Zgjedhjet dhe arbitrat
Prishtinë, 28.01.2001.
Në detin e problemeve, partitë dhe politikanët kosovarë preokupim të parë i kanë zgjedhjet në nivel të Kosovës. Me disa nuanca, zgedhjeve u japin përparësi edhe administrata ndërkombëtare dhe kryeadministratori i ri i Kosovës, Hans Haekkerup. Nuanca ka edhe në radhët e kosovarëve, por fitohet përshtypja se edhe te të parët edhe te të dytët ato kanë të bëjnë me qasjet që kryesisht lidhen për tërësinë e procesit elektoral.
Në deklaratat e para pas marrjes së detyrës, Haekkerupi sikur i dëshpëroi kosovarët me qëndrimin e shkoqur se nuk mund të flitet me precizitet për zgjedhjet, duke përfshirë edhe datën e mbajtjes së tyre, pa e ditur se për çka do të votohet dhe cilat mund të jenë kompetencat e përfaqësuesve të popullit. Por, doli se ky ishte një rend i logjikshëm i lëvizjeve që, ndonëse jo me dëshirë të njëjtë, e përkrahën edhe forcat kryesore politike kosovare. Kështu, detyrë e parë u imponua përgatitja e një kornize ligjore ose kushtetute të përkohëshme që do të përputhej me statusin e tashëm të papërcaktuar juridik të Kosovës, të paraparë me Rezolutën 12-44 të KS të OKB. Sipas ideve të shumta që kanë dalë në opinion, kryesisht nga jashtë, dokumenti i përkohshëm kushtetues, së paku, do të duhej t'i përcaktonte sistemin e zgjedhjeve, organet që do të zgjedhen, autorizimet e organeve të zgjedhura, sistemin e mëvetësishëm gjyqësor dhe, në mënyrë të veçantë, mbrojtjen e minoriteteve.
Dihet se kurdoherë është më lehtë të flitet se sa diçka të bëhet. Në fushë të politikës gjërat dalin edhe më të ndërlikuara, pasi zakonisht të interesuarit mund të shtrojnë kushte, madje të veprojnë në drejtime të kundërta. Kryeadministratori Haekkerup e ka bërë të qartë se pret mospajtime për disa aspekte të përmbajtjes së dokumentit kushtetues. Dallimet ai i sheh dukuri të natyrshme, duke parlajmëruar se është detyrë e tij që në këto raste të arbitrojë dhe, madje, të marrë vendim për rrafshimin e tyre. Në UNMIK thuhet se edhe kushtetuta e përkohshme do të miratohet në formë të rregullores të nënshkruar nga kryeadministratori.
Nuk është e qartë ende se si do të punohet në përgatitjen e kushtetutës së përkohshme. Para largimit të vet, ish kryeadministratori Bernard Kouchner kishte formuar një grup ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë që do të punonte në hartimin e atij dokumenti. Por, grupi u mblodh vetëm një herë. Kur erdhi në Kosovë, pa ndonjë shpjegim dhe paralajmërim, Haekkerupi e suspendoi punën e tij. Tash pritet vazhdimi i punës, por nuk është e qartë se në çfarë forme dhe a do të angazhohen edhe ekspertët vendorë. Flitet se Haekkerupi ka dashur së pari të këshillohet me ekspertë danezë nga kjo fushë. Kjo këtu u interpretua se ai tashmë e ka formuar grupin për hartimin e kushtetutës së përkohshme, pa pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë, gjë që u përgënjeshtrua nga UNMIK-u. Burime shqiptare konsiderojnë se puna në përgatitjen e dokumentit do të vazhdojë së shpejti dhe presin të angazhohen edhe ekspertë kosovarë. Flitet se grupi do të formohet dhe do ta vazhdojë punën menjëherë pasi Haekkerupi t'i bëjë zgjerimet e paralajmëruara qysh para përfundimit të mandatiti të Kouchnerit në Këshillin e Përkohshëm Administrativ (një lloj qeverie e përbërë nga politikanë me ndikim më të madh ose trup këshillëdhënës autoritativ i kryeadministatorit) dhe në Këshillin Kalimtar (një lloj parlamenti me anëtarë të emëruar nga radhët e përfaqësuesve më të dalluar të jetës politike dhe publike). Këto ndryshime duhet të jenë rezultat i raporteve të reja politike që u konstatuan pas zgjedhjeve komunale të tetorit të vitit të kaluar.
Në qoftë se punët do të rridhnin sipas këtyre parashikimeve, atëherë Haekkerupi dhe grupi i punës për hartimin e kushtetutës së përkohshme do të kenë para vetes jo vetëm projektet e formuluara me shkrim, por edhe shumë kërkesa të tjera që janë pjesë e programeve dhe synimeve politike të të interesuarve të shumtë brenda dhe jashtë Kosovës. Sa dihet deri tash, para grupit do të gjenden projektet e përgatitura me shkrim që i kanë bërë një grup i ekspertëve zviceranë, Grupi i Kontaktit të fuqive të mëdha dhe Partia Demokratike e Kosovës. Pasi nuk ka gjasa që ky i fundit të dalë si projekt i harmonizuar i të gjitha forcave politike shqiptare, që ka qenë qëllim i Partisë Demokratike, mund të pritet që ai të prezentohet si propozim i një grupi të partive politike të Kosovës.
Te këto projekte ka dallime, por të gjithë e marrin parasysh gjendjen e përkohshme të vendosur me Rezolutën 1244 dhe kërkesën që me asgjë të mos parapërcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës. Në pjesën hyrëse të projektit të Grupit të Kontaktit ka një formulim për Kosovën brenda sovranitetit të Jugosllavisë, por nuk ka gjë që do t'u hapte shteg Jugosllavisë dhe Serbisë të vendosin për çkado qoftë në periudhën kalimtare. Për dallim nga projekti i ekspertëve zviceranë - që është më i plotë, projekti i Grupit të Kontaktit ka zbrazëtira që nuk kanë mundur të plotësohen kryesisht për shkak të mospajtimeve me Rusinë. Është fakt intersant të shënohet se projekti i Grupit të Kontaktit e lë mundësinë që Kosova të ketë president edhe gjatë periudhës kalimtare.
Dallimet ndërmjet fuqive të mëdha tashmë janë të njohura. Ditë më parë, një përfaqësues rus deklaroi se në Kosovë nuk duhet të mbahen zgjedhje deri sa të mos kthehen serbët dhe deri sa nuk garantohet siguria e tyre, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes. Sa i përket dokumentit kushtetues për gjendjen e përkohshme, ai deklaroi se në Kosovë nuk duhet të bëhet asgjë pa pëlqimin e Beogradit. Është interesant të vërehet se ekziston një identitet i plotë i kërkesave të serbëve, të Beogradit zyrtar dhe të Rusisë lidhur me hapat afatshkurtër dhe afatgjatë që duhet të merren në Kosovë. Një identitet i tillë as që mund të imagjinohet ndërmjet qëndrimeve të shqiptarëve dhe të fuqive perëndimore. Pengimi i shkëputjes formale të Kosovës në një të ardhshme të afërt ose të largët është qëllimi thelbësor i gjithë politikës të Beogradit, pra edhe e serbëve të Kosovës. Nga ky aspekt duhet të shihen qëndrimet serbe ndaj zgjedhjeve dhe ndaj kushtetutës së përkohshme.
Beogradi zyrtar tashmë ka kërkuar që jo vetëm të marrë pjesë, por edhe ta ketë fjalën vendimtare në çështjet e Kosovës. Ashtu si edhe serbët e Kosovës, edhe Beogradi zyrtar ka kërkuar që para mbajtjes së zgjedhjeve të kthehen të gjithë serbët që kanë ikur nga Kosova pas hyrjes së KFOR-it dhe të arrihet siguri e plotë, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të tyre. Këto janë kërkesa që nuk mund të plotësohen për një kohë të shkurtër, të themi gjatë këtij viti. Dhe, në qoftë se deri në fund insistojnë në këto qëndrime, atëherë lehtë mund të konkludohet se serbët do t'i bojkotojnë edhe zgjedhjet në nivel të Kosovës, ashtu si edhe zgjedhjet komunale që u mbajtën në tetor të vitit të kaluar.
Ky duhet të jetë një këndvështrim i thjeshtëzuar i gjërave. Duhet të supozohet se për të vendosur për zgjedhjet do të merren parasysh jo vetëm interesat e serbëve të Kosovës, por edhe nevojat urgjente ekonomike dhe ambicjet e Beogradit në Ballkan. Llogaritet se Beogradi do të përpiqet të arrijë një ekuilibrim të interesave. Kjo mund të shpiejë në vlerësimin se për serbët e Kosovës do të jetë më mirë të votojnë se sa t'i refuzojnë zgjedhjet. Sidoqoftë, pa rekomandimin e Beogradit të mbështetur në një vlerësim të tillë, nuk duhet të pritet se serbët do të dalin në zgjedhjet kosovare. Njësoj do të duhej të zhvillohen gjërat edhe me rezistencën ruse. Pas qëndrimeve të ashpëra fillestare, edhe Rusisë do t'i duken më joshëse kompromiset se sa konfrontimet. Besohet se mbi këto supozime mbështeten pritjet e diplomatëve perëndimorë dhe të ndërkombëtarëve këtu se serbët këtë herë do të marrin pjesë në zgjedhjet kosovare. Sidoqoftë, diplomatë perëndimorë kanë deklaruar se tash çdo gjë është në duart e Hans Haekkerupit i cili, në procedurën e mëtejshme, nuk do të ketë nevojë të kërkojë leje nga Njujorku, Brukseli ose Viena, ku është selia e OSBE-së, as për kushtetutën e përkohshme e as për caktimin e datës të zgjedhjeve.
Burime të ndërkombëtarëve këtu kanë thënë jozyrtarisht se zgjedhjet gjithsesi do të mbahen gjatë verës ose në fillim të vjeshtës të këtij viti. Përfaqësuesit e shqiptarëve kërkojnë që zgjedhjet të mbahen sa më parë. Nuk duket të ketë farë dallimesh thelbësore ndërmjet tyre. Por, duke marrë parasysh marrëdhëniet mjaft të çrregulluara brendashqiptare, dallimet nuk duhet të përjashtohen, së paku si rezultat i mosdurimeve, rivaliteteve dhe ambicjeve grupore, personale, rajonale. Mund të ngjajë që dallimet në prioritete për tërësinë e procesit të zgjedhjeve të bëhen shkas për dallime, madje për acarimin e atyre që me vjet e ngarkojnë spektrin politik shqiptar.
Në LDK flitet për zgjedhje parlamentare, kurse refren i këtij formulimi është: edhe presidenciale. Përfaqësuesit e saj nuk konsiderojnë se përgatitja e kushtetutës së përkohshme është ndonjë punë e rëndë. Por, në Partinë Demokratike të Kosovës gjërat shihen disi ndryshe. Hartimi i kushtetutës së përkohshme renditet në vend të parë, e pastaj vinë zjedhjet. Flitet se për çfarë mund të votohet, por pa ndonjë insistim të posaçëm. Në një deklaratë të fundit kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, tha se do të ishte mirë që edhe në periudhën kalimtare Kosova t'i ketë të gjitha institucionet shtetëtore, duke përfshirë edhe presidentin. Pra, do të ishte mirë, por mund të bëhet edhe pa president. Kjo deklaratë është identike me qëndrimin e Rugovës se zgjidhje më e mirë për Kosovën dhe për rajonin është pavarësia e Kosovës. Presidenti është simbol i shtetit, kurse Kosova nuk është shtet. Por, një pjese të njerëzve këtu primare mund t'u duket zgjedhja e presidentit, madje e personit konkret ose moszgjedhja e atij personi.
Në mjedisin ku liderët janë parti, ku njerëzit i pranojnë partitë nëpërmjet liderëve dhe ku liderët nuk mund ta shohin me sy njëri-tjetrin e lëre më të takohen dhe të pinë kafe së bashku, kjo konsiderohet çështje akute, të jesh ose të mos jesh, si dilema e Hamletit. Në një atmosferë të tillë lehtë ngjan që pleshti të bëhet buall i vërtetë dhe të humben fijet për trajtimin real të specifikave dhe të karakterit të problemeve në shqyrtim. Prandaj, edhe nga aspekti i raporteve brendashqiptare, është mirë që Hans Haekkerupi do ta ketë fjalën e fundit.
AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI