Kaos në Mitrovicë
Mitrovicë, 4.02.2001.
"Mitrovica i përngjan rripit të Gazës", po i raportonte redaksisë së tij një reporter nga ky qytet i ndarë në mes nga një lumë dhe nga shumë forca ushtarake që "parandalojnë" përplasjen ndërmjet veriut, të dominuar nga serbët, dhe jugut, të dominuar nga shqiptarët. Për njeriun që për herë të parë ndodhej në qytet raporti i tillë mund të dukej një përpjekje për ta "shitur storien", por gazi lotsjellës dhe tymi i gomave të djegura nuk ishte ndryshe nga rripi i Gaçës në Lindjen e Afërt... Fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit e shndërruan këtë qytet sërish në një vatër trazirash të përgjakshme. Një fëmijë 15 vjeç e humbi jetën në një shpërthim bombash në pjesën veriore të këtij qyteti, në Lagjen e Boshnjakëve, siç e quajnë vendësit njërën nga lagjet me popullatë të përzier. Gjakderdhja kishte ndodhur ashtu siç ndodhin të gjitha gjakderdhjet në Mitrovicë. Nuk dihet shumë se kush e fillon i pari përleshjen, por pas saj numërohen viktimat dhe të plagosurit, kurse forcat paqeruajtëse që kujdesen për 'paqen', nguten të deklarojnë se po "hartojnë strategji të re për vendosjen e qetësisë..." Megjithatë, me këtë rast, për fillimin e përleshjes u akuzuan serbët e atjeshëm. Informacionet nga ky qytet flisnin për konfliktin fizik midis një grupi serbësh dhe të rinjve shqiptarë. Mbi ushtarët e KFOR-it, të cilët kishin penguar pasojat më të rënda të kësaj përleshjeje, disa serbë që po iknin me makinë nga vendi i ngjarjes gjuajtën me armë zjarri. Pas gjetjes së makinës para selisë së Këshillit Nacional Serb të Mitrovicës, në vetë ndërtesën u gjetën disa armë. Të nesërmen, disa shqiptarë u "hakmorën" ndaj disa serbëve. Të tretën ditë, në Lagjen e Boshnjakëve kishte arritur një grup i madh serbësh të armatosur, për të treguar "kush është kush". Në përleshjen ku janë gjuajtur edhe bomba dore, është vrarë edhe djaloshi 15 vjeç. Një ditë pas vrasjes së tij, qindra shqiptarë e filluan një protestë, e cila shpejt u shndërrua në trazira të dhunshme. Të zemëruar, protestuesit tërë mllefin e tyre e drejtuan mbi trupat franceze të KFOR-it, të cilat ata i fajësojnë për "qëndrim indiferent", madje edhe "proserb". Dëshmitarët e vrasjes në Lagjen e Boshnjakëve thanë se "çdo gjë ka ndodhur para syve të paqeruajtësve francezë, të cilët nuk kanë bërë asgjë për të penguar vrasjen" . Disa automjete ushtarake që mbanin flamuj francezë u përfshinë nga flakët, ndërsa paqeruajtësit përdorën gazin lotsjellës dhe bombat paralizuese për të shpërndarë turmat që thyen të gjithë xhamat e "Maison de France", ku është e vendosur një pjesë e komandës së këtyre trupave. Vetëm nata i shpërndau protestuesit në ditën e parë të protestës, ndërsa dita tjetër solli trazira të reja. Paqeruajtësit i shtuan masat e sigurisë dhe vendosën orën policore në qendër të qytetit, në të ashtuquajturën zonë e mirëbesimit. As kjo nuk ndihmoi shumë. Mijëra njerëz protestuan sërish duke hedhur gurë e kokteje molotovë mbi trupar franceze, të cilat sërish u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe bomba paralizuese. Bilanci i ditës së dytë të protestave ishte mbi 100 civilë dhe 22 ushtarë të lënduar. Ditën e tretë, KFOR-i dërgoi katër batalione ushtarësh si përforcime të reja në këtë qytet. Mëngjesi e gjeti urën kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse, të kontrolluar nga karabinierët italianë, ndërsa pjesët tjera me ushtarë britanikë, gjermanë, italianë e turq. Disa qindra protestues u mblodhën para urës dhe u dhuruan lule karabinierëve... Por, në vend të luleve, ata kishin sërish gurë për ushtarët francezë. Ndonëse lëvizjet e tyre në qytet ishin reduktuar maksimalisht, "Maison de France" dhe Hoteli Adriatik, ku janë të vendosur francezët, sërish ishin caku i protestuesve. Kësaj radhe, britanikët në mbrojtje të kolegëve francezë përdorën gazin lotsjellës, plumbat e kauçukut e madje edhe qentë e dresuar. Qyteti për tri ditë me radhë ishte në një kaos të vërtetë, ndërsa turmat nuk përfillën as thirrjet e autoriteteve ndërkombëtare në këtë qytet dhe as të liderëve të tyre lokalë. Këta të fundit thanë se "mllefi i qytetarëve është shumë i arsyeshëm", ndërsa mosdëgjueshmërinë e tyre e arsyetuan me faktin se "shumë herë u kemi premtuar zgjidhje dhe asnjëherë ajo nuk është arritur". Ata madje i paralajmëruan edhe autoritetet ndërkombëtare se "kredibiliteti i tyre po merrte fund"!
Gjendja filloi të qetësohet deri diku kur në qytet nga Prishtina arritën administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hans Haekkerup, komandanti i KFOR-it, Carlo Cabbigiosu, përfaqësuesit e tri partive kryesore politike shqiptare, si dhe komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Pas një takimi me dyer të mbyllura autoritetet thanë se do të merren masa të reja për zgjidhjen e problemeve në Mitrovicë. Në këtë kuadër, ata veçuan shtimin e masave të sigurisë, zgjerimin e zonës së mirëbesimit, sigurimin e lirisë së lëvizjes, kthimin e familjeve të zhvendosura në shtëpitë e tyre dhe ndërtimin e funksionalizimin e strukturave qeverisëse. Ata u bënë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në vendosjen e qetësisë, meqë, siç thuhej në një deklaratë të përbashkët të lëshuar me këtë rast, "stabilizimi i pjesës jugore është kusht për stabilizimin e veriut të qytetit". Madje, ata thanë se "pa vendosjen e paqes në jug, nuk mund të shqyrtohen çështjet afatgjate, përfshirë edhe bashkimin e qytetit". Duket se edhe moti u vu në anën e autoriteteve, meqë bora e madhe që ra të nesërmen si duket "e zbuti" vullnetin e protestuesve. Në qytet u rivendos paqja e brishtë, për të cilën kurrë nuk dihet se sa mund të zgjasë në "vendin më të rrezikshëm në Evropë", siç e pati quajtur diplomati i njohur amerikan, Richard Holebrooke.
Ngjarjet e tilla janë bërë tashmë të zakonshme qëkur qyteti u nda në dy pjesë. Ushtarët e kontingjentit francez në kuadër të KFOR-it u vendosën në mes të qytetit në qershor të vitit 1999, për të penguar përleshjet ndërmjet shqiptarëve e serbëve, dhe mbetën edhe sot e kësaj dite në të njëjtin 'mision'.
Megjithatë, ata kurrë nuk arritën ta shmangin gjakderdhjen. Një vit më parë një sulm me mortaja mbi një autobus të Komisaritatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara në një fshat të Drenicës, në Kosovën qendrore, ku u vranë dy pjesëtarë të nacionalitetit serb, u mor si shkas për një valë dhune të përgjakshme në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Grupe serbësh të armatosur sulmuan shumë familje shqiptare dhe vranë të paktën 9 veta (shumica njerëz të moshuar). Autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore të mbledhura në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës, hartuan një strategji për "qytetin e bashkuar". Sipas kësaj strategjie, u vendos zona e mirëbesimit që përfshinte një hapësirë prej disa qindra metrash në të dy anët e lumit Ibër. Sipas planit, ajo është dashur të zgjerohej në të dyja anët e lumit dhe suksesivisht, por kjo nuk u realizua kurrë në pjesën veriore. Sa herë që forcat paqeruajtëse provuan zgjerimin, hasën në rezistencën e "rojave të urës" (një grup serbësh që kontrollon veriun e qytetit). Atëbotë, komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Klaus Reinhardt, u duk shumë i vendosur për të çuar deri në fund këtë strategji, por shpejt përfundoi mandati i tij, ndërsa pasardhësit nuk kishin shumë vullnet për të vazhduar më tutje. Burimet brenda KFOR-it thanë se kjo strategji nuk u realizua kurrë për shkak se qarqe ushtarake franceze nuk u pajtuan me të.
Së këndejmi, miratimi i masave për zgjidhjen e problemeve në qytet nga autoritetet ndërkombëtare nuk u duk shumë bindës për qytetarët e Mitrovicës dhe as për vëzhguesit vendorë. Ata pohuan se të njëjtat masa ishin miratuar edhe një vit më parë, por nuk ishin realizuar. Zëdhënësja e Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) Suzan Manuel, tha se "këto plane nuk janë realizuar për shkak të një politike jashtë Kosovës", por nuk ishte e zonja ta shpjegojë kush e bën një politikë të tillë. Shefat e saj, ndërkaq, thanë se "do të angazhohen për ndreqjen e gabimeve të tyre", ndërsa liderët politikë shqiptarë thanë se "kësaj here gjërat janë më serioze"... Një zëdhënës i forcave paqeruajtëse në këtë qytet premtoi madje "rezultate shumë të shpejta!"
Premtime të ngjashme janë dëgjuar shumë herë, por qytetarët besojnë shumë pak në to. Shumë syresh madje tallen me deklarimet se "Mitrovica nuk do të jetë qytet i ndarë". Qetësinë në pjesën jugore duket se nuk e ka kthyer besimi, por shpresa e cila, siç thuhet, zakonisht 'vdes e fundit'.
Sidoqoftë, një gjë dihet. 'Muaji i mjaltit' ndërmjet forcave paqeruajtëse franceze dhe shqiptarëve të Mitrovicës ka marrë fund kaherë. Liderët shqiptarë, ndërkaq, nuk duan të lejojnë që kjo ta prishë 'idilin' me KFOR-in, sepse kjo "do të ishte fitore e ekstremistëve serbë".
AIM Mitrovicë, Besnik BALA