Një kushtetutë e përkohshme
Prishtinë, 24.01.2001.
Kosova së shpejti do të mund ta kishte kushtetutën e saj, por ende nuk dihet se kush do ta hartojë atë. Autoritetet ndërkombëtare thonë se Grupi i Kontaktit, G-8 dhe Pesëshja e madhe kanë pohuar se është themeluar një grup punues që po përgatit kushtetutën e përkohshme të Kosovës. Në tadhë të parë, kushtetuta, si akti më i lartë juridik i një vendi është e domosdoshme për ta krijuar një hapësirë të nevojshme legjislative për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të cilat janë paralajmëruar për këtë vit. Por, ende pa filluar hartimi (të paktën publik) i kushtetutës, kanë lindur problemet se si në fakt do të "pagëzohej" ajo. Ish administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, që në gjysmën e parë të vitit 2000 e pati paralajmëruar se "do të hartohet një pakt për qeverisjen e Kosovës", që do të mbushte hendekun e krijuar me mungesën e kushtetutës dhe që, sipas tij, do ta "siguronte zbatimin e autonomisë substanciale", të paraparë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Madje, ai pati ndërmarrë një fushatë për "të sqaruar qytetarët e Kosovës se çfarë përmban kjo autonomi, si dhe paktin që do duhej të lidhte me ta". Megjithatë, e ndërmarrë në fillim të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet komunale të 28 tetorit, fushata e zotit Kouchner u shndërrua në përgatitje të terrenit për zgjedhje të lira dhe pa dhunë. Juristët kosovarë vazhdimisht kanë ngulur këmbë te fakti se "mungesa e Kushtetutës e ka bllokuar pothuajse në tërësi punën në hartimin e një legjislacioni të ri për Kosovën, sepse ajo është akti më i lartë juridik dhe bazë për hartimin dhe miratimin e të gjitha ligjeve të tjera, qoftë ligjeve sistemore, qoftë ligjeve të tjera me të cilat rregullohen çështjet e ndryshme brenda një shoqërie".
Kushtetuta sikur u la në harresë për një periudhë, por rifillimi i diskutimeve për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë i rizgjoi debatet për një 'kornizë juridike' të ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare thanë se ajo në fakt nuk do të jetë një kushtetutë e mirëfilltë, por një "pako rregulloresh". Çështja e parë që ka rënë në sy që nga fillimi i diskutimeve për 'kushtetutën' ishte tejkalimi i të gjitha parashikimeve të Konferencës së Rambujesë, ndonëse ishte kjo konferenca që shërbeu si bazë themelore e krijimit të strukturave qeverisëse në Kosovën e pasluftës. Në këtë formulë kishte ngulur këmbë fillimisht Uashingtoni zyrtar, duke vlerësuar se "përvoja e Rambujesë dukej e adaptueshme lehtë për rrethanat e krijuara në Kosovë pas ndërhyrjes së NATO-s". Mirëpo, brenda Grupit të Kontaktit (që po merrej me këtë çështje) ishte shtuar rezistenca ndaj kësaj formule, e cila 'përkëdhelte' kërkesat e shqiptarëve për "pavarësinë e Kosovës", ndërsa, siç thuhej, "dinamika e krijimit të pushtetit demokratik në Kosovë mund të çojë pashmangshëm në pavarësinë e Kosovës". Arsyetimet e shteteve që e 'kundërshtonin' formulën e Rambujesë mbështeteshin edhe në "mungesën e përmirësimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë". Megjithatë, krijimi i kornizës ligjore për Kosovën ishte dhe është i domosdoshëm, prandaj duket se 'të mëdhenjtë arritën një kompromis', ndërsa ish administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, paraqiti para Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës dy propozime të kornizës ligjore. Njëri nga propozimet është hartuar nga katër juristë zviceranë, ndërsa tjetri thuhet se është një variant i ri i propozimit amerikan, i cili nuk ka kaluar më parë në takimin e Grupit të Kontaktit.
Forcat politike kosovare e kanë pohuar që kanë krijuar grupet e tyre punuese, të cilat do t'i shqyrtojnë propozimet e paraqitura, por duket se ata vetëm mund të modifikojnë ndonjërin nga nenet e tyre, por nuk besohet që mund të bëjnë ndryshime qenësore. Një gjë tani për tani është e qartë. Korniza e re ligjore nuk do ta ketë emrin 'kushtetutë kalimtare', ndërsa ajo që është thënë vazhdimisht se "pushteti duhet të kalojë në duart e kosovarëve", duket se nuk do të realizohet me kornizën e re ligjore. Edhe më tej Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) mbetet me rol të fuqishëm, madje duket edhe të përforcuar me këtë 'kushtetutë'... Në dokumentin e ofruar nga juristët zviceranë thuhet se "duke marrë parasysh statusin e tashëm të Kosovës, ky dokument nuk mund të jetë kushtetutë e vërtetë në kuptimin e ligjit themelor të një shteti sovran". Megjithat, i tërë propozimi është i përshkuar nga termi "kornizat e përkohshme kushtetuese". Dispozitat themelore të këtij, ta quajmë, 'projekt kushtetute' parashohin në radhë të parë shtrirjen dhe kufizimet e vetadministrimit në Kosovë, rolin e qeverive lokale, karakterin shumetnik e shumëgjuhësor, si dhe pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës. 'Kornizat e përkohshme kushtetuese' nuk promovojnë idenë e shumicës e pakicës, apo të popujve shtetformues, por dëshirës së qytetarëve që të organizojnë vetveten në baza gjuhësore i është bërë një qasje shumë serioze. Ndonëse gjuhë zyrtare parashihet të jenë shqipja dhe serbishtja, edhe etnitetet tjera do të kenë mundësi të përdorin gjuhën e tyre si publike dhe zyrtare nëse përbëjnë më shumë se pesë për qind të popullatës në komunë. Sigurisht se çështje ende të hapura dhe rreth të cilave duket se do të thyhen shtizat janë marrëdhëniet me botën e jashtme dhe ushtria e Kosovës, të cilat, tash për tash, në propozimet ndërkombëtare reflektojnë faktin se 'Kosova nuk është shtet i pavarur'.Në propozimin fillestar thuhet se Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të vazhdojnë të veprojnë si organizatë civile nën mbikëqyrjen e strukturave ndërkombëtare, ndërsa decidivisht shkruan se "Kosova nuk ka ushtri". Roli mbikëqyrës, madje me të drejtë vetoje i është lënë Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara apo, siç njihet këtu, shefit të misionit civil. Ndërkaq, sistemi i qeverisjes e përqendron pushtetin tek Asambleja e Kosovës, duke e zvogëluar, siç thuhet, rrezikun e 'krijimit' të një udhëheqësi të gjithëfuqishëm, por edhe duke krijuar mundësi për përfshirjen e gjerë të të gjitha forcave politike dhe grupeve të caktuara politike e etnike. Kornizat parashohin edhe përfaqësimin e grupeve gjuhësore në Asamble, Qeveri dhe në gjyqësi.
Sidoqoftë, hartimi i kësaj kornize ligjore është bërë i pashmangshëm, në radhë të parë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, që do të duhej të mbaheshin në Kosovë gjatë këtij viti. Senatori amerikan, Joseph Biden, kryetar i komisionit për politikë të jashtme në Senatin amerikan, tha se "kosovarët duhet të dinë se për çfarë organesh do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, cilat do të jenë kompetencat dhe pushteti i këtyre organeve, para se të dalin në qendrat e votimit". Edhe administratori i ri për Kosovën, Hans Haekkerup, tha se "do të caktojë datën e zgjedhjeve atëherë kur të jetë e qartë se për çfarë do të votohet".
Zakonisht, në deklarimet ndërkombëtare, por edhe ato vendore, thuhet se statusi përfundimtar politik i Kosovës nuk mund të diskutohet para se Kosova t'i ketë organet e veta legjitime që do t'i përfaqësonin interesat e saj.
Kosova, në anën tjetër, ka një përvojë të hidhur me kushtetutat e saj të deritashme. Ndonëse e prapambetur dhe pa 'pushtet' të mirëfilltë, pas Luftës së Dytë Botërore Kosova ka patur disa kushtetuta, të cilat suksesivisht deri më 1989 kanë shënuar hapa të vegjël të evoluimit të saj në një entitet të veçantë brenda kufijve të ish Jugosllavisë së Titos. Kushtetuta më e "famshme" ishte ajo e vitit 1974, me të cilën Kosova kishte fituar një shkallë të lartë të 'autonomisë'. Pas kësaj kushtetute, ajo kishte përjetuar edhe "fazën e vetme të ndërtimit dhe përparimit". Por, më 1989 kjo kushtetutë u rrënua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i cili Kosovës ia mori të drejtën për të pasur kushtetutë, por vetëm "statut" - ku do të përcaktoheshin "të drejtat e saj"...
Në fillim të viteve '90 shqiptarët e hartuan vetë një kushtetutë, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, me të cilën Kosovën e shpallën Republikë, por ajo asnjëherë nuk u njoh nga faktorët politikë ndërkombëtarë. Megjithatë, ata pohojnë që ajo të paktën ishte një kushtetutë e rezistencës, ndërsa sot për Kosovën duhet të nxirret një kushtetutë e re në hap me trendet e reja të zhvillimit politik.
Por, trendet e reja ende nuk e pranojnë një "kushtetutë" të mirëfilltë për të!
AIM Prishtinë, Besnik BALA