Familja e Mesiqit nuk ece gjurmeve te asaj te Tugjmanit

Zagreb Mar 5, 2001

AIM, Zagreb, 01.03.2001

Në web faqen zyrtare të kryetarit kroat Stipe Mesiq deri para do kohe qëndronte e dhëna se banori i ri i Pantovaçkës ishte pronar i automobilit të markës golf. Kjo informatë e ndërruar jo fort moti ndodhej përkrah detajeve të tjera biografike të jetës së kryetarit të dytë kroat. Kjo ishte kështu deri në çastin kur ndonjëri mbase nga këshilltarët e Mesiqit, nuk sugjeroi që kjo të hiqet, duke vlerësuar se nuk ishte diç impresive që kjo e dhënë të qëndronte në Internet në faqen zyrtare të kryetarit.

Një vit pas fitores në zgjedhjet presidenciale në shkurt të vitit 2000, prej kur u vendos në rezidencën të cilin Tugjmani me qejf e quante Pallati presidencial, kryetari i ri vilës së dikurshme të Titos vetëm ia ktheu rrugën dhe numrin: Pantovaçka 241 - dhe as vetë Mesiqi por dhe asnjëri nga të farefisit të tij nuk u ndërlidh me kurrfarë skandali dhe nuk shfrytëzoi pushtetin për të grumbulluar pasuri materiale. Përkundër asaj që me Tugjmanin pothuaj që në ditën e parë të sundimit të tij u ndërlidhën shumë afera, Mesiqi, mediave, madje edhe atyreve që nuk e pëlqejnë nuk u dha kurrfarë shkaqesh që ta përmendin për punë kriminaliteti ose punë që bien ndesh me ligjet. Një rrëfim i tillë për të u dëgjua vetëm njëherë - bija e tij Dunja, në valën e parë të privatizimit, në kohën kur i ati i saj Stipe Mesiq ende ishte i ngarkuar me detyrë të lartë në HDZ ( asokohe kryente detyrën e kryetarit të Saborit), përmendej si njëra nga akcionaret e Cementarës. Asaj, madje, atëherë, ashtu si vërtetonin mediat asokohe, i ishte lejuar kredi për menaxhment në lartësi prej një milion DM, por që në transformimin e HDZ-s kjo ishte një shansë që pa një krunë në xhep të fitosh fabrikë, hotel, ose pronë bujqësore. Mirëpo porsa emri i bijës së Mesiqit filloi të dëgjohet në opinion në këtë kontekst, e tërë kjo punë u ndërpre, kurse Mesiqi më vonë deklaroi se si tërë këtë ia kishin kurdisur me mjeshtri që ta komprometonin.I njëjti ky gazetar menjëherë pas hypjes së Mesiqit në pushtet, në shkurt të vitit 2000, qëndroi në vendlindjen e tij, në qytezën Orahovica të Sllavonisë ku jeton fisi i tij i gjerë dhe i madh dhe familja e afërme e tij. Nipi i Mesiqit, Zlatko, i cili gjatë luftës dhe menjëherë pas saj punonte në shërbimin informativ ushtarak të SIS-it, atëherë, në kohën kur i afërmi i tij u zgjodh për shef të shtetit, mirrej me rritjen e dhenve. Në kohën kur po ky gazetar edhe pas një viti e vizitoi Orahovicën, u bind se asnjëri nga të afërmit e Mesiqit nuk kishte përparuar dhe fakti që njeriu i tyre ishte bërë kryeshef i shtetit nuk kishte ndikuar që të ndryshonin jetesën e tyre. Zlatko Mesiq-i vazhdonte të ruaj dhentë dhe në numër i kishte po aqë sa edhe para një viti - katër qind. Në kohën e Tugjmanit diçka e këtillë as që mund të merrej me mend. Si njeri i SIS-it , Zlatko Mesiq-i me siguri do të ishte bërë gjeneral, ose diçka më pak - shef i sigurimit të kryetarit të Republikës.

Kryetari i parë kroat Franjo Tugjman kur ishte në pyetje depërtimi material dhe statusor i antarëve të familjes së vet, ose ai personal, nuk kishte skrupulla të tilla. Vetëm një ditë më parë se Sabori kroat, në vitin 1992, të sillte ligjin me të cilin ndalohej blerja e objekteve dhe vilave rezidenciale, shtëpinë madhështore në Nazorjeva ( vila me më tepër se 400 katrorë dhe me kopsht prej 1.400 metra katrorë) e bleu për shumën qesharake prej 213 mijë DM. Para kësaj Qeveria kroate për rekonstruimin e saj të përgjithshëm dhe të plotë dhe për largimin e banorëve të cilët jetonin në kat, përkatësisht për masa sigurimi, nga buxheti i qeverisë shpenzoi mbi një milion DM. Atëherë flitej se si - kur Tugjmani nuk do të ishte më kryetar - përbërja tejet e shtrenjtë e sigurimit do të largohej, mirëpo ajo edhe sot e kësaj dite ndodhet rreth Nazorjeva 59.

Tërë familja e Tugjmanit - duke përfshirë këtu edhe nipërit e tij Dejanin dhe Sinisha Koshutiq-in - gjatë pushtetit dhjetëvjeçar të kreut të familjes përjetuan lulëzim ekonomik. Bija e tij, Nevenka, e cila deri në ardhjen e të atit në pushtet nuk dallohej për asgjë nga nëpunëset tjera të Entit Leksikografik, fitoi lokalin ekskluziv afarist në qendër të Zagrebit Pronar i këtij Enti është Ministria e mbrojtjes. Tregëtorja e saj “Netel” mirrej me shitjen e telefonave celularë të Sonyt dhe mallrave të tjera luksoze; kurse me sekretarin kroat Ivica Todoriq nënshkroi marrëveshje ekskluzive për furnizimin e fabrikës së tij “Ledo” me korneta për akullore. Mirëpo, tërë kjo i dukej pakë dhe u fut në punë tejet të dyshimtë rreth përgaditjes së shkollave të larta dhe fakulteteve si dhe institucioneve shtetrore me centrale telefonike, gjë për të cilën mirrte provizion të lartë nga firmat të cilave u siguronte punë. Ky rast tani është në hetime policore dhe lënda nuk ka arritur në gjyq vetëm për shkak të ngadalësisë dhe pavendosmërisë së qeverisë së Raçanit.

Biri i vogël i Tugjmanit gjatë luftës ishte furnizues mallrash për ushtrinë kroate, punë kjo që nuk kërkon shumë mençuri që të arrihet te pasuria e madhe. Ky që deri para luftës ishte vetëm një kontabilist në “Agrokoki”, tani e mori në dorën e vet tregëtoren e HDZ “Domovina”, dhe punët e shkëlqyeshme siç është furnizimi me ushqime i Qendrës studentore të Zagrebit. Më vonë Tugjmani i ri filloi të mirret edhe me turizëm e hotelieri, por kishte ambicie të xhirojë edhe filma. Në Zagreb mori premtim që të fitonte koncesionin, mirëpo vdekja e të atit të plotfuqishëm ia prishi të gjitha planet.

Biri i madh i Tugjmanit, profesori universitar Miroslav, i cili gjatë jetës së babës së vet ishte shef i shërbimeve sekrete kroate, fitoi vilën madhështore në Braç si dhe grande cherokeen luksoze, kurse mediat, pas vdekjes së Franjo Tugjmanit, e emrojnë edhe me ngatrrimin në kotrabandë me automobila të shtrenjtë. Madje edhe nipërit e Tugjmanit, të cilët i përmendëm më sipër, Sinisha dhe Dejan, përfituan shumë nga ajo që gjyshi i tyre ishte shef i shtetit kroat. Sinisha ishte dhënë në sportin jo të lirë - garat automobilistike, në të cilat gjyshja e tij Ankica dhe nëna Nevenka ishin mësuar të vinin me helikopter të ushtrisë kroate. Bashkëshortja e Tugjamnit, Ankica, ajo që edhe vetë ishte përzjerë në aferën me kursimin e afatizuar të mbi 200.000 DM në bankën e Zagrebit, të cilave nuk u dihej prejardhja, krenohej me dy nipërit e aftë. Për Dejanin, i cili në fillim të karierës së vet mirrej me importin e lëngjeve dhe dërrasave, kurse më vonë u bë pronar i kursimores dhe në fund i Kaptol bankës, do të thoshte me mburrje: “ Po ju them se jam krenare për fëmijët e mi dhe nipërit e mi, sidomos me Dejanin, dhe se do të isha e lumtur sikur së paku 10 për qind të njerëzve të rinj në Kroaci të punonin sa punon ai që mbi vete ka marrë një rrezik dhe përgjegjësi të tillë”. Mirëpo, pikërisht këto ditë Kaptol banka shkoi në likuidim, dhe kështu u pa se si nipi gjeni bankier funksionon shumë dobët prej kur nuk është më gjyshi që i qëndronte prapa shpinës..

Pas vdekjes së Tugjmanit familja e tij xhveshi rrënjësisht pallatin Presidencial dhe prej atje në kolekcionin privat të veprave artistike i transferoi të gjitha pikturat të cilat kryetari i ndjerë i kishte dhurata. Me qëllim që mos ndodhnin gjëra të tilla edhe në të ardhmen, Qeveria kroate tani po përgadit Ligjin për konfliktin e interesave, sipas të cilit zyrtarët shtetrorë jo vetëm që nuk do të mund të disponojnë me themelata private, por që në pronësi private edhe nuk do të guxojnë të pranojnë dhurata të shtrenjta. Dhuratat me vlerë deri më 500 kuna nuk do të jenë të detyruar t'i deklarojnë, kurse dhuratat vlera e të cilave e tejkalon këtë çmim janë të detyruar t'i deklarojnë. Çdo dhuratë që mund të kushtoj më tepër se një rrogë mujore kroate ( tani kjo është diç më pak se 1000 DM) zyrtari nuk do të mund ta mbajë për vete. Kjo do të ndikoj që dikush të mos ketë mundësi që gjatë mandatit të vet të fitojë galeri reprezentative me piktura dhe vepra arti, ashtu siç bënte Tugjmani.

AIM Zagreb

DRAGO HEDL