Vetëmbajtja e Kosovës: realitet a utopi?

Pristina Jan 28, 2001

Prishtinë, 25.01.2001

Prej vitit 2004 Kosova duhet të ekzistojë me mjetet dhe me punën e vet. Kështu janë parashikimet. Pas tre vjetësh Kosova duhet të hiqet nga përparësitë e ndihmave dhe të intervenimeve financiare. Vërtet, Kosova do të ndihmohet edhe më tej, por sipas kritereve që vlejnë për të gjitha vendet tjera në tranzicion. Në vitin 2003 planifikohet të hiqen nga donacionet dhe ndihmat tjera të gjitha shërbimet e ashtuquajtura komunale, duke përfshirë edhe Korporatën Elektroenergjetike, kurse mjetet e buxhetit duhet t'i sigurojnë vetë kosovarët.

A do të mund t'u bëjnë ballë kosovarët me ekonominë e tyre obligimeve që ta mbajnë veten? Kjo është pyetje thelbësore jetike dhe politike për të gjithë. Përgjigjja kërkon analiza të hollësishme për gjendjen dhe për rrjedhat e mundshme në tre vjetët e ardhshëm, jo vetëm në fushë të zhvillimit ekonomik, por edhe në fushë të ndërrimit të mentalitetit të njerëzve në pikëpamje të përmbushjes së obligimeve ndaj shoqërisë. Fjala është për pagimin e taksave, të llogarive për shpenzimin e rrymës, të ujit e tjera, praktikë e njohur në gjithë botën për financimin e nevojave të përbashkëta të një shteti dhe shoqërie. Sa për ilustrim të përmendim se vetëm 40 për qind të kosovarëve i paguajnë llogaritë e rrymës, kurse shpenzimin e ujit e paguajnë vetëm 10 për qind. Nuk ka të dhëna të sakta, por ka indikacione se me vështirësi të mëdha bëhet mbledhja e taksave dhe tatimeve nga biznesi.

Në UNMIK ka vlersime se, në krahasim me 11 vende të tjera në tranzicion, në Kosovë, në formë tatimi i paguhet shoqërisë vetëm rreth 7% e prodhimit kombëtar vjetor bruto. Thuhet se në vendet e tjera në tranzicion shkalla e ngarkesës është prej 18 deri mbi 40%. Niveli i ulët i ngarkimit është pjesërisht edhe pasojë e ngarkimit të ulët të biznesit dhe të shërbimeve kosovare me tatime. Por, duhet të konsiderohet se më shumë është pasojë e bishtërimit të obliguesve, pra mospagimit të obligimeve. Kur si rezultat i synimeve për ndërtimin e ekonomisë të hapur ndaj fqinjëve dhe ndaj botës, duhet të bjerë shumë sasia e të hyrave në buxhet nga doganat dhe akcizat, me këtë shkallë të ulët të ngarkimit të prodhimit kombëtar bruto, nuk do të mund të sigurohen mjete as për buxhetin e Kosovës, e të mos flasim për nevojat tjera të shoqërisë.

Me rëndësi jetike është se sa do të mund të zhvillohet biznesi në 3-4 vjetët e ardhshëm. Ky, në radhë të parë, duhet të sigurojë, jo vetëm buxhet, por edhe hapësirë për zhvillim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm për vete. Sipas gjendjes dhe gjasave që mund të parashihen tash, pritjet e tilla nuk janë reale. Kosova është shumë larg nga struktura dinamike dhe e qëndrueshme ekonomike. Janë regjistruar rreth 31 mijë biznese, shumë më tepër se viteve të kaluara. Por, fjala është vetëm për sasi. Nuk vërehet ndonjë ndryshim i theksuar cilësor në pikëpamje të strukturës që do të siguronte dinamizëm zhvillimor brenda Kosovës dhe lidhje të forta të saj me ekonomitë e vendeve të tjera, që po ashtu duhet të bëjë pjesë në prioritetet ekonomike. Edhe më tej mbisundojnë tregëtia, tipi i bizneseve familjare, investimet që mund të kthehen shpejt.

Kur është fjala te biznesi, më parë mund të thuhet se Kosova është në gjendje të pritjes se çka do të bëhet. Nuk ka infrastrukturë juridike dhe, për këtë arsye, as mundësi për parashikime dhe stimulime zhvillimore. As rrjedhat praktike nuk premtojnë se mund të arrihet shpejt dhe lehtë qëllimi që Kosova ta mbajë veten. Ky është një qëllim që e synojnë gjithë kosovarët. Por, së paku kur është fjala për çështje të ekonomisë, me rëndësi shumë të madhe është që të bëhet dallim i qartë midis dëshirave dhe mundësive. Madje, ky dallim është parakusht për t'iu shmangur voluntarizmave të njohur nga periudha e socializmit. As përvojat e 18 muajve të kaluar, nga hyrja e KFOR-it dhe vendosja e pushtetit të UNMIK-ut, nuk premtojnë diçka të posaçme, e të mos flasim për ndonjë kthesë vendimtare.

Në strukturën e përgjithshme të investimeve për 18 muajt e kaluar, në bazë të interesave komerciale, kosovarët morën pjesë me 30% të mjeteve. Ato ishin orientuar kryesisht në ndërtimtari, në komunikacion dhe në tregëti, ku dominojnë investimet për tregëti me naftë dhe derivate të saj, pra në degët që aktualisht sjellin fitime të shpejta e të mëdha. Në një farë dore, biznesi i Kosovës e ka si orientim mbijetesën dhe nxjerrjen e përfitimeve sa më të mëdha nga dobësitë sistemore dhe kaosi ekonomik. Nuk mund të thuhet se një strukturë e tillë mund të jetë hyrje ose mbështetje e qëndrueshme për një ekonomi me dinamizëm zhvillimor që njëherësh do t'i kishte orientim levërditë afagjate.

Ndërkombëtarët dhe kosovarët pajtohen plotësisht se Kosova do të nisë rrugën e zhvillimit të shëndoshë ekonomik dhe të kapërcimit të prapambeturive të trashëguara atëherë kur aktiviteti ekonomik të jetë i dominuar nga biznesi privat. Por, ky orientim nuk mund të jetësohet pa një angazhim të madh të kapitalit, të huaj apo të vendit, dhe mu në baza komerciale. Vetëm këto mund të imponojnë parime të sjelljes të përgjithshme racionale në biznes, angazhim të plotë në punë dhe kursim të të gjithë faktorëve të punës. Për dallim nga ndihmat humanitare, kapitali i investuar në baza komerciale ka çmim, midis tjerash edhe në formë të kamatës, të pjesëmarrjes në fitim, të pjesëmarrjes në pronësi dhe, kuptohet në qeverisje.

Në shumën e përgjithshme të investimeve në gjysmën e dytë të vitit 1999 dhe në 10 muajt e parë të vitit 2000, që sipas llogarive të Odës Ekonomike të Kosovës ishte rreth 743 milionë marka, kreditë komerciale merrnin pjesë vetëm me 5%. Ky fakt më së miri tregon se burimi kryesor i zhvillimit të shëndoshë ekonomik është ende i paarritshëm për Kosovën. Fundi i fundit, Kosova nuk ka sistem bankar, kanale të rregullta për qarkullimin financiar, ligje që i rregullojnë rrjedhat thelbësore ekonomike, politikë të zhvillimit ekonomik. Dhe jo vetëm që nuk ka politikë të zhvillimit, por ka indikacione se edhe ajo që tash quhet politikë e zhvillimit, në shumë aspekte mund të vlerësohet e gabueshme. Supozohet se gabimet e këtilla dhe bllokadat në të cilat po has ekonomia e Kosovës janë pasojë e politizimit dhe diplomatizimit të stërtepruar. Mbi të gjitha, Kosova dhe kosovarët nuk kanë kapital të vetin.

Kur i heqim 5 përqindëshin dhe ato 30 për qind të mjeteve nga burimet kosovare, del se pjesa më e madhe e investimeve, rreth 65 për qind u siguruan në baza humanitare dhe u shpezuan kryesisht për rimëkëmbje të shërbimeve të ndryshme dhe të infrastrukturës. Për dallim nga mjetet humanitare, në fushë të angazhimit të kapitalit privat posa janë bërë hapat e parë. Madje, deri në nëntor të vitit 2000, kredi komerciale këtu jepte vetëm banka e vetme e regjistruar në Kosovë-MEB (Micro Enterprise Bank), që është bankë private, me disa themelues ndërkombëtarë, ku rolin kryesor e ka kapitali gjerman. Prej nëntorit kredi filloi të japë edhe Njësia e Përbashkët për Kreditim-NJPB, që nuk është bankë, por një institucion financiar mjetet e të cilit i sigurojnë Banka Botërore dhe Agjensia Evropiane për Rindërtim.

Edhe MEB-i edhe NjPB-ja lejojnë vetëm kredi komerciale, çka do të thotë se e ndihmojnë zhvillimin e një sektori jetik për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Por, ato investojnë edhe për të fituar për themeluesit ose aksionarët e vet. Me moton: plasmane të vogla-rreziku më i vogël, MEB-i ka dhënë disa qindra kredi me vlerë të përgjithshme prej rreth 9 milionë DM. Lartësia maksimale e kredisë mund të jetë deri 20 mijë DM, kurse lartësia mesatare e kredive të lejuara ka qenë 13 mijë DM. Kreditë jepen për tre vjet me kamatë vjetore prej 24 për qind. NJPB-ja jep kredi për tre vjet në lartësi prej 100 mijë deri 300 mijë DM, me kamatë vjetore prej 15 për qind që gradualisht zvogëlohet kah fundit i vitit të parë të kthimit. Vlerësohet se kapitali i NJPB-së është rreth 8 milionë dollarë. Por, deri tash ajo ka lejuar vetëm një kredi.

Ekspertët dhe biznesmenët shqiptarë konsiderojnë se kamatat janë shumë të larta. Nuk mund t'i durojë as tregëtia, e të mos flasim për prodhimin, thonë ata dhe shtojnë se shumat e planifikuara për kreditim janë vetëm pika në detin e nevojave të Kosovës. Kredituesit përgjigjen se ata duhet t'i mbulojnë shpenzimet dhe të fitojnë, kurse japin kredi në një teritor tejet të pasigurt, ku nuk ka garancione për kthimin e tyre. Pastaj, fjala është për biznes, e jo për lëmoshë. Biznesi dhe lëmosha nuk shkojnë bashkë.

AIM Prishtinë, Fehim REXHEPI