Me krisma drejt dialogut?!
Prishtinë, 6.02.2001.
Gjashtë pjesëtarë të nacionalitetit shqiptar nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, janë paraqitur në konkursin për t'u përfshirë në forcat e sigurimit të Serbisë. Sipas konkursit, që vazhdon të mbetet i hapur, në këto komuna do të duhej të krijohej një forcë policore e përzier (në pikëpamje nacionale), e cila do të kontribuonte në krijimin e 'mirëbesimit'. Por, shqiptarët, kush nga bindja e kush nga frika, nuk duken të shumë 'entuziastë' për të marrë pjesë në to. Guerilët shqiptarë, që veten e quajnë Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, u kanë bërë thirrje bashkëkombasve që të mos paraqiten në këtë konkurs dhe të mos 'bien pre e kurtheve të pushtetit'. Pushteti, ndërkaq, i ka rrethuar vendbanimet shqiptare me forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë për t'ju kundërvënë guerilëve që, të strehuar në zonën pesëkilometërshe tëë sigurisë, u sjellin kokëçarje autoriteteve të reja në Beograd. Pas disa ditë luftimesh, të cilat e thyen iluzionin e 'armëpushimit', autoritetet në Beograd, meqë nuk e morën "sinjalin e gjelbër" për "çrrënjosjen e terroristëve", siç i quajnë guerilët shqiptarë, duket se vendosën të luftojnë politikisht për të ruajtur imazhin e demokratëve, i cili është dëmtuar bukur shumë me refuzimin e tyre për të dorëzuar kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviq. Krahas paralajmërimeve për "mundësinë e organizimit të një gjyqi kundër tij në Serbi", ata publikuan edhe një pjesë të programit për zgjidhjen politike të çështjes së Luginës së Preshevës. Programi që, sipas pohimeve, do të duhej të realizohej nëpërmjet tri fazave të ndryshme, parasheh çmilitarizimin e një pjese të territorit, organizimin e forcave të përziera të sigurimit, përfshirjen e shqiptarëve në strukturat qeverisëse, respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre, etj. Qeveria serbe pohon se "nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake të kësaj çështjeje, por vetëm zgjidhje politike e diplomatike". Programi u përshëndet nga shumë mekanizma ndërkombëtarë, madje edhe nga Departamenti amerikan i shtetit, i cili e cilësoi atë si "një hap të mirë për fillimin e procesit politik të zgjidhjes së çështjes". Menjëherë pas publikimit të tij, qeveritarët serbë thanë se do të rezervojnë edhe tri vende ministrash për pakicën shqiptare në jug të Serbisë. Madje, për ta bërë më bindës premtimin, ata thanë se tashmë dihet se dy nga tri dikasteret që do t'u takonin shqiptarëve janë ministria e tregtisë dhe ajo e bujqësisë...
Ndërkaq, përfaqësuesit e shqiptarëve ende janë shumë skeptikë. Përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit thanë se programi i qeverisë serbe "nuk është as afër interesave të popullsisë shqiptare si shumicë në këto tri komuna". Vetë fakti se guerilët cilësohen si "terroristë", për ta e bën të papranueshëm këtë program. Ata po ashtu thanë se "qeveria serbe para se të shpallte çfarëdo programi do të duhej të tërhiqte trupat e saj, të cilat e kanë shkelur edhe zonën e sigurisë, të përcaktuar me Marrëveshjen e Kumanovës ndërmjet ushtarakëve jugosllavë dhe atyre të NATO-s në fund të luftës në Kosovë".
Për përfaqësuesit e Këshillit Politik të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një trup ky i krijuar me ndërmjetësimin amerikan, programi serb "është një nismë që paraqet një ndryshim të rëndësishëm në drejtim të zgjidhjes së problemit atje". Por, edhe ata mendojnë se ai është "ende larg që të jetë një bazë e mirë për një zgjidhje të mirëfilltë". Sipas tyre, ky program flet për shmangien e konflikteve të armatosura në zgjidhjen e problemeve, dhe kjo është një nga shenjat kryesore pozitive të tij. Po ashtu, në program "në mënyrë implicite pranohet se janë bërë padrejtësi të mëdha ndaj shqiptarëve" , dhe kjo është një shenjë tjetër pozitive për përfaqësuesit politikë të guerilëve. Mirëpo, për ta është shqetësuese fakti se programi nuk parasheh ndonjë mekanizëm që do t'i mbronte shqiptarët nga diskriminimi.
Përfaqësuesit politikë të guerilëve pohojnë se diskriminimi në Luginën e Preshevës ishte forca motorike, e cila e nxiti kundërvënien e armatosur të shqiptarëve. Prandaj, ata do të mund të pranonin demilitarizimin "vetëm nëse do të sigurohej një mekanizëm mbrojtës, të cilit popullata shqiptare mund t' i besojë. Dhe një forcë e tillë do duhej të ishte nën kontrollin ndërkombëtar, meqë palët nuk kanë besim te njëra-tjetra..."
Subjektet politike e ushtarake shqiptare në Luginën e Preshevës kanë paralajmëruar, ndërkaq, publikimin e një platforme të tyre negociuese, e cila, sipas tyre, "do të përmbajë të gjitha elementet kyçe për arritjen e një marrëveshjeje paqësore". Ndonëse në tre 'krahë', ata duket se kanë arritur një konsensus minimal dhe tash për tash të gjithë ngulin këmbë se nuk mund të bisedohet pa pjesëmarrjen e guerilëve.
Sidoqoftë, të dyja palët duken të interesuara për një zgjidhje politike, prandaj "vetë propozimet e platformave flasin për gatishmërinë për të filluar një proces politik për zgjidhjen e problemit", thuhet në vlerësimet e liderëve të tyre. Asnjëra syresh nuk mund të lavdërohet me pozicionin e saj. Qeveria e Beogradit thotë se po e pret "marrëveshjen për zvogëlimin e zonës së sigurisë, për t'i lënë kësisoj pa mbështetje guerilët shqiptarë". Mirëpo, ata kanë humbur çdo shpresë (tash për tash) se do të mund të merrnin leje për të hyrë në brendi të zonës së sigurisë me qëllim të likuidimit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. "Udhëheqësve të rinj" nuk iu shkon për shtati të prishin imazhin e "djemëve të mirë", posaçërisht tani kur evro-amerikanët janë shprehur haptazi se guerilët janë "djem të këqinj". Këta të fundit janë vënë po ashtu në një pozicion kur së shpejti do të mund të përballeshin me një ofertë të llojit "merre ose lëre", dhe forca e tyre nuk është aq e madhe sa t'i shmangen asaj, apo të manovrojnë me sukses. Të zënë në gërshërë në një zonë pesëkilometërshe, gati të ngujuar, ata janë të ndërgjegjshëm se mund të jenë një 'kafshatë e lehtë' poqese serbët dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë merren vesh për t'i 'dëbuar ' që andej. Nëse në periudhën e sundimit të Millosheviqit ata ishin gati se të 'përkëdhelur', tani gjërat duken krejtësisht ndryshe.
Megjithatë, ata kanë vazhduar me pozicionimet, ndërsa kanë shënuar edhe njëvjetorin e daljes në skenë të njerëzve të parë të uniformuar. Për disa nga udhëheqësit e guerilëve tingëllon si arritje e madhe fakti se derisa një vit më parë ata ishin vetëm disa dhjetëra (shërbimet e huaja të zbulimit flisnin për nja 30 sish), tani ata numërojnë në radhët e veta rreth një mijë e pesëqind luftëtarë... Për herë të parë, ndërkaq, ata e kanë provuar 'shijen e luftës' gjatë ditëve të janarit kur janë përballur me tanket dhe artilerinë e rëndë, e cila deri tani ishte deri diku e kursyer. Megjithëse ende nuk ka ndodhur ndonjë luftë e 'madhe', mbi 30 persona janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhvendosur.
Duket se ky edhe ishte çmimi, i cili arriti t'i bindë të dyja palët se zgjidhja përfundimisht nuk mund të vijë nga armët. Po për dialogun, ndërkaq, mbetet të shihet!
AIM Prishtinë, Besnik BALA