Refugjatë në mjegull

Pristina Feb 28, 2001

Dobëlldeh, Viti, 27.02.2001.

Mjegulla e dendur dhe bora e ftohtë kishin mbështjellë fshatin Dobëlldeh të komunës së Vitisë në Kosovën Lindore, një fshat që shtrihet në brezin kufitar me Maqedoninë. Një rrëpire të thellë, sikur të dilnin nga një botë tjetër, po ngjitëshin duke gulçuar nga lodhja të dhjetë anëtarët e një familjeje shqiptare nga fshati Tanushec, mënjeherë matanë vijës kufitare që nuk shënohet nga asgjë. Ishin këta banorët e fundit që e kishin braktisur fshatin, i cili tashmë ka hyrë në kronika si "vatër e re tensionesh". Pas tyre kishte mbetur mjegulla që mbulonte me vellon e saj misterin e "fantazmës" që e kishte shndërruar fshatin në pikënisje të refugjatëve të rinj.

Një muaj më heret një polic maqedonas kishte humbur jetën, ndërsa disa të tjerë ishin plagosur në një fshat të komunës së Tetovës, në Maqedoninë perëndimore (e banuar me shumicë shqiptare) gjatë një sulmi më mortaja dore në një stacion të policisë. Dhuna, shpeshherë e pakontrolluar, e policisë maqedonase nuk nxori gjë në dritë, përpos që shkallmoi në dajak disa fshatarë që s'kishin haber se "nga mund të kishte ardhur sulmi". Por, dilemat i shtoi akoma më shumë një komunikatë me të cilën përgjegjësinë për sulmin e merrte mbi vete një organizatë me emrin UÇK. Asociacioni ishte po aq konfuz dhe shumë mjete të informimit zgjodhën rrugën më të lehtë të deshifrimit të kësaj shkurtese, aq mirë të njohur dikur në Kosovë. Me plot gojën thanë se UÇK s'është veçse Ushtria Çlirimtare e Kosovës (formacioni ushatrak që udhëhoqi luftën në Kosovë, ndërsa pas saj u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës). Mirëpo, një komunikatë e dytë e kësaj UÇK-je shpjegoi se UÇK do të thotë Ushtria Çlirimtare Kombëtare, por pa saktësuar se për 'cilin komb' luftuaka. Kjo nxiti spekulime, komente, reagime e diskutime nga më të ndryshmet. Mjetet maqedonase të informimit thanë shkurt se "para këtyre grupeve qëndrojnë shqiptarët që duan të shkëpusin pjesën perëndimore të Maqedonisë dhe të krijojnë 'Shqipërinë e Madhe'. Gogoli i kësaj Shqipërie u ngrit sërish nga joshqiptarët. Liderët e shqiptarëve të Maqedonisë njëri pas tjetrit u "distancuan nga grupi i armatosur, duke e shpallur të paqenë dhe pa asnjë lidhje me ta". Madje, disa nga politikanët thanë se prapa këtij emri fshihen kriminelë. Qeveria maqedone dërgoi trupat speciale në fshatin Tanushec, i cili u shenjua si çerdhe e UÇK-istëve. Në një aksion të këtyre forcave në këtë fshat u vra një i ri shqiptar që, sipas zyrtarëve, ishte "terrorist". Madje qeveritarët dhanë alarmin se pjesëtarët e grupeve të armatosura strëviten në Kosovë dhe prej andej hyjnë në Maqedoni. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se kanë kontrolluar zonën lufitare dhe nuk kanë gjetur asgjë. Fshati Tanushec, ndërkaq, është rrethuar nga forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë, ndërsa fshatarët kanë ikur në Kosovë.

Rrëfimet e të ikurve janë të ngjashme. Njerëz, të cilët që në dukje të parë paraqesin sinonim të varfërisë së rëndë ku jeta përbëhet nga patatet, blegtoria ende primitive dhe shitja e druve për djegie, kanë mësyrë fshatrat në pjesën kosovare të kufirit, ndërsa derë e hyrjes së tyre është fshati Dobëlldeh. Ata flasin për dhunë në fshatin e tyre. Akuzojnë forcat maqedone për represion dhe për vrasjen e një bashkëfshatari, për të cilin ata ngulin këmbë se ishte vrarë kot së koti derisa po priste dru në mal. Ata pohojnë se janë të frikësuar tej mase dhe për këtë arsye kanë marrë rrugët e refugjatëve, duke kërkuar strehë tek të afërmit e tyre poaq të varfër në Kosovë. Zatën, ata gjithmonë kanë mbajtur lidhje me komunën e Vitisë, meqë është qendra më e afërt për ta. Kufiri i vendosur pas shthurjes së ish-Jugosllavisë kishte qenë kufiri i jetës dhe i tmerrit të tyre. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe ata kishin strehuar shumë familje shqiptare nga Kosova, madje duke marrë së bashku me ta rrugën për në thellësi të Maqedonise, meqë, siç pohojnë, forcat serbe të sigurimit nuk kishin përtuar të ndërmarrin "ekskursione" ndëshkimi edhe në fshatin e tyre, pavarësisht që ishte matanë kufirit. Kësaj radhe ata po ua kthenin "vizitën" ish-refugjatëve të cilët po prisnin "muhaxhirët" e rinj në shtëpitë e tyre ende të rrënuara e të djegura gjatë luftës së fundit. Të ikurit dhe mikpritësit e tyre thonë se dhuna ndaj tyre është nxitur nga serbët që jetojnë në Karadakun e Shkupit, fshatrat e të cilëvë nuk janë larg nga Tanusheci. Madje, sipas fshatarëve, ata kanë hyre edhe në Dobëlldeh duke shtënë me armë dhe kanë rrëmbyer mbi 100 krerë bagëti. Të gjithë flasin me zemërim për pushtetin maqedonas e, madje, edhe liderët e atjeshëm shqiptarë që "i kishin kujtuar vetëm për t'u marrë votat, për t'i braktisur në tërësi pastaj". Por, ata ulin zërin, belbëzojnë e rrudhin krahët kur është fjala për UCK-në. "Atje nuk ka ushtarë shqiptarë", thonë ata, për të shtuar më pastaj se "kanë degjuar për ta, por nuk dinë asgjë". Ashtu siç kanë ardhur nëpër mjegull, duket sikur duan të lënë mjegullën prapa. Disa prej tyre pohojnë me gjysmë zeri se "ka diçka", por faji është i maqedonasve. "Nëse ata vazhdojnë dhunën atëherë, njerzit do të vetëmbrohen", thotë njëri prej tyre, i ndjekur nga refreni i të tjerëve se "ata nuk kanë ku shkojnë përtej pragut të shtëpisë".

Sidoqoftë, tensionet në këtë fshat dhe frika ka bërë që këta njerëz të ikin nga "pragjet" e shtëpive dhe të durojnë urinë në Kosovë, meqë, siç thanë aktivistët humanitarë, ata nuk kishin ushqime të mjaftueshme. Asnjëri prej tyre nuk është i gatshëm të të shoqërojë për në brendi të kufirit, i cili nuk ruhet as nga maqedonasit e as nga forcat paqerujatëse të KFOR-it në Kosovë. Ata i njohin mirë të gjitha shtigjet nëpër të cilat kanë kontrabanduar edhe bukën dikur, por kësaj radhe tregohen të "paguximshëm".

Tanusheci mbetet vatër potenciale e tensioneve të reja, ndërsa veprimtarët humanitarë ndërkombëtarë druajnë nga një valë e re refugjatësh edhe nga fshatrat fqinje. Reporterë të huaj pohojnë se "shqiptarët po e zgjerojnë tutje frontin e luftës", duke tërhequr vëmendjen në "Ushtrinë e tretë Çirimtare në territoret ku ata jetojnë".

"Ku ka tym, ka edhe zjarr", thotë një fjalë e urtë shqiptare, prandaj Tanusheci nuk është më thjesht një 'incident' i kontrolluar. Vëzhguesit e këtushëm megjithatë ende tregohen shumë të rezervuar në vlerësimet e tyre, pavarësisht nga diskutimet e rrepta kuloareve. Ata nuk mund të thonë ende nëse kjo është një "aventurë e re e nxitur nga ish elementë të luftës në Kosovë, që pas përfundimit të konfliktit kanë mbetur as andej e as këndej dhe sërish janë përcaktuar për vazhdimin e saj, tash në hapësira të reja të "çështjes së pazgjidhur shqiptare". Njëkohësisht, ata thonë se këto zhvillime ndikojnë në forcimin e mendimeve se "shqiptarët janë faktor destabilizues", tezë kjo që "u shkon për shtati të gjithë kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës". Forcat politike kosovare, ndërkaq, kanë heshtur duke refuzuar çdo koment për diçka që "nuk e njohin, nuk e dinë dhe nuk e kanë parë".

Mirëpo, mjegulla që fsheh aq shpesh Tanushecin me një lartësi mbidetare marramendëse, nuk mund t'i fshehë refugjatët që ikin me frikë, as shtëpitë e tyrë të braktisura, as uniformat e zeza të djelmoshave që edne nuk lejojnë t 'u afrohesh nga afër. Davaritja e mjegullës mund të nxjerrë në shesh fakte të reja, para të cilave heshtja më nuk do të ndihmojë.

AIM Prishtinë, Besnik BALA