Volvo, bombat dhe dëshmitari

Ljubljana Feb 16, 2001

Nëntoka sllovene Ish - komandanti i njësisë kryesore në brigadën Moris pohoi se pjesa elitë e Ushtrisë sllovene, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes Janez Janshës më 1993, vendosi bombë nën automobilin e deputetit Zmag Jelinçiç. Minuesit, për fat, ishin diletantë prandaj nuk ndodhi ndonjë katastrofë më e madhe mu në qendrën e Lubjanës.

Lubjanë, 07.02.2001.

Pas shtatë vjet fshehje të së vërtetës “rrodhi” informacioni për përzierjen e ish ministrit të mbrojtjes, sot shef i opozitës sllovene, Janez Janshës, në sulmin me bomba kundër deputetit Zmag Jelinçiç. Jelinçiç edhe tani është deputet, por dallimi qëndron vetëm aty se para shtatë vitesh udhëhiqte Këshillin Parlamentar për Mbrojtje, për çka Jansha e kishte në shënjestër si armik të rrezikshëm politik. Prandaj tentoi që ta “trondiste” pak armikun me ndihmën e forcave speciale të njësitit elitist të Ushtrisë sllovene -Moris. E thënë, e bërë – u dha urdhëri, bomba eksplodoi, kurse në vendin e ngjarjes doli policia që kryen kontrollime dhe pas hetimeve do të dyshojë në pjesëtarët e brigadës speciale, të cilët sipas deklaratave të dëshmitarëve - para eksplodimit kishin qarkulluar me vetura që kishin regjistrime të njohura rreth automobilit të parkuar.

Jansha në atë kohë ishte në funksionin e ministrit të mbrojtjes dhe arriti që të mbronte eprorët e përkushtuar. Kryesorja pasoi më vonë, në një aksion tjetër, i njohur si rasti Depala vas, kur morisovët nën mbulesën e hetimit shkaku i marrjes të dokumenteve të besueshme ushtarake i bënë pritë në udhën magjistrale Lubjanë – Maribor, në dalje për në Depala vas dhe e ndaluan auton e Tone Smolnikarit, e nxorrën nga dritarja, e dërguan për ta marrë në pyetje dhe i kurdisën dokumente të rrejshme. Smolnikar u shkallmua dhe përfundoi në spital, kurse Jansha ishte i detyruar të jepte dorëheqje. Morisi u shpërnda, kurse rasti me ndihmën e simpatizuesve politikë në funksione kyçe – u hesht. Hetuesia shtetërore në fund hodhi poshtë padinë kundër kryerësve, si të pabazë. Diçka e ngjashme ndodhi edhe me rastin e Jelinçiçit, derisa nuk vendosi të fliste një nga ata që ishte përzier në këtë rast, majori Ladislav Troha, ish-pjesëtar i njësisë speciale Moris. Ai pranon se me lutje të eprorëve falsifikoi librin e rojes, që tu siguronte alibi të rrejshme atyre që kishin vendosur bombën nën auton e Jelinçiçit. Më pas pasoi një senzacion i ri – u paraqit vëllau i Ladisllav Trohes, duke thënë se më shumë tre javë nuk ka asnjë gjurmë, asnjë zë nga ai.

Mediat, megjithatë, kësaj rradhe nuk u prirën aq shumë drejt kësaj afere, duke besuar se Troha ishte fshehur derisa të kalonte turma dhe ftohja nga rrëmbimi i parë i ish- shokëve të tij të dikurshëm që i përmendi në intervistën dhënë gazetës Veçer të Mariborit. Përndryshe kjo nuk është shfaqja e parë e Trohinit- ai edhe para dy vjesh u bë yll medial kur me kitarë, në qendër të Lubjanës, protestoi për gjendjen e rëndë në ushtri, duke sfiduar përgjegjësit për furnizime të ushtrisë për përgatitjen jocilësore të saj. Ai haptas foli edhe për tabu-temën – kontrabandën me armë, kurse ushtria e dëboi nga shërbimi pas shumë peripetive juridike. Ai sërish, para një kohe u kthye në shërbim, kësaj rradhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u inkuadrua në sektorin për mbrojtje dhe shpëtim. Mbase pozita më e re e nxiti që mu para arkivimit të rastit Jelinçiç (si i "pazgjidhshëm") të fliste dhe të akuzonte ish-bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të cilët gjatë viteve të kaluara kënaqeshin duke qenë të mbrojtur nga shërbimet e sigurimit ushtarak.

Kthehemi te rasti – vetura e Jelinçiçit. Policia menjëherë pas sulmit gjeti gjurmët që çuan deri tek sulmuesit me bomba. Por nuk kishte dëshmitarë që mund të ndërlidhte Morisovcët e Janshën me Volvon e Jelinçiçit. Deri në atë çast kur Troha nuk e freskoi kujtesën dhe deklaroi se saktësisht në mbrëmje e 13 prillit të vitit 1993 në Ministrinë e Mbrojtjes komandanti i Morisit Anton Krkoviç, tha se “ka ca ndytësira"; atë natë tre orë pas mesnate eksplodoi bomba nën veturën e Jelinçiçit Volvo 460, e parkuar në jug të qendrës së Lubjanës. Policisë i ofroi dëshmi rojtari i një ndërmarrjeje të afërt; tregoi se vuri re se si para ndërtesës sillej një djalë i ri. I interesoi prania e tij në mesnatë dhe hetoi si i panjohuri hyri në Fiat Uno, me regjistrim të Zagrebit. Kjo i orientoi inspektorët drejt pjesëtarit të brigadës speciale të Morisit, Robert Suhadolnikut, i cili ka veturë të këtillë. Dihej se ai nuk punoi vet, kurse Troha sot dëshmon se në sulm kanë marrë pjesë edhe dy pjesëtarë tjerë të Morisit. Që para shtatë vitesh kriminalistët e ngushtuan qarkun rreth të dyshimtëve, kurse major Troha nuk pranoi ftesë për mbledhje në Ministrinë e Mbrojtjes në Lubjanë.

"Çka ndodhi, ndodhi. Ministri Jansha lutet që disi ta shpëtojmë këtë gjë” ia tërhoqi vërejtjen Trohës eprori i tij Anton Krkoviç. Troha e kuptoi se ministri Jansha do të tentojë që ministri i punëve të brendshme Ivo Bizjak të mos insistojë në efikasitet të hetimit. Në pyetjen e Trohinit, Krkovic u përgjigj atëherë se aksioni ishte i autorizuar për ta frikësuar Jelinçiçin. Së andejmi, vlerëson Troha, Janez Jansha si ministër i mbrojtjes është kryerës direkt i gjithë aksionit. Përfundimisht, Troha u desh të lëshoj pe shkaku i presionit të të përmendurve dhe siguroi alibi për të dyshimtin Suhadolnik, duke deklaruar se gjatë kohës së eksplodimit ishte në roje, për çka e falsifikoi edhe librin e rojes. Hetimet menjëherë u bllokuan, kurse policisë nuk i mbeti asgjë vetëm se të ngriste padi kundër "kryerësit të panjohur". Ky ishte incidenti i parë (në serinë e incidenteve) mes Ministrisë së mbrojtjes (Jansha) dhe Ministrisë së punëve të brendshme (së pari - Igor Bavçar, i cili në ndërkohë zgjodhi një opcion tjetër politik dhe u nda me Janshën, kurse pastaj Ivo Bizjak). Kronologjia e gjithë rastit u shënua në raportin e policisë kriminale (për punën joligjore në Ministrinë e mbrojtjes), i njohur me emrin si "Dosje 13"...

Fati përfundimtar i rastit deri tani është i paqartë. Nuk jep shpresë as deklarata e prokurorit të përgjithshëm shtetëror Zdenka Cerar se motivi i vendosjes së bombës "nuk është i njohur ", me çka eksplodimi trajtohet si "shkatërrim të gjërave të huaja ", që hidhëron më shumë se edhe nomenklatura aktuale politike fsheh gjërat. Deri tani është spekuluar shumë rreth motiveve të minimit të Volvos së Jeliçiçit, por shërbimi sekret ushtarak arriti që t'i ftoh gjurmët. Tani atë e bën edhe prokurori shtetëror, duke rezonuar se gjithë kjo është drejtuar vetëm kundër pronës, e jo personave. Për një praktikë të ngjashme në botë nuk ka kurfarë dilemash. Vendosja e eksplozivit nën automobilin e kundërshtarit politik konsiderohet si terrorizëm. Edhe pse në OKB edhe mëtej nuk ekziston ndonjë definicion i saktë për terrorizëm, sipas vlerësimit të një eksperti të njohur në këtë sferë Paula Vilkinsonit, si terrorizëm konsiderohen "gjitha veprat që krijojnë ndjenjë ekstreme të frikës, ose atakimi në publik të gjërë, kur sulmon simbolet dhe vlerat tjera në kundërshtim me standardet shoqërore, kur synohen ndikim në veprimet politike". Kështu, p.sh. edhe plaçkitja e bankës në praktikën e gjyqeve zvicerane konsiderohet si terrorizëm, në rast se motivet janë politike. Përndryshe në Baski ose në Belfast kur ndonjë veturë fluturon në ajër, askush nuk flet për “dëmtimin e pronës së huaj”.

Shkatërrimi i objekteve që kanë ndonjë domethënie simbolike çdoherë është konsideruar si terrorizëm. Shumë terroristë, ashtu si "meteorologët" amerikan, gjithnjë kishin parasyshë që në aksionet e tyre të qëllohet vetëm prona. Aktet e këtilla terroriste megjithatë kanë si qëllim që të paralajmërojnë se dhuna e ardhshme do të orienohet drejt njerëzve, që mund të krahasohen me objektin. Në rastin e Jelinçiçit, sulmi është përgatitur në datëlindjen e djalit të tij. Prandaj ekpsplodimi nën veturën e tij nënkupton kërcënim për të ardhmen e familjes së tij. Ata që lexojnë "diskursin e terrorizmit" e dijnë kur sulmohen caqet e “vetmuara”. Kjo ndodh atëherë kur pritet "përkrahja e heshtur e masave", me çka sulmi bëhet në atë mënyrë që të mos ketë dyshim se qëllon vetëm "elitën" ose "përgjegjësit". Ky ishte qëllim edhe në rastin e fluturimit në ajër të veturës së deputetit Jelinçiç në rrugën Prazhak, në Lubjanë.

Dhe derisa prokurori shtetëror kërkon formulë për të dalë nga situata eksploduese politike, politika sllovene për herë të parë është e bashkuar. Aktivimi i aferës së bombës nuk i konvenon as opozitës, me Janshën në krye, as koalicionit të Dërnovshekut. Jeliçniç nuk është ndonjë figurë e adhuruar as te njëra palë, as te tjetra, prandaj ekziston mendimi se fillimi i procesit do të prishte imazhin që u krijua para botës. Pa marrë parasyshë përpjekjet e LSD-së së Dërnovshekut, vështirë se do t'i vë kapak "sulmit terrorist për të frikësuar kundërshtarin politik". Përndryshe është vështirë të paramendohet që dikush në Baski apo Londër, nëse i fluturon automobili në ajër të kujtojë eufemizmin se "është tentim për shkatërrimin e pronës së huaj”. Frikësimi i kundërshtarit politik me ndihmën e bombave dhe keqpërdorimin e shërbimeve sekrete dhe të ushtrisë kudo në botë konsiderohet terorizëm. Tani kjo nuk ndodh në Slloveni, në shtetin me demokraci të re, që është mësuar të marrë nga Brukseli vetëm lëvdata.

Në vend se gjërat të pastroheshin dhe të ndërpritej në të ardhmen praktika e ngjashme, opinioni publik gërmon me idenë për të “mirën e përgjithshme” duke heshtur një bombë. Deputeti Jelinçiç ankohet, Ladislav Trohu “mungon” pak, që para dhjetë ditësh, kurse policia dhe mediumet pohojnë se njeriu është fshehur pas dhënies së intervistës, sepse ka përmendur shumë njerëz të fuqishëm dhe të rrezikshëm. Paraqitja e vëllaut të Trohinit komentohet si vetreklamim. Policia edhe mëtej kryen hetime, por pasi nuk është paraqitur asnjë gjurmë gjithçka ka shtangur në vend. Të dyshimtit që janë përmendur edhe mëtej janë në liri, ministri i atëhershëm i policisë Ivan Bizjak tani sërish është ministër në kabinetin e Drnovshekut (kësaj rradhe ministër drejtësie), kurse operatoti i gjithë rastit rreth Volvos së Jelinçiçit, Anton Krkoviç, shkollohet në institucionin prestigjioz në Londër, Royal College of Defence Studies! Gojëkëqinjtë thonë se ai është atje për të mësuar se sa eksploziv nevojitet.

AIM Lubjan

IGOR MEKINA