Gazetaria në Serbi
Të gjithë të lirë
AIM, Beograd, 12.02.2001
Pas 13 vjet pushtet të Millosheviqit gazetarët, të cilët nuk dëshiruan të braktisnin profesionin e gazetarit, kishin mundësi të zgjidhnin mes dy varianteve: të ishin të dëgjueshmit e regjimit apo të punësoheshin në mediumet “tradhëtare”. Opcioni i parë disi siguronte një rrogë për ata që nuk dëshironin të dukeshin, për dallim nga promotorët ambicioz medial të politikës qeveritare për të cilët hapeshin mundësi të panumërta. Për rastet e këtilla më shumë vëmendje meritojnë Haxhi Dragan Antiçi dhe Dragollub Milanoviçi, si shembuj më të freskët të kësaj gazetarie “profesionale”. Të dy profesionin e vështirë të “gazetarisë” e filluan si anonimus profesional: Antiç në "Politika" ishte në "sektorin" e elektrodistribucionit (së këndejmi edhe nofka "Struja"- “Rryma”-sh.p.), kurse Milanoviç ishte një korrespondent i parëndësishëm i rubrikës së brendshme në "Politika ekspres". Fundin e periudhës së Millosheviqit e pritën në postet e pronarëve të "Politikës" dhe Radiotelevizionit të Serbisë (RTS). Për dallim nga Dragolub Milanoviçi, të cilin masa e mbledhur më 5 tetor e kërkonte përpara ndërtesës së RTS që ishte në flakë, Haxhi-Struja mundi të dalë nga "Politika" , dhe nëse u besohet mediave beogradase, u fsheh në Kubë.
Recepti për të bërë kësi kariere të sukseshme si rëndom është i bazuar në aftësinë për të përkrahur më të fuqishmit: Milanoviçi këtë e "bëri" përmes Sllobodan Millosheviqit, kurse Antiçi përmes pjesën femërore të familjes pushtetore. Rreziku i shmangies nga “kthesa” është gjithnjë më i vogël nëse afër janë "burimet” e të fuqishmëve: gjatë pushtetit 13 vjeçar të Millosheviqit gjithë garnitura e gazetarëve atakues, të adhuruar sot, u zgjuan të nesërmen si të braktisur, sepse politika e “kasapit të Ballkanit” në ndërkohë u shndërrua në politikë të “garantimit të stabilitetit dhe paqës”.
Milanoviçi dhe Antiçi kishin fatkeqësinë të ishin pranë Millosheviqit në momentin e rënies së tij politike. Shumë prej tyre, që mund të paramendohet lehtë, gjatë 5 tetorit ishin të gëzuar se "pronari" i tyre me kohë ishte zhvendosur nga afërsia e tyre: si shembull është Milorad Vuçeliç, një nga ata që udhëhoqën luftën mediale në RTS në fillim të nëntëdhjetave. Fatkeqësia, megjithatë, nuk fshehet në çështjen e “profesionalizmit” gazetaresk të dhjetëra apo qindra drejtorëve, kryeredaktorëve dhe redaktorëve përgjegjës, komentatorëve ose “penave gazetareske" të regjimit të Millosheviqit. Problemi qëndron se mijëra nga këta punën e tyre gjatë këtyre 13 vjetëve e konsiderojnë si të ndershme, e mbase përmes kësaj “ndershmërie” do të paraqiten si “viktima të regjimit”.
Viktimat e njëmendëta, duke filluar nga familja Slavko Çuruvija, i vrarë në mes të Beogradit në mesditë në prill të vitit 1999, gazetarët që u quajtën si "tradhëtarë" dhe "spiunë ", redaksitë që u vodhën, u mbyllën ose u dënuan sipas ligjit për informim tani për tani, katër muaj nga kthesa demokratike nuk kanë kurfarë satisfaksioni. Për më tepër “të paguarit nga jashtë” sot pak a shumë shohin me hidhërim se si atakuesit e mediave të Millosheviqit jo vetëm që nuk ndalen, por vazhdojnë ta shtrijnë të njëjtën punë, veçse tani të veshur me staniolë dhe perishane “demokratike”.
Autoritetet federale gjatë mesit të janarit paralajmëruan se do të shqyrtonin statusin e mediumeve "të tyre”: Tanjugun, "Borbën" dhe TV "Yu info". Tendenca, gjykuar sipas deklaratave të Sllobodan Orliçit, sekretar federal për informim, është krijimi i shtëpive informative të transformuara në servise publike dhe të afta për konkurim në treg. Është shqetësues fakti se veç mashtrimeve të mëdha, humbjeve, asgjësimeve teknike dhe profesionale gjatë viteve të kaluara, që duhet të vërtetohet tani, mediat e përmendura asnjëherë nuk kanë funksionuar në treg e as kanë ndjekur ekonominë e tregut. Në këtë aspekt, nuk dallojnë edhe shumica e mediumeve tjera që deri dje vepruan si opozitare. Sa u përket mediave jugosllave është interesant fakti se sekretari federal, në deklaratën e përmendur, nuk foli për Radio Jugosllavinë, që emeton program të dedikuar për të jashtmit. Disa të punësuar frikësohen se pushteti i ri më shumë shqetësohet për mediumet për përdorim të “brendshëm”, që të mund të eksploatojnë dhe të përhapin një imazh pozitiv në botë përmes valëve të shkurtra. Në ndërkohë BBC, Dojce Vele, Zëri i Amerikës dhe Europa e Lirë kanë trefishuar numrin e emisioneve në valë të shkurtra, dedikuar për hapësirën jugosllave.
Sa i përket Serbisë, zhgënjimi i përmendur profesional kishte të bënte me mënyrën se si brenda natës “u çliruan” shtyllat më të fuqishme mediale të regjimit të Millosheviqit nga myshku i parë dhe arritën deri në shkallën e neveritshme. "Politika" në tetor shprehu aftësinë e servilizmit ndaj pushtetit të ri e njohur në kohën e luftës për “mbrojtje të Jugosllavisë". Kësaj rradhe, ishin vërshimet e raporteve pa shije për situatën në jugun e Serbisë që për një moment lanë pas dore mbiçmimin pashije të fitores së Voisllav Koshtunicës në zgjedhjet presidenciale. "Politika ekspres", "Veçernje novosti" dhe "Borba" gjithashtu në mënyrë rutinore, pa shumë dallgëzime, vazhduan të punonin në situatën e “lirë”. Këto janë karakteristikat e përgjithshme në ish-mediat e regjimit:nga impresumi dhe eteri u ndërruan vetëm personat, zërat dhe nënshkrimet më të njohur. Vendin e tyre, kryesisht e zunë drejtorët dhe redaktorët e ndjekur. Fuqia gazetareske mbeti e njëjta.
Kjo është më e shprehur në RTS, që nga 5 tetorit udhëhiqet nga këshilli grevist, gjegjësisht nga kolegjiumi i përkohshëm, në krye të të cilit gjendet Nenad Ristiç, redaktor i dikurshëm i programit informativ. Së pari, në prill të vitit 1999, nga bombardimet e NATO-s, u shkatërrua “masterit” për emetim satelitor, por edhe rrjeti i përgjithshëm tokësor i transmetuesve, kurse ndërtesa e RTS më 5 dhjetor të vitit të kaluar u vodh dhe u dogj, ndërkohë që Millosheviqi mendohej të pranonte apo jo humbjen në zgjedhje (njëkohësisht, në ndërtesën e “Politikës” u thye edhe një vitrinë). Rezultati: më shumë se 400 milion dollarë dëm material, kurse përgatitja teknike është në nivelin e një tv-stacioni lokal, shikueshmëria, kualiteti i programit, veç informimit cilësor, është i mjerushëm. Ndalimi intern vlen për 15 ish-drejtorë dhe redaktorë, kurse 85 ish “punëtorë udhëheqës” deri tani janë dënuar vetëm me zvogëlim të koeficiontit të të ardhurave mujore.
Shkaku se plot tre muaj praktikisht kishte mungesë pushteti, ngase qeveria e re u formua kah mesi i janarit, ajo nuk u morr seriozisht me çështjen e RTS-së. Hapi i parë do të bëhej javën e ardhshme me suspendimin e “taksës në faturat e rrymës”, të vendosur në kohën e Millosheviqit. Kjo takse vilajeti, që në arkën e RTS-së “hudhte” 4,8 deri 54 milionë marka në muaj, të “distribuuar" sipas standardeve të ekonomisë së tregut, u aplikua në vitin 1993, si një nga veprimet e ulta të regjimit kur e futi nën kontroll të plotë RTV kombëtare.
Repertoari për disciplinim, fatkeqësisht i njohur për këtë profesion, për turp mjaft efikas, përfshinte "ngrirjen", pushimet e dhunshme dhe dëbimet e të padëgjueshmëve dhe atyre jo mjaft të dëgjueshëm (vetëm në RTS në vitin 1992/93 “u pastruan” rreth 1300 të punësuar). Mbase, paplanifikim vendosja e të dëgjueshmëve, me autorizim diktatorial në politikën “kadrovike”, krijoi kundërefekte për regjimin. Në tetor të vitit 1990 mund të dukej si tentim i pashpresë largimi i dhjetë gazetarëve nga NIN-i dhe formimi i javores "Vreme"; pesë vjet më vonë ekzistimi i këtyre mediumeve të pavarura mund t'i shërbente Millosheviqit si legjitimacion për demokratizim; por nga 1997 tirazhi i “Vremes” dhe gazetave tjera të ngjashme si dhe radio dhe televizioneve u mbizotëruan jo aq shumë si të lexuara apo shikuara se sa të besuara. Kur Haxhii-Struja, Milanoviç dhe të tjerë të ngjashëm e kuptuan këtë atëherë ishte vonë.
Nuk mund të thuhet se mediat e “paguara nga jashtë”, “kolona e pestë e gazetarëve tradhëtarë dhe spiunëve” sot paguan me gjakun dhe lotët e vet. Në këtë aspekt gazetarët e fituesve të zgjedhjeve nga shtatori dhe dhjetori i vitit të kaluar brenda përbërjes së re deri tani nuk kanë shprehur dashamirësi. Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë pas përpjekjeve disajavore arriti që të vendoset në një kat të ndërtesës së Shoqatës së gazetarëve (“millosheviqian”) të Serbisë. Autoritetet e tanishme mbeten në qëndrimin se këshillat udhëheqëse të mediave, por as gazetarët e dikurshëm dhe të tanishëm të aktivizuar politikisht, nuk caktohen nga politikanët, gjithashtu edhe në qëndrimin për ndërprerje të transformimit pronësor, (keq)përdorimit të frekuencave ose zgjerimit të punëve nga ana e mediave ekzistuese, që deri tani nuk kanë dhënë efekte të dukshme. Nga ana tjetër, për drejtorët dhe redaktorët e mediumeve, që u kthyen në shtëpitë e tyre të dikurshme, është vështirë të thuhet se janë të kënaqur me gjendjen në të cilën gjenden dhe mbarëvajtjen e punës, ngase kanë vetëm përkrahje morale nga pushteti i ri dhe jo përkrahje tjetër.
Pra për “mbeturinat” për të cilat bëhet fjalë imazhi edhe mëtej është i zbehtë. Sëkëndejmi nuk duhet që aq shumë t'ua zëmë për të madhe kolegëve të cilët mu ashtu si sekretari federal i informimit Slobodan Orliç vendosën që karierën ta vazhdojnë në politikë ose në diplomaci, si Mihajlo Kovaç, gazetar i dikurshëm i RTS, i cili mbase do të jetë ambasador i ardhshëm në Austri; Biserka Matiç, ish-gazetare e "Politikës" dhe koministre e informimit në qeverinë e përkohëshme të Serbisë, si ambasadore e ardhshme në Maqedoni; Maja Divac, atashe e ardhshme për shtyp e RFJ në Londër...Për shumë arsye duhet pasur shqetësim jo ndaj atyre që janë të gatshëm shërbimet profesionale t'ua afrojnë të gjithëve, por për ata që i pranojnë këto shërbime. Vojislav Koshtunica si duket, ka zgjedhur këshilltar për media Aleksandër Tijaniçin, ish-gazetarin e NIN-it, ish gjigantit të gazetarisë jugosllave, ish-drejtor i TV Politikës së regjimit, ish-drejtor i televizionit parashtetëror TV Braça Kariq, ish-ministër i informimit në kohën e Millosheviqit, ish-themelues i gazetës "Gragjanin", ish-gazetar i "Dnevni Telegrafit"... Dhe në të ardhmen kushedi se çka.
AIM Beograd
ALEKSANDAR QIRIQ