Shqiptarët pohojnë: propagandë e orkestruar
Prishtinë, 26.02.2001.
"Zëvendëskryeministri serb, Nebojsha Çoviq i shpëtoi rrëmbimit?!", ishte titulli sensacional i mediave ne gjuhën serbe që raportuan për, siç thuhet, përpjekjet e "ekstremistëve shqiptarë në luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, për të rrëmbyer zotin Çoviq", njeriun numër një të Këshillit Koordinues për zgjidhjen e krizës në këtë rajon të trazuar. Informacioni përshkruante një ngjarje që më shumë i përngjante një përshkrimi të ndonjërës nga skenat e filmave të aksionit ku "protagonisti shpëton në bazë të shkathtësive 'luftarake', inteligjencës së rrallë, mjeteve të sofistikuara të përgjimit e paralajmërimit apo edhe rrethanave të krijuara nga një 'deus ex machina'".
Sidoqoftë, mjetet serbe të informimit thanë se "përpjekjet për rrëmbimin e tij ndodhën kur dy shqiptarë kërkuan t'i shpjegojnë zotit Çoviq se ishin keqtrajtuar nga forcat serbe të sigurimit. Ky i fundit, gjithnjë sipas mediave serbe, menjëherë ishte nisur për në postbllokun e policisë për të verifikuar deponimet e dy shqiptarëve, mirëpo rrugës ai, siç thuhet, falë syçeltësisë së forcave të sigurimit i ishte shmangur një plani të përgatitur në hollësi për rrëmbimin e tij". Sakaq, reagimet në Serbi ishin shumë të ashpra. Autoritetet thanë se "rrëmbimi synonte të minojë procesin e paqes, posaçërisht për faktin se zoti Çoviq është autor i platformës së qeverisë së Beogradit për zgjidhjen e krizës në Luginën e Preshevës". Qeveritarët serbë akuzuan "terroristët" shqiptarë, si i quajnë ata pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për vazhdimësi të akteve ekstremiste, ndërsa ky provokim është edhe një dëshmi për situatën serioze dhe "rrezikun të cilit i ekspozohen njerëzit në rajon".
Por, guerilët shqiptarë, ndërkaq, hodhën poshtë këto pohime duke i qujatur ato "një lojë të keqe politike". Një nga udhëheqësit e tyre, i njohur me emrin e luftës si komandant Lleshi, tek qeshet hidhur duke fërkuar mjekrën e tij që i mbulon kraharorin, thotë se "gjëja e fundit që do t'u shkonte në mend luftëtarëve shqiptarë është rrëmbimi i Nebojsha Çoviqit". Sipas tij, "luftëtarët shqiptarë e kanë pasur në grusht shumë herë zotin Çoviq dhe po ta synonin rrëmbimin e tij këtë mund ta bënin shumë lehtë". Një nga udhëheqësit politikë të guerilëve, Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Politik për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, tha se "pohimet e tilla nuk kanë të bëjnë fare me realitetin". Njeriu i parë i këshillit që është themeluar me ndermjetësimin e diplomatëve amerikanë dhe ish drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se "zyrtarët serbë janë duke u angazhuar në një fushatë të dezinformimit për kryengritësit, tash kur bisedimet për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore janë më afër".
Për shumicën e përfaqësuesve shqiptarë vetë mënyra e zhvillimit të "ngjarjes" duket të jetë pjellë e një regjie të menduar mirë. "Njoftimi" i zotit Çoviq nga ana e dy shqiptarëve për "keqtrajtim nga policia" dhe "nisja" e menjëhershme e këtij të fundit për në vendin e keqtrajtimit, është pjesa e parë e "përshkrimit të një pushtetari të devotshëm ndaj qytetarëve të vendit të tij, pavarësisht nga përkatësia kombtare". Pjesa e dytë e rrëfimit, ndërkaq, synon të paraqesë "natyrën mashtruese dhe të egër të kryengritësve që nuk dashkan zgjidhje paqësore".
Lajmi për "tentim rrëmbimin" e zyrtarit të lartë të Beogradit, së bashku me njoftimet për vdekjen e tre pjesëtarëve të policisë serbe në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit, plotësuan pasqyrën e "zhvillimeve në jug të Serbisë", dhe autoritetet në Beograd u ngutën të sigurojnë reagime ndërkombëtare kundër guerilëve, thonë vëzhguesit. Sipas tyre, këto ngjarje që pasuan shpërthimin terrorist në autobusin me qytetarë serbë në Merdare (vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës e Serbisë) ishin preludi i takimit të nivelit të lartë të vendeve të Evropës Juglindore në Shkup të Maqedonisë, ku "dhuna dhe ekstremizmi shqiptar ishin venë në bankën e zezë". Jo rastësisht, presidenti jugosllav Vojisllav Koshtunica, shtroi kërkesën e tij për "kthimin e ushtrisë dhe policisë jugosllave për të rivendosur qetësinë dhe paqen në provincën e trazuar".
Sheshazi, periudha para samitit të Shkupit ishte paraprirë nga një fushatë e organizuar e "demonizimit" të shqiptarëve dhe admiruesit e kësaj tendence gati ia arritën qëllimit që të cilësojnë shqiptarët si "element destabilizues në rajon", pohohet në opinionin e këtushëm. Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe ata të Luginës së Preshevës ishin larg këtij samiti dhe vetëm mundën të lexojnë dëklaratën e përbashkët, e cila ishte po ashtu larg dëshirave dhe synimeve të tyre. Edhe një herë statusi politik i pazgjidhur i Kosovës dhe, rrjedhimisht, mospjesëmarrja e saj në takime të rëndësishme edhe për të ardhmen e popullit të saj, u reflektuan në atë që shumë shqiptarë e quajtën "hesap pa hanxhinë". Megjithatë, ata u detyruan të kënaqen më reagimet e tyre dhe thirrjet drejtuar pjesëmarrësve të samitit që, siç thuhet, të mos bien pre e "propagandës serbe". Kryengritësit shqiptarë në luginën e Preshevës thanë se janë të vendosur të vazhdojnë përpjekjet e tyre për zgjidhje politike, ndërsa si një pikë drite në tunel ata panë kërkesën e Aleancës Veriatlantike që qeveria serbe të tërheqë nga lugina Korpusin e Prishtinës, njësi ushtarake që kishin vepruar në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe që bartin barrën e shumë krimeve kundër shqiptarëve. Prandaj, NATO-ja mendon se "mbajtja e këtij korpusi në rajon zgjon ndjenja të këqija te shqiptarët dhe nuk mund të krijojë besimin e tyre ndaj qeverisë serbe. Këtë të fundit NATO-ja e ka ftuar që ta fitojë me çdo kusht këtë besim.
Por, krijimi i "mirëbesimit" nuk duket ende i afërt, përderisa të dyja palët shikohen nëpërmjet tytave të pushkëve, ndërsa platformat e të dyja palëve janë ende larg njëra-tjetrës. Ajo që mban shpresat e ngjallura për zgjidhje paqësore është aktiviteti i dendur politik i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e të cilëvë kanë zhvilluar bisedime me të dyja palët. Dhe trysnia, e cila është shtuar po ashtu mbi të dyjat, ka nxitur një lojë të egër nervash që manifestohen me akuza të ndërsjella. Çdo krismë pushkësh (e të tillat nuk mungojnë) nga secila palë paraqitet si e tjetrit. Dallimi i vetëm është se krismat e njërës nganjëherë janë më të forta. Qeveritarët serbë pohojnë se shqiptarët po e zvarrisin procesin politik duke provokuar përleshje. Këta të fundit pohojnë se pala serbe provokon përleshje sepse po i ngutet shumë të shfrytëzojë emrin ende të "mirë" që ka fituar me rrëzimin e Millosheviqit, prandaj e ka humbur durimin nga frika se emri i mirë nuk është i përjetshëm. Lufta e armatosur në luginë po zgjerohet tash edhe në luftë diplomatike, por edhe lojë të rëndë nervash. Pala që do të përjetojë kolaps më shpejt do të jetë edhe humbëse, të paktën kështu mendojnë palët në konflikt dhe - numërojnë viktimat.
AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA