Pengje të dhunës

Pristina Mar 9, 2001

Prishtinë, 9.3.2001.

Dënimet tejet të ashpra pas shpërthimit më të ri të përleshjeve në fshatin Tanushevc dhe rreth tij, në kufirin Kosovë-Maqedoni, janë pjesërisht edhe pasojë e fragjilitetit të pozitës së Maqedonisë. Dobësitë e brendshme dhe raportet jo edhe aq të mira me fqinjët, sidomos rreth kontestimit të qenies kombëtare maqedonase, në rastin e Maqedonisë paraqiten faktorë të stabilitetit të saj. Padyshim se turbullirat në këtë vend do t'i implikonin të gjithë fqinjët. Kështu, zgjerimi eventual i konfliktit do të ishte i pandalshëm. Prandaj, ruajtja e qetësisë në Maqedoni është një deklarim absolut i fuqive të mëdha. Kuptohet, duhet të merret parasysh edhe parimi për mosndryshimin me dhunë të kufijve, që është premisë e stabilitetit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Këto duhet t'i kenë parasysh të gjithë shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre, pa marrë parasysh përmasat e implikimit, si individë apo si grupe të vogla ose të mëdha dhe pa marrë parasysh arsyetimet që lidhen me pozitën e pakënaqshme të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Serbi ose, tash, me çështjet e kufirit. Në rastin e Maqedonisë, fuqitë e mëdha sigurinë e shtetit e trajtojnë parakusht për ruajtjen e paqes. Nga ky këndvështrim lehtë parashihet se implikimi i shqiptarëve në këtë konflikt mund të ketë pasoja tejet të rrezikshme jo vetëm për shqiptarët në Maqedoni, por në të gjitha trojet e tyre, sidomos në Kosovë. Prandaj, kujdesi për sjellje dhe vlerësime racionale nga secili duhet të jetë maksimal.

Por, një kujdes i tillë nuk mund ta mjegullojë lidhmërinë zinxhirore të rrjedhave në këtë pjesë të Ballkanit dhe kushtëzimin e ndërsjellë të ngjarjeve. Proceset politike në Kosovë shënojnë ngecje që nga vjeshta e vitit të kaluar. Prej atëherë shtyhet kompletimi i pakos së ligjeve për ekonominë, kurse gjatë këtij viti ka pasur shumë hamendje lidhur me përgatitjen e kornizës së kushtetutës së përkohshme, pas së cilës duhet të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve në nivel të Kosovës. Pasiguria e biznesit është e vazhdueshme, kurse në të ardhmen e afërt duhet të llogaritet me shprehje shumë më të ashpra të shqetësimeve sociale. Në prapavijë, preokupim i të gjithëve është pyetja: çka do të bëhet me Kosovën ose, më mirë të themi, me statusin e saj.

Pas disa javësh, Beogradi dhe Shkupi i përfunduan negociatat për rregullimin e kontesteve territoriale dhe për caktimin e vijës kufitare. Në negociata ishin përfshirë edhe kontestet territoriale që janë në pjesën e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Prej më heret është e njohur se ambicje për zgjerim në këtë pjesë të kufirit kanë pasur edhe Maqedonia edhe Serbia. Gjatë negociatave të fundit që sollën marrëveshjen, në Kosovë flitej se Maqedonia kërkon korrigjime të rëndësishme territoriale në favor të vetin në rajonin e Kaçanikut, me nja 10, dhe në rajonin e Dragashit, me nja 20 fshatra. Që nga vendosja e pushtetit të UNMIK-ut në rajonin e Dragashit pati zënka dhe lëvizje të herëpashershme të shenjave të vijës kufitare. Gjuajtje me armë zjarri ka pasur qysh më heret edhe afër fshatit Tanushevc, që gjendet në anën maqedonase, përgjatë vetë kufirit me Kosovën. Por, nuk është e njohur ende se a ka qenë edhe ky rajon pjesë e kontesteve dhe marrëveshjeve territoriale.

Para dhe pas këtyre ngjarjeve, paralelisht me përgatitjet për negociata, vazhduan konfliktet, herë pas here, mjaft të ashpra në Luginën e Preshevës. Diçka më parë në Kosovë filloi një valë e re e dhunës, që edhe më tej po i gëlltit jetërat e shqiptarëve, të serbëve dhe të tjerëve. Kryesit e këtyre të këqijave, ashtu si edhe më parë, mbesin të panjohur. Lënda shpërthyese që e shkatërroi autobusin me serbë që ktheheshin nga Serbia në Kosovë ishte pika kulmore e mozaikut të ashpërsimeve dhe konflikteve në kufirin Kosovë-Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës.

Në qoftë se ngjarjet prezentohen në këtë mënyrë, atëherë vetvetiu shtrohet pyetja se kush është ai ose kush janë ata që dirigjojnë nga prapaskena? Në qendra kryesore diplomatike, në Beograd dhe në Shkup, gishti menjëherë u drejtua kah shqiptarët. Në valën e dënimeve, specifikimet retorike për ekstremizmin dhe terrorizmin shqiptar, nuk arritën t'i zbusin qëndrimet e përgjithësuara për fajësinë e të gjithë shqiptarëve, sidomos të atyre të Kosovës, si nxitës kryesorë të trazirave në vendet fqinje dhe të dhunës brenda Kosovës. Në samitin e paradokohshëm rajonal në Shkup, temat e mbledhjes u trajtuan kryesisht nga këndvështrimet që shqiptarët i shohin si element turbullues në këtë pjesë të Ballkanit. Në këtë ton u shprehën edhe udhëheqësit e lartë të Unionit Evropian, Havier Solana dhe Kristofer Paten. Ata u kërcënuan me ndërprerje të ndihmës dhe izolim të shqiptarëve dhe të Kosovës dhe për herë të parë vunë në dyshim jetësimin e të ashtuquajturës autonomi substanciale të Kosovës, sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244. Në një mbledhje të donatorëve që u mbajt pastaj në Prishtinë në mënyrë shumë të shkoqur u tha se pa ndalimin e dhunës brenda në Kosovë dhe pa qetësimin e gjithë rajonit nuk mund të pritet që donatorët të japin mjete për mëkëmbjen dhe për zhvillimin e Kosovës.

Nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës këto rrjedha nuk u kuptuan në të gjitha dimensionet e tyre. Në radhë të parë nuk u kuptua se kur vendosën të intervenojnë në Kosovë, strategët e NATO-s e kanë patur parasysh edhe rrezikun e zgjerimit të konfliktit. Trupat e NATO-s janë të vendosura në të gjitha vendet rreth Kosovës, me gjasa që njëfarë pranie, nëpërmjet Luginës së Preshevës, të arrijnë edhe në Serbi. Kush e pati kuptuar këtë, ka mundur të vlerësojë se me ardhjen e NATO-s ka kaluar koha e zgjidhjes së problemeve të këtij rajoni me forcën e armëve. Edhe në NATO e dinë se shkaqet e konflikteve nuk janë mënjanuar, por vendosmëria që vatrat e krizave të shuhen me marrëveshje dhe me kompromise politike është e paluhatshme, do të mund të thuhej absolute. Pjesërisht edhe mbi këtë qëndrim mbështeten kualifikimet e ashpra për sjelljet e grupeve të caktuara shqiptare në Kosovë dhe rreth saj. Këtu ka vlersime se kualifikimet e ashpra për shqiptarët duhet të kuptohen edhe si përkrahje ndaj Koshtunicës dhe si njëfarë dëmshpërblimi për sulmet e NATO-s gjatë pranverës së vitit 1999.

Sido që të jetë, kualifikimet e tilla duhet të merren me seriozitetin më të madh. Shqiptarët ballafaqohen me shumë probleme të rënda të karakterit të brendshëm. Njëherësh, nuk ka gjasa që shqiptarët t'i zgjidhin shpejt dhe lehtë problemet shekullore me popujt dhe shtetet fqinje. Prandaj, disonancat me Perëndimin mund të jenë shumë të rrezikshme. Deklarimet verbale të përfaqësuesve kosovarë nuk vlejnë më. Edhe më të këqija janë deklaratat e mjegullta, me dy ose shumë kuptime. Disonancat me perëndimorët janë kryesisht pasojë e difekteve të rënda politike brendashqiptare. Edhe kur kanë folur diçka, përfaqësuesit e shqiptarëve e kanë bërë këtë si një vegël plotësisht e çakorduar muzikore dhe më parë kanë lënë përshtypjen e joseriozitetit dhe të papërgjegjësisë, sesa të angazhimit për zgjidhjen e problemeve.

Kështu, filluan të rikthehen përshtypjet për shqiptarët si element i pasigurisë në Ballkan. Janush Bugajskin e njohin të gjithë ata që e ndjekin shtypin shqiptar. Në tekstin e tij të fundit të botuar në shtypin e këtushëm, ai shkruan: "Ata, përfaqësuesit e shqiptarëve, duhet të jenë plotësisht të qartë jo vetëm në dënimin e dhunës së fundit, por edhe në propozimin e një rendi të ri ballkanik që do të mirëpritej nga të gjithë fqinjët dhe në kryeqytetet perëndimore. Heshtja dhe paqartësia në këtë kohë kritike, në masë të gjerë, do të interpretohet si marrëveshje me të armatosurit dhe dëshmi për agjendën e fshehur të Shqipërisë së Madhe. Me urgjencë nevojitet një deklaratë e përcaktuar dhe e përbashkët e liderëve shqiptarë të të gjithë spektrit politik në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup dhe në Podgoricë".

Politikanët e Kosovës duhet urgjentisht të angazhohen edhe në drejtim të bashkëpunimit ndërmjet vetes dhe të kenë një platformë me vlerësime unike për gjendjen dhe perspektivat e Kosovës. Ndërkombëtarët duan, gjithashtu, të dinë se si mendojnë shqiptarët t'i jetësojnë aspiratat e veta në Kosovë dhe kush është ai që e kontrollon gjendjen, me të cilin duhet të bisedohet. Bashkëpunimi do t'i ulte tensionet brendapopullore, kurse luftën për pushtet do ta vendoste në suaza normale. Përpjekjet për vendosjen e marrëdhënieve reale dhe normale do të ndikonin për relaksimin e raporteve me serbët dhe me bashkësitë tjera etnike. Sado i vogël të jetë, relaksimi do ta ngushtonte hapësirën e dhunës etnike. Me qëndrime unike, përfaqësuesit e shqiptarëve do ta ushtronin bindshëm detyrën e izolimit politik të krimit dhe të ekstremeve në radhët e veta. Njëherësh, do të kishin mundësi të mëdha veprimi në rrymimet politike shqiptare jashtë Kosovës. Në qoftë se do t'i kishin bërë detyrat e veta shtëpiake, atëherë do të kishin fytyrë të flasin për qasjet e njëanshme të perëndimorëve ndaj aspekteve të ndryshme të pozitës së shqiptarëve në rajon dhe për hamendjet e padobishme të UNMIK-ut në qeverisjen e Kosovës.

Paqartësitë e qëndrimeve politike përgjithësisht dhe paaftësitë tashmë të dëshmuara të politikanëve kosovarë, dolën në shesh edhe gjatë rrjedhave më të reja rreth kufijve të Kosovës. U përsëritën qëndrimet për zgjidhje politike në Luginën e Preshevës, për realizimin e kërkesave të shqiptarëve në kuadër të institucioneve të Maqedonisë dhe u dënua përdorimi i dhunës. Por, në këto qëndrime vend kryesor kanë shpjegimet se burim kryesor i konflikteve të tashme është diskriminimi për shumë dekada i shqiptarëve në Serbi dhe në Maqedoni. Sikur sugjerohet se, megjithatë, dhuna është legjitime. Të gjitha partitë dhe faktorët shqiptarë, duke përfshirë edhe opinionin, e vlerësuan se është e papranueshme marrëveshja serbo-maqedonase për pjesën e kufijve ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Kalimthi të shënojmë se partitë shqiptare në Maqedoni nuk ishin unike në vlerësimin e marrëveshjes kufitare. Deri në deklarimin kundër dhunës në kufi që e bëri para disa ditësh, Shqipëria një kohë të gjatë mbajti pozitën e vëzhguesit pasiv. Këto qëndrime janë pjesërisht edhe rezultat i bindjes se Shqipëria nuk ka farë ndikimi të madh mbi politikanët shqiptarë përtej kufirit.

Fitohet përshtypja se në krahasim me partitë dhe me politikanët, mediat shqiptare dhe opinioni i ashtuquajtur i pavarur ishin më bindshëm të angazhuar në qëndrimet që në njëfarë dore e dënojnë dhunën dhe sidomos në paralajmërimin e rreziqeve që kërcënohen nga dhuna dhe konfliktet në Kosovë dhe rreth saj. Nuk është e butë as retorika e partive dhe e politikanëve, por fitohet përshtypja se ajo nuk është bindëse ose është me diçka e kushtëzuar. Ka mundësi që partitë dhe politikanët nuk kanë guxim ose nuk duan t'i thonë elektoratit gjëra të pakëndshme. Kjo nuk do të thotë se elektorati e përkrah dhunën. Pjesa dërmuese e shqiptarëve, sidomos të Kosovës, është e lodhur nga dhuna dhe me dëshirë të madhe do ta kishte pranuar qetësimin. Por, është një pjesë e madhe e popullsisë që, edhe pse asnjëherë nuk do t'i rrokte armët, thjesht nuk do ta ndjente veten mirë po t 'i thuhej e vërteta në sy. Në rastin konkret, ata nuk do të kishin dashur të dëgjojnë se përveç Kosovës, që eventualisht mund të bëhet e pavarur, pjesët tjera të trojeve ku jetojnë shqiptarët do të mbeten në shtetin serb dhe në shtetin maqedonas. Atyre nuk u vjen mirë të dëgjojnë publikisht, edhe pse mund ta kuptojnë, se nuk ka gjasa që këto gjëra të ndryshohen dhe se shqiptarët e atyre viseve vetëm me angazhime dhe mjete politike kanë gjasa për përmirësimin e pozitës së vet si minoritete të atyre vendeve.

Nuk është asgjë e re po të thuhet se politikanëve shqiptarë u mungojnë aftësitë dhe guximi qytetar dhe politik. Po ashtu, nuk zbulohet asgjë po të thuhet se ata kanë ndjenja të stërtepruara për patriotizëm oportunist dhe për kalkulimin e interesave individuale dhe grupore, sidomos kur luftojnë për pushtet. Pa marrë parasysh se a janë apo nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e sjelljeve dhe të veprimeve të veta, ata objektivisht i pengojnë proceset e normalizimit në Kosovë dhe realisht rrezikojnë të shpallen të dyshimtë, madje të akuzohen se kanë lidhje të fshehta me grupet e armatosura shqiptare që shkaktojnë konflikte dhe çrregullime në Serbi dhe në Maqedoni.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI