"Nuk jemi terroristë!"

Pristina Feb 15, 2001

Intervistë me Riza Halimin, prefekt i Preshevës

Prishtinë, 14.02.2001.

Riza Halimi është njëri nga themeluesit e një lëvizjeje politike të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve administrativë të Kosovës, në rajonin që serbët e quajnë Serbia Jugore, shqiptarët e quajnë Kosova Lindore, ndërsa bashkësia ndërkombëtare e ka pagëzuar Lugina e Preshevës. Partia e Veprimit Demokratik e zotit Halimi, e themeluar gati në të njëjtën kohë me LDK-në e Ibrahim Rugovës, ka organizuar në vitin 1992 një referendum të banorëve shqiptarë të kësaj ane, ku shqiptarët janë deklaruar për autonomi politike e territoriale të këtij rajoni dhe për mundësinë e bashkimit me Kosovën. Zoti Halimi, pasi disa herë është kritikuar nga uerilët shqiptarë të UÇPMB-së së sapoformuar, ka arritur të bëhet sërish një ndër faktorët kyç për zgjidhjen politike të krizës së atjeshme. Zoti Halimi u është përgjigjur këto ditë disa pyetjve për AIM, në kohën kur edhe pala serbe edhe ajo shqiptare kanë paraqitur platformat e tyre tepër të ndryshme për zgjidhjen e krizës atje.

AIM: Zoti Halimi, si e vlerësoni planin e qeverisë serbe për zgjidhjen e krizës në atë që sot quhet Lugina e Preshevës?

Halimi: Ne ende nuk jemi të njohur me detajet e atij programi të Qeverisë serbe dhe konkretisht të zëvendëskryeministrit Nebojsha Çoviq, dhe unë di për atë platformë nga disa ekstrakte që janë botuar në mjetet e informimit, pra vetëm disa pjesë të këtij programi. Ne, fillimisht, i kemi theksuar vërejtjet tona se në atë program flitet për terroristë, gjë që për ne është e papranueshme, meqë është për të gjithë e njohur se një pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare, posaçërisht në zonën e demilitarizuar, u shtrëngua nga dhuna dhe presioni serb që t'i kapin armët për t'u mbrojtur dhe ata kurrsesi nuk janë terroristë, mirëpo me këmbëngulje qeveria serbe edhe në këtë program e përdor termin terrorist. Kjo, sipas mendimit tim, është një nga pengesat kryesore që e pengon këtë proces politik dhe fillimin e tij të suksesshëm. Momenti tjetër, gjithashtu deri tash një problem kyç, ishte çështja e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit (UÇPMB) në delegacionin shqiptar, që sipas mendimit tonë është e domosdoshme. Sidoqoftë, këto ditë ka shenja dhe kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, e ka paralajmëruar mundësinë që qeveria serbe dhe jugosllave megjithatë do të pranojnë që delegacioni shqiptar të jetë i përbërë edhe nga përfaqësuesit e shqiptarëve të armatosur.

AIM: A mendoni se ky ndryshim i qëndrimit të qeverisë së Serbisë për pranimin që edhe përfaqësuesit e UÇPMB-së të marrin pjesë në bisedime përbën një shenjë se qeveria e Serbisë është e gatshme t'i hyjë dialogut me palën shqiptare?

Halimi: Është ky, gjithsesi, një hap i rëndësishëm. Por, megjithatë, them se problemi qëndron te qasja momentale e qeverisë së Serbisë dhe e programit të saj që niset nga premisa të gabueshme, se problemi janë shqiptarët e armatosur dhe nuk e pranojnë atë esencialen, se problemi ishte pikërisht veprimi i ushtrisë dhe policisë serbe në terren dhe fakti se ende në atë ushtri dhe polici ka ende elementë, të cilët i kanë shkaktuar të gjitha këto probleme. Kjo është çështja esenciale që do të duhej rregulluar në mënyrë që bisedimet eventuale të ishin të suksesshme.

AIM: Subjektet politike dhe ushtarake të Luginës së Preshevës tashmë janë pajtuar për krijimin e një platforme të përbashkët. Kur do të miratohet zyrtarisht ajo platformë dhe çka përmban ajo konkretisht?

Halimi: Po, platforma është në përgatitje e sipër dhe ne tash për tash kemi qëndrimin të dalim në këtë dialog apo në këto biseda të bashkuar. Pikat kryesore tashmë i kemi definuar dhe është shumë normale tani që të përpunohet më detajisht programi që, sipas mendimit tonë, do të zgjidhte çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. E tash, për mua, bazë, gjithsesi fillestare, duhet të jetë platforma që kemi pasur në Referendumin e vitit 1992 për autonomi politike dhe territoriale, dhe kjo duhet të jetë një orientim i delegacionit tonë me palën serbe.

AIM: Ju këto ditë keni biseduar me zyrtarë të lartë amerikanë, ndër të cilët edhe me ambasadorin amerikan në Beograd, Uiliam Montgomery, dhe me këshilltarin e presidentit amerikan, zotin James Pardew. Cili është qëndrimi i tyre lidhur me këtë çështje dhe zgjidhjen e saj?

Halimi: Temë bisedimesh ishte situata e rëndë në Luginën e Preshevës dhe domosdoshmëria e zgjidhjes politike të problemeve në këtë zonë. Mund të them se përfaqësuesit amerikanë treguan një interesim mjaft të madh. Edhe Departamenti amerikan i Shtetit, por edhe gjithë bashkësia ndërkombëtare, janë të interesuar të japin kontributin e tyre për zgjidhjen politike të kësaj krize. Prandaj, vizita e amerikanëve këtu ishte një moment mjaft i rëndësishëm dhe besojmë se të gjitha problemet që i kemi e që ende nuk janë zgjidhur, besojmë se do të zgjidhen me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, e në radhë të parë me angazhimin e Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe të fillojnë bisedimet që do të kontribuonte për uljen e tensioneve ekzistuese, të cilat ditët e fundit kanë qenë në rritje e sipër.

AIM: Juve, në pikat kryesore, u janë të njohura platformat e të dy palëve, pra të palës shqiptare dhe asaj serbe për zgjidhjen e krizës në Luginën e Preshevës. Ku e shihni ju mundësinë për të arritur një marrëveshje në bisedimet eventuale shqiptaro-serbe?

Halimi: Po, me siguri se ato platforma janë në këto momente në një distancë mjaft të madhe ndërmjet tyre, por ne do të angazhohemi, pra të gjitha forcat, që këto pozicione të afrohen. Në çdo zgjidhje, është e qartë se do të ketë kompromise. Në këtë drejtim, bashkësia ndërkombëtare sigurisht se do ta ketë një rol të posaçëm, por është esenciale të ndërpritet dhuna shumëvjeçare dhe diskriminimi i rëndë ndaj popullatës shqiptare, të sigurohen të gjitha të drejtat e njeriut, të gjitha të drejtat kombëtare e politike të popullatës shqiptare këtu, dhe unë jam i bindur se ky do të jetë një proces që nuk do të sjellë një zgjidhje politike për këto momente. Por, megjithatë mund të ketë zgjidhje që do të kontribuojnë për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve këtu dhe për angazhimin e tyre permanent për të realizuar aspiratat e tyre politike në tërësi...

AIM Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI