Bankë me ambicje të mëdha dhe start të pasigurt
Prishtinë, 20.02.2001.
Koen Wasmus, njeriu numër një i bankës së parë në Kosovën e pasluftës, "MEB Banka", ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes të një banke tjetër konkurrente, Bankës së Re të Kosovës. "Na pengon pse nuk kemi konkurrencë", kishte deklaruar më heret z.Wasmus.
Tashmë MEB Banka e ka konkurrencën, por në fillim gjithsesi mjaft të dobët. Banka e Re e Kosovës sapo e ka nisur punën, madje edhe me një kapital jo aq shumë të definuar.
"Është banka e parë me kapital 100 për qind kosovar. Kemi shpresë se me sukses do ta mbrojmë interesin e aksionarëve tanë", është optimist Zekë Çeku, kryetar i Bordit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës.
Ideja për themelimin e kësaj banke është e vjetër sa edhe periudha e pasluftës në Kosovë. Ndonëse licencën paraprake e kishte marrë në prill të vitit të kaluar, ajo më 9 shkurt e mori lejen përfundimtare.
Ajo qe planifikuar fillimisht me një kapital themelues prej pesë milionë markash gjermane, me një shtrirje hapësinore në tërë Kosovën, respektivisht me shtatë filiala në qendra të ndryshme të Kosovës.
Mirëpo, që në start lindi problemi i sigurimit të kapitalit të nevojshëm. Ndonëse shumë aksionarë të mundshëm privatë dhe "shoqërorë-shtetërorë", përkatësisht diku rreth 180 sish, i kishin nënshkruar deklaratat se janë të gatshëm të paguajnë kapitalin, në momentin kur filloi shitja e aksioneve ata u tërhoqën. Vetëm Gjakova, njëra prej qendrave më të forta industriale, nuk arriti të sigurojë më shumë se 90 mijë DM. Me qëllim që sa më parë të sigurohet kapitali i nevojshëm, firma "Kurum Group" nga Turqia qe përcaktuar të blejë 49 për qind të aksioneve, kurse kosovarët do ta kishin shumicën e tyre. Në momentin e fundit edhe ata u tërhoqën, kështuqë Kuvendi i Aksionarëve vendosi që cenzusi të jetë 3 milionë marka gjermane, kurse banka e ardhshme të quhej Banka e Re e Kosovës, përkatësisht të heqë dorë nga emri i dikurshëm Banka e Kosovës. Madje, ajo do të shfrytëzojë një pjesë të objek teve të bankës së mëhershme, por tani si qiraxhi.
Midis aksionarëve të saj janë 664 punëtorë të Kompanisë Hoteliere "Kosova", me 701.110 marka të paguara, përkatësisht për këto aksione të gjithë punëtorët e kësaj kompanie paguan rrogën e trembëdhjetë të tyre. Janë edhe 33 aksionarë, përkatësisht ndërmarrje të dikurshme shoqërore, ndonëse UNMIK-u nuk e njeh statusin e tyre pronësor, me 778.200 marka të paguara; njëmbëdhjetë shoqëri aksionare (me aksione fiktive) që dhanë 572 mijë marka; 71 ndërmarrje private me 440.500 marka në aksione dhe 57 aksionarë individualë me 1.06 milionë marka të paguara. Midis këtyre aksionarëve, aksionarët e KHT "Kosova" përfaqësohen si një individ.
"Nuk kemi bërë kurrfarë lëshimesh, as që kemi dhënë privilegje në krahasim me bankat e tjera që presin për licencë përfundimtare. Kapitali është paguar, kurse kur është fjala për të ashtuquajturat ish-ndërmarrjet shoqërore, ato janë evidencuar si kapital individual", thotë Ajri Begu, bashkëkryesues i Autoritetit të Bankave dhe të Pagesave në Kosovë, mekanizëm ky i ngarkuar për licencimin dhe kontrollimin e bankave.
"Licencimi i bankës së dytë është një hap më larg drejt formimit të sistemit bankar në Kosovë", është i bindur z. Begu, ndonëse disa herë ka potencuar se ABPK-ja nuk i ka të gjitha kompetencat e një banke qendrore.
"Ne do të krijojmë kushtet për një konkurrencë të barabartë ndërmjet bankave. Do të ecë përpara ajo që është më i mirë", porosit z. Muhamet Bouauaja, bashkëkryesues ndërkombëtar i Autoritetit të Bankave dhe të Pagesave në Kosovë.
Mirëpo, Banka e Re e Kosovës nuk do ta ketë të lehtë në konkurrencë me Micro Enterprise Bank, e cila në Kosovë ka një traditë më të gjatë se një vit, kapitali i së cilës ka prejardhje gjermane, apo nga institucione bankare evropiane të ndryshme, siç është EBRD, ndërsa pas saj qëndron edhe "Comertz Bank" e Frankfurtit.
Ajo bëri 'bum' në Kosovë. Për një vit pune ka afër 30 mijë depozitues, të cilët në depozita mbajnë rreth 200 milionë marka gjermane, ka lejuar ndërkaq rreth 900 kredi, kurse në transfere ka bartur mbi një miliard DM. Ajo ka arritur ta mbulojë gati tërë Kosovën dhe të krijojë raporte mjaft të qëndrueshme me ekonominë dhe individë të ndryshëm dhe qytetarët.
"Pa dilemë, ne do të jemi banka më e lirë në Kosovë. Nuk kemi arsye që të insistojmë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, por në shtimin e vëllimit të tyre", thotë z. Ilaz Ilazi, drejtor i Bankës së Re të Kosovës.
Z. Ilaz Ilazi është i ndërgjegjshëm se i duhet mjaft punë që të krijojë raporte korresponduese me banka të ndryshme në Evropë, për t'u marrë ashtu me punën kryesore të cilën e bëjnë bankat tani - transferin e mjeteve. Ndonëse, aksionarët, siç pohojnë, janë të interesuar vetëm për kredi. Më në fund, shumë shpejt do të shihen rezultatet e para të "Bankës së Re të Kosovës". A do të arrijë ajo të paktën që t'i afrohet afarizmit të suksesshëm të "MEB Bankës", siç premtojnë udhëheqësit e saj. Po qe ashtu, te qytetarët e Kosovës shumë lehtë do të kthehet besimi i humbur prej kohësh te sistemi bankar.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI