Si jetojnë serbët e veriut të Kosovës

Pristina Feb 8, 2001

Mitrovicë, 29.01.2001.

Në varësi nga fakti se ku jetojnë shqiptarët apo serbët e Kosovës, përdoret edhe valuta e veçantë. Shqiptarët si valutë zyrtare (të shpallur si të tillë nga ish-administratori, Bernard Kouchner) e përdorin markën gjermane, ndërsa serbët e përdorin dinarin jugosllav (të shumtë janë ata që besojnë që ata kështu e bojkotojnë vendimin e Kouchnerit), mirëpo në qarkullim edhe midis tyre është edhe marka gjermane, varësisht nga fakti nëse e marrin rrogën nga Serbia ose punojnë pranë ndonjërës nga organizatat ndërkombëtare. Një gjendje e ngjashme është edhe në Mitrovicë. Qyteti është ndarë pas luftës në pjesën veriore - të cilën e kontrollojnë serbët- dhe në pjesën jugore - të cilën e kontrollojnë shqiptarët. Para luftës në pjesën veriore të Mitrovicës kanë jetuar rreth 4000 serbë, mirëpo tani nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e serbëve që jetojnë në këtë pjesë të qytetit. Presupozohet se ka rreth 15 mijë sish. Në këta 15 mijë bëjnë pjesë ata qytetarë që kanë qenë banorë të përhershëm në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj serbët nga pjesa jugore, persona të zhvendosur nga pjesë të tjera të Kosovës dhe kryesisht njerëz të rinj, të ardhur nga Serbia për të gjetur punë dhe për të fituar. Me shumëçka, në këtë pjesë të qytetit jetohet në mënyrë normale. Procesi mësimor zhvillohet rregullisht, shëndetësia funksionon, punojnë kiosqet, dyqanet, klubet e natës për të rinjtë...

Në shkolla zhvillohet mësimi i rregullt, ndërsa punëtorët e arsimit financohen nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë. Më parë ata merrnin një ndihmë financiare nga UNMIK-u, mirëpo ajo tani është ndërprerë për arsye se punëtorët e arsimit të nacionalitetit serb kanë refuzuar të nënshkruajnë dhe të punojnë konform planeve dhe programeve të UNMIK-ut. Mirëpo, kjo nuk mund të thuhet për të gjithë. Ata punëtorë të arsimit që punojnë sipas këtyre planeve dhe programeve, marrin nga Republika e Serbisë paga të plota, regresin (në dinarë). Për lartësinë e pagave të tyre këta punonjës nuk dëshirojnë të flasin, por shtojnë - "nuk ankohemi, mjafton"... Disa nga ata e marrin edhe shtesën kosovare nga UNMIK-u, pra ata që kanë nënshkruar kontratat e punës me UNMIK-un, ndërsa sipas disa punonjësve arsimorë "kjo shumë është më e lartë sesa paga fikse që u vjen nga Serbia" ... Në këtë mënyrë i siguron të ardhurat për jetesë një numër i serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës, por është vështirë të vlerësohet se me çfarë përqindje të popullatës kemi të bëjmë. Para luftës pjesa më e madhe e serbëve punonte në Kombinatin Metalurgjik "Trepça", por pas aferës me drejtorin e përgjithshëm të kësaj ndërmarrjeje, Novak Bijeliq, dhe dëbimit të tij nga Kosova, ky kombinat sikur është shuar plotësisht. Kontrollin në minierë e kanë marrë ushtarët francezë të KFOR-it, dhe një kohë punëtorët e "Trepçës" merrnin prej KFOR-it një ndihmë mujore prej 70 dhe 80 markash gjermane, varësisht nga përgatitja profesionale dhe funksioni që kanë kryer. Mirëpo, siç thonë punëtorët e këtij kombinati, para marrjes nën kontroll të minierës nga ushtarët francezë të KFOR-it, pagat nuk kishin qenë asgjë më të mira, rreth 1000 dinarë në muaj dhe ato "kur të arrijnë". "Na ka plaçkitur Novak Bijeliqi", është një mendim ky i përhapur ndër punëtorët serbë. Sidoqoftë, është fakt se një pjesë e punëtorëve serbë, që para lufte punonin në këtë minierë, tani kanë mbetur pa punë dhe të ardhura. Me çka jetojnë ata tani? Secili ia bën ashtu si di vetë. Disa kanë hapur kioskë, disa shesin në treg, disa kontrabandojnë, ndërsa ata më pak të gjindshëm jetojnë me ndihmat humanitare si miell, vaj, ndërsa shumë sish kanë marrë edhe dru për ngrohje. "Kemi fat që nuk paguajmë për drita dhe telefon, ndryshe nuk dimë si do të mbijetonim", thotë njëri nga ish-punëtorët e "Trepçës". Energjia elektrike dhe telefoni tashmë paguhet në pjesën më të madhe të Kosovës (në regjionet ku jetojnë shqiptarët), por jo edhe në pjesën veriore të Mitrovicës dhe veriun e Kosovës. Posta kryesore gjendet në pjesën jugore të Mitrovicës, ku jetojnë shqiptarët, prandaj shkuarja atje për t'i paguar faturat përjashtohet plotësisht. Mirëpo, më shumë se 15 mijë telefona janë ndërprerë në këtë pjesë të qytetit për, siç thuhet, faturave të larta për pagesë. Qytetarët thonë se askush nuk ua dërgon faturat për telefon. E njëjta gjë ndodh edhe me faturat për energjinë elektrike. "Askush nuk na i ka sjellë faturat për t'i paguar", thotë një bashkëbisedues yni.

Shërbimi shëndetësor në pjesën veriore të këtij qyteti funksionon pa kurrfarë problemesh. Janë siguruar aparate bashkëkohore me ndihmën e donatorëve të ndryshëm. Nuk mund të saktësohet numri i punëtorëve shëndetësorë, por ajo që dihet është se ata marrin paga të plota nga Serbia, në dinarë, dhe po ashtu marrin edhe ndihmë nga UNMIK-u - të ashtuquajturën shtesë kosovare. Shumë të rinj nga Mitrovica, por edhe nga Serbia, kanë zënë punë në ndonjërën nga organizatat ndërkombëtare. Ata mund të fitojnë nga 600 deri në 1300 marka gjermane për muaj. Disa nga ata kanë hapur edhe lokale afariste të veta, që në pjesën veriore të Mitrovicës mund t'i hasësh në çdo hap, duke shfrytëzuar ashtu edhe përparësitë që ua jep mosvendosja e ligjeve dhe obligimeve tatimore në këtë pjesë të Kosovës dhe të Mitrovicës. "Ndërtimi i kundërligjshëm i lokaleve afariste në këtë qytet nuk mund të ndalet, sepse njerëzit duhet të jetojnë nga ndonjë burim. Nuk kanë të gjithë paga mujore", thotë një zyrtar ndërkombëtar, i cili dëshironte të mos i përmendet emri. Pohimi se nuk kanë të gjithë punë dhe të ardhura mujore është i saktë. Mund të thuhet lirisht se gati gjysma e popullatës në pjesën veriore të Mitrovicës jeton në zgrip të ekzistencës. "Jemi të detyruar të vjedhim, të merremi me kontrabandë, të kryejmë punët më të ndyra, për të mbijetuar. Mendoni që nuk më vjen turp për këtë, por barku i zbrazët - imi dhe i fëmijëve të mi - nuk pyet fare", thotë një grua që tregton cigare në rrugë, dikur e punësuar si inxhiniere në kombinatin "Trepça". Ka shumë mjekë, profesorë dhe inxhinierë, njerëz me shkollim të lartë, që pas lufte kanë mbetur pa punë. Shumë sish tani punojnë si shitës cigaresh, mallrave teknike dhe gjërave të tjera. Disa nga ata punojnë si pastrues, shitës në kiosqe apo si kontrabandistë. "Nuk do të zgjasë noshta e gjithë kjo aq shumë. Do të punoj përsëri në profesionin tim", thotë një mësues i gjuhës dhe letërsisë serbe, i cili shet në rrugë bileta llotarie...

Pensionistët kanë marrë tani një shtesë prej 100 dinarësh. Tani lartësia mesatare e pensionit në Mitrovicë është rreth 60 marka gjermane, shumë që nuk mjafton për mbulimin e shpenzimeve për bukë dhe qumësht, madje vetëm për dhjetë ditët e para të muajit. "Ja bëjmë si dimë e mundemi, marrim edhe diçka nga dihmat humanitare, arnohemi disi deri në fund të muajit", thotë një pensioniste. Jeta e pensionistëve as para luftës nuk ka qenë e mirë, por as tani nuk është asgjë më e mirë. Si duket po del ajo e popullit: "Kush ka - do të ketë, kush nuk ka - nuk do të ketë kurrë"...

AIM Mitrovicë, Valentina ÇUKIQ