Rikthimi i portretit të Enverit
AIM TIRANA, 12 SHKURT 2001
Kur dy vjet me pare nje e perditshme e Tiranes, pas nje sondazhi te opinionit publik shpalli si "Njeriun e Shekullit" diktatorin komunist te
Shqiperise, Enver Hoxha, kjo tingelloi si nje shaka e hidhur, por nuk u mor seriozisht.
10 vjet pas rrezimit te monumentit te tij ne qender te kryeqytetit shqiptar protestat qe lidhen me emrin e diktatorit komunist paradoksalisht jane rikthyer.
Shkak u be nje vendim i ministrit te jashtem Paskal Milo, per te ekspozuar ne hollin e Ministrisë së Jashtme fotografitë e të gjithë ministrave të jashtëm qe nga krijimi i shtetit te pavarur shqiptar me 1912. Dhe meqënëse në fund të viteve '40 të shekullit të kaluar edhe Enver Hoxha kishte qenë ministër i Jashtëm, fotoja e tij u var në sallonin kryesor të selisë së diplomacisë shqiptare.
Kjo ngjarje u cilësua më shumë se provokim. E gjithë opozita kërkoi menjëherë që fotografia e Enverit të hiqej nga Ministria e Jashtme. Shoqatat e ish te persekutuarve politikë nga regjimi i Hoxhes u bashkuan në disa protesta përpara selisë së ministrisë dhe kryesisë së parlamentit duke dënuar veprimin e ministrit Milo. Komisioni i Jashtëm parlamentar, i përbërë nga deputetë të partive kryesore shqiptare, kërkoi gjithashtu njëzëri që fotografia e Enver Hoxhës të hiqej nga muri i Ministrisë së Jashtme.
Shtypi dhe mediat kryesore të vendit i kushtuan faqe dhe raporte të tëra kësaj ngjarjeje dhe politikane, gazetare dhe intelektuale u perfshine ne nje debat qe lidhet me te kaluaren komuniste.
Ne fakt debati ishte hapur pak dite perpara kur ne skene ishte shfaqur fantazma e ish kryeministrit të (vet)vrarë Mehmet Shehu, një prej figurave qëndrore të diktaturës komuniste, i njohur per stilin e tij te qeverisjes me dorë të hekurt. Pikërisht atëherë kur nuk e priste askush, ditën e 85 vjetorit të tij të lindjes, Bashkia e qytetit ku ai kishte lindur e shpalli Mehmet Shehun, "Qytetar Nderi". Dhe më tej, në Muzeun Historik Kombëtar ne Tirane figura e Mehmet Shehut u përkujtua me nderim në një ceremoni ku morën pjesë dy eksponentë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, njëri prej të cilëve edhe këshilltar ushtarak i presidentit të Republikës.
Ashtu sic pritej , ngjarja shkaktoi një reagim të fortë të opozitës së djathtë, e cila akuzoi Qeverine dhe mazhorancen socialiste se jo vetëm po nderonin diktaturën dhe krimin 50 vjeE7ar, por se po ngrinin një strategji të tërë për ta riinstaluar atë. Dhe duket se kete here për mazhorancën socialiste nuk ishte e lehtë që këto akuza t'i kalonte lehte dhe t'i klasifikonte si propagandë për të frikësuar shqiptarët dhe për të shqetësuar opinionin ndërkombëtar, sic ishte vepruar zakonisht me akuzat e opozites per rikthimin e komunizmit ne Shqiperi.
Prandaj, Partia Socialiste reagoi menjëherë më anë të një deklarate zyrtare, ku u distancua prerë nga dy eksponentët e saj që nderuan Mehmet Shehun dhe sqaroi se akti i tyre ishte individual dhe se ata nuk kishin asnjë mandat përfaqësimi nga partia për të marrë pjesë në ceremonine e perkujtimit te Mehmet Shehut.
Ne debatin per fotografine e Hoxhes nuk munguan te perfshihen shume aktore te rinj dhe te vjeter te skenes politike shqiptare. E veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, ne nje interviste per nje te perditshme te Tiranes, e konsideroi si normale vendosjen e portretit te Enverit, pasi nuk mund te fshihet fakti qe ai ka qene minister i jashtem, madje, sipas
saj, themelues diplomacise se re shqiptare.
Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, ne nje interviste nga Parisi, denoi vendosjen e portretit te Hoxhes, duke e konsideruar ate me shume se nje provokim. " Kjo eshte tallje me shtetin shqiptar, eshte hipokrizi e shpallur ndaj aleateve tane euroatlantike", tha Kadare.
Kritiket e kane krahasuar vendosjen e portretit te Hoxhes ne Ministrine
e Jashtme te Shqiperise, me nje vendosje te paimagjinueshme te nje portreti te Hitlerit ne zyrat e Qeverise Federale Gjermane, pasi sipas kesaj logjike edhe Hitleri ka qene kancelar i Gjermanise. ?
Por, per zyrtaret e ministrisë së jashtme apo eksponentët socialistë që nderuan Mehmet Shehun këto ngjarje duhen pare thjesht si nje rivlerësim i historisë dhe jo si një analizë pozitive e figurave të regjimit komunist.
Por, per disa te tjere, me shqetesues se sa rikthimi i portretit te Enverit, eshte rikthimi ne administraten shteterore, dhe sidomos ne diplomaci, i disa funksionareve te sistemit te kaluar. Ndersa, per disa kritike te tjere, mund te jete nje alarm i kote ai qe i fryn rrezikut te
rikthimit të komunizmit në Shqipëri, por nuk eshte i kote shqetësimi lidhur me përhapjen së fundi të një fryme se shteti duhet drejtuar me dorë të fortë. Ose e thënë ndryshe: si atëherë, si në kohën e Enver Hoxhës.
Tejkalimi i disa kompetencave nga policia, përdorimi i tepruar i dhunës, gjuha e egër ndaj kundërshtarëve, janë raste që nuk duhen anashkaluar. Indiferenca e zyrtarëve të lartë përballë veprimeve të tilla, i ka dhënë të drejtë një pjese të opozitës të kritikojë qeverinë se po zbaton metodat e dikurshme dhe se strategjia e vetme e saj është t'i zgjidhë problemet e shumta nëpërmjet drejtimit të shtetit me dorë të fortë. Në këtë kuadër, edhe nderimi i figurave- simbol të dikaturës, tingëllon si një lloj nderimi ndaj mënyrës me anë të së cilës qeveria komuniste drejtoi vendin për 50 vjet. Madje heshtja ndaj reagimit të disa shtresave të shoqërisë (fotografia e Hoxhës ka mbetur në hollin e Ministrisë së Jashtme), është komentuar si një lloj arrogance dhe mospërfillje nga ana e autoriteteve qeveritare.
Këto janë disa elementë, jo pak të rëndësishëm, që i kanë shtyrë mjaft njerëz të mendojnë se nëse vërtet duket qesharake frika nga "fantazma e kuqe", kjo nuk do të thotë që metodat apo veprimet që e evokojnë atë duhen neglizhuar. Frika nga rikthimi i komunizmit, që aq shumë po propagandohet nga opozita, është absurde dhe pothuajse e pabesueshme. Por kjo nuk do të thotë që të mbyllen sytë sa herë që shfaqen fenomene apo veprime që evokojnë në formë apo përmbajtje metodat e qeverisjes nëpërmjet të ashtuquajturës diktaturë e ligjit, që fare e lehtë e kapërcen këtë të fundit.
ARMAND SHULLAKU