Sfidanti britanik Vodafon në ringun shqiptar të celularëve

Tirana Feb 19, 2001

AIM Tirana, 16.02. 2001

Në maj te vitit te kaluar, Albanian Mobile Comunication (AMC), shoqëria shtetërore e cila qysh nga 1994 ruante monopolin e shërbimit telefonik GSM, nxori në shitje 85 për qind të aksioneve te saj, duke u bërë ndërmarrja e parë e madhe shtetërore që privatizohej. Ndryshe nga ç'pritej, blerja e këtyre aksioneve nga konsorciumi "Telenor Cosmote", nuk coi ne uljen e tarifave teper te larta, cka krijoi nervozizem tek publiku, i cili kishte supozuar se nje kompani e huaj nuk do te sillej njelloj si e mepareshmja, qe kishte vendosur tarifa te paarritshme për shumicën e shqiptarëve.

Përveç kësaj, privatizimi i kompanisë së vetme shtetërore shqiptare të telefonisë celulare la nëpër këmbë edhe një diskutim të ashpër: nëse gjatë procesit të privatizimit duhen mbajtur parasysh interesat gjeopolitike kombëtare, apo duhet bërë vetëm tregëti dhe aq.

Ne fakt, kur më 1 qershor 2000 u shpall se fituese e tenderit për shitjen e aksioneve të AMC ishte një kompani norvegjeze, opinioni rezultoi të ishte më shumë pragmatist sesa i interesuar për të kuptuar lojërat që bëhen midis kompanive, sesi ato bashkohen në konsorciume për të bërë blerje strategjike dhe sesi luhet me emërtimet dhe përqindjet e aksioneve. Askush nuk kishte ndonjë kundërshtim për nordikët: shqiptarët gjithnjë kanë ushqyer një respekt në distancë për ta, dhe temat mbi të cilat u vërtitën diskutimet kishin të bënin me tarifat e reja që ishin premtuar të aplikoheshin. Të gjithë prisnin një politikë që do të sillte ulje në çmimet e çmendura të shërbimit GSM.

Pas blerjes së bujshme Qeveria deklaroi se 85 milionë USD që pagoi Telenor-Cosmote i kishin kaluar edhe parashikimet e saj më optimiste. Këtu përfunduan edhe lajmet e mira. Për një arsye të pakuptueshme në fillim u fsheh fakti që Telenor-Cosmote, ky konsorcium i ngritur enkas për blerjen e AMC, dominohej në pjesën dërrmuese të paketës së aksioneve nga nje kompani greke. Ngacmimi i këtij "teli" solli perhapjen e një melodie nacionaliste që tingëllonte pak a shumë si një tradhti e paparë.

Ndërkohë, pavarësisht nga zhurma e opinionit, kompania greke instaloi aparaturat e reja të teknologjisë Nokia në centralin qendror të AMC. Por në një vend ku edhe pas dhjetë vjet tranzicioni ka shumë "gjëra që ndodhin për herë të parë", edhe nga eksperienca e parë privatizuese, u nxorën mësime të vlefshme. Shtypi vazhdoi të ishte skeptik ndaj seriozitetit të kompanisë që tani kishte marrë në dorë AMC-në duke e kritikuar atë se kishte ardhur në Shqipëri thjesht për t'u pasuruar. U zbuluan raportet që tregonin se Cosmote, jo vetëm që ishte një kompani me qendër në Greqi,- jashtë polemikave nacionaliste, Greqia nuk ka ndonjë traditë për t'u shënuar në industrinë elektronike - por madje edhe në këtë vend pa shumë peshë në arenën botërore, Cosmote ishte një kompani e dorës së dytë.

Gjithsesi, dominonte opinioni se Shqipëria vazhdonte të mos konsiderohej si një treg interesant për "big"-ët e teknologjisë botërore. Por pikërisht në dhjetor te vitit te kaluar, ndërsa gjendja emocionale përkundej në këto ujëra, Qeveria hodhi në shitje liçencën e dytë duke nisur kështu realisht garën e vërtetë për dominimin e tregut celular shqiptar.

Risku ishte më i lartë, pasi atij që do të afrohej për ta blerë këtë liçencë, jo vetëm që do t'i duhej ta fillonte nga zeroja, por madje do të kishte përballë një konkurrent me të paktën 30 mijë abonentë të konsoliduar në zonën me dendësi të lartë urbane Tiranë-Durrës si dhe në të gjithë ultësirën perëndimore shqiptare.

Përveç kësaj mbetej edhe dilema nëse këse fitimtarë do të dilnin përsëri grekët apo Qeveria do të dinte të luante duke ia shitur liçencën e dytë kompanive të interesuara turke, të cilat besohej se do të luftonin për jetë a vdekje me grekët e AMC-së. Për këtë arsye, prania e Panafon-it, një kompanie tjetër greke në konkurrim së bashku me Vodafon-in britanik, u trajtua në disa raste si një tradheti e re dhe, në disa të tjera, si tentativë për të vendosur një oligarki financiare greke në tregun e telefonisë celulare të Shqipërisë. Nuk u hezitua te sillej edhe shembulli i Mobilmak-ut nga Maqedonia, i cili "për të mbrojtur interesat kombëtare", refuzoi t'ia shiste një pjesë të aksioneve të veta një kompanie greke që kishte dhënë ofertën më të lartë, por preferoi gjermanët e Deutschetelekom-it.

Mirëpo kësaj radhe në lojë kishin hyrë britanikët. Vodafon-i jo vetëm që kishte shfaqur interes për të hyrë në tregun, deri tani paradoksal të celularisë shqiptare, por madje ishte bashkuar në këtë operacion për blerjen e liçencës me Panafon-in. Pikërisht për selinë athinase të këtij të fundit pëshpërisnin rezervat e tyre të pakënaqurit e Tiranës, por anglezët, të vëmendshëm edhe për këto detaje ballkanike, u kujdesën të sqarojnë se edhe vetë Panafon-i është në të vërtetë 55 për qind britanik.

Gjatë fazës finale të tenderit për AMC 2 ndodhën nga pak të gjitha ç'mund të ndodhin gjatë një tenderi ndërkombëtar. U bënë ofertat përkatëse, thashethemet përkatëse, madje ndodhi edhe çudia përkatëse, kur brenda zarfave që u hapën në prani të një noteri, u zbulua se Vodafon dhe Finturi turk kishin ofruar të dyja nga 25 milionë dollarë. Për këtë arsye, ERT vendosi të përsëriste tenderin. Por kësaj radhe me një procedurë tjetër. Oferta dysheme, e lejuar nga qeveria, do të ishte pikërisht 25 milionëshi që ofruan si shifër maksimale Vodafon dhe Fintur. Kush kishte ndërmend të tërhiqej, kishte rastin më të mirë.

Por përsëri, të tria kompanitë ne gare shkruan nga një shifër brenda zarfave dhe i dërguan në zyrën ku prisnin përfaqësuesit e ERT-së dhe një "hordhi" e paparë mediash. Në fund, ashtu siç e do rregulli, fitoi ai që pagoi më shumë. Vodafon ofroi 38.010.001 USD, Rumeli Telekom - 32.525.000 USD, ndërsa Fintur i kishte shtuar vetëm 350 mijë dollarë ofertës së mepareshme prej 25 milionësh.

Përfaqësuesi i Vodafon, George Danielos, megjithatë u tha gazetarëve se nuk e konsideronte akoma fituese kompaninë e tij, përderisa ky vendim nuk ishte shpallur ende nga ministri i Privatizimit Mustafa Muçi. Por nëse Vodafon shpallet së shpejti fituesja e liçencës së operatorit të dytë GSM në Shqipëri, do të jemi dëshmitarë të asaj që shqiptaret enderrojne: mbërritjen e investitorëve seriozë. Me të përfunduar të gjitha procedurat përkatëse, Vodafon-i premton se do të nisin menjëherë investimet për centralet dhe antenat e reja të teknologjisë së lartë.

Ne zyrat e Telenor-Cosmote janë akoma në kohë për të korrigjuar disa nga politikat e gabuara që kanë ndjekur. Nga t'ia fillojne? Nga çmimet më të larta të pajtimeve dhe impulseve në të gjithë kontinentin (ka te ngjare në të gjithë botën), apo nga shërbimi i dobët dhe mbulimi "i arnuar" me sinjal vetem i nje pjese te territorit të vendit?

Mbërritja në tregun e Shqipërisë e operatorit të dytë celular, sigurisht shenon nje moment kur monopolet marrin fund dhe fillon konkurenca Vodafon, e cila u shpërndau mediave "personal information" e saj, tha se nëse gjërat shkojnë mirë, përpara muajit gusht shqiptarët do të kenë mundësi të zgjedhin midis AMC-së së deritanishme apo "sfidantëve" britanikë. Shqiptaret po presin.

SOKOL SHAMETI