Uraniumi i parrezikshëm!

Pristina Jan 26, 2001

Prishtinë, 12.01.2001.

Afera e të ashtuquajturit "sindromi ballkanik" e lidhur me uraniumin e varfëruar duket se 'varfëroi' në radhë të parë shumë miqësi e aleanca gjithandej Evropës, ndërsa Kosovën e solli sërish në faqet e para të gazetave dhe e vuri atë në qendër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare. Vdekja e gjashtë ushtarëve italianë që kishin shërbyer në misionet paqeruajtëse në Ballkan nga pasojat e leukemisë, ishte filli i zhurmës së madhe për rrezikun e nga shtimi i radioaktivitetit në Kosovë dhe, për pasojë, frikën për shëndetin e paqeruajtësve dhe të popullatës civile. Gjatë fushatës së bombardimeve kundër caqeve të ushtrisë serbe në Kosovë, NATO tha se ka përdorur predha me uranium të varfëruar, por menjëherë hodhi poshtë çdo mundësi që ai të jetë i rrezikshëm për shëndetin e ushtarëve apo të popullsisë civile. Sipas ekspertëve, kryesisht atyre amerikanë, të Aleancës Veriatlantike vetë termi "uranium i varfëruar" dëshmon se nuk bëhet fjalë për ndonjë sasi të madhe të prezencës së tij në vendet ku është përdorur.

Edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara për Kosovën tha se nuk ka njoftime për ndonjë shkallë të lartë të radioaktivitetit, ndërsa "analizat kanë dëshmuar se numri i rasteve të leukemisë dhe kancerit nuk është rritur gjatë katër vjetëve të fundit në Kosovë". Madje, të dhënat e mbledhura në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës flasin për një rënie të të sëmurëve nga leukemia ë vitin 2000. Ekspertët lokalë dhe ata të Misionit të Kombeve të Bashkuara hodhën poshtë "çdo lidhshmëri të argmentuar midis uraniumit të varfëruar dhe kancerit apo leukemisë, qoftë te personeli ndërkombëtar, qoftë te popullata civile".

Administratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Bernard Kouchner, tha se nuk e sheh këtë çështje si një problem emergjent "por, dua të jem i qartë dhe shumë serioz, meqë njerëzit mund të jenë të kërcënuar dhe për këtë ne duhet të jemi shumë seriozë". Kouhneri e ka vizituar Klinën, ku është përdorur municioni me uran të varfëruar dhe ka prezentuar në aksionin e matjes së radioaktivitetit të caqeve të qëlluara dhe trollit përreth. Matjet i kanë kryer ekspertët italianë, të cilët kanë vërtetuar që në ato lokacione niveli i radioaktivitetit është në kufijtë e normales. Më pas, Kouchneri ka deklaruar që si ish-ministër i shëndetësisë, megjithatë, i qaset kësaj çështjeje me seriozitet. Ai ka konstatuar se është e pamundur të merren të dhëna të sakta mbi gjendjen e përgjithshme shëndetësore të popullatës së Kosovës, sepse në spitalin shtetëror nuk ekziston një dokumentacion i saktë, duke mos e përjashtuar mundësinë që qytetarë të sëmurë të kenë kërkuar ndihmë tek institucionet shëndetësore private ose jashtë vendit, për çka nuk ekzistojnë kurrfarë të dhënash. Kouchneri është njëri nga iniciatorët që në Kosovë të vijnë ekspertë të pavarur që do ta hulumtonin nivelin e radioaktivitetit, si dhe që Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) t'u ofrojë ndihmë institucioneve shëndetësore këtu rreth hulumtimit të gjendjes shëndetësore të popullatës lokale nga pasojat e mundshme të përdorimit të uranit të varfëruar. Qëllimi i kësaj është, siç ka theksuar edhe vetë ai, që të përjashtohen shpekulimet e panevojshme.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë kërkuan që në ekipet e ekspertëve të mos përfshihen njerëzit nga ato vende që kanë bërë më së shumti zhurmë rreth kësaj çështjeje, për të cilën ata besojnë se më shumë është "propagandë". Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i njohur si udhëheqës i moderuar, ishte në krye të reagimeve më të "ashpëra". Ai, thjesht, tha se "kjo është propagandë e atyre qarqeve dhe vendeve që ishin kundër fushatës ajrore të NATO-s dhe të cilat janë kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës". Ai i "la pa mend" vëzhguesit me aludimin e qartë në Italinë, posaçërisht për faktin që ajo i kishte ofruar atij strehim gjatë kohës së luftës dhe menjëherë pas saj. Aq më tepër që deklarata e tij u bë pas bisedimeve që kishte zhvilluar me zëvendësministrin italian të Mbrojtjes, Marko Minitin. Përfaqësuesit shqiptarë thanë se zhurma për uraniumin "i ka shkaktuar mjaft dëme Kosovës dhe kjo është pjesë e synimeve për largimin e NATO-s nga Kosova". Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Jonuz Salihaj, tha se "është ngritur shumë pluhur pothuajse për asgjë, ndërsa harrohen probleme më të rënda që dëmtojnë shëndetin e popullatës", duke përmendur artikujt ushqimorë që hyjnë në Kosovë pa kurrfarë kontrolli, apo materialet ndërtimore të importuara nga vendet e ish Bashkimit Sovjetik, për të cilat pohohet se bartin një bagazh të rëndë radioaktiviteti.

Çështja e uraniumit të varfëruar është përmendur që në nëntorin e vitit të kaluar, kur ekspertët e Programit për Mjedisin të Kombeve të Bashkuara kanë regjistruar 8 lokacione me prezencë të shtuar të uraniumit, të cilat ndodhen kryesisht në Kosovën jugore dhe atë perëndimore. Mirëpo, pas hulumtimeve të fundit, është pohuar se besohet të jenë mbi 100 lokacione të tilla, nga të cilat 30 janë nëpër fusha të minuara, ku qasja e ekspertëve është e pamundur. Megjithatë, për shkak të kërkesave të shumta, misioni do të detyrohet të "izolojë" zonat me prani të shtuar të uraniumit.

Ekipe të reja ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë kanë filluar fushatat e hulumtimeve gjithandej Kosovës, ndërsa shenjimi i vendeve me prani të uraniumit po bëhet suksesivisht, varësisht nga "kërkesat" e vendeve që kanë dërguar ushtarë për ta ruajtur paqen e brishtë në Kosovë. Njerëz me rroba të bardha e me maska po e gjurmojnë "sindromin ballkanik" para syve të opinioneve të tyre që presin "me ankth" të mësojnë "në ia ka kaluar ky sindrom rrezikut të 'lopëve të çmendura'"... Ekspertët shkojnë e vijnë, caktojnë afate të përpilimit të raporteve zyrtare dhe pjesa dërmuese thonë se "niveli i radioaktivitetit në Kosovë është një mijë herë nën shkallën e lejuar". Të gjitha pohimet për mundësinë e sëmurjes së paqeruajtësve nga pasojat e uraniumit janë hedhur poshtë, meqë "për të regjistruar simptomet e para të një ndikimi të tillë nevojitet një periudhë prej dy deri tre vjet", thonë ekspertët e radiologjisë. Madje, edhe numri i ushtarëve që pretendohet të jenë sëmurë për pasojë të ekspozimit ndaj rrezatimit radioaktiv është shumë i vogël dhe nuk lë shumë hapësirë për ndërlidhje me "sindromin..." Ta zëmë, përgjegjësit e ministrisë së mbrojtjes të Francës kanë pohuar se "4 ushtarë të tyre, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, vuajnë nga leukemia". Por, nëpër Kosovë kanë kaluar 20 mijë ushtarë nga ky vend, ndërsa 4 të sëmurë nuk mund të paraqesin kurrfarë dëshmie se ata janë "sëmurë në Kosovë" . Ekspertët ushtarakë këtu shtrojnë nevojën e shqyrtimit të rrethaneve në të cilat ushtarët, për të cilët pohohet se janë sëmurë, i kanë kryer stërvitjet dhe aktivitetet e mëparshme ushtarake.

NATO, ndërkaq, vazhdon të përpilojë raporte të reja dhe të dërgojë njerëz që do të siguronin opinionet e "ndjeshme" perëndimore se në Kosovë nuk ka rrezik për ushtarët e tyre. Aleanca Veriatlantike ka "hequr të zitë e ullirit" për të bindur opinionet e vendeve anëtare të saj për ndërmarrjen e sulmeve mbi caqet ushtarake serbe "në operacionin më të madh humanitar" të saj. Në këtë kuptim nuk janë befasuese akuzat ndaj disa qeverive evropiane për përpjekjen e tyre për t'i dhënë një goditje Aleancës Veriatlantike. Shtypi kosovar, ndërkaq, rregullisht prezenton shtypin e huaj rreth "sindromit ballkanik", si dhe të gazetarëve që përcjellin deklaratat e zyrtarëve nga selia e NATO-s, të cilët drejtojnë gishtin në Beograd që, sipas tyre, po e aktualizon me qëllim këtë temë (bashkë me miqtë e vet evropianë), duke e zgjedhur ashtu edhe momentin e përshtatshëm. Në këtë kuadër është edhe deklarata e zëdhënëses së UNMIK-ut, Suzan Manuel, e cila ka thënë se nuk është e qartë pse po bëhet kaq zhurmë mu tani, kue ekipi i ekspertëve të OKB-së që në nëntor të vitit të kaluar, në një konferencë të posaçme me gazetarë, ka theksuar se janë vërtetuar disa lokacione të kontaminuara në Kosovë, duke shprehur habinë pse kjo e dhënë nuk ka shkaktuar pikërisht në atë kohë kurrfarë interesimi.

Sidoqoftë, kjo është 'afera' më e bujshme që prej hyrjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë, por e cila nuk duket ta ketë frikësuar shumë personelin ndërkombëtar këtu, ndërsa popullata civile duket po aq e qetë, sikur e tërë kjo të ndodhte diku larg saj - në ndonjë vend tjetër.

AIM Prishtinë, Arbnora BERISHA