Bllokada e kufirit si dënim
Prishtinë,13.03.2001.
Nuk ka të dhëna të sakta, por pjesa më e madhe e mallit që vjen nga jashtë, në Kosovë hyn nëpër dy vendkalimet me Maqedoninë, kryesisht në Han të Elezit nëpërmjet magjistrales Prishtinë-Shkup. KFOR-i, UNMIK-u, OESC-eja dhe organizatat tjera ndërkombëtare qeveritare dhe joqeveritare, gati të gjitha komunikimet tokësore me Kosovën i bëjnë nëpërmjet Maqedonisë. Njësoj është edhe me pasagjerët kosovarë që dalin ose vijnë në Kosovë. Shkupi është gati vendi i vetëm ku kosovarët i rregullojnë çështjet e vizave për të shkuar në botën e jashtme. Aeroporti i Prishtinës nuk është bërë ende konkurrencë e fortë që do ta rrezikonte aeroportin e Shkupit. Lëvizjet e kosovarëve në drejtim të Shkupit dhe të Maqedonisë do të ishin shumë më të mëdha sikur shumica e kosovarëve të mos ishin mbyllur për shkak të mungesës të pasaportave dhe sikur të lejohej hyrja në Maqedoni e automjeteve kosovare me targa të UNMIK-ut. Për këtë arsye nuk mund t'i angazhojnë kapacitetet e veta firmat autotransportuese të Kosovës.
Këto ditë Maqedonia e mbylli kufirin me Kosovën për herë të dytë. Duke pasur parasysh rëndësinë e vendkalimeve kufitare me këtë vend, qytetarët, tregëtarët dhe ekonomia e Kosovës pësojnë dëme të rënda. Pa marrë parasysh se kur do të hiqet bllokada, në Kosovë qysh tash imponohen preokupime për zgjidhjen e këtij problemi të rëndë, në afate të shkurtra dhe të gjata. Vlerësohet se mëritë, rivalitetet dhe ambicjet ballkanike nuk ka gjasa të zgjidhen shpejt. Prandaj, konstatohet, Kosova nuk duhet të lejojë që lidhjet e vetme me botën t'i ketë nëpërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.
Thuhet se, nga pikëpamja e marrëdhënieve politike, Kosova ka gjasa të mira ta zgjidhë këtë problem me Shqipërinë. Ekonomistët llogarisin se lidhja nëpërmjet Durrësit mund të dalë edhe shumë më e lirë. Por, nuk ka infrastrukturë. Duhet të investohen shumë mjete që nuk i kanë as Kosova e as Shqipëria. Përpjekjet që herë pas here shtrohen, madje si prioritete qeveritare të Tiranës, nuk japin shpresa, qoftë edhe për zbutje të problemit në një të ardhme të afërt. Në Kosovë nuk besohet shumë as në Paktin e Stabilitetit, jo pse Kosova nuk është anëtare e tij, por për arsye se projektet e tij ekonomike, kur është fjala për zgjerimin e komunikimeve të Kosovës me botën, mund të kenë frymëzime të fuqishme politike që lidhen me planet e diplomacisë perëndimore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë.
Këtu nuk dyshohet shumë se vendimet e Shkupit për mbylljen e kufirit me Kosovën, në të dy vendkalimet, janë masa hakmarrëse kundër Kosovës. Pretekst merren tensionet në kufi dhe konfliktet sporadike me UÇK-në (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) e Maqedonisë. Por, po të ishte afërsia gjeografike me terrenin e konflikteve shkak i vërtetë i mbylljes së kufijve, atëherë më parë duhej të mbyllej kufiri me Serbinë në pjesën Kumanovë-Bujanovc të autostradës Shkup-Nish dhe pastaj mund të vinte në konsiderim mbyllja e kufirit në Han të Elezit, në magjistralen që lidh Prishtinën me Shkupin. Rrjedha e tensioneve në kufijtë veriorë të Maqedonisë aspak nuk e arsyeton mbylljen e vendkalimit në Glloboçicë, në rrugën malore nëpër Malin Sharr që lidh Prishtinën me Tetovën.
Nga vendkalimi kufitar në Han të Elezit, fshati Tanushec, ku shpërthyen konfliktet e para ndërmjet forcave maqedonase dhe grupeve të armatosura shqiptare, është larg nja 30 kilometra në drejtim të verilindjes. Informacionet zyrtare thonë se gjendja në Tanushec është qetësuar dhe supozojnë se grupet e armatosura shqiptare janë tërhequr në brendi të Maqedonisë, kryesisht në drejtim të fshatrave malore të Kumanovës, në afërsi të autostradës dhe të hekurudhës Shkup-Nish. Prandaj, motiv i vërtetë i Shkupit për mbylljen e kufijve me Kosovën duhet të jenë vlerësimet se të gjitha të këqijat vijnë vetëm nga veriu dhe se Kosova është fajtore për atë çka ngjan ose i kanoset Maqedonisë. Për këtë arsye Kosova duhet të dënohet. Njëherësh i tërhiqet vërejtja se duhet të jetë e dëgjueshme ndoshta edhe për çështje të tjera, si për shembull ta pranojë marrëveshjen me Beogradin për rregullimin e vijës kufitare edhe në pjesën ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Në të kundërtën, me mbyllje më të gjata të kufijve mund ta pësojë edhe më keq. Në mbylljet e tashme të kufijve nuk duhet të përjashtohen as ndikimet e inateve të njohura të popujve dhe të njerëzve të Ballkanit që të dëmtohet fqinji, pa marrë parasysh se dëme i bëhen edhe vetvetes.
Maqedonia është vendi më i privilegjuar në kalimet kufitare dhe në shkëmbimet me Kosovën. Sipas një marrëveshjeje ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, të arritur para 6 vjetësh, malli me prejardhje nga Maqedonia futet në Kosovë pa doganë, vetëm me një taksë prej një për qind. Maqedonia, bashkë me keqpërdoruesit e tjerë që duan ta shfrytëzojnë eksportin pa doganë përfitojnë shumë, do të mund të thuhej gati aq sa humb Kosova. Keqpërdorime bëjnë edhe organet zyrtare të Maqedonisë që japin dokumente se janë me prejardhje nga Maqedonia edhe mallrat që vetëm kalojnë nëpër atë vend, siç janë nafta me derivatet e saj dhe prodhimet e viseve të nxehta. Në Maqedoni bëhet riambalazhimi i mallrave të tilla.
Gjatë verës që shkoi Maqedonia eksportonte në Kosovë rreth 40 për qind të prodhimeve të veta bujqësore. Kosova i ka bërë të mundshme këtij vendi ta angazhojë optimalisht potencialin e vet transportues rrugor. Edhe kur kufiri është i bllokuar, transportuesve me targa Maqedonase u lejohet të kalojnë për Kosovë, por jo atyre që kanë targa të vendeve tjera. Janë angazhuar edhe firmat për prodhimin e ambalazhit dhe shërbime të tëra për riambalazhim për të treguar se malli ka prejardhje nga Maqedonia. Monopoli i lidhjeve me Kosovën i sjell këtij vendi levërdi ekonomike që nuk mund të paramendohen në rrethana normale dhe njëherësh i lejon mundësi të bëjë presione që nuk kanë kurrfarë lidhjesh me interesat ekonomike. Aeroporti i Shkupit nuk pranon të aterrojnë ose të nisen nga Shkupi aeroplanët që për shkak të kushteve të këqija atmosferike nuk mund të aterrojnë ose të nisen nga Prishtina. Por, aeroplanët e aeroportit të Shkupit, në ato rrethana mund ta shfrytëzojnë aeroportin e Prishtinës. Maqedonia zbaton kritere të posaçme që tej çdo mase të arsyeshme kanë ngritur çmimet e tranzitit të mallrave që i importon Kosova.
Mallrat e Kosovës që eksportohen në Maqedoni i nënshtrohen doganës dhe taksave tjera që arrijnë rreth 20 për qind të vlerës së mallit. Kritereve të posaçme u nënshtrohet edhe eksporti i Kosovës që vetëm kalon nëpër territorin e Maqedonisë. Nga bllokada e kufirit vetëm buxheti i Kosovës humb 500 deri një milion marka në ditë. Vlerësohet se humbjet e biznesit kosovar janë po ashtu të mëdha, kurse ngecje shënojnë edhe planet e rindërtimit në shumë pjesë të Kosovës. Tashmë kanë filluar të ndjehen çrregullime në furnizimin e tregut me artikuj të përditshëm, sidomos ata ushqimorë. Paralajmërohen edhe probleme në lëmin e energjetikës për shkak të furnizimit jo të rregullt me karburante. Tregues i parë është ngritja e çmimeve që u vërejt qysh gjatë bllokadës së parë të kufijve. Nuk ka analiza dhe parashikime zyrtare, por disa afaristë konsiderojnë se bllokaka e dytë mund të shkaktojë çrregullime që do të ishin shumë më të mëdha se lëkundjet e çmimeve me pakicë të artikujve të konsumit.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI