Përqëndrimi i së djathtës rreth gjeneralit të arratisur
AIM Zagreb, 17.02.2001.
Të gjithë jemi Mirko Noraç – me këtë moto u mbajtën mitingjet nëpër Kroaci për të përkrahur gjeneralin e ri, i cili para disa ditësh humbi pa gjurmë, atëherë kur duhej të arrestohej për shkak se dyshohej se kishte bërë krime lufte ndaj popullatës civile. Askush nuk e di se ku gjendet. Supozohet se fshehet nga fretërit hercegovinas.
Mirko Noraç për disa është ikonë e luftës, për të tjerë kriminel lufte. Ky gjeneral deri tani ishte hero i Luftës Atdhetare, kurse statusi i tij, jo vetëm në ushtri, por edhe në shoqëri i përgjigjej kësaj shfaqjeje. Njëkohësisht, në opinionin publik emri i tij ndërlidhet me krimet e bërë mbi civilët. Si të gjendet një mesatare mes këtyre dy fakteve? Nuk ka kurfarë dyshimi për meritat e Noraçit në mbrojtje të Gospiçit, këtij qyteti i sulmuar gjatë luftës me ashpërsi nga ana serbe.
Gjatë hetimeve për rastin Gospiç disa dëshmitarë pohuan se e kishin parë atë personalisht se si kishte marrë pjesë në ekzekutimin e serbëve, madje ai kishte qenë i gatshëm të shtinte në civilë që të testonte "atdhedashurinë kroate" të bashkëpunëtorëve të vet. Se në ç'rapost është merita me fajin kjo duhet të vërtetohet në gjyq. Kuptohet nëse i dorëzohet, kurse një pjesë e konsiderueshme e Kroacisë e pengon tendencën që të ndodhë kjo. Shoqatat e veteranëve menjëherë organizuan parakalime masovike dhe bllokuan qarkullimin. Kroacia, për disa ditë, ishte e ndarë përgjysmë, mu në trungun serb. Në Split u mbajt një miting i madh ku kishte më shumë se 100 mijë njerëz nga të gjitha viset e Kroacisë dhe BeH fqinje. Ndërkaq, tubimi në Zagreb, ku u paralajmërua se numri i protestuesve do të ishte i dyfishuar, dështoi. Ishin rreth dhjetë mijë njerëz, kryesisht të ardhur nga jashtë. Shumica zagrebase e injoroi këtë ngjarje, kurse gjersa mbahej tubimi dukej grafiti “Të gjithë jemi Karla del Ponte” që ishte kundërpërgjigje të motos “Të gjithë jemi Mirko Noraça", duke shprehur kështu përgjigjen e Kroacisë tjetër, që nuk del nëpër mitingje, kurse hulumtimet tregojnë se bëhet fjalë për shumicën e heshtur.
Për Kroacinë, rreth rastin Noraç, shtohet pyetja: a guxohet në emër të qëllimit të shenjtë (kjo, sipas bindjes së Tugjmanit do të thotë mbrojtje e atdheut dhe bërje e shtetit) të bëhet krim? Apo, të zbulohen krimet dhe natyra e vërtetë e gjërave të shenjta në të cilat thirren?
Pushteti i dikurshëm kësaj pyetje i dha përgjigje të qartë: bërja e shtetit është mbi të gjitha, dhe në emër të kësaj heshtazi duhej të pastroheshin nga Kroacia të gjithë ata që kreu i BDK-së i konsideronte faktor destruktiv. Rreth Tugjmanit silleshin njerëz për të cilët dihej se kishin bërë krime, por ata trajtoheshin me mjaft kujdes: ishin të qerasur me grada dhe privilegje, me mbrojtje të sigurtë. Ithtarët e politikës së Tugjmanit sot kërkojnë amnisti për të gjithë luftëtarët kroat. Kërkojnë që të sillet ligj që në përgjithësi do të pamundësonte arrestimin e tyre. Të jenë të paprekshëm nga duart e drejtësisë, pa marrë parasyshë ç'kishin bërë, madje edhe kur ekzistojnë indikacione se janë të përzier në krim. Këto kërkesa, de facto, janë në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese, që nënkuptojnë se secili qytetar është i barabartë para ligjit. Në po të njëjtën mënyrë siç kundërshtojnë Gjyqin e Hagës, mbrojtësit e Noraçit hedhin poshtë edhe funksionimin e jurispondencës kroate. Kërkojnë status të paprekshmërisë.
Pushteti aktual potenconte se për çdo krim duhet hapur proces, por duke paralajmëruar arrestimin e Noraçit filloi të tregonte se për këtë mendonte seriozisht. Është pjesërisht e besueshme edhe logjika: Më mirë Kroacia se sa Haga. Në burgosjen e Noraçit pushteti tregoi tepër pazotësi. Ministri pranoi se kishin rënë në ujdi me gjeneralin që ai “vullnetarisht të paraqitej në gjyq” duke mos parë asgjë të keqe në këtë rast. Kryetari i Republikës Stipe Mesiç, në intervistën televizive drejtuar kombit, kumtoi se ishte fjala për rastin Noraç do të pranojë "interpelancë”, pa marrë parasyshë se çka nënkupton kjo, edhe pse për atë është lëshuar arrest policor. Mesiçi ishte i gatshëm të fliste edhe për kushtet që duheshin plotësuar që ai ta dorëzonte gjeneralin e arratisur: gjykim para gjyqit kroat, mbrojtje në liri, garancion se nuk do ta kërkonte dhe natyrisht nuk do ta prokuronte Gjyqi i Hagës.
Edhe pse fotografitë e Noraçit në duart e protestuesve e vërshuan Kroacinë, fati i gjeneralit nuk është interes kryesor i zhurmës masovike. Paralajmërimin për arrestimin e gjeneralit të parë kroat, që akuzohet për krime lufte mbi civilët, e djathta e shfrytëzoi të ndërmerte një fushatë të re kundër pushtetit aktual. Pas zgjedhjeve të kaluara, forcat e mundura, së pari BDK-ja (Bashkësia Demokratike Kroate) me satelitet e saj, e dijnë se në formë demokratike, përmes zgjedhjeve, nuk mund të kthehen në pushtet. Prandaj organizojnë popullin. BDK-ja kësaj rradhe haptas përkrahu protestat djathtiste, kurse, gjykuar sipas shumicës, ngjarjet rrjedhin sipas skenarit të djalit të kryetarit të ndjerë kroat Mirrosllav Tugjmanit, i cili, si sheh i shërbimit sekret gjatë kohës sa ishte në pushtet babai i ti, tani shfrytëzon nëntokën brenda këtij shërbimi, duke shprehur njëkohësisht ambicjet e fuqishme për të zëvendësuar babain e tij në skenën politike.
Diplomatët e jashtëm në Zagreb, gjatë këtyre ditëve, shqyrtojnë mundësinë se a mundet pushteti të përballojë dallgët e britmave dhe tërbimit djathtist, që e kapluan Kroacinë pas rastit të Noraçit. Athua forcat demokratike janë të fuqishme sa duhet që të mos i shohin dhe të mospërfillin ofenzivën ekstremiste?
Fuqia e manifestuar nëpër mitingje gjithjsesi se duhet respektuar. Bëhet fjalë për demonstratat më të mëdha dhe më të ashpra kundër pushtetit aktual. Opcioni djathtist në Kroaci gjithmonë ka qenë i fuqishëm. Hulumtimet tregojnë se pjesa e konsiderueshme e popullatës përkrahin kërkesat nacionaliste dhe prot -tu -demokratike. Këto veprime, përkundër blkokadës, i miratojnë një e treta e qytetarëve. Edhe pse shumica - 56 përqind – refuzojnë, megjithatë fuqia e atyre që janë “për” gjithsesi se nuk është e vogël. Politikologët tërheqin vërejtjen se edhe një numër edhe më i vogël i ekstremistëve në shoqëri mund të shkaktoj tollovi të mëdha. Është problem në vete se në Kroaci nuk ka parti të veçantë konzervatore, siç ekzistojnë në demokracitë stabile. Këtu e djathta është primitive, jodemokratike, e egër dhe e lidhur me idenë ustashe.
Pushteti aktual, kryetari i shtetit Mesiç dhe Qeveria e Raçanit, nga thirrjet dhe ofendimet në mitingje, duket se edhe mëtej nuk është gërvishur. Mbase fushata shkatërruese, që është kundër tyre anekënd Kroacisë, sërish do ta homogjenizojë trupin e tyre elektoral. Por është çështje se athua do të mund të qëndrojnë nëse vazhdojnë tensionet e tanishme. Duke vazhduar fushata e së djathtës duken si të mundshme të gjitha opcionet. Njohësi i proceseve kalimtare, analisti Vlladimir Gligorov, me këtë rast do të thotë: "Kjo që tani ngjan në Kroaci është një nga mënyrat tipike të rënies së demokracisë fillestare". Institucionet e pafuqishme nuk mund ta durojnë presionin e popullizmit. Kësaj rradhe ithtarëve të të djathtëve u bashkangjitën edhe rastet sociale. Njerëzit pa ekzistencë, sipas historisë, lehtë bëhen kushtrim i fashizmit. Po dëshmohet se demokracia kroate është jostabile – jo shkaku i fuqisë së djathtistëve, as protestuesve të tyre po shkaku se as shteti, as shoqëria, të rrënuar gjatë kohës së Tugjmanit, edhe mëtej nuk arritën të konsolidohen denjësisht.
AIM Zagreb
JELENA LOVRIÇ