Pikat e reja doganore dhe korridoret e kontrabandës

Pristina Feb 28, 2001

Prishtinë, 27.02.2001.

Të hënen e fundit të shkurtit filloi funksionimi i doganave nëpër vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, para se të merrte këtë vendim administrata civile në Kosovë, e para reagoi Serbia, e cila paralajmëroi se të gjitha mallrat e importuara me destinacion të fundit Kosovën, do t'i nënshtrohen kontrollit dhe ngarkesës doganore. Mirëpo, më në fund, doli se është fjala vetëm për një taksë ndaj mallrave në tranzit.

Pika doganore do të ketë në Merdare, te Dheu i Bardhë (Konçuli) - në drejtim të Gjilanit, Leshaku - në komunën e Leposaviqit dhe te Ribariqi - në komunën e Zubin Potokut. Në pikat doganore ne Merdare dhe në Dheun e Bardhë, punën do ta kryejnë inspektorët vendës, ndërsa në dy pikat e tjera në veri të Kosovës, fillimisht do të punojnë inspektorët ndërkombëtarë, për shkak të rrezikut që mund t'i ekspozoheshin shqiptarët në rajonin e dominuar dhe të kontrolluar nga pakica serbe.

"Inspektorët ndërkombëtarë do të kryejnë detyrat në një kohë të shkurtër dhe me një afat të caktuar", shtoi z. Ylber Rraci, drejtor i Shërbimit Doganor të Kosovës. Megjithate, regjimi doganor në këto vendkalime kufitare do të ndryshojë në krahasim me piakt tjera në vendkalimet kufitare me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Z.Rraci thotë se në pikat kufitare me Serbinë do të doganohen të gjitha mallrat që hyjnë në Kosovë. "Për mallrat me prejardhje nga Serbia do të paguhet tatimi në qarkullim dhe akciza, për mallrat si kafeja, duhani, alkooli, derivatet e naftës dhe nafta...", deklaroi drejtori i SHDK-së.

Në këto pika do të jetë edhe kompania e vetme kosovare për kontrollimin e cilësisë së mallrave, "Kosova Control". "Jemi të gatshëm të kryejmë kontrollin në kufirin me Serbinë sapo të marrim autorizimin për këtë", deklaroi Nexhat Pula, udhëheqës i sherbimit juridik në "Kosova Control", kompani që bën verifikimin sanitar, veteriner dhe fito-sanitar në pikat doganore me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ai gjithashtu kërkoi krijimin e kushteve të sigurisë që inspektorët e Kosova Control-it të mund të kryejnë detyrën e tyre të parrezikuar në dy pikat doganore në veri të Kosovës, në Leshak dhe Ribariq. "Besojmë se UNMIK-u i ka paraparë këto rrethana dhe inspektorët tanë do të ndihen të sigurt në kryerjen e punëve me përgjegjësi", shtoi z.Pula.

Ndonëse përgjegjësit e doganave thonë se do të mbyllen të gjitha pika prej nga në Kosovë ka mundur të hyjë malli i padoganuar, megjithatë edhe atje ku tash një vit e gjysmë janë doganierët, shumëçka kalon me një vlerësim siperfaqësor, apo fare nuk i nënshtrohet kontorllit. Ndonëse drejtori i Doganave të Kosvës, z. Ylber Rraci nuk e fsheh kënaqësinë që institucioni në krye të të cilit është vjet ka siguruar 98 për qind të të hyrave të buxhetit, megjithatë, një deklaratë e z.Stenly Pearson, bashkëkryesuesi i Autoritetet Qendror Fiskal se "më shumë ka cigare në sheshin 'Nëna Tereze' në Prishtinë, sesa që zhdoganohen", flet për lëshimet që bëhen në kufi.

Kontrabanda bëhet në forma të ndryshme. Përgjegjësit e doganave thonë se, varësisht nga destinimi, përdoren dy lloj çmimesh. Kur është fjala për karburantet për nevojat e UNMIK-ut dhe KFOR-it, mall që nuk i nënshrohet doganës, çmimet janë më të larta, kurse për treg një tonë karburant është 160 dollarë më i lirë. Në anën tjetër, Xhemshit Duriqi, ekonomist dhe drejtor i Institutit "Euro-Invest" thotë se "qeveria greke dhe ajo maqedone na detyrojnë që ne kosovarërt të paguajmë çmime të shtuara për naftë dhe për benzinë". Mirëpo, i tërë problemi qëndron në zhdoganimin e ulët të karburanteve në vendkalimet kufitare të Kosovës. Sipas z. Duriqi, bazuar në sasinë e konsumit ditor, "vetëm nga ky artikull buxheti i Kosovës brenda një muaji duhet të inkasojë 20 milionë marka. Ndonëse zotërinjtë e Autoritetit Qendror Fiskal kanë shënime ekzakte, sipas analizave të institutit tonë, në buxhet inkasohet vetëm një e treta e mjeteve të mundshme", është i bindur Xhemshit Duriqi.

"Asnjëherë nuk kemi pohuar apriori se nuk ka korrupsion. Përkundrazi, personalisht mendoj se ka korrupsion", pohon z. Rraci. Po ashtu, sipas tij shërbimet doganore të vendeve fqinje janë të përfshira në korrupsion dhe, meqë Kosova është në mes të këtyre vendeve, aëherë vështirë mund të qëndrojë imune. Institucionet e ndjekjes kanë thënë se në Gjakovë janë zënë deklarata të doganës të falsifikuara. Ato mbajnë vulën e UNMIK-ut, si edhe numrin e protokollit. Por, deklaratat e këtilla nuk janë të evidentuara në librin e protokollit, kurse për çështjen e vulës së UNMIK-ut duhet verifikuar, është falsifikuar ajo, apo dikush nga zyrtarët ka bërë keqpërdorimin e saj. Në Pejë, një shqiptar i lidhur me një mysliman nga Rozhaja ka sjellë dokumente për regjistrimin e automjeteve. Që të gjitha kanë qenë bjanko dhe me vulë të MPB të Serbisë. Pronarët e automjeteve kanë evidentuar se veturat janë regjistruar para bombardimeve të NATO-s, kurse vendi i parë regjistrimit ka qenë Beli Manastir. Pas përfundimit të luftës në Kroaci, një numër shumë i madh i automjeteve janë importuar nga atje, madje me një vertëtim se janë të zhdoganuara. Praktikisht kjo lidhje nuk ekziston më, por gjurmët e saj hetohen edhe tani, së paku përmes dokumenteve të faklsifikuara.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Prishtinë, Paul Atkins, drejtor i përgjithshëm i SHDK nga stafi ndërkombëtar, ka pohuar se autobotë që është dashur të jenë të ngarkuara me karburante, në Kosovë kanë hyrë përplot cigare. Nuk janë të rralla rastet kur "fabrikimi" i cigarave është bërë në Kosovë. Në fakt, në një shtypshkronjë mjaft të thjeshtë, cigaret e cilësisë së ulët janë ambalazhuar si të kategorisë ekstra.

Nisur nga të gjitha këto, mund të thuhet se hapja e pikave doganore me Serbinë nuk do të thotë edhe mgyllje e të gjitha pikave dhe vendkalimeve të kontrabandës.

AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI