Riparim apo "pastrim i pluhurit"
Prishtinë, 23.01.2001.
Edhe pas investimit të 80 milionë DM për bërjen e remontit të përgjithshëm të njërit bllok të termocentralit "Kosova B", Kosova nuk ka rrymë. Reduktimet janë bërë përditshmëri dhe, me rënien e temperaturave, ka rrezik që pjesa më e madhe e ditës të kalojë me mungesë të energjisë elektrike.
Për shumëkë kjo mund të jetë befasi, ngase UNMIK-u, përkatësisht departamentet e tij, së bashku me Agjencinë për Zhvillim Ekonomik dhe Rindërtim premtuan se këtë dimër do të ketë mjaft rrymë, kryesisht nga burimet kosovare, së paku në raportë gjysmë-gjysmë.
Ndonëse sivjet gjendja është paksa më e mirë, njerëzit frikësohen se mos do të përsëritet gjendja e vjetme, kur termocentralet nuk e përballonin kërkesën e konsumatorëve, madje rëniet nga sistemi ishin gati të përditshme. Problemi ndërlikohej edhe më shumë kur dihej se nga aspekti teknik sistemi energjetik i Kosovës nuk ishte i gatshëm as të importojë rrymë. Dështuan negociatat për aktivizimin e një termocentrali në Maqedoni, ndërsa importi nga Greqia nuk mund të realizohej për shkak se rrjeti elektrik i Maqedonisë "nuk mund ta duronte këtë ngarkesë".
Edhe pse dimri i sivjetëm filloi me shpresa më të mëdha dhe 80 milionë DM të investuara në termocentrale, si edhe me punë mjaft vëllimore në mihjet sipërfaqësore të qymyrit, megjithatë në esencë gjërat lëvizën shumë pak. Burim kryesor i rrymës elektrike është importi, kurse në rast të vënies në punë tre-katër gjeneratorë të termocentraleve përnjëherësh, atëherë nuk do të kishte qymyr.
Pas punës tremuajshe doli se "remonti i përgjithshëm i Bllokut të Dytë të TC 'Kosova B'" ishte vetëm i pjesshëm, siç pohojnë burimet kosovare dhe ato ndërkombëtare të pranishme në Kosovë. Sipas tyre, kontraktuesi ka lënë shumë mangësi dhe punë të pakryera gjer në fund, ndërsa shenjat e para të tyre u shfaqën kur shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, me shtypjen e një pulle shënoi simbolikisht vënien e sërishme në prodhim të këtij blloku. Starti, sipas inxhinierëve në TC, ishte shumë i vështirë dhe përplot me probleme, kështu që blloku i dytë i riparuar nuk arriti të qëndrojë në këmbë më shumë se 13 orë. Brenda një kohe të shkurtër, ky bllok kishte rënë nga sistemi së paku edhe katër herë.
Fituesit e tenderit, konsorciumi National Power - Alstom, e nisi punën më 18 gusht, për ta dorëzuar bllokun e riparuar më 8 dhjetor. Kontratën e kishte nënshkruar Agjencia Evropiane për Rindërtim, e cila e kishte siguruar donacionin në lartësi prej 80 milionë DM. Por, konsorciumi EDF, pas përfundimit të riparimit, shënoi 35 vërejtje për mospërmbushje të detyrimeve të përcaktuara me kontratë, që gjithashtu nuk e siguronte një riparim të plotë.
Udhëheqësit e TC "Kosova B", ndërkaq, radhitën jo më pak se tri faqe të dendura me plot vërejtje. Tenderi parashihte që blloku të aftësohet për gjenerimin e 350 MW, por me kontratë konsorciumi obligohet që të bëhet aftësimi i tij për prodhimin e 85 për qind të kësaj sasie, përkatësisht të 275 MW, ndërsa blloku deri tani nuk ka qenë në gjendje asnjëherë që të prodhojë më shumë se 220 MW energji elektrike. "Blloku, thjesht, nuk është aftësuar që të përballojë prodhimin e 275 MW energji elektrike, që rezultonte në kontratë", thotë drejtori teknik i TC "Kosova B", z.Shefqet Avdiu. Sipas Avdiut, pas tre muajsh pune, "janë aftësuar si duhet vetëm turbina dhe sistemi i ngrohjes së brendshme, ndërsa pjesët tjera janë shikuar vetëm pjesërisht".
Mirëpo, z.Walter Zimmer, nga Agjencia Evropiane për Rindërtim thotë se është e nxituar të thuhet se kontraktuesi nuk i ka përmbushur të gjitha obligimet e marra përsipër. "unë kam inicuar një grup të pavarur që do ta bëjë vlerësimin dhe vetëm atëherë do ta kemi një pasqyrë të qartë të asaj që është bërë. Por, kontraktuesi e ka përmbushur afatin kohor për kryerjen e punëve", thotë z.Zimmer, na AER-i, që e ka shpallur tenderin për "riparimin e përgjithshëm të Bllokut B2". Po ashtu, ai nuk e ka pranuar as saktësinë e cilitdo argument të dhënë më lart pa u kryer paraprakisht ky vlerësim, i cili planifikohet të përfundojë në fund të këtij muaji.
Por, në opinionin e këtushëm janë shtruar pyetje se a janë shpenzuar 80 milionë marka, apo më pak. Nga kjo shumë e parave, sipas drejtorit teknik të TC "Kosova B", rreth 3-4 milionë DM janë shpenzuar për pagat e rreth 300 punëtorëve të termocentralit, përfshirë këtu edhe inxhinierët pjesëmarrës në projekt.
Në bazë të standardeve ndërkombëtare, për prodhimin e 1Mwh energji elektrike duhen një milion dollarë, ndërkaq remonti i përgjithshëm i termocentralit kushton 3-5 për qind të shumës së investuar. Sipas kapacitetit që ka, blloku i dytë i këtij termocentrali do të kushtonte 350 milionë dollarë, kurse riparimi rreth 17.5 milionë dollarë, apo 35 milionë DM. Sipas kësaj llogarie, riparimi ka kushtuar dy herë më shumë nga çmimi i pranueshëm për standardet e tilla.
Mirëpo, z.Zimmer thotë se megjithatë nuk është paguar më shumë se ç'duhej. Për më shumë, ai shton se deri tani kontraktuesit i janë paguar vetëm 26 milionë nga shuma e kontraktuar prej 40 milionë euro, dhe se paratë tjera do të paguhen vetëm kur të vërtetohet se riparimi është bërë në përputhje me kontratën.
Sidoqoftë, që nga nënshkrimi i kontratës ndërmjet AER-it dhe konsorciumit Natonal Power&Alstom, ishte e qartë se ajo nuk do të siguronte një riparim të përgjithshëm, pasi që shumë gjëra në të ishin definuar në mënyrë shumë të përgjithësuar dhe në shumë raste mungonin detajet, pohojnë zyrtarët në KEK.
Kështu, stafi udëheqës i TC "Kosova B", menjëherë pas marrjes së kontratës kishte paraqitur vërejtjet e veta. "Përgjithësisht, vërejtja jonë ka të bëjë me faktin që në pjesën e punëve të parapara në kazan dhe në thëngjill nuk janë kontraktuar shumë pjesë dhe pajime, të cilat janë paraparë në kërkesat tona dhe që janë evidentuar nga grupi punues i Agjencisë për Rindërtim të BE-së më 30 prill", shkruan midis tjerash në një ankesë të KEK-ut, nënshkruar nga drejtori teknik që në muajin gusht, dhe që atëherë ishte dërguar edhe në adresë të AER-it, të UNMIK-ut dhe të EDF-së.
Riparimin jo të plotë të bllokut e kishte verifikuar para disa ditësh edhe vetë udhëheqësi i ri i Departamentit për Shërbime Publike. Sipas z. Joe Trutschler, një pjesë e gjërave kanë mbetur për t'u riparuar këtë pranverë, tok me riparimin e përgjithshëm të Bllokut 1 të TC "Kosova A".
Mirëpo, problemi më i madh tani në Kosovë është konsumi i pakontrolluar i energjisë elektrike. Në rrjet, brenda ditës dërgohen afro 700 Mwh energji elektrike, kryesisht nga importi (Bullgaria dhe Mali i Zi). Kosova këtë sasi të energjisë elektrike nuk e shpenzonte as kur ishte aktive industria e saj dhe harxhuesit e mëdhenj të energjisë elektrike. Që gjendja të jetë edhe më e keqe, rreth 40 për qind e kësaj energjie humbet, përkatësisht nuk evidencohet fare. Prandaj, janë të kuptueshme vërejtjet se me mënyrën si sillen kosovarët ndaj këtij produkti, ata edhe mund të mbesin pa të. Pastaj, si do të bëhej riparimi apo financimi i zakonshëm i punës së termocentraleve - pa donacone - dhe me një shkallë shumë të ulët të pagesës së energjisë së shpenzuar nga konsumatorët, siç po ndodh aktualisht?
Ndër problemet kryesore që, siç duket, gjatë kohë nuk do të gjejë zgjidhje, është pagesa e energjisë së shpenzuar. Siç pohon Korporata Elektroenergjetike e Kosovës, gjithsej 20 për qind e qytetarëve e përmbushin këtë obligim të tyre. Një pjesë e tyre, në të vërtetë, nuk ka kurrfarë të ardhurash për të paguar, ndërsa shumë të tjerë konsiderojnë që këtë obligim nuk duhet ta kryejnë "sepse edhe ashtu restriksionet e dritave janë gati të përhershme dhe të gjata..." Për të gjitha këto arsye, gjithnjë e më shumë ka të tillë që nuk parashikojnë ditë më të mira. Ekziston droja se dimri i ardhshëm do të mund të jetë edhe më i rëndë.
AIM Prishtinë, Ibrahim REXHEPI