Kthimi i forcave serbe

Pristina Mar 13, 2001

Prishtinë, 12.03.2001.

As "kasnecët e apokalipsit" nuk do të mund ta sillnin një kumt më të rëndë për shqiptarët e Kosovës dhe ata të Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, sesa zyrtarët e NATO-s me njoftimin se Ushtria jugosllave do të rivendoset në kufirin ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë. "A po kthehen serbët?" ishte pyetja më e shpeshtë që është dëgjuar këto ditë në Kosovë, ku imazhet e tmerrshme të një lufte të "sapopërfunduar" ende janë shumë të freskëta. Dhe aty u davarit ëndrra për "amshueshmërinë" e dashurisë, mbrojtjes dhe përkrahjes botërore. Dhe në ëndërr disa syresh ishin përkundur nga "iluzioni" se vuajtja e tyre që kishte tmerruar botën ishte shndërruar në perde të fuqishme prapa të cilës mund të ndodhnin tmerre të reja të padënuara. Por, duket se ëndrra ka përfunduar. Zona pesëkilometërshe e sigurisë, e cila ishte vendosur në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje tekniko-ushtarake të nënshkruar ndërmjet oficerëve të lartë të NATO-s dhe atyre të Jugosllavisë, me vendimin e kreatorëve të saj do të ngushtohet.

Fillimisht, përfaqësuesit shqiptarë reaguan kundër këtij vendimi, por duket se shpresuan që kjo ishte vetëm një formë e trysnisë për të bindur guerilët shqiptarë në Luginën e Preshevës që të ulen në tryezën e bisedimeve. Mirëpo, në ndërkohë ndodhi Tanusheci. Ky fshat i humbur në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, për të cilin mbase 99 për qind e kosovarëve nuk kishin dëgjuar më parë, u shndërrua në arenë përleshjesh të armatosura ndërmjet forcave maqedone të sigurimit dhe një grupi shqiptarësh të armatosur që thanë se quhen UÇK (Ushtria Çlirimtare Kombëtare). Ky grup "fantazmë", për disa ditë "arriti" të shpërngulë mbi një mijë shqiptarë, të izolojë Kosovën dhe, mbi të gjitha, të detyrojë NATO-n që ta japë dritën e blertë që forcat e ushtrisë jugosllave të hyjnë në trekëndëshin e kufirit Kosovë - Serbi - Maqedoni. Disa syresh madje guxuan të bëjnë "blasfeminë" më të rëndë, i drejtuan armët ndaj pjesëtarëve amerikanë të forcave paqerujatëse (KFOR). Tanusheci dhe "fantazmat" e armatosura, të cilët nuk i pranon askush, u shndërruan në hendekun më të thellë midis shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe gati vulosën pohimet se "shqiptarët janë element destabilizues në rajon"!

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve u ngutën të dënojnë çdo formë të dhunës që dëmton stabilitetin e Maqedonisë dhe posaçërisht "paturpësinë" e guerilëvë për t'iu kundërvënë forcave paqeruajtëse. Ata siguruan bashkësinë ndërkombëtare se nuk kanë kontroll e as nuk e ndihmojnë grupin e armatosur, madje iu bashkuan autoriteteve ndërkombëtare në kërkesat për zgjidhje politike dhe paqesore të të gjitha çështjeve të hapura.

Mirëpo, reagimet nuk bënë shumë punë dhe NATO tha se "do të lejojë kthimin e kontrolluar të ushtrisë jugosllave në trekëndëshin.". Ibrahim Rugova, udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se "trekëndëshi mund të ruhet nga secila palë veç e veç dhe nuk ka nevojë për angazhimin e forcave serbe". Madje, ai i bëri thirrje Aleancës Veriatlantike që të jetë shumë e kujdesshme. Të ngjashme ishin edhe reagimet ë partive "opozitare" të Hashim Thaçit, kryetar i Partisë Demokratike, dhe Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ideja e kthimit në kufi të "një ushtrie përgjegjëse për tri luftëra në Ballkan gjatë dhjetë vjetëve të fundit, si dhe për krime shumë të rënda kundër njerëzimit, nuk mund të ndihmojë në asnjë mënyrë në stabilizimin e gjendjes, përkundrazi, ajo vetëm mund ta tensionojë edhe më shumë atë", thanë liderët shqiptarë, duket fare mirë të vetëdijshëm se nuk mund të ndryshojnë asgjë me vlerësimet e tyre. Fshati Tanushë, Lugina e Preshevës, si dhe kufiri jugor ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë janë tepër afër njëra-tjetrës dhe mundësia e kalimeve klandestine, kontrabandimit të armëve dhe njerëzve të armatosur është më e lehtë për shkak të terrenit të vështirë për t'u kontrolluar. Prandaj, duket se NATO-ja me një gur ka dashur të vrasë dy zogj: të disiplinojë shqiptarët e "lazdruar" dhe të heqë qafe një trekëndësh jo fort të këndshëm, ku paqeruajtësit mund t'u ekspozoheshin rreziqeve më të mëdha.

Sidoqoftë, ishte kjo shuplaka më e rëndë deri tash që u është dhënë liderëve shqiptarë dhe posaçërisht "guerilëve" të armatosur që filluan të mbijnë si "kërpudhat pas shiut". Nga ana tjetër, forcat jugosllave po nguten të përfitojnë nga ky pozicion i ri i Aleancës Veriatlantike, prandaj ushtarakët e Beogradit nxituan të hartojnë planet për kthim të shpejtë, madje "në tërë kufirin me Kosovën". Pavarësisht nga pohimet se "ushtarët jugosllavë mund të luajnë rolin e pëllumbave prej argjili" në këtë zonë të rrezikshme, zyrtarët e këtij vendi i frynë me pompë këtij vendimi, madje në disa raste duke e vlerësuar këtë si "dëshmi se KFOR-i dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) janë treguar të pazotët për të vendosur rendin dhe qetësinë në rajon, prandaj bota u detyrua të kërkojë ndihmën e ushtrisë jugosllave"!

A kanë dështuar vërtet forcat ndërkombëtare në mbrotjen e kufijve të Kosovës, përkatësisht të mbrojtjes së fqinjve të Kosovës? Vëzhguesit thonë se jo. Këtu kanë dështuar më së shumti liderët shqiptarë që nuk kanë arritur të ruajnë të paktën autoritetin e tyre udhëheqës. Nëse ata të "moderuarit" mund të arsyetoheshin se "asnjëherë nuk kanë pasur kontroll mbi grupet e armatosura", pjesa tjetër që cilësohet më "radikale", duket se ka humbur ndikimin e saj, (apo nuk do ta ushtrojë) mbi personat e armatosur që dikur mund të kenë qenë ushtarë të tyrë në luftën e Kosovës. Liderët shqiptarë pohojnë se "kanë bërë tërë ç'ishte në mundësitë e tyre, mirëpo ata nuk kanë qeveri, ministri mbrojtjeje apo ministri rendi në duart e tyre, prandaj e tëra që mund të bëjnë është vetëm të distancohen nga dhuna".

Mirëpo, analistët pohojnë se distancimi nuk është "ilaçi" i gjendjes së re të krijuar përreth Kosovës dhe ai nuk i çliron liderët shqiptarë nga përgjegjësia e tyre. Shqiptarët, pohojnë ata, janë kësaj radhe fajtorët kryesorë për ndryshimin e qasjes ndërkombëtare ndaj tyre. Bashkësia ndërkombëtare, ndonëse kishte dënuar veprimet e "ekstremistëve" në Luginën e Preshevës, prapëseprapë kishte mbajtur një qëndrim më të "kuptueshëm" për gjendjen në rajon. Por, ajo nuk mund të rrinte duarkryq para synimeve të një grupi të armatosurish që po synonin rrënimin e "oazës së paqes". Maqedonia, pohojnë analistët, është anëtare e Partneritetit për Paqe, një vend që luan rolin e një "tampon zone", shumë e rëndësishme për fuqitë e mëdha, prandaj "shthurja e saj nga një fshat i humbur" nuk do të ishte veçse "një strategji primitive, sikurse që është primitive edhe ndihma e ofruar nga bullgarët dhe grekët, të cilën, sipas tyre, po të kishin mundësi, "do ta gllabëronin brenda natës"!

Mirëpo, ky vendim i NATO-s do t'u shkaktojë më së shumti probleme pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ata e kanë kundërshtuar vendosmërisht këtë vendim, por edhe krahas kësaj ishin të detyruar ta nënshkruajnë armëpushimin me forcat serbe të sigurisë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të NATO-s, duke theksuar se demilitarizimi i plotë i këtij regjioni është kusht për fillimin e negociatave rreth zgjidhjes së problemit të Luginës së Preshevës. Këtu presupozohet që edhe pas kësaj do të ketë vështirësi të mëdha për realizimin e plotë të këtij armëpushimi të nënshkruar, si dhe për shmangien e konflikteve në terren me forcat speciale jugosllave.

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA