Funksionimi i pushtetit lokal
Prishtinë, 28.02.2001.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), parti e cila e ka fituar votën e gati dy të tretave të shqiptarëve të Kosovës, ia ka caktuar vetes një afat prej një muaji për rrumbullakësimin, respektivisht konstituimin e organeve ekzekutive të pushtetit në nivelin lokal. Në shikim të parë, do të mund të konkludohej se LDK i ka mbivlerësuar mundësitë e saj për një punë, e cila, sipas të gjitha gjasave, nuk është aspak e lehtë - duke patur parasysh faktin që kemi të bëjmë jo vetëm me zgjedhjet e para të lira e demokratike, por që një punë e tillë kërkon shumë më tepër punë dhe aftësi, po edhe elasticitet kur është fjala për partitë politike në opozitë.
Nga ana tjetër qëndron edhe fakti që partia politika, e cila gjatë 16 muajve të kaluar (pra që nga përfundimi i luftës gjer në mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin lokal) ka pretenduar të kryejë rolin e partisë udhëheqëse, nuk ka treguar ndonjë rezistencë më të theksuar në procesin e pranim-dorëzimit të detyrave në organet komunale. Ky konstatim qëndron nëse përjashtohet fakti që të gjitha mbledhjet konstitutive të organizuara nëpër komuna janë shtyrë për arsye se (kryesisht) ithtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të Hashim Thaçit, e cila deri në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve i ka zhvilluar aktivitetet e saj në këto objekte (nënkuptohet, krahas administratorëve ndërkombëtarë), kanë kërkuar që në sallat e mbledhjeve dhe betimi i këshilltarëve të bëhet para flamujve kombëtarë shqiptarë. Kjo është dashur të harmonizohet me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, po për një pjesë të opinionit kjo ishte vetëm një shkas për të fituar në kohë, meqenëse, thoshin ata më cinikët, partia që e ka "lozur rolin e pushtetit" deri në zgjedhjet e 28 tetorit ka mbutur ta shtrojë çështjen e simboleve nacionale edhe gjatë kohës së pushtetit të saj... Vetë procesi i zgjedhjes së njerëzve në postet përkatëse është zhagitur, sepse vetëm një numër simbolik i kandidatëve nga listat zgjedhore për kryetar komun e ka pranuar funksionin e kryetarit të komunës. Disa sish e kanë refuzuar funksionin e ofruar për arsye "të kuptueshme", ndërsa nëpër kuloaret politike flitej se kryesisht bëhej fjalë për sigurinë e tyre personale...
Në kryeqytetin e Kosovës bartësi i listës në zgjedhje, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka shërbyer vetëm si "karrem" për votuesit. Kështu shumë vëzhgues e kanë interpretuar faktin që numri një nga lista zgjedhore nuk është zgjedhur në asnjë funksion në organet e komunës. Koha e shpenzuar në përpjekjet për gjetjen e kandidatëve më të mirë për kryerjen e pushtetit vendor brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, në opinionin më të prirur drejt opozitës më së shpeshti interpretohej si mungesë e ekspertëve brenda vetë kësaj partie për plotësimin e atyre vendeve që i kishin në dispozicion duke iu falënderuar rezultateve të zgjedhjeve.
Edhe pjesën e dytë të muajit të fundit të vitit 2000 dhe gjysmën e parë të janarit të këtij viti i kanë karakterizuar përpjekjet për zgjedhjen e kryetarëve të organeve ekzekutive dhe drejtuesve të tjerë të pushtetit komunal. Kjo periudhë më në fund është rrumbullakësuar. Në të 30 komunat, duke patur parasysh që në tri sosh ku shumicën e përbëjnë serbët - kryetarët dhe drejtuesit e organeve të pushtetit lokal i ka caktuar administratori ndërkombëtar, duke i respektuar sugjerimet e popullatës serbe në ato regjione, janë zgjedhur kryetarët e kuvendeve dhe këshillave komunalë. Vetëm enklavat serbe në territorin e komunave ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullatës kanë mbetur jashtë pushtetit administrativ, siç janë Graçanica, Llaple Sello, Prilluzha, Fushë Kosova, Obiliqi dhe vendbanime të tjera më të vogla të populluara me komunitetin serb, të cilët, këtë duhet thënë, as që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Vetëm një përfaqësues i komunitetit serb e ka vërtetuar pjesëmarrjen e tij në përbërjen e këshillit administrativ në komunën e Novobërdës, i cili do t'i përfaqësojë interesat e serbëve të atjeshëm që jetojnë në fshatrat Bostane, Jasenovik dhe Leshtare.
Ka edhe mjedise të tilla ku organet e pushtetit lokal janë organizuar edhe nga përfaqësuesit e komuniteteve të tjera etnike: turqve ose boshnjakëve. Shembulli i Gjilanit është po ashtu interesant. Në të vërtetë, përfaqësuesit e komunitetit serb në komunën e Gjilanit, bashkë me turqit dhe romët, kanë marrë pjesë në mbledhjen konstitutive të kuvendit komunal.
Mirëpo, pengesat në të cilat ka hasur LDK gjatë konstituimit të kuvendeve komunale, atje ku ikanë marrë shumicën e votave, në dukje janë të pavërejtshme. Premtimi i liderëve të opozitës para mbajtjes së zgjedhjeve i dhënë bashkësisë ndërkombëtare se do t'i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve, atyre nuk u ka lënë hapësirë për vënien e pengesave më të mëdha në konstituimin e pushtetit ekzekutiv. Mirëpo, ka patur megjihatë mjaft zhagitje dhe në shumë raste të përcjella me incidente banale verbale, që si pasojë ka patur braktisjen e mbledhjeve të këshilltarëve opozitarë ose mospjesëmarrjen e tyre në to, që në mjediset ku opozita përbën gati gjysmën e përbërjes së kuvendit komunal, si p.sh në Malishevë, ishte njëkohësisht edhe arsye për të mos lëvizur nga vendi. E gjithë kjo shpjegohej si një bojkot i heshtur i opozitës me qëllim që koha e humbur të përdoret për argumentimin e paaftësisë së partisë më të madhe në Kosovë për të organizuar dhe vënë në funksion pushtetin lokal. Për këtë ka shkruar me të madhe, me rastin e përmbushjes së 100 ditëve në pushtet, shtypi vendor kryesisht i orientuar kundër LDK-së së Rugovës, ose në komentet redaktoriale ose duke u lënë hapësirë kundërshtarëve ose konkurrentëve të kësaj partie.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë, megjithatë, kanë organizuar seminare për kuadrot udhëheqëse të organeve komunale, ku ekspertët e angazhua nga OSBE kanë dhënë shpjegime rreth mënyrave të organizimit dhe zbatimit të pushtetit në nivelin lokal, në pajtim me parimet demokratike. Kjo do të duhej të mundësonte rrumbullakësimin e konstituimit të organeve ekzekutive të pushtetit nëpër sektorë të ndryshëm dhe, njëkohësisht, fillimin e përmbushjes së premtive të dhëna qytetarëve gjatë fushatës parazgjedhore...
Por, para se kjo të realizohet, mbetet ende shumë për t'u bërë. Krahas problemeve ekzistuese, siç është për shembull situata e pafavorshme e sigurisë dhe mungesa e bazës juridike në shumë ose, thënë më mirë, në të gjitha fushat, për pasojë kanë anarkinë dhe abuzimet, të cilat i dekurajojnë ata që nga këto zgjedhje kanë pritur fillimin e normalizimit të jetës.
Se kur do të mund të pritej një kthesë e vërtetë, ndoshta flet mjaft edhe fakti që shumica e komunave ende nuk e kanë aprovuar as Statutin e tyre si një akt themeltar. Disa prej tyre, me ndihmën e ekspertëve brenda trupave komunalë, kanë ndërtuar një bazë juridike që do të duhej të shërbente si pikënisje për aprovimin e aktit juridik më të rëndësishëm të komunës, ndërsa të tjerë janë të mendimit se do të duhej të organizohej një debat publik që do t'ua mundësonte qytetarëve të deklarohen çfarë mjedisi dëshirojnë ata. Një pengesë është edhe përcaktimi i vëllimit të buxhetit të komunës, respektivisht burimet e financimit në gati të gjitha komunat, në të cilat ekonomia gati nuk funksionon fare. Nëse vetëm për zgjedhjen e drejtuesve komunalë janë shpenzuar më shumë se 90 ditë, atëherë me siguri do të nevojitet një kohë më e gjatë për përmbushjen e obligimeve në aspektin e funksionimt normal të administratës komunale dhe shërbimeve në kompetencat e saj. Ka edhe vërejtje që njerëzit, të cilët i kanë marrë përsipër ato obligime, janë kryesisht jokompetentë, dhe se kriter kryesor i zgjedhjes së tyre ka qenë përkatësia partiake e tyre. Akuzat ndaj LDK-së në këtë drejtim nuk kanë të ndalur. Akuzohen nga partitë opozitare për monizëm, edhe pse nga ana tjetër këta vetë kanë refuzuar në shumë raste që të marrin pjesë me kandidatët e tyre në organet ekzekutive të pushtetit, ose kanë patur vërejtje ndaj përzgjedhjes së ekspertëve nga fusha të ndryshme, duke pretenduar se kandidatët e tyre më të përgatitur, megjithëse ata i janë nënshtruar konkursit të hapur dhe publik. Marrë në përgjithësi, formë kryesore e veprimit të opozitës ishte bojkoti i punës së kuvendeve, si dhe kritika drejtuar ndaj punës së deritashme të organeve komunale të posakrijuara. Në mungesë të ofrimit të zgjidhjeve alternative të problemeve, opozita deri tani kryesisht u përmbahej strategjive polikaneske në përpjekjet që mbi mossukseset e pozitës ta përmirësojë rejtingun jo edhe aq të lartë tek elektorati. Një vëzhguesi të rëndomtë fare lehtë do të mund t'i imponohej mendimi se në Kosovë ende më së paku mendohet për kthim jetës normale, qoftë në qytet, qoftë në fshat. Respektvisht, se liderët politikë me të gjitha mjetet luftojnë për fare pak pushtet...
AIM Prishtinë, Tahire GOVORI