Nano- Koshtunica: Takim ne Athine
AIM Tirana, 31.01.2001
Nje lajm i publikuar ne faqet e para te dy prej te perditshmeve me te medha te Tiranes, se kryetari i Partise Socialiste te Shqiperise, ish kryeministri Nano dhe Presidenti jugosllav Koshtunica ishin takuar mes tyre me 16 janar ne Athine, shkaktoi reagime te shumta ne kryeqytetin shqiptar. Pse ky takim gjysem ilegal? Dhe, pse eshte perseri Nano qe behet serish protagonist i nje takimi me udheheqesit serbe, ashtu si me 1997 kur takoi Miloshevicin ne Krete te Greqise. Cila ishte permbajtja e bisedimeve?
Keto ishin pikepyetjet e menjehereshme qe u ngriten ne Tirane, misterin e te cilave e shtonte me teper fakti se lajmi bombastik ishte dhene vetem nga korrespondenti ne Athine i Radios Gjermane Dojce Velle.
Por pikepyetjet dhe dyshimet zgjaten vetem disa ore. Ne mesditen e 17 janarit zedhenesi i ish kryeministrit Nano ne nje konference shtypi e mohoi takimin. Zedhenesi i Nanos duke hedhur poshte "spekulimet e shtypit" deklaroi se Kryetari i Partise socialiste nuk ndodhej ne Athine, por ne Ankara per bisedime zyrtare.
Kaluan dy dite dhe pikerisht atehere kur dukej sikur ngjarja po arkivohej, erdhi nje tjeter surprize, e denje per te qene subjekt ii disa prej emisioneve humoristike te TV?ve te Tiranes. Ne njerin prej tyre, u perseriten disa here imazhet e zedhenesit te kreut socialist, i cili ne te njejtin vend, me te njejtin ton, dhe te njejtin seriozitet, pergenjeshtronte ate qe kish thene dy dite me pare. Kete rradhe, sipas tij, Nano dhe Koshtunica ishin takuar ne pasditen e 16 janarit, per 35 minuta, ne nje prej hoteleve luksoze ne qender te Athines.
Ne vend qe t'i qetesonte, njoftimi i takimit i acaroi me shume, pothuajse njezeri, qe te gjithe faktoret politike ne Tirane. Kreu i komisionit te Jashtem Parlamentar, Sabri Godo, perfaqesuesi i nje partie te vogel opozitare qe ka bere gjithmone thirrje per hapa te kujdesshem ne normalizimin e mardhenieve te Tiranes me Beogradin, ishte nga te paret qe denoncoi kete akt.
Edhe Partia Demokratike e opozites u shpreh kunder menyres klandestine te organizimit te takimit si dhe vendit ku ai u zhvillua. Lideri i opozites Berisha deklaroi se ai nuk ka asnje paragjykim per te dialoguar me Koshtunicen, por se ishte kunder fshehtesise ne te cilen u organizua takimi Nano- Koshtunica.
Kritikat per Nanon nuk munguan te vijne edhe nga krahu kundershtar brenda partise se tij. Servet Pellumbi, ish nenkryetar i socalisteve e konsideroi takimin nje tjeter lajthitje te Nanos dhe theksoi se ai nuk ka perfaqesuar aty Partine Socialiste, por vetem vetveten.
Ne te njejten linje te ashper u rreshtua pothuajse njezeri i gjithe shtypi i Tiranes dhe i Prishtines. "Te dy takimet ? si ai i Nanos me Koshtunicen ne Athine, si ai me Milloshevicin ne Krete ? jane zhvilluar nen mbikqyrjen dhe organizimin e politikes greke, qe njihet per sentimentet dhe prirjet e saj ne favor te Serbise", komentonte gazeta opozitare Rilindja Demokratike.
"Nje mungese e pashoqe transparence dhe nje papergjegjshmeri e Nanos", nenvizonte e perditshmja me e madhe ne Tirane ,"Shekulli". Ndersa gazeta autoritare e Prishtines, "Koha ditore" ne editorialin e saj "Pse ky takim tinzar ne Athine", fshikullonte: "Nano duke takuar Koshtunicen ka nencmuar institucionet legale te vendit te tij. Ai kavepruar si nje njeri me mentalitetin e te plotfuqishmit. Dhe Kosoves i ka dhene edhe njehere, shijen e takimit famekeq te Kretes".
Keto reagime te ashpra kunder duarshtrengimit te Nanos me Koshtunicen me 16 janar, nuk aq prej faktit se kreu i mazhorances shqiptare po takohej me shefin e nje shteti qe deri pak kohe me pare konsiderohej si armik i Tiranes. Tashme pothuajse te gjithe faktoret e rendesishem ne Shqiperi e kane pohuar se jane per normalizimin e marredhenieve me Jugosllavine.
Debati ne fakt nuk u perqendrua ne ate cka u bisedua ne Hotel Grand Bretagne ne Athine, por ne ne menyren e organizimit te takimit, sidomos ne fshehtesine e panevojshme te tij. Tani eshte e qarte se perpjekja e pare e nje politikani shqiptar per t'u takuar me Koshtunicen (po te mos permendim nje shtrengim duarsh kortezie ne Shkup mes Mejdanit dhe Koshtunices) eshte tentuar te mbahet e fshehte.
Ndoshta midis paleve, Nanos nga njera ane dhe Koshtunices nga ana tjeter ka pasur paraprakisht nje pakt ne menyre qe takimi te mbetej konfidencial. Ndoshta ka qene vete Nano qe e ka kerkuar nje gje te tille. Pasi sic shkruante nje e perjavshme ne Tirane "Ai u be i humburi me i madh dhe i vetem i kesaj historie".
Por, Nano vete pretendon te kunderten. Ne nje interviste te dhene pas takimit ai pohoi se nuk e shqetesojne aspak akuzat e patrioteve folklorike.
"Une i perkas asaj race politikanesh te votuar qe dijne te marrin pergjegjesi ne momente kyce politike", tha ai. E sipas Nanos koha kur ai takoi Koshtunicen qe nje moment i tille. Shqiperia dhe Jugosllavia ishin ne procesin e vendosjes se marredhenieve diplomatike. " Ne duhet te bejme c'eshte e mundur ne menyre qe ato te mos mbeten nje akt formal", tha Nano.
Disa ore pasi Nano takoi Koshtunicen u njoftua rivendosja e marredhenieve diplomatike mes Tiranes dhe Beogradit.
AIM Tirana
ANDI BUSHATI