burimet e veta dhe se është teprim të thuhet se Kosova është shkaktar i tyre.

Analistët kosovarë janë të mendimit se përdorimi I armëve në Maqedoni është vetëm një mjet për imponimin e bisedave me qëllim të gjetjes se zgjidhjeve politike dhe jo mjet për zgjidhjen e atyre problemeve. Megjithatë, fitohet përshtypja se këtu nuk kuptohen plotësisht gjithë rreziqet e mundshme që do të mund të rridhnin nga një konflikt i tillë e armatosur, pasojat e rënda për zhvillimet e ardhshme politike në Kosovë, si dhe për marrëdhëniet e saj me fqinjët.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI