Jeta mes statistikave dhe barkut të zbrazur
AIM, Sarajevë, 20.01.2001.
Skenat, që mund t['i kemi parë dikur vetëm në filma kur nëpunësit gjyqësor, shkaku i pagesave të papaguara merrnin gjithçka veç krevatit në të cilin shtrihej pronari i lodhur, tani bëhen pjesë e realitetit boshnjako-hercegovinas, veçmas në Federatën BeH. Pagesat e papaguara të nxemjes, ujit, banesave ose telefonit, gjithnjë e më shpesh rezultojnë me shfaqjen e nëpunësve gjyqësorë në dyert e borxhlinjve, pa marrë parasyshë a është fjala për pensionistë, të papunë ose për ata që janë me rroga të papaguara disamujore.
Fatkeqësisht, shumimi i llogarive të papaguara nuk është rezultat i ndonjë padëgjueshmërie qytetare si shenjë proteste shkaku i çmimeve tmerrësisht të lartë të shërbimeve komunale, por si rezultat i varfërisë prozaike. Të ballafaquar me zgjidhjen: të blejnë bukë ose të paguajnë llogaritë e papaguara në afat, boshnjako-hercegovinasit përcaktohen për mbijetesë - sot për nesër. Njëkohësisht, politikanët e të gjitha niveleve vazhdimisht i bindin nënshtetasit e tyre se janë mirë, duke u thirrur njëkohësisht në statistikat zyrtare rreth të ardhurave mujore dhe çmimeve nga “shporta e shpenzimeve”.
Nga këndi i statistikave situata nuk duket aq shumë e keqe. Rroga mesatare në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës gjatë vitit të kaluar ishte ishte 436 DM, kurse çmimi i harxhimeve në të njëjtin muaj ishte 438 DM. Se gjithçka është relative është dëshmuar kaherë, gjegjësisht kur është fjala për statistika.
Shpenzimet e famozes “shportë e harxhimeve”, (e cila është e përshtatur kështu që këtë mund t'ia kishin zili gjithë ata që janë në dijetë) që shërbejnë për politikanët se familjet me një rrogë mesatare mund të jetojnë një muaj. Por, këtu përfshihen artikujt elementarë ushqimorë për një familje katëranëtarëshe. Me fjalë tjera, nuk llogariten shpenzimet për komunalie, që paraqesin edhe problemin më të madh, veshmbathja, librat, fletoret dhe gjërat tjera për fëmijët që shkojnë në shkollë.
Praktikisht, p.sh. për një familje katëranëtarëshe sarajevase, që jeton në banesë dydhomëse prej 60 metra katrorë, harxhimet e “harruara” mujore do të dukeshin kështu: për nxemje qendrore duhet të ndajnë minimum 72 DM, nëse banesa është e riblerë kompenzimi për shfrytëzimin e hapësirave të përbashkëta është 20 DM, po aq duhet ndarë për ujë, energji elektrike dhe parapagim të TV, gjithsejt rreth 60 DM, për telefon dhjetë deri njëqind DM. Për çdo rast vetëm për komunalie duhet ndarë së paku 200 DM. Kjo shumë nuk përmendet në statistikë.
Këtu janë edhe shpenzimet e veshmbathjes. Nëse janë të rritur duhet tërë vitin të përdorin të njëjtat veshëmbathje, kurse fëmijët rriten që do të thotë se atyre duhet blerë të reja. Çmimi i këpucëve në Sarajevë është nga 100 deri tek çmimi famoz prej 500 markash gjermane, kurse farmerkat për fëmijë nga prodhimi më i dobët kushtojnë 50 DM (natyrisht falsifikat i kontrabanduar) deri më 200 apo 300 DM sa kushtojnë ato të cilësisë së lartë, pra legale. Këtu hyjnë edhe shpenzimet e për shkollim – librat, fletoret, përgatitja për edukatë fizike, lektyrat etj. Mesatarisht, për dy fëmijë, për çdo muaj, duhet ndarë më së paku nga 50 marka gjermane. Kështu shuma e përgjithshme e shpenzimeve mujore për familje katëranëtarëshe, që nuk janë paraparë në “shportën e shpenzimeve” sillet afër 250 DM. Nga 438 DM "të shpenzimeve statistikore" për ushqim, shuma e përgjithshme mujore sillet deri më 700 DM. Për ata që janë pa banesë të veten, në rend të parë është pagesa e qirasë, pra duhet ndarë plus 300-400 DM, duke i shtuar kësaj edhe shpenzimet shtesë për udhëtim (një vozitje= një markë), sepse banesa kaq të lira mund të gjenden vetëm në periferitë e qytetit. As të mos bëjmë fjalë për harxhimet tjera në rast posedimi të automobilit, që në këto hapësira ende konsiderohet si luks, ngjashëm si dalja në kino, teatër ose mos dhashtë Zoti në restorant.
Politikanët dhe përpiluesit e statistikave nisen nga supozimi se një familje mesatare ka dy anëtarë të aftë për punë, që është standard i shteteve normale në të cilin gjithsesi se nuk bën pjesë BeH. Pjesa e padukshme e të dhënave statistikore rreth të ardhurave mujore është shumica e qytetarëve që mungojnë në këto shifra. Në pjesën me të ardhura mesatare mund të llogariten, sipas të dhënave zyrtare, 412 mijë në Federatën BeH. Mes tyre janë edhe 42 mijë punëtorë “në pritje”, që si rëndom nuk kanë kurfarë të ardhurash nga firmat e tyre ku janë të “punësuar”.
Këtu, sipas të dhënave zyrtare, janë edhe 265 mijë të papunë, pra 40 përqind të papunë në Federatën BeH. Kështu, në njëfarë mënyre të dhënat statistikore për rrogën mesatare matematikisht mbase janë në rregull, por nuk kanë të bëjnë me pjesën dërmuese të qytetarëve. Veçmas me 273 mijë pensionistë me pensione mesatare prej 178 DM. Atyre nuk u ndihmon as fakti se më së shpeshti në të njëjtën banesë jeton një çift pensionistësh. Me 356 DM të përbashkëta, pas pagesës së racionit, u ngelen nga gjashtë marka në ditë, të mjaftueshme për një kilogram bukë, një litër qumësht dhe barna, nëse nuk janë shumë të sëmurë.
Shpenzimet për komunalie rriten vazhdimisht, kurse paralajmërimet për shtrenjtime të reja vijnë sërish, ndërkohë që rrogat e atyre që kanë fat të punojnë janë gjithnjë më të parregullta dhe më të pasigurta kurse gjithnjë më e sigurtë është ulja e pensioneve.
Ta pagëzosh këtë situatë “krizë”, "recesion", ose me terme të ngjashme, nuk do të thotë asgjë, sepse më të dëmtuarit në aspektin social ballafaqohen me urinë. Si fakt për këtë është rritja e të sëmurëve nga tuberkulozi, sëmundjet si pasojë e ushqimit të dobët, por edhe numri gjithnjë më i madh i njerëzve që bredhin rrugëve ose shkojnë derë më derë duke u lutur për një një kafshatë buke.
Gjendja e pashpresë dhe dëshpërimi shtrihen shpejtë, përkrah epidemisë, kurse vetvrasjet kaherë janë bërë pjesë e përditshmërisë. Me këtë rast është e kuptueshme se mospagesa e llogarive bëhet hapi i parë i tentimit për “konsolidim” të buxhetit familjar. Fatkeqësisht as kjo nuk është e mjaftueshme, sepse paratë tjera janë të pamjaftueshme për plotësimin e nevojave më elementare, para së gjithash ushqimore.
Kalimin në tregun e lirë të parët e paguan vdektarët e zakonshëm që nuk janë as fajtorë, as të obliguar që mbi ta të ushtrohet autoriteti dhe e drejta e pronës nga ana e shtetit. Sipas ligjit të detyrimeve, mes tjerash, nënkuptohet edhe pagesa e rregullt të detyrimeve vetanake, qoftë për familje ose ndërmarrje. Kurse mosshlyerja e këtyre detyrimeve ka edhe pasoja: pagesë të detyruar deri në konfiskim të gjësendeve familjare.
Dhe derisa mbartësit e monopolit shtetëror, ashtu si posta dhe elektroekonomia, janë të kujdesshëm rreth kërkesës për pagesën e individëve, pronari i tyre, shteti, nuk ka treguar gatishmëri serioze të lajë borxhet e veta. Si punëdhënës, shteti është i painteresuar të vëzhgojë se si punëtorët me muaj të tërë nuk marrin të ardhura në firmat e “tyre”, duke treguar kujdes vetëm atëherë kur ata punësohen, të cilët edhe ashtu më nuk kanë me çka të blejnë bukë për vete dhe familjet dhe jozyrtarisht bëjnë grevë urie.
Kështu shteti u ngeli borxh pensionistëve pesë muaj. Duke toleruar punë “në të zezë” shkaku “i qetësisë në shtëpi”, shteti zbrazi fondet pensioniste, para pensionistëve të brengosur drejton gishtat nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që insistojnë se mund të harxhohen vetëm paratë që ekzistojnë. Prandaj nuk përjashtohet mundësia që në muajt e ardhshëm rroga mesatare, sipas të dhënave statistikore, të vazhdojë të rritet ndërkohë skamja të futet nëpër banesa me rrymë të çkyçur dhe banesat e zbrazura si pasojë e sekuestrimit shkaku i llogarive të papaguara, duke përfshirë kështu gjithnjë e më shumë qytetarë. Do të ketë gjithnjë më pak nga ata që do të marrin të ardhura, por shuma e rrogave do të jetë e njëjta, derisa në fund të vijë deri tek rritja edhe më e madhe e përqindjes statistikore.
Për elitën e re ekonomiko-politike, e izoluar nga përditshmëria ku bëjnë pjesë vdektarët e rëndomtë, kjo edhe ashtu nuk është e rëndësishme. Për ta parametrat e thata statistikore janë tregues të mjaftueshëm për mirëqenie në vend, sepse gjendja “nuk është aq e keqe”. Dhe deri sa ata kanë gojën përplot “Evropë”, nënshtetasit e tyre gjithnjë e më shumë i afrohen standardit etiopian, ku njerëzit do të ndahen në "të kamur", ata që kanë të hanë çdoditë dhe të varfër që nuk u lejohet ky luks.
AIM Sarajev
DRAZHEN SIMIQ