Familja Tugjman padit shtetin
Aim, Zagreb, 23.1.2001.
Familja e kryetarit të ndjerë kroat Franje Tugjman e ka paditur shtetin kroat. Familja Tugjman – bashkëshortja Ankica dhe fëmijët Mirosllav, Nevenka dhe Stjepan – kërkojnë që transkriptet famoze nga oborri presidencial të konsiderohen si pronë private dhe tu dorëzohen atyre, ngase u takon “e drejta autoriale”.
Familja kërkon 17 mijë dokumente, përmbajtjet e shënimeve elektronike dhe 100 audio-shënime edhe mëtej të pazbardhura. Ata pohojnë se dokumentet do t'i trajtojnë si pronë trashëguese të të ndjerit. Ata thirren në këto argumente: bisedat në Pantovçak janë inçizuar vetëm me vendim të Franje Tugjmanit, për nevojat e veta personale, prandaj, ja kjo është pronë private. Familja Tugjman kërkon që gjyqi të sjellë masa të përkohëshme, gjegjësisht ndalimin e botimit të dokumenteve në fjalë, sepse, siç thonë ata, muajve të kaluar me botimin e tyre familjes i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm.
E drejta e posedimit të bisedave të transkiptuara për familjen Tugjman, xhirimin e të cilave e kishte opsesion, mund të konsiderohet si një shenjë falje të të gjithëve, madje edhe të kritereve morale të familjarëve të parë të ish-kryetarit. Kjo familje gjatë dhjetë viteve të fundit tregoi se nuk e njeh kufirin mes asaj që quhet private dhe e përgjithshme, publike dhe e fshehtë. Shtetin e trajtuan si pronë të tyre. Ngazëllimi i Tugjmanit "Kemi Kroacinë!", u kuptua fjalëpërfjalshëm nga familja e tij. Ajo ashtu siç sillej kur pater familias ishte gjallë ashtu sillet edhe tani.
Juristët paralajmërojnë se është e palogjikshme që familja të kërkojë të drejtën e marrjes së dokumenteve. Tugjmani bisedat i ka inçizuar si shef i shtetit, në vendin e punës, jo në shtëpi, prandaj pohimet për të drejtat autoriale dhe pronën familjare absolutisht nuk qëndrojnë. Tugjmani rregullisht i fuste në përdorim mikrofonat pa i njoftuar bashkëbiseduesit. Tani paraqiten individë që u ndodhi kjo gjë dhe pohojnë se edhe ata mund të kërkojnë bisedat e tyre të bëra me kryetarin e ndjerë. Opinioni publik e ka të qartë pohimin e familjes Tugjman se me botimin e transkripteve do tu bëhet dëm i konsiderueshëm. Sepse bisedat e zbardhura përmbajnë mjaft fshehtësi të ndyta të pushtetit të Tugjmanit, gjegjësisht të dhënat se si funksiononte pushteti kriminel. Ky zbulim nuk rrënon vetëm Franje Tugjmanin, por hija bie edhe mbi familjen. Shteti juridik mund të interesohet edhe për pasardhësit e tij, që janë kompromituar dhe kanë pasur përfitime të shumta.
Gjithashtu kjo tregon për një cinizëm të padëgjuar të familjes Tugjman. Qeveria, kaherë vendosi që në Pantovçak dokumentet e pikasur të transferoheshin në arkiv dhe të trajtohen në të ardhmen si pjesë e historisë. Megjithatë, disa mediume kanë zbuluar se më parë familja Tugjman dhe BDK-ja kanë zhdukur grumbullin e dokumenteve më të besueshme. Pas vdekjes së Tugjmanit dhe para dorëzimpranimit të pushtetit nga Oborri u mbartën disa qindra transkripte, procesverbale dhe shiritave të inçizuar. Është fjala për bisedimet e ish-kryetarit të shtetit me bashkëpunëtorët më të ngushtë. Dokumentet partiake dhe private përshkruhen si dokumente më delikate të bisedimeve të Tugjmanit me shefat e policisë, shërbimeve sekrete dhe me këshilltarët e tij më famëkeq. Kështu BDK-istët (Bashkësia Demokratike Kroate) dhe familja Tugjman edhe njëherë vërtetuan reputacionin e kampionëve të hipokrizisë. Me zë të lartë lëshojnë britma kundër botimit të paautorizuar të dokumenteve të Tugjmanit, kurse vet vodhën byronë presidenciale dhe pa autorizim kanë në disponim dokumentacionin shtetëror. Në vend se të përgjigjen shkaku i uzurpimit të arkivit të shefit të shtetit, ata tani padisin shtetin duke kërkuar të marrin atë që assesi nuk duhet tu takojë.
Si qëndrojnë punët, para së gjithash familja Tugjman do të potencojë kërkesat e veta që mos detyrohen të kthejnë atë që vet e morrën. Së pari, ato padisin shtetin, por shteti për jetërsimin e dokumenteve nuk i padit. Sipas gjitha gjasave nuk don. Së dyti, praktika tregon se familja Tugjman edhe më tej është e privilegjuar. Privilegjin e tyre nuk e ndërpreu pushteti i ri. Ata si familje tentojnë të jenë faktor i rëndësishëm politik. Me siguri, në këtë mënyrë, ata tentojnë të ruajnë pasurinë materiale.
Zonja mëmë nuk pushon duke u marrë me punë humanitare. Përmes mbulesës "Ndihmë fëmijëve të Kroacisë" u zhvillua biznesi i pa kontrolluar nga askush. Selia është në një vilë luksoze të oborrit presidencial. Ndërtesa i takon Ministrisë së mbrojtjes, por përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme se do të bëhet revizion për këtë dhe për aranzhmane tjera, Ankica Tugjman edhe mëtej nga vilat shtetërore “shpëton” fëmijët kroat.
Vajza Nevenka dhe djali Stjepan, gjatë dhjetë viteve të kaluara e shtrinë gjërësisht biznesin privat. Tani mbase me apetite më të vogla, por atë që e kanë fituar askush edhe mëtej nuk ua prek. Ashtu si në rastet kur u ngrit padi penale ndaj disa anëtarëve të familjes që nuk vlejti ashtu siç vlen për qytetarët tjerë kroat. Në fillim të vitit të kaluar kundër Nevenkës u ngrit padi për kriminalitet, por hetimet zhvillohet ngadalë, kurse ministri i policisë urdhëroi që ajo të mos merrej në pyetje, edhe pse sipas vlerësimeve të të gjithë të nënrenditurve për këtë gjë ekzistonin të gjitha arsyet.
“Princi më i vjetër” trashëgimtar, Mirosllavi, i cili në kohën e babait ishte shef i shërbimeve sekrete, tani tenton të bëjë karierë politike. Formoi Shoqatën për Identitetin dhe Prosperitetin Kroat, kurse mbiemrin e vet e ofron si program politik. Pohon se grupimi i tij paraqet alternativën e vetme për shpëtimin e Kroacisë. Përmes fjalëve pranon se politika e BDK-së ishte e gabueshme, por e sulmon ashpër vetëm pushtetin e tanishëm në të cilin, sipas tij, nuk vlen asgjë. Llogarit në përkrahje të ndryshme, në grupacionet e lidhura emocionalisht dhe materialisht me pushtetin e vjetër: bdk-istët e zhgënjyer, një një numër pjesëtarës nga Lufta Atdhetare të dalë nga shoqata, një pjesë nga ushtria dhe shërbimet sekrete. Atë e përkrah edhe pjesa djathtiste e Kishës, që ia ofron për shërbim infrastrukturën e vet.
Shkaku i sjelljes së tij, shkaku i agresivitetit të familjes së ish-shefit të shtetit, madje tërheqja e pushtetit aktual, në opinionin kroat gjithnjë e më tepër ka zgjuar pohimet se është arritur një marrëveshje e madhe xhentëlmene mes tugjmanëve të bankrotuar dhe garniturës pushtetore të dikurshme. Versioni radikal i këtij versioni është teza se kjo marrëveshje e fshehtë ka vjetërsi dhjetëvjeçare, e arritur në vitin 1990.
AIM Zagreb
JELENA LOVRIÇ