Kremtimi i “Vitit të ri serb” në Podgoricë
Koncert me Patrijarkun dhe gjeneralin Koncerti që e organizoi dhe e finansoi qeveria federale në bashkëpunim me Partinë Popullore Socialiste, ishte një presion i hapur i forcave unitariste ndaj pushtetit malazez që paralajmëron pavarësinë shtetërore të republikës së vogël jugosllave.
AIM Podgoricë, 15.01.2001.
Jugosllavenizmi dhe flamujt me katër “S”, fotografitë e Sllobodan Millosheviqit dhe komandantit çetnik nga Lufta e Dytë Botërore, Drazhe Mihajlloviqit, disa mijëra duart me tre gishërinj të ngritur, brohoritjet “Jugosllavia” dhe “Serbia, Serbia', si dhe parrulla për bashkimin e popullit serb, ishin kornizat vizuele dhe tonike të pritjes masive të Vitit të Ri “ortodoks”, 13 janarit, në qendrën kryesore të Podgoricës.
Megjithatë, kjo kremte, që sipas llogaritjes arkaike të kohës, sipas kalendarit të braktisur gjeorgjian, që nacionalistët serb, e shpallën “Vit i Ri serb”, nuk ishte aspak spontan, e as që kishte diçka të përbashkët me traditat e kremteve të vitit të ri.
“Pritja” e sivjetme në kryeqytetin e Malit të Zi u finansua nga Qeveria federale, kurse u organizua në bashkëpunim me Partinë Popullore të Socialistëve, nga rradhët e së cilës ishin ish-kryeministri (Momir Bulatoviç) dhe kryeministri aktual (Zoran Zhizhiç).
Ishte koncert në stilin e realitetit ballkanik, përplot absurde. "Zgjedhja muzikore” natën e vitit të ri u dedikohej ithtarëve politikë dhe partiakë. Këngëtarët e folkut dhe popit, erdhën nga Beogradi, kurse prezentimit muzikorë kishin nga një paraqitje të shkurtë, të domosdoshme, politike, mbase sipas skenarit të aprovuar dhe regjisë së caktuar. Folën për bashkimin e pathyeshëm të Serbisë dhe Malit të Zi, për një popull dhe një gjak, për Malin e Zi serb... Këngëtarët përshëndetën të pranishmit nga skena me tre gishta të ngritur, kurse njëri prej tyre (Rade Joroviç) u paraqit, madje, me uniformë ushtarake nga Lufta e Parë Botërore. E gjithë kjo u përshëndet nga publiku me thirrjet "Srbia, Srbia!" me valëvitjen e flamujve, në mesin e të cilëve valonte edhe një me përmasa shumë të mëdha, i Partisë Radikale të Sheshelit. U ndanë edhe trakte përmasash të mëdha me mbishkrimin "Gëzuar Malin e Zi serb", me nënshkrimin "Rinia ortodokse serbe e kuvendit popullor ", një grafikë e krijuar në mënyrë identike me slloganin e njohur propagandistik "Gëzuar Malin e Zi të ri!”. Skena nuk kishte kurfarë zbukurimi, as mbishkrim, vetëm se pas një kënge temperamente serbe, përkrah “Kudo që të shkoj, tek ty do të kthehem, Kosovë”, u lëshuan fishekzjarre, të instaluar nën të.
Politikanët, kreu i Partisë Popullore të Socialistëve dhe disa anëtarë të saj të njohur, nuk u ngjitën në skenë. Qëndruan ose rrinin pupthi para skenës, nën ritmin e muzikës, në një natë podgoricase të ftohtë jo si rëndom. Vëzhguesve të kujdesshëm, megjithatë, nuk u shpëtoj një figurë me veshje civile. Momir Bulatoviçit, Zoran Zhizhiçit, Predrag Bulatoviçit dhe Srgje Bozhoviçit, afër gjysmë ore u bëri shoqëri edhe gjeneral Millorad Obradoviç, ish - kryeshef i Armatës së Dytë.
Por, si “yll” kryesor i mbrëmjes u paraqit kush tjetër pos Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Pavle. Plaku imtak, u soll apostafat për këtë rast nga Beogradi, që t'i jepte edhe ngjyrën kishtare-shpirtërore një shfaqjeje politiko-muzikore të llojit të vet. Pak para paraqitjes së tij, gjysmë ore pas mesnate, njerëz të sigurimit u shpërndanë qirinj kishtar atyre që gjendeshin në rendin e parë, që duhej t'i ndiznin kur të fliste Patriarku. Megjithatë, fjalimi i tij ishte i shkurtë, sa askush nuk arriti të ndizte as shkrepsat. Më saktësisht ishte kjo vetëm një fjali me çka i shëlboi të pranishmit, pas së cilës Patriarku, i shoqëruar, ku ishte edhe mitropoliti malazezo-bregdetas, Amfilohije, u drejtua kah kisha e vogël e Shën Gjergjit, ku e mbajti liturgjinë e pasmesnatës.
Prania e tij, pa dyshim, ishte porosi për ithtarët dhe pjesëtarët gjithnjë më të numërt të Kishës Ortodokse Malazeze, që pretendojnë kthimin e pronave kishtare në Mal të Zi, që para 80 viteve, me një dekret, i takoi Kishës Ortodokse Serbe. Ky konflikt, kohëve të fundit është acaruar tepër, kurse pushteti malazez akuzohet se është vënë në anën e tyre që Kisha Serbe i quan sizmatik dhe renegatë.
Liturgjia e gjatë u mbajt në kishën e vogël, që është një ndër simbolet e Podgoricës, e jo në të sapondërtuarin – Tempullin e Ringjalljes së Krishtit, buzë Moraçës. Kishte përmbajtje fetare, në rast se lëmë anash lutjet për kthimin e “shpirtrave të humbur drejt fesë të njëmendtë dhe të vërtetë”.
Koncerti i trembëdhjetë janarit në Podgoricë, në praninë e gjeneralit, i njohur për presionet e shumta dhe të vazhdueshme ndaj pushtetit aktual serb në kohën e Millosheviqit, me prezencën e Patriarkut serb dhe në organizim të partisë më të fuqishme malazeze që lufton për “Jugosllavinë pa alternativa”, pa dyshim është një përgjigje ndaj kreut shtetëror malazez i nisur udhës së pavarësisë. Është mjaft indikativ edhe fakti se këtë vit, në Beograd, aspak nuk pati kremte masive më 13 janar, që në vitet e kaluara ishte rëndomësi.
Forcat unitariste pas rënies së Millosheviqit, sheshazi duket se aspak nuk janë dobësuar, as në Serbi, as në Mal të Zi. Përkundrazi nata podgoricase e vitit të ri ortodoks është shenjë e qartë se rrëfimi fillon që tani.
AIM, Podgoricë
GORDANA BOROVIQ