Korniza ligjore ose Kushtetuta e përkohshme

Pristina Mar 8, 2001

Prishtinë, 8.03.2001.

Vjeshta sërish mund të jetë stinë e zgjedhjeve në Kosovë. Autoritetet ndërkombëtare që administrojnë Kosovën thanë së organizimi i zgjedhjeve të përgjithshme është synimi i tyre themelor dhe se përgatitjet për këtë proces tashmë kanë filluar. Por, askush nuk e di ende se për çfarë do të votohet në këto zgjedhje. Cilat do të jenë institucionet kryesore të vetadministrimit të përkohshëm në Kosovë, ku çdo gjë është ende "e përkohshme". Administratorit "të përkohshëm" të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, danezit Hans Haekkerup, iu deshën tre muaj të tërë që të vendosë të hedhë hapin e parë për realizimin e "prioritetit të tij kryesor", fillimit të punimeve për hartimin e asaj që do të duhej të ishte kushtetuta e përkohshme e Kosovës. Në fillim të marsit ai shpalli përfundimisht përbërjen e një grupi punues tekniko-politik që do të merret me hartimin e "kornizës ligjore të Kosovës", një shprehje kjo që zëvendëson shprehjen "kushtetutë e përkohshme e Kosovës" . Tetë përfaqësues ndërkombëtarë dhe shtatë kosovarë (midis të cilëve edhe nga një përfaqësues serb dhe boshnjak) u mblodhën për herë të parë më 6 mars për të diskutuar rrugët e hartimit të kornizës ligjore, e cila do të hapë rrugën për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të vendosjes së vetadministrimit të përkohshëm të Kosovës. Administratori tha se ky grup, që ai e qujati edhe teknik edhe politik, do të hartojë dokumentin kryesor apo, siç u shpreh ai, "rregulloren e rregulloreve" që do të zëvendësojë aktin më të lartë juridik të rregullimit të një vendi. Juristët shqiptarë që në start e kanë kundërshtuar termin "kornizë ligjore", duke ngulur këmbë në nocionin kushtetutë. Ata mbrojnë mendimin se Kosova edhe më parë, madje edhe në Jugosllavinë e liderit komunist Tito, por edhe në periudhën e veprimit të sistemit paralel gjatë viteve nëntëdhjetë, i kishte kushtetutat e saj, prandaj ajo duhet ta ketë edhe tani këtë akt të lartë juridik. Hulumtimet e Institutit Kosovar për Integrime Euroatlantike (një organizatë joqeveritare) treguan se mbi 90 për qind e të anketuarve kërkojnë që Kosova të ketë Kushtetutën e saj edhe në këtë periudhë të tranzicionit. Por, shefi i Misionit të Komneve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) tha se "korniza ligjore do të hartohet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të prejudikojë statusin përfundimtar të Kosovës, i cili duhet të mbetet çështje e negociatave të ardhshme. Prandaj, tha ai, ajo nuk mund të jetë një kushtetutë". UNMIK-u ua ka dorëzuar një projekt të tij anëtarëve të grupit punues, ndërsa ka paralajmëruar se gjashtë muaj pas nxjerrjes së dokumentit përfundimtar të kornizës ligjore mund të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Nëse mbetet për të besuar në prognozat se korniza do të hartohet brenda një muaji, atëherë muaji tetor mund të jetë periudhë e zgjedhjeve në Kosovë. Por, për çfarë trupash do të votohet në ato zgjedhje, përkatësisht çfarë institucionesh do të përcaktohen me këtë kornizë, ende nuk dihet me saktësi, apo, thënë më mirë, ende do të "luftohet" në kuadër të grupit punues. UNMIK-u thotë se trupat që do të krijohen do të jenë Asambleja apo Parlamenti, kryetari apo kryesia e tij dhe një qeveri e vetadministrimit. Mirëpo, ekspertët juridikë shqiptarë ngulin këmbë në krijimin e trupave të pushtetit që i përgjigjen rregullimit të një shteti të njohur edhe ndërkombëtarisht, pavarëisht nga fakti se Kosova nuk është në një pozitë të tillë. Ata kanë hartuar deri tash disa projekte të kornizës ligjore, duke e quajtur atë kushtetutë e përkohshme e Kosovës, në të cilat parashihet që Kosova të ketë presidentin e saj, si dhe të gjithë organizmat tjerë legjislativë e ekzekutivë. Rreth 30 ekspertë juridikë, të mbledhur rreth një organizimi të quajtur Forumi Kushtetues i Kosovës, parqitën një projekt, i cili parashihte që Kosova të ketë edhe Gjykatën e saj kushtetuese. Madje, në projekt ishin specifikuar edhe mekanizmat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe shërbimi informativ kombëtar, apo një lloj CIA kosovare. Kurorë e të gjithave është "e drejta e popullit për vetëvendosje nëpërmjet referendumit, që do të duhej të organizohej në fund të periudhës së tranzicionit".

Por, hartimi i kornizës ligjore duket se do të jetë një arrë e fortë në dhëmbët e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë dhe vendorë. Këta të fundit nuk duken edhe shumë të entuziazmuar nga ftesa për t'u përfshirë në këtë projekt, mu për faktin se projektet e tyre do të mund të lexohen nga kolegët e tyre ndërkombëtarë, por zor se mund të kalojnë. Fjala e fundit i mbetet gjithsesi misionit ndërkombëtar dhe shefit të tij, ndërkaq që edhe vetë ekspertët shqiptarë kanë divergjenca sa u përket disa çështjeve themelore. Ta zëmë, përfaqësues të forcave politike që nuk shohin shumë gjasa për të fituar në zgjedhjet e ardhshme nuk janë shumë këmbëngulës që Kosova të ketë me çdo kusht një president, ndërsa përfaqësuesit e bllokut që beson në fitore thonë se kjo do të duhej të ishte e domosdoshme.

Sidoqoftë, Kosova duke se duhet të presë edhe për një periudhë më të gjatë që të bëhet me kushtetutë, ndërsa e tëra që mund të përfitojë është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat janë të një rëndësie shumë të madhe për të ardhmen e saj. Kosovarëve u ngutet që të mbahen këto zgjedhje dhe të fillojnë të bartin përgjegjësitë nga misioni i Kombeve të Bashkuara në duart e tyre. Në një gjendje të brishtë të sigurisë dhe të një paqeje tepër të paqëndrueshme kosovarët do të "detyrohen" të bëjnë kompromise sa i përket rregullimit të brendshëm të saj. Marrja e përgjegjësive nënkupton edhe kompetencat për veprim në vendosjen e rendit e ligjit dhe kjo në radhë të parë do t'i "shpëtonte" ata nga gjendja shumë e pakëndshme e detyrimit për të reaguar e dënuar çdo fenomen të padëshirueshëm dhe për të qëndruar të pafuqishëm në veprimet e tyre. Kështu, të paktën, pohojnë liderët politikë të Kosovës.

AIM Prishtinë Besnik Bala