Kufiri midis jetës e vdekjes

Pristina Feb 22, 2001

Prishtinë, 21.02.2001.

Trupat e shtatë kufomave të copëtuara po dergjeshin nën "mbeturinat" e një autobusi në mesditën e 16 shkurtit, dy kilometra në brendi të territorit të Kosovës në vendkalimin kufitar verior të fshatit Merdare. Dhjetëra të tjerë të plagosur po evakuoheshin nga helikopterë ushtarakë të forcave paqeruajtëse (KFOR) që tash e 19 muaj me radhë janë dislokuar për të ruajtur paqen e brishtë në vendin e armiqësive më të mëdha në Evropë. Ishte ky bilanci i njërës nga ngjarjet më të përgjakshme në Kosovën e pasluftës. Persona të panjohur kishin vendosur një bombë në rrugën që lidh jugun e Serbisë me veriun e Kosovës dhe, siç thuhet zyrtarisht, "nga një largësi prej disa qindra metrash kishin aktivizuar me telekomandë bombën, e cila shpërtheu në autobusin e parë të konvjit prej 5 syresh në të cilët ndodheshin rreth 250 udhëtarë". Të gjithë ata thuhet se ishin serbë të Kosovës që ishin strehuar në Serbi pas luftës, ndërsa atë të premte synonin të vizitonin varrezat e të afërmve të tyre në 'ditën e përshpirtjeve'. Për shtatë syresh kjo ditë u shndërrua në ditë të vdekjes. Për shtatë udhëtarë kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shndërrua në kufirin midis jetës e vdekjes! Katër ditë më vonë, patologët dhe ekspertët forensikë ndërkombëtarë dhe ata jugosllavë kanë vërtetuar se në këtë sulm mbo autobusin kishte dhjetë viktima, midis të cilëve edhe një fëmijë dy vjeç. Policia ndërkombëtare ka pohuar se në paraburgim gjenden dy shqiptarë, të cilëve u është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh, mirëpo ata njëkohësisht kanë theksuar që kjo nuk do të thotë se ata kanë qenë të involvuar në organizimin e këtij sulmi. Përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe KFOR-it, pas pyetjeve të tyre nëse kanë dëshmi që këtë sulm e kanë kryer shqiptarët, u kanë deklaruar gazetarëve se megjithatë ata dëshmi të tilla nuk kanë.

Tronditja nga kjo ngjarje ishte e thelle, ndërsa reagimet nga më të ashprat. Autoritetet e Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe forcave paqeruajtëse (KFOR) e dënuan me fjalët më të "forta" vrasjen e qytetarëve serbë, duke e cilësuar atë si "sulm qyqar e të pamëshirshëm të ekstremistëve që duan të spastrojnë etnikisht Kosovën". Nisur nga fakti se konvoji i autobusëve shoqërohej nga trupat e forcës ndërkombëtare që kontrollon Kosovën, shpërthimi u cilësua edhe si sulm i drejtpërdrejtë mbi KFOR-in dhe punën që bën ai në Kosovë. Shumë rreptë sulmi u dënua edhe nga përfaqësuesit politikë shqiptarë, një pjesë e të cilëve "dëshpërueshëm" e përsëriti qëndrimin se "kjo ngjarje rrënon imazhin e Kosovës dhe dëmton drejtpërsëdrejti aspiratat e shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës". Pothuajse të gjithë më një fjalor të ngjashëm kanë përsëritur ditë me radhë dënimin dhe thirrjet për zbulimin sa më të shpejtë të autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë". Për shumicën e shqiptarëve ky ishte krimi më i rëndë pas përfundimit të luftës, i cili mund të shënojë kthesë në tërë qasjen ndërkombëtare ndaj Kosovës. Prandaj, duket se janë vetë udhëheqësit shqiptarë ata që do të dëshironin ndriçimin sa më të shpejtë të rrethanave dhe kryesve të kësaj vrasjeje, meqë me të bashkë do të ndriçohehsin edhe motivet eventuale të atyre që qëndrojnë pas tërë kësaj. Vrasja u dënua nga të gjithë mekanizmat më të rëndësishëm ndërkombëtarë, ndërsa dënimi në shumë raste u shoqërua me "kërcënimin" se Kosova nund ta humbasë tërë përkrahjen, të gjitha ndihmat e, madje, nëse dhuna vazhdon, mund ta humbasë edhe mbrojtjen ndërkombëtare. Shefi i misionit amerikan në Kosovë shprehu tërë dëshpërimin e vet në disa intervista të njëpasnjëshme (duket te organizuara nga vetë ai), i cili madje ju kërcënua shqiptarëve se mund ta humbin përkrahjen e amerikanëve, të cilët sipas tij kësaj radhe janë vënë në pozicion shumë të vështirë, meqë edhe ata po sulmohen nga aleatët për shkak të rolit udhëheqës në fushatën kundër Serbisë.

Nga të gjitha anët dënimet dhe vlerësimet nga më të rreptat bënë që shumë përfaqësues shqiptarë të fillojnë të "mbrohen" me pohimet se "çfarë kanë fituar shqiptarët nga një ngjarje e tillë" dhe sa mund të jetë ajo në favor të tyre. Madje edhe nëse "ekzekutorët" e sulmit janë shqiptarë, për shumicën e tyre organiztaorët e tij duhet kërkuar diku në qendrat e shërbimeve sekrete joshqiptare. Një qëndrim të këtillë e ka shtruar në gazetën "Koha Ditore" edhe njëri ndër analistët politikë më të njohur në Kosovë, Shkëlzen Maliqi. Rrjedha e ngjarjeve ka ngritur shumë pikëpyetje rreth këtij rasti që nga të gjithë pa dallim u cilësua si "tërrorizëm i kulluar". Të gjitha zonat e banuara me serbë, të cilat tashmë pothuajse janë shndërruar në geto (që me eufemizëm po quhen enklava), u përfshinë nga trazirat e qytetarëve serbë, të cilët mllefin e tyre e zbrazën mbi kalimtarët shqiptarë, e madje edhe kunder forcave paqërujatëse dhe atyre të policisë ndërkombëtare. Udhëheqësit e komunitetit serb në veri të Kosovës kanë shkëputur të gjitha kontaktet me përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe KFOR-it dhe me shqiptarët. Madje qytetarët serbë në veri "janë urdhëruar që të mos flasin me askë nga bashkësia ndërkombtare dhe kurrsesi as me shqiptarët". Vëzhguesit e pavarur pohojnë se qëllimi i një akti të tillë terrorist ishte pikërisht nxitja e reagimeve të tilla që paraqesin një prerje të thelle në procesin politik të ndërtimit të institucioneve demokratike në Kosovë. Pengimi i këtij procesi zatën është qëllimi kryesor i të gjitha akteve terroriste në Kosovë, thonë analistët, të cilët tërheqin vëmendjen në faktin se sulmet e tilla vazhdojnë të mbeten anonime përderisa askush nuk ka marrë përgjegjësinë për asnjërën prej tyre, ndërsa autoritetet ndërkombëtare në pamundësi të ndriçimit të tyre, shumë herë kanë zgjedhur "rrugën më të lehtë të fajësimit të grupeve ekstremiste shqiptare", siç pohon edhe Maliqi.

Përfshirja e banorëve serbë në strukturat qeverisëse në Kosovë është cilësuar si një kusht i stabilizimit të shoqërisë kosovare, prandaj shumë nga vëzhguesit besojnë se Beogradi dhe një pjesë e serbëve që i frikësohen ndërtimit të institucioneve në Kosovë e shfrytëzojnë këtë periudhë të eskalimit të akteve të dhunës për të penguar procesin e stabilizimit të Kosovës. Në vendin e armiqësive më të mëdha në Evropë, duket se asgjë nuk është e rastësishme, e më së paku krimet. Grupet ekstremiste, apo qendra të shërbimeve sekrete nuk kanë mundur të zgjedhin një rast më të mirë për të ndaluar rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë. "Periudha kur forcat ndërkombëtare sikur janë bërë peng i raporteve të ngrira ndërmjet Prishtinës e Beogradit, kur frustrimet e shqiptarëve janë në rritje" duket të jetë shfrytëzuar shumë mirë për t'ua dhënë një goditje tërë paralajmërimeve për fillimin ë ndërtimit të institucioneve në nivel të Kosovës. Ka ditë që në Kosovë nuk flitet më për zgjedhjet e përgjithshme që do të duhej të mbahehsin gjatë këtij viti, e as për kushtetutën e saj, që do të duhej të hartohej deri në fillim të muajit mars. Në prag të përvjetorit të dytë të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës, e madje të tërë rajonit, kanë humbur tashmë epitetin e "viktimave" dhe në sytë e atyre që ishin kundër sulmeve të NATO-s ata janë shndërruar në "agresorë" dhe elementë të destabilizmit të rajonit. Zhvillimet e fundit dëshmuan edhe njeherë se konflikti shqiptaro-serb nuk ka përfunduar dhe se ai veçse po hyn në një fazë të re, në të cilën për dallim nga dy vjet më parë, Beogradi po mban peng jo vetëm qytetarët serbë në Kosovë, por madje edhe bashkëisnë ndërkombëtare bashkë më shqiptarët. Një qëndrim i këtillë mbizotërues në opinionin kosovar, megjithatë, nuk mund ta shlyejë faktin se viktima ishin serbë të Kosovës dhe se pozita e tyre në Kosovë edhe më tej mbetet jashtëzakonisht e rëndë.

AIM Prishtinë, Besnik BALA