Çka u ofrohet shqiptarëve?

Beograd Feb 16, 2001

Programi i qeverisë së RFJ-së dhe Serbisë për zgjidhjen e krizës në jug të Republikës

AIM, Beograd, 12. 2. 2001.

Përfaqësuesit e qeverisë federale dhe republikane, së bashku me përfaqësuesit e bashkësisë etnike shqiptare nga komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, duhet që gjatë dy javëve të ardhshme, nëse gjithçka shkon sipas planit, të fillojnë dialogun në hapësirat e Kuvendit të komunës së Bujanovcit ose Preshevës për zgjidhjen e krizës në jug të Serbisë.

Autoritetet beogradase ofruan plan konkret, të ndarë në tre faza. E para parasheh integrimin e shqiptarëve në sistemin shtetëror, shoqëror e politik, duke respektuar të drejtat e tyre njerëzore në përputhje me standardet evropiane, që nënkupton inkuadrimin sipas përbërjes nacionale në shërbimet shtetërore, ekonomi dhe veprimtarinë tjetër shoqërore, përfshirjen e sigutë sipas përqindjes së shqiptarëve në kuvendet komunale, si dhe në Qeverinë e Serbisë, kurse pas ndryshimit të ligjit mbi zgjedhjet edhe në Kuvendin e Serbisë, gjithashtu edhe në polici në principin - në patrulla "nga një serb dhe një shqiptar ". Për këtë nga shqiptarët kërkohet heqje dorë nga çfarëdo lloj autonomie, statusi special ose ndryshim të kufinjve në Serbi. Integrimi i bashkësisë vendëse shqiptare në shoqërinë multietnike dhe multikonfesionale dhe në sistem duhet të fillojë menjëherë.

Tetë muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes, në këtë sferë, do të plotësoheshin 50 përqind të aktiviteteve të planifikuara, kurse integrimi i përgjithshëm i bashkësisë etnike shqiptare do të bëhej për dy vjet, ndërkaq një e treta do të realizohej vetëm gjatë këtij viti.

Faza e dytë e marrëveshjes, që duhet të plotësohet brenda katër muajsh, nënkupton vendosjen e sigurisë dhe paqës në rajonin e Serbisë jugore, ndërprerjen e akteve terroriste, çarmatimin e ekstremistëve dhe shpërbërjen e organizatës së tyre. Në këtë fazë është paraparë edhe tërheqja e forcave ushtarake dhe politike të angazhuara shkaku i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, kthimi ose vendosja e policisë së rregullt lokale, etnikisht e përzier, çbllokimi i komunikacionit dhe amnistimi i të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në ngjarjet e deritanishme. Mbrojtja e qytetarëve, e vendbanimeve dhe komunikacionit, që do të bëhej me masa adekuate policore, si dhe gatishmëria për shmangje të aksioneve antiterroriste, nënkupton ndërprerje me faza ose zvogëlim të Zonës për siguri, hyrjes së njësive përgjegjëse policore dhe ushtarake në Zonën e Sigurisë për Këmbësori, natyrisht në përputhje me marrëveshjen ushtarako-teknike dhe me lejen e komandantit të KFOR-it.

Vendosja e sigurisë dhe e paqes në Luçan dhe Tërnofc të Madh, do të bëhej me verifikim të dhe garancion të KFOR-it. Luçanin ta lëshojnë ekstremistët, por edhe policia intervenuese kurse do të hynte policia lokale, ndërsa Ushtria Jugosllave do të tërhiqte artilerinë e rëndë nga linja Tërnofc i Madh – Luçan, nga rrethina e Bujanovcit dhe Presheva. Refugjatët e gjithë etniteteve do të ktheheshin në shtëpi, kurse përmes një komisioni do të bëhej pranim-dorëzimi i pronës. Udha Bujanovc - Gjilan, do të debllokohej, kurse policia lokale do të vendoste punktin kontrollues afër Konçullit.

Rivitalizimi ekonomik dhe social i rajonit, duke përfshirë plotësimin e nevojave personave të shpërngulur nga Kosova dhe Metohia, si fazë e tretë e planit, nënkupton zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë së drurit, si dhe ndërtimin e rrjetit rrugor, ujësjellësat, rrjetet elektrike dhe telefonike në të gjitha fshatrat, rindërtimin e 527 shtëpive serbe për vendosjen e 2.300 të shpërngulurve nga Kosmeti, si dhe regjistrimin dhe rindërtimin e gjithë shtëpive të braktisura shqiptare për vendosjen e shqiptarëve që janë të gatshëm të kthehen. Afati për zhvillim ekonomik dhe social është tre vjet dhe do të varet nga veprimet tjera dhe ndihma e premtuar nga jashtë.

Qeveria e Serbisë dhe RFJ-së përndryshe propozon inkuadrimin e bashkësisë ndërkombëtare në zgidhjen e krizës në Luginën e Preshevës, jo si ndërmjetësues, por si nxitës të bisedimeve të ardhshme, garantues të Marrëveshjes dhe kryerës të rëndësishëm të implementimit të saj. Liderët e palës shqiptare, që nuk flasin për dialog dhe bisedime, por për negociata, insistojnë në inkuadrimin e ndërmjetësuesve. Kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiç, dhe jo vetëm ai, refuzojnë këtë kërkesë me sqarimin: "me qytetarët e vendit tënd, kurse shqiptarët e jugut të Serbisë janë ata, nuk mundet të negocohet, por vetëm të bisedohet dhe të arrihet marrëveshje, kurse në këtë proces nuk duhen ndërmjetësues".

Plani i autoriteteve serbe gjeti përkrahje të plotë në botë nga Brukseli përmes Moskës deri në Uashington, por jo edhe te të gjitha subjektet politike në Serbi, jo te të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në jug të Serbisë.

Kur bëhet fjalë për shqiptarët, ata në reagimin e parë me shpejtësi refuzuan planin e "Coviçit". UÇPMB-ja këtë e bëri duke pohuar se kërkesat e shqiptarëve nuk mund të jenë më pak se sa bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, duke u kërcënuar se për realizimin e kësaj “do të luftojë pamëshirshëm me të gjithë mjetet", dhe se "luftëtarët nuk i kanë marrë pushkët në duar për disa vende në kuvendet lokale, për të marrë pjesë në Kuvendin e Serbisë ose për të veshur uniformat e ndyra të policisë serbe". Sipas komunikatës së UÇPMB-së, qëllimi i luftës së tyre është "çlirimi nga Serbia, njëherë e përgjithmonë, dhe kthimi aty ku u takon, së bashku me Kosovën”. Megjithatë, një nga krerët e ekstremistëve shqiptar, komandant Shpëtimi, mohoi se është heshur poshtë në tërësi propozimi i Qeverisë së Serbisë dhe Jugosllavisë: "Për ne është e papranueshme pjesa e planit që ka të bëjë me demilitarizimin e pjesshëm të rajonit. Kërkesa e palës shqiptare është demilitarizimi i plotë", tha ai, duke shtuar se negociatat janë të pranueshme me pjesëmarrje të bashkësisë ndërkombëtare që do të garantonin dhe zbatonin marrëveshjen eventuale ".

Liderët politikë të shqiptarëve nga komuna e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanovcit, së bashku me pjesëtarët e UÇPMB-së, vlerësuan se propozimi nga Beogradi "ka elemente që mund të paraqesin bazë për negociata" prandaj vendosën që të fillonin dialogun dhe të formonin grupe për negociata ku do të kishte nga dy përfaqësues nga partitë politike të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, dy përfaqësues nga Këshilli politik i PMB-së dhe tre përfaqësues të UÇPMB-së, kurse u la mundësi që në ekipin negociator dhe në përpilimin e platformës të inkuadrohen edhe përfaqësues të pavarur shqiptarë. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, njëkohësisht kryetar i komunës së Preshevës Riza Halimi, duke mos e fshehur kënaqësinë që termi "terroristë" është zëvendësuar me sintagmën "shqiptarë të armatosur " sqaron se "ne kemi platformën tonë të bazuar në referendumin e vitit 1992 ". Duke kujtuar se shqiptarët atëherë votuan se në rast të ndryshimit të kufinjve në ish-Jugosllavi rajoni i Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës do t'i bashkangjitet Kosovës. Ai shton se “qasja jonë dallon shumë nga qasja e Beogradit, por gradualisht do të afrohemi dhe më vonë do të zgjidhim mospajtimet që do të paraqiten". Edhe kryetari i Partisë për Bashkim Demokratik të Shqiptarëve, Zeqirja Fazliu, konsideron se bashkangjitja e këtyre tre komunave Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë, por duke u nisur nga qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare do të angazhohet për zgjidhje në kufinjtë ekzistues."Ne jemi të vetëdijshëm se atëherë do të mbesin të ndarë nga ëma, Kosova. Nëse nuk ka marrëveshje nuk duam me forcë. Ne do t'i realizojmë të drejtat tona aty ku jemi, do të gjejmë zgjidhje. Mendoj se edhe njëra palë edhe tjetra e ka shijuar ithtësinë e së keqes, kryesisht shqiptarët".

Përbërja e delegacionit të biseduesve "shtetëror ", që presin përgjigjen definitive të shqiptarëve më së shumti për disa ditë, sipas deklaratës së kryeministrit Zoran Gjingjiç, nuk paraqet ndonjë problem pa marrë parasyshë kritikat e socialistëve dhe radikalëve për gatishmërinë për të “negocuar me terroristët”. "Nëse shqiptarët e Serbisë jugore konsiderojnë se mund t'i përfaqësojnë pjesëtarët e UÇPMB-së, atëherë ky është vendim i tyre. Me rëndësi është që ata të jenë njerëz që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.", thotë kryeministri serb, duke shtuar se qëndrimi i ekstremistëve për ta refuzuar planin për jugun e Serbisë më shumë është qëndrim personal i disave dhe jo qëndrim i personave zyrtar i njerëzve që do negoconin në emër të komunës së Bujanovcit dhe Preshevës. "Ne bëjmë çmos që problemi të zgjidhet në rrugë paqësore, por natyrisht nëse dikush nuk dëshiron zgjidhje paqësore, atëherë neve na i liron duart që të shfrytëzojmë edhe zgjidhjet tjera".

Koordinatori i qeverisë së RFJ dhe Serbisë Nebojsha Coviç potencon se Serbia nuk dëshiron luftë dhe Serbia nuk do ta dojë, por “është e rëndësishme dhe transparente që të shihet se kush dëshiron luftë dhe kush refuzon diçka që madje as e ka parë dhe lexuar. Partitë politike shqiptare janë parti të këtij vendi, parti të Serbisë dhe parti të RFJ-së". Coviç duke e sqaruar programin e vet pohoi se “çdokush që mendon se plani i ofruar në tërësi dhe brenda natës do ta ndërpriste krizën në jug të Serbisë nuk është real".

Në rradhë janë shqiptarët e jugut të Serbisë. Pushteti i ri serb ofron marrëveshje për bashkëjetesë. Pas shumë vitesh, për herë të parë, dikush, në këto hapësira, tenton që krizën ta zgjidh në mënyrë paqësore. Rëndësinë e kumtimit të qëndrimeve të përfaqësuesve politik të shqiptarëve e potencon edhe Rasim Llaiç, ministër federal për pakica nacionale dhe bashkësi etnike, funksionar i qeverisë federale, i cili sëbashku me Nebojisha Çoviçin në mënyrë më aktive merr pjesë në qetësimin e situatës në jugun e Serbisë. Ai këtyre ditëve pohoi se “nëse ky plan hudhet në mënyrë eksplicite, në rast se hudhet poshtë edhe vet mendimi për tu ulur të bisedohet për zgjidhjen e krizës, atëherë absolutisht gjithë iniciativa diplomatike do të jetë në anën tonë dhe në këtë rast duhet pritur përgjigje konkrete të bashkësisë ndërkombëtare, që mund të shkojë deri tek përkrahja e ndonjë intervenimi që nënkupton shmangie të mundësive që do të shkaktonte cenimin e civilëve dhe shkatërrimet materiale. Aksioni do të ishte i kufizuar në bërthamë prej nga pason rreziku, sa i përket palës shqiptare ".

Sipas informatave të fundit Çoviç kah mesi i kësaj jave udhëton për në Bruksel ku me ftesë të NATO-s do të prezentojë planin serb për zgjidhjen e krizës. Aleanca tashmë, përmes disa zëdhënësve të saj, kryesisht ka përkrahur planin e ofruar për bisedime. Nga “niansat” e bisedimeve padyshim se do të varet se çfarë zgjidhje do të pranohej në rast se shqiptarët refuzojnë bisedimet. Në çdo variant Serbia ka luftuar mjaft, kurse mbajtja e ushtrisë dhe policisë në jug të Serbisë kushton dhe e pengon pushtetin e ri në kërkesat e shumta për nxjerrje e vendit nga kriza.

AIM Beograd

TATJANA STANKOVIQ