Skenari çek në radion nacionale
Zgjedhja e drejtorit të ri të përgjithshëm të Radios Kombëtare të Bullgarisë nxorri gazetarët në protestë
AIM Sofje, 20.02.2001.
Protestat e gazetarëve që tronditën para disa kohësh televizionin shtetëror çek nuk janë kurfarë licence çeke, aspak nuk janë të huaja dhe të largëta për shtetet tjera në tranzicion, siç është Bullgaria. Gazetarët e Radios Kombëtare të Bullgarisë (RKB) protestuan shkaku i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm. Fjalën e fundit e kishte Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit (KKRT) – organ i pavarur publik që ka të drejtë të zgjedh drejtorin e përgjithshëm të Radios Kombëtare të Bullgarisë dhe Televizionit Kombëtar Bullgar. U zgjodh shkrimtari Ivan Borisllavov.
Protestat e gazetarëve vazhdojnë dhjetë ditë, por shkaku se greva nuk ka shënuar ndonjë efekt është kërkesa zyrtare ligjore se për këtë duhet përkrahja e 50 plus një përqind e nëpunësve të RKB-së.Gazetarët e tre radioprogrameve shtetërore - "Horizont", "Hristo Botev" dhe "Radio Bullgaria" mbetën në kërkesën që të anulohet zgjedhja e Ivan Borisllavovit, kurse KKRT-ja të zgjedh drejtor të ri të përgjithshëm. Ashtu siç ndodh në raste të këtilla, anëtarët e KKRT-së insistojnë në zgjedhjen që kanë bërë ata.
Dy grevat e urisë dhe gjendja e vështirë shëndetësore e Borisllavovit, i cili 10 ditë pas emërimit pati infarkt, e bëjnë ngjarjen më dramatike.
KKRT-ja krijoi një cirk për madiat, kurse tani vjel frytet e vizioneve të çuditshme të anëtarëve të vet. Duhej që drejtori i përgjithshëm i RKB të zgjidhej që në fillim të vitit, kur u shpall konkursi për trashëgimtarin e drejtorit të deriatëhershëm Aleksandër Velevit. Në hapësirën mediale shpesh dëgjoheshin zërat se ky vend ishte i rezervuar për Polle Stançevën – raportuese e dikurshme e "Horizontit" dhe ish – drejtore e pres qendrës në Parlament. Për befasinë e shumicës ajo nuk u lejua të paraqitej në konkurs për shkak të përvojës së paktë në drejtimin e mediumeve. Në mesin e emrave të gazetarëve të njohur që erdhën deri te etapa e fundit ishin edhe Aleksandër Velev dhe Valeri Todorov. Megjithatë KKRT-ja nuk i shpalli fitues me arsyetimin se kandidatët nuk kishin paraqitur vizione të qarta për zhvillimin e radios.
Konkursi i dytë siç duket u shpall shkaku i Pollje Stanlevën së cilës i mungonte përvojë e caktuar në drejtimin e mediave, ndërkohë që organizata të ndryshme artistike kishin të drejtë të propozonin kandidatët e tyre. KKRT-ja kërkoi mendimin e të punësuarve në RKB që si kandidate propozuan Rajna Konstantinovën, e cila është drejtore aktuale e programit të RKB-së për botën e jashtme, “Radio Bullgaria”. Ajo, përndryshe është gazetare me përvojë të gjatë në RKB, që ka kaluar gjitha shkallët e karierës.
Kur të gjithë pritën që të shfaqeshin në dyluftim dy dama - Polle Stançeva dhe Rajna Konstantinova, anëtarët e KKRT-së hodhën bombën e tyre – me 9 nga gjithsejt 7 vota zgjodhën drejtor të përgjithshëm shkrimtarin e panjohur Ivan Borislavov. Ky ishte shkaku i mjaftueshëm për fillimin e protestave në radio.
Kjo zgjedhje dukej si e rastit, veçmas kur kemi parasyshë faktin se KKRT-ja është plot shkrimtarë. I këtillë është edhe kryetari i Këshillit Aleksandar Tomov. Kur t'i shtojmë kësaj praninë e aktorit Josif Sarcexhijev, atëherë bëhet i logjikshëm rezultati i votimit. Rajna Konstadinovën e votuan vetëm dy profesionistë të mediumeve në KKRT. Tjerët u besuan premtimeve se do të zgjerohej roli kulturorë dhe arsimor i radios kombëtare.
Në këtë rast u vërejt se Ivan Borislavov aq sa është i panjohur për publikun masiv, po aq është i njohur për nëpunësit në radio. Gjithashtu dihej se ai dy herë ishte dëbuar nga puna shkaku i mosrespektimit të disciplinës në punë, sepse si redaktor i programit kulturor "Hristo Botev" kishte qenë në orar pune vetëm nga tre orë në javë.
Rrjedha e konkursit shkaktoi valë të pakënaqësisë. Sikur të mos kishte personel të madh teknik në RKB, që pengon mbledhjen e 50 përqind të votave sa përbëjnë nëpunësit, gazetarët kaherë do të kishin bërë grevë efektive. Çdo ditë ata dalin me iniciativa të reja, kurse kërkesat e tyre themelore çojnë drejt rishqyrtimit të zgjedhjes së Borislavovit, dorëheqjen e anëtarëve të KKRT-së dhe ndryshimin e ligjit për radio dhe televizion. Në shenjë proteste, para ndërtesës së RKB-së, u ngrit një përmendore me mbishkrimin: “Lavdi e përjetshme KKRT-së. Nga opinioni falemnderues”. Gazetarët kërkuan takim me kryetarin bullgar Petar Stojanovin, i cili deri tani e shtyn këtë bisedë. Planifikohet marsh protestues nëpër rrugët e Sofjes.
Situatën e dramatizoi edhe greva e urisë e shefit të programit për kulturë Georgi Vasilski. Ai deklaroi se do të ushqehej me vargjet dhe prozën e kryetarit të KKRT, Aleksandër Tomovit. Të dielën (18 shkurt) Vasilski u vendos në sistem kurse pesë gazetarë të tjerë shpallën grevën e tyre.
Në kundërgrevë hyri edhe shkrimtari Ango Bojanov, i cili përkrah zgjedhjen e Ivan Borisllavovit si drejtor i përgjithshëm. Bojanovi është një nga anëtarët e Këshillit drejtues të Shoqatës së Shkrimtarëve të Bullgarisë, i cili ka propozuar kandidimin e Borislavovit për drejtor të përgjithshëm.
Kulmi i gjithë kësaj situate komike u arrit kur katër anëtarë tjerë të Këshillit drejtues i ndërruan bindjet, disa ditë pasi filluan protestat. Kryetari Mihail Nedelçev dhe anëtarët tjerë deklaruan se nuk e përkrahin më Borislavovin. “Unë jam qyqar sepse u jam nënshtruar presioneve, kam marrë pjesë në një akt jodemokratik", deklaroi deputeti i dikurshëm Nedelçev. Nga ana tjetër u tha se Borislavov ka bërë presion ndaj Shoqatës së Shkrimtarëve të Bullgarisë që ta nominonin për drejtor të radios shtetërore.
Situata morri kahje të paqartë më 18 shkurt kur Borislavovi pësoi infarkt dhe me urgjencë u dërgua në spital. Kjo ndodhi menjëherë pas përfundimit të emisionit javor politik në RKB "Java 150" ku morri pjesë drejtori i RKB-së për të diskutuar rreth skandalit në institucionin që duhej ta ta udhëhiqte. Ditën tjetër pasonte nënshkrimi i marrëveshjes së tij menaxhuese me KKRT-në, por kjo çështje u hoq nga rendi i ditës në Këshillin për mediume.
Zgjidhja e konflikteve është ngrirë përkohësisht deri në ditën e sotme deri sa Borislavovi nuk e merr veten pas infarktit, për t'u kthyer sërish në vendin e vet të punës. Atëherë KKRT-ja do të diskutojë se si të dalë nga gjendja pashtegdalje në të cilën u gjend dhe eventualisht të anulojë zgjedhjen e Borisllavovit, prandaj edhe refuzon të nënshkuajë marëveshjen për menaxhim. Varianti i dytë është që RKB edhe mëtej të duket si një zgjua e prishur bletësh ku paqa mes gazetarëve dhe trupit udhëheqës është ende një iluzion i parealizueshëm.
AIM Sofje
GEORGI FILIPOV