Rirreshtimet e para politike
15.01.2001.
Rezultatet, për dikë të paparashikueshme, me të cilat përfunduan zgjedhjet lokale të vjeshtës së shkuar në Kosovë, si dhe paralajmërimi për mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve të përgjithshme, kanë detyruar partitë dhe personalitetet e ndryshme politike të Kosovës, të rishqyrtojnë pozicionet e tyre politike dhe të mendojnë për t'ju bashkuar partive dhe aleancave më të fuqishme. Natyrisht, Lidhja Demokratike e Kosovës e Dr. Ibrahim Rugovës, i cili për dhjetë vjet me radhë e kishte luajtur rolin kryesor në politikën kosovare, nuk ka nevojë për brengosje të madhe. Fitorja bindëse që shënoi kjo parti në zgjedhjet lokale, më shumë në kurriz të gabimeve të të tjerëve se sa si rezultat i punës së saj, siç dëshirojnë ta vlerësojnë disa analistë këtu, është vazhduar me inercionin e ngritjes së kësaj partie në një forcë të palëkundshme politike. Nga ana tjetër, partia e dytë për nga numri i votave, ajo e ish-liderit të drejtorisë politike të Ushtrtisë Çlirimtare të Kosovës, duket se është lodhur nga fushata e zellshme e vjeshtës dhe nga rezultatet shumë më të dobëta se pritjet. Ata tani, thonë po këta analistë, "duan të luajnë lojën" e Dr. Rugovës dhe presin të fitojnë në kurriz të dështimeve të LDK-së së dr. Rugovës nëpër komuna.
Forca e tretë nga numri i votave në zgjedhjet lokale dhe njëkohësisht forca më e re politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr gjithashtu nga një lider i ish luftëtarëve shqiptarë, Ramush Haradinaj, duket se megjithatë po merret me vetveten. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak lëvizjeve të shumta dhe hyrje-daljeve të partive dhe individëve në dhe nga kjo aleancë që tubon disa parti politike, kryesisht kundërshtare të zotit Rugova edhe para luftës në Kosovë. Para pak ditësh, Naim Maloku, kryetar i Partisë Qendra Liberale e Kosovës dha publikisht dorëheqje (të pazakontë) nga partia të cilën e udhëhiqte dhe i bëri kërkesë publike për ta pranuar në partinë e tij, zotit Haradinaj, i cili sipas marrëveshjes së mëparshme i dëshiroi mirëseardhje. Nga ana tjetër, zoti Maloku nuk kishte arritur të fitonte përkrahjen e nevojshme në partinë e tij, ku ishte kundërshtuar fuqishëm. Njerëz të kryesisë së kësaj partie që kishin harxhuar mjaft nga kapitali i tyre material dhe moral për këtë parti, aleancën ndërmjet Malokut dhe Haradinajt e kuptuan në të vërtetë si një aleancë kundër zotit Hashim Thaçi, i cili thuhet të përballet me një krizë brendapërbrenda partisë së tij. Zoti Maloku, një nga njerëzit e rrallë në hierarkinë e UÇK-së që dikur kishte përkrahur publikisht zotin Rugova, gjatë fushatës parazgjedhore në vjeshtën e kaluar ishte kritikuesi më i ashpër i politikës së Lidhjes Demokratike dhe të zotit Rugova, ndërsa programi i tij politik ishte shumë i afërt me partinë e zotit Thaçi. Për lojalitetin e treguar, partia e zotit Thaçi i pati "huazuar" me zemërgjerësi partisë së zotit Maloku postin e bashkëdrejtuesit të departamentit shumë të rëndësishëm të sigurisë dhe të situatave emergjente. I ndeshur tani me kundërshtimin e fuqishëm të bashkëpunëtorëve të tij, zoti Maloku, mllefin e tij publik e zbrazi mbi njeriun i cili "sapo e kishte pranuar në parti", mbi zotin Ramush Haradinaj. Ai, si i zënë në faj, qëndrimet e kryesisë së partisë së tij i transmetoi në mënyrë indirekte, duke ia bërë të ditur zotit Haradinaj se "do ta kesh gabim nëse do të provosh që përforcimin e partisë ta shfrytëzosh për t'i luftuar bashkëluftëtarët". Si për t'u shfajësuar, ish-oficeri i lartë, Naim Maloku, i njohur për kokëfortësi dhe qëndrueshmëri, mendonte para së gjithash në vërejtjen që i kishin tërhequr bashkëpunëtorët e tij të deriatëhershëm për rrezikun e krijimit të një aleance kundër Hashim Thaçit. Mirëpo, shkuarja e zotit Maloku në AAK, duket të ketë nxjerrë në shesh pikërisht ristrukturimet e kësaj aleance artificiale dhe të mbajtur me vështirësi të shumta.
Orientimet e ndryshme politike dhe ideologjike të liderëve të ish-UÇK-së, pas fitores së kundërshtarit të tyre të përbashkët, nuk ka arritur t'i mbajë më bashkë vetëm inercioni. Në këtë mënyrë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë larguar dy parti të vogla me orientime radikale dhe me traditë ilegaliteti. Fillimisht, aleancën e lëshoi Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), që thotë të ketë krijuar nukleusin e UÇK-së. Pakënaqësitë e kësaj partie me aleancën kishin zënë vend që në ditët e para, kur askush nga njerëzit e kësaj partie nuk ishte zgjedhur në strukturat e ngushta drejtuese të aleancës. Në këtë mënyrë LKÇK e kushtëzoi aleancën që njeriu i saj, jo shumë i njohur për opinionin, të kandidohej për postin e kryebashkiakut të Prishtinës, në garë me dy njerëz të fuqishëm nga LDK dhe nga PDK, duke e vënë zotin Haradinaj para aktit të kryer. Menjëherë pas zgjedhjeve, kjo parti dha shenja të qarta pakënaqësie dhe shenja se do të largohej nga Aleanca.
Partia tjetër, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), e ngjashme me të parën, nuk vonoi shumë dhe e mbetur pa krahun e saj, njëkohësisht rival dhe përkrahës, u detyrua të largohej nga Aleanca për shkak të "injorimit që i bëhej". Mirëpo, edhe pse në këtë mënyrë nuk u dëmtua vetë Aleanca, e cila mbahej nga autoriteti ende i fortë i liderit të saj, koncepti fillestar i Aleancës u quajt i dështuar. Në të vërtetë, Aleanca... e formuar me ndikime nga jashtë, ideator i së cilës ishte njeriu i parë i Kosovës gjatë kohës së komunizmit, Mahmut Bakalli, një ndër qëllimet kishte vënien nën kontroll të të dy forcave politike që mund t'i prishnin shumë punë bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, po të mos viheshin nën një kontroll çfarë llogaritej të vendoste zoti Haradinaj me autoritetin e pakontestueshëm prej ish ushtaraku të suksesshëm, aq më tepër kur ende ishin "në modë" luftëtarët.
Rebelimi i aleatëve dhe i Aleancës vetë duket tani më pak i rëndësishëm për ndërkombëtarët, pasi qëllimet janë arritur. Aktualisht, Kosova ka dy forca politike që edhe mund ta rrezikojnë njëra-tjetrën, LDK dhe PDK , dhe një opozitë të përhershme dhe relativisht të fortë. Deklasimi i partive që silleshin herë në një anë e herë në tjetrën është një sinjal i mjaftueshëm për ndërkombëtarët se partitë "e rebelueshme" nuk mund ta kenë mbulesë votën e qytetarëve të Kosovës. Në kohën kur lloogaritet të jetë dobësuar paksa Partia Demokratike e zotit Hashim Thaçi, por jo edhe koncepti i asaj partie, që bartet edhe nga Aleanca, në Kosovë ka nisur të mendohet seriozisht edhe për parcializimin dhe fragmentarizimin e mundshëm të Lidhje Demokratike të Kosovës (disa analistë janë të mendimit se këtu janë përfshirë edhe media të caktuara). Në një periudhë po aq të afërt siç ishte krijimi i aleancës para zgjedhjeve lokale, pritet formimi i një partie tjetër me koncept qytetar, që llogaritet ta mbledhë shtresën e lartë dhe një pjesë të shtresës së mesme sociale e intelektuale të Kosovës, duke i rrezikuar një përqindje të votave partisë së Ibrahim Rugovës. Në fakt, partia e re, në krye të së cilës, siç presupozohet, do të ishin njerëz për shumëkë autoritativë, do ta parcializonte elektoratin potencial të LDK-së, thonë analistë të njohur mirë me këtë iniciativë ende të pabërë publike, që përkrahet edhe nga qarqe ndërkombëtare.
Kjo llogaritet nga iniciatorët e formimit të kësaj partie, kur dihet se LDK-ja do të detyrohet ta bartë në shpinën e saj çmimin e fitores në zgjedhjet lokale, dhe siç presupozohet ata do të përballen me mossukseset evidente të udhëheqjes në nivelin lokal. E njëjta formulë qe aplikuar edhe me rastin e strukturave të dala nga lufta, të cilat udhëhiqnin me qeverinë e përkohshme të Kosovës, në kohën kur nuk mund të kishin një pushtet real qoftë për shkak të infrasktrukturës tërësisht të shkatërruar nga lufta, qoftë për shkak të pranisë së fortë ndërkombëtare, të cilën ato e shihnin si pengesë në realizimin e projekteve të veta.
Më e çuditshmja në skenën politike aktualisht është PDK-ja, tek e cila nuk është vërejtur ndonjë lëvizje në sipërfaqe, edhe pse zgjedhjet praktikisht për të kanë qenë të humbura. Ajo që është quajtur "tërheqje taktike" e zotit Thaçi, i cili ka munguar më shumë se një muaj në Kosovë, nga njëra anë ka krijuar hapësirë për spekulime për krizë brenda partisë, të cilën zyrtarët e saj e kanë mohuar, dhe nga ana tjetër, thonë kundërtshtarët politikë të LDK-së së zotit Rugova, i ka krjiuar asaj mundësinë për ta shtuar elektoratin në zgjedhjet e ardhsme.
Mirëpo, rezultati i vërtetë i këtyre rirreshtimeve dhe lëvizjeve do të varet nga data e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, respektivisht a do të arrijnë të tërheqin ithtarë të rinj partitë ekzistuese pas këtyre lëvizjeve, si dhe ndonjë parti e re që do të krijohej në ndërkohë, d.m.th., a do të kenë liderët e tyre t'i ofrojnë diçka të re elektoratit kosovar. Dhe, e dyta, në qendër të vëmendjes presupozohet se do të jetë zbatimi i mundshëm i një kodi zgjedhor të ri (një lloj kombinimi i mazhoritarit me proporcionalin). Gjithsesi, një sfidë për të gjithë ata që konsiderojnë se mund të jenë më të mirë nga parardhësit...
AIM, Prishtinë, Rrahman PAÇARIZI