Luftë - për interesa të kujt?

Pristina Mar 7, 2001

Prishtinë, 7.03.2001.

Fshatrat e barktisura nga banorët e tyre janë "rezultati" i parë i shfaqjes në skenë të "Ushtrisë Clirimtare Kombëtare", si e kanë quajtur veten grupet e armatosura të shqiptarëve që veprojnë në fshatin Tanushec të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. "Fryti" i dytë i veprimtarisë së tyre "çlirimtare" është shndërrimi i shqiptarëve nga "viktima" të deridjeshme në "elemente të destabilizimit" të rajonit, që rrezikojnë të izolohen nga bashkësia ndërkombëtare. Mbase ata edhe janë ndier të izoluar në këtë fillim marsi, kur një ditë Kosova u gdhi me vendkalimet kufitare të mbyllura me Maqedoninë, arteriet kryesore të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Tre ushtarë maqedonas të vrarë në Tanushec, dy prej të cilëve nga shpërthimi i minave, ndërsa një tjetër nga plumbi i një pushke snajperike, "e qitën nën hije procesin e normalizmit të Ballkanit"- thanë përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Qindra ushtarë, krysisht amerikanë, të forcave paqeruajtëse (KFOR) u dislokuan përgjatë kufirit me Maqedoninë në operacionin e "parandalimit të shkallëzimit të gjendjes dhe të perhapjes së dhunës edhe brenda kufijve të Kosovës". Ushtarakët, që deri më 3 mars kishin mbyllur njërin sy para pohimeve për ekzistimin e grupeve të armatosura shqiptare në Tanushec, tani thanë me plot gojën se "kanë parë persona me uniforma të zeza që operojnë në territorin e Maqedonisë". Si për të dëshmuar këtë dhe përcaktimet e tyre kundër këtij grupi, paqeruajtësit ndërkombëtarë të NATO-s arrestuan disa persona, te të cilët gjetën radiolidhje dhe dylbi vrojtimi me rreze të gjatë. Dënimi i vrasjes së ushtarëve maqedonas ishte i menjëhershëm dhe shumë i rreptë. Diplomacia perëndimore kësaj radhe doli me vlerësime shumë të ngjashme më atë lindore. Derisa departamenti amerikan i shtetit, NATO-ja, OSBE-ja, dënonin vrasjet duke i cilësuar ato si "vepër të ekstremistëve", Moska zyrtare u ngut të tërheqë një paralele ndërmjet Kosovës dhe Çeçenisë. Presidenti rus Vladimir Putin tha se "Kosova, sikurse Çeçenia, po bëhet vend i fuqizimit të grupeve ekstremiste që rrezikojnë të veprojnë jashtë kufijve të saj". Sofia zyrtare i ofroi ushtarë Maqedonisë, ndërsa shumë mekanizma ndërkombëtarë thanë se do të përligjin çdo veprim ushtarak të Maqedonisë për mbrojtjen e integritetit të saj territorial.

Ndoshta retorika diplomatike ishte më e fuqishmja e dëgjuar ndonjëherë pas rënies nga pushteti të ish-presidentit jugosllav të akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviq. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar thanë qartë se "veprimet e tilla ekstremiste në Tanushec i dëmtojnë shumë rëndë jo vetëm shqiptarët në Maqedoni, por edhe shqiptarët në përgjithësi në rajon". Barra më e rëndë gjithsesi i mbetet Kosovës. Pavarësisht se paqeruajtësit ndërkombëtarë thanë se "nuk kanë parë shqiptarë të armatosur të kenë kaluar nga Kosova në Maqedoni", vështrimet prapëseprapë u ngulitën mbi Kosovën. Gjendja shumë e brishtë e sigurisë, shkalla ende e lartë e vrasjeve dhe krimeve të pandriçuara, ekzistimi i shkallës së lartë të urrejtjes etnike e politike, e ka bërë Kosovën shënjestër kryesore të akuzave për "djep të ekstremizmit". Cinikët thonë se ajo po bëhet "pijetore e Ballkanit" ku pijanecët venë e vijnë duke lënë pas vetes borxhe të pashlyera që dikush duhet t'i paguajë medoemos.

Por, vëzhguesit thonë se një pjesë të "fajit" e bartin edhe ata që (me apo pa votën e zgjedhësve) kanë marrë "fatet" e kombit në duart e veta. Edhe këtë radhë, kur gjendja para tyre është me tepër se "serioze", liderët politikë të shqiptarëve përsëritën dënimet e zakonshme të dhunës dhe ekstremizmit, duke bërë thirrje për "zgjidhje paqësore e politike". Thirrjet e tyre (të zbehta) po u drejtoheshin nganjëherë "qendrave abstrakte". Asnjëri syresh nuk tha nëse kishte njohuri për ekzistimin e asaj që veten e quan me pompë (ndonëse nga errësira dhe mjegulla e Tanushecit) Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Ngjarjet në Tanushec tashmë po shndërrohen në asteroid vrasës që rrezikon tërë Kosovën, rrjedhimisht edhe synimet e liderëve të saj për ta bërë atë të pavarur, thonë komentuesit lokalë. Megjithatë, liderët thanë se "Maqedonia duhet të ketë qasje të matur dhe tërë çështjen duhet ta bartë në binarët politikë". Ata e kritikuan shtetin maqedon për mbylljen e kufijve, duke e qujatur atë më shumë "fryrje propagandistike të problemit sesa problem real". E vetmja fjalë e tyre e rreptë ishte "kundërshtimi i prerë që të vendoset një zonë pesëkilometërshe e sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë".

Megjithatë, dënimi ishte i pashmangshëm. Tirana zyrtare u hodh hapur kundër "ekstremistëve" dhe Prishtina nuk kishte si bënte ndryshe. Tetova, një qendër e tretë e vendosjes shqiptare (siç u pëlqen shqiptarëve ta quajnë), u nda më dysh. Për një palë "UÇK janë grupe kriminelësh", për tjetrën "grupe të banorëve të frustruar nga politika e qeverisë maqedonase". Mirëpo, retorika e "kërkesave të ligjshme të banorëve shqiptarë" kësaj radhe nuk po dëgjohet nën krismën e pushkëve dhe mortajave të Tanushecit. Për botën, "atje është cenuar integriteti territorial i Maqedonisë dhe ajo ka të drejtë ta mbrojë atë". Kjo, në një gjuhë tjetër, nënkupton sinjal të blertë për ushtrinë maqedonase që t'i "qërojë hesapet" me forcë. Së këndejmi, shqiptarët kësaj radhe mund të dalin "edhe të fikun edhe të koritun", siç thotë një fjalë e tyre e vjetër. Shkupi për herë të dytë po bëhet vendi prej nga po tranden themelet e "tranzicionit" kosovar. Pak ditë para se krismat e armëve të dërmonin paqen e brishtë përreth kufijve të saj, përfaqësuesit e vendeve të Evropës Juglindore të mbledhur në një samit ia "hoqën veshin" Kosovës për shkallën e lartë të dhunës, ndërsa gati njëzëri shqiptarët i shpallën "element destabilizues në rajon". A është ajo që ndodhi dhe po ndodh në Tanushec një dëshmi për këtë pohim, pyesin vëzhguesit lokalë, për të cilët çdo gjë që po ndodh në Tanushec është e mbuluar me një vello të rëndë mjegulle, ashtu sikurse edhe vetë ky fshat. Analistët, që nuk përtojnë të thonë se janë "ta pavarur", ngulin këmbë se "nuk mund t'ia lejojnë vetvetes luksin për të hyrë në thellësi të problemit". Mirëpo, të tjerë vëzhgues pohojnë se nuk është shumë luksoze as të heshtësh kur flakët e luftës kanë rrethuar sërish Kosovën, ndërsa izolimi i saj nuk është një "gogol" vetëm për të trembur.

Sidoqoftë, procesi i stabilizimit të Kosovës është dëmtuar rëndë, ndërsa "kallashnjikovët" janë bërë sinonim i grupeve që udhëheqin krimin dhe "luftërat" lokale për interesa shpeshherë të paqarta, pos për vetë drejtuesit e tyre. Nga ana tjetër, qindra refugjatë po vërtiten rrugëve të fshatrave të Kosovës pa ndonjë shpjegim përse janë hedhur në udhë të madhe. Ata as që guxojnë të flasin apo të pyesin për fatin e tyre, ndërsa duket se guximi u mungon edhe vetë qytetarëve të lodhur të Kosovës, që janë ngopur me luftëra e varre dhe me lapidarët e heronjve të rinj, të stolisur me "kallashnjikovë rusë"!

AIM Prishtinë, Besnik BALA