Sfidat për Haekkerupin

Pristina Jan 26, 2001

Prishtinë, 17.01.2001.

Administratori i ri i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, danezi Hans Haekkerup, ua "zuri frymën" shqiptarëve të Kosovës që ditën e parë të punës në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës, një trup ky që synon të lozë rolin e qeverisë. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, ai deklaroi se po "shqyrtonte të gjitha modalitetet për të hapur sa më shpejt që të jetë e mundur një zyrë të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Beograd". Ndonëse nuk e saktësoi ndonjë datë të fillimit të punës të kësaj zyre, ai tha se "kjo do të jetë shumë e rëndësishme për vendosjen e marrëdhënieve me Beogradin". Kolegët e tij shqiptarë, posaçërisht kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, e kanë kundërshtuar rreptësisht dhe e kanë quajtur "të nxituar" këtë vendim të administratorit të ri, i cili bëri që dita e parë e punës së përbashkët të jetë edhe dita e parë e "përballjeve" të rrepta politike. Është më se e sigurt se të gjithë anëtarët e Këshillit të Përkohshëm Administrativ do t'i ketë "marrë malli" për paraardhësin e Haekkerupit, Bernard Kouchnerin, i cili përkundër natyrës së tij 'entuziaste dhe jo rrallë të rrëmbyer', asnjëherë nuk është ngutur në raport me Beogradin. Ata kishin pasur ndonjëherë edhe me zotin Kouchner çaste të 'pakëndshme', por doktori francez, njeri i të drejtave të njeriut, kishte bërë që kosovarët të ndjeheshin 'fatlumë' me zgjedhjen e tij. Megjithëse Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e njeh sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën, administratori Kouchner, në pajtim edhe me background-in e tij politik e intelektual të mëparshëm, i kishte kuptuar proceset në Kosovë si dekolonizuese, thonë vëzhguesit në Prishtinë.

Kosovarët, ndërkaq, dinë shumë pak për z. Haekkerup. Deri tash u është thënë se ai ishte "një përkrahës i zjarrtë i fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë". Vëzhguesit, para arritjes së tij në Kosovë, thanë se me përvojën e tij si njeri i ushtrisë (ministër i Mbrojtjes i Danimarkës për 8 vjet me radhë) do të jetë më i kufizuar nga pesha e dokumenteve zyrtare ndërkombëtare dhe nuk do të mund ta ketë 'sensin' e Kouchnerit për t'i tejkaluar caqet e Rezolutës 1244 në funksion të përshpejtimit të procesit politik. Si për ta vërtetuar këtë, ai me të arritur në Kosovë tha se "do t'i përmbahet në tërësi Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara". Diplomatë perëndimorë janë cituar në shtypin lokal të kenë thënë se "është Rezoluta 1244 ajo që i dha fund luftës në Kosovë dhe ajo që njëkohësisht e bën të vështirë punën e administratorit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë". Sipas tyre, ai në njërën anë duhet të sigurojë sovranitetin "jugosllav", siç e parasheh Rezoluta, ndërsa në anën tjetër duhet t'i bindë shqiptarët e Kosovës se e ardhmja e tyre do të jetë e sigurt. Një punë kjo tepër e vështirë për ta mbajtur barazpeshën tepër të brishtë...

Megjithatë, ende është heret të flitet për punën e administratorit të ri, por dita e parë e veprimit të tij shqiptarëve ua kujtoi atë fjalën e urtë se "dita e mirë shihet që në mëngjes". Dhe, droja e tyre mbështetet në faktin se "mëngjesi i zotit Haekkerup gdhiu me sytë drejt Beogradit..." Paraardhësi i tij e kishte gjithmonë parasysh se në relacionet Prishtinë-Beograd, siç shprehej ai, ishte një 'mur gjaku'!

Por, jo çdo gjë ishte aq e zymtë në paraqitjen e zotit Haekkerup. Ai tha se ndër prioritetet e punës së tij është organizimi i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Mirëpo, ai tërhoqi vërejtjen se kjo mund të bëhet vetëm pas hartimit dhe miratimit të një kornize ligjore një term ky që 'zëvendëson' fjalën kushtetutë) që do ta mundësonte zgjedhjen e një parlamenti, trupi ekzekutiv apo një qeverie të përkohshme, të cilat do ta çonin Kosovën drejt një 'autonomie substanciale'. Sipas tij, këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me statusin politik përfundimtar të Kosovës dhe se "ai do të mbetet i përkushtuar në zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit..."

Por, një 'mal' i tërë problemesh dhe çështjesh të hapura e presin administratorin e ri në Kosovën me një paqe tejet të brishtë dhe me armiqësi të rënda, të trashëguara nga e kaluara, ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha: shqiptarëve dhe serbëve. Të parët, thonë vëzhguesit, do ta vënë me 'shpinë për muri' atë që të punojë në lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të të gjithë të burgosurve nga burgjet e Serbisë dhe për ndriçimin e fatit të mijëra shqiptarëve të tjerë që konsiderohen për të zhdukur. Madje, trysnia e tyre do të shtohet posaçërisht pas paralajmërimeve të Haekkerupit për të 'vendosur marrëdhënie me Beogradin'. Po ashtu, trysnia do të jetë e fuqishme edhe për të ribashkuar qytetin e ndarë të Mitrovicës, i cili edhe pas 18 muajsh nga hyrja e forcave paqeruajtëse ka mbetur i ndarë më dysh, veriu - i dominuar nga serbët dhe jugu - i dominuar nga shqiptarët...

Serbët e Kosovës, ndërkaq, do të bëjnë presion mbi administratorin e ri për t'u përqendruar më shumë në vendosjen e lirisë së lëvizjes dhe sigurisë për këtë komunitet, si dhe për ta ndihmuar dhe përshpejtuar kthimin e serbëve të larguar pas përfundimit të luftës, midis tjerash edhe nga frika e halmarrjes së shqiptarëve.

Deri tani komentet e z. Haekkerup rreth këtyre çështjeve ishin mjaft të kufizuara. Ai tha se "çështjet e sigurisë dhe dhuna mbeten ndër detyrat parësore". Ndërsa, për kthimin e serbëve të shpërngulur, ai tha se "duhet kohë për realizimin e çfarëdo plani të mundshëm..."

I magjistruar në arte dhe ekonomi dhe me një karrierë të suksesshme prej njeriu të mbrojtjes, zoti Haekkerup duket se në Kosovë do të përballet e atë thënien e vjetët dhe të stërpërdorur, se "politika është një art i të mundshmes"! Misioni i paraardhësit të tij, Bernard Kouchner, shumë herë është quajtur "i pamundshëm", por ai shumë gjëra i bëri të mundshme. Çfarë do të mund të bëjë Haekkerup, mbetet të shihet, por një gjë është e sigurt: "Problemet e Kosovës nuk janë djathë i butë dhe i shijshëm danez..."

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA