S'ka falje për terrorizëm

Beograd Jan 17, 2001

Me Ligjin e ri më shumë se 33 mijë njerëz që kanë bërë vepra penale kundër Armatës Jugosllave do të duhej të amnistohen. Fjala është për të rinjtë që nuk iu përgjigjën ftesave për mobilizim gjatë sulmeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë.

AIM, Beograd, 14. 1. 2001.

Athua redaktori i sportit i televizionit të Malit të Zi Branko Vujishiç (i arrestuar para tre ditësh në aeroportin e Beogradit) do të jetë i fundit që do të gjendet në listen e atyre që janë dënuar ose burgosur shkaku mospërgjigjes së ftesave në kohën e bombardimeve të NATO-s, kjo varet nga ajo se kur do të miratojë Kuvendi federal ligjin për amnisti që këtyre ditëve e përgatiti Qeveria e RFJ-së. Iniciativa për ligjin për amnisti buroi nga organizatat joqeveritare, por ky dokument është mjaft i rëndësishëm për inkuadrim të plotë të vendit në Këshillin e Evropës.

Ky ligj, siç sqaroi ministri i drejtësisë Momçilo Grubac, parasheh amnisti për vepra individuale penale që qytetarët i bënë kundër Ushtrisë jugosllave. Ministri federal i drejtësisë precizoi se më shumë se 33 mijë qytetarë që kanë bërë vepra penale kundër Ushtrisë Jugosllave do të lirohen përmes këtij akti. Fjala është, kryesisht, për të rinj që nuk iu përgjigjën ftesave për mobilizim gjatë sulmeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë. Shumica e këtyre të rinjve gjendet në shtetet tjera. Para Gjyqit, deri tani, janë akuzuar apo dënuar 24 mijë qytetarë. Kundër tyre me sjelljen e këtij ligji do të ndërpriten procedurat dhe ata nuk do të vuajnë dënimet me burg, kurse ata që edhe mëtej nuk janë gjykuar nuk do të ndiqen më penalisht.

Ligji përfshin edhe veprat penale që janë bërë kundër rendit kushtetues të vendit. Ministri i drejtësisë sqaroi se në këtë grup përfshihen edhe ata që janë grupuar për vepra armiqësore, pengim të luftës kundër armikut, organizim i kryengritjes së armatosur, tentim për ndryshim të dhunshëm të rendit në RFJ, thirrje për luftë të armatosur, thirrje për rrëzim të rendit kushtetues dhe cenim të imazhit të RFJ-së. Është propozuar edhe zvogëlim të dënimeve, për një të katërtën, për të gjithë të burgosurit, veç atyre që kanë bërë vepra të rënda penale. Grubac këtë propozim e arsyetoi shkaku i “kërkesave të arsyeshme” që u shprehën nga ana e të burgosurve të rebeluar gjatë vjeshtës së kaluar të cilët u ankuan për kushtet e vështira të jetesës nëpër burgje, gjegjësisht pas njohurive se "qelitë ishin të lëna pasdore, prandaj amnistia do të ishte një kompenzim i llojit të vet për të burgosurit për gjithçka që kishin përjetuar aty”.

"Ngjarjet dramatike gjatë dhe pas bombardimeve ndaj RFJ-së çrregulluan vlerat fundamentale dhe tezat për caktimin e veprave individuale penale dhe vështirësuan rrethanat që të zbatoheshin normat juridike ndëshkimore sipas rregullave të njëjta. Për këtë shkak vendosëm që të propozonim këtë ligj për amnisti - tha Grubac. Amnistia megjithatë nuk do të përfshijë personat që kanë bërë vepra penale për terrorizëm, gjenocid, krime lufte dhe në rast se janë marrë me shitje, tregëti dhe vënie në përdorim të drogës. Duke sqaruar shkaqet për këtë, Grubac potencoi se çdo formë e amnistisë së këtyre të dënuarve do të ishte në kundërshtim me konventat e bashkësisë ndërkombëtare për luftë kundër terrorizmin që i ka nënshkruar edhe Jugosllavia. Duke folur për shqiptarët e Kosovës në burgjet serbe ministri i drejtësisë tha se postulatet e këtij ligji nuk kanë të bëjnë me ata. Ai, megjithatë, potencoi se shumë procese gjyqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës, që u akuzuan për terrorizëm, nuk u “udhëhoqën në mënyrë korrekte”, u gjykuan nën presionin e rrethanave të luftës dhe rrethanave politike që mbisunduan gjatë kohës së ish- regjimit. Për këtë shkak, tha ai, këto "gabime do të përmirësohen në rrugë të drejtë”. Grubac pohoi gjithashtu se shumë lëndë të ankesave të shqiptarëve të Kosovës nuk janë zgjidhur deri tani, shkaku i kërkesave të shumta të të akuzuarve dhe avokatëve të tyre, dhe se do të dërgohet kërkesë deri tek Gjyqi Suprem i Serbisë që sa më shpejt të zgjidhen ato.

Sipas të dhënave të Fondit për të drejta humanitare, në burgjet e Serbisë gjenden momentalisht rreth 700 shqiptarë prej të cilëve vetëm 50 nuk janë të burgosur politikë. Natasha Kandiç, përfaqësuese e ekipit juridik në këtë organizatë joqeveritare vlerëson se me ligjin e ri duhet të lirohen rreth 400 shqiptarë që janë akuzuar në bazë të veprës penale - grupim për aktivitete armiqësore. Sipas të dhënave të shumta të Fondit, në burgjet e Serbisë gjenden rreth 200-250 njerëz të akuzuar për terrorizëm."Nga fundi i qershorit 1999 deri më 1 tetor 2000 autoritetet në Serbi liruan rreth 1250 të burgosur shqiptarë. Nuk ka asnjë arsye që 850 të tjerët të qëndrojnë në burgjet e Serbisë. Në mesin e tyre vetëm dy veta janë të akuzuar për vrasje të civilëve serb, rreth 200 shqiptarë vuajnë dënimin për vepra të rëndomta penale dhe 650 janë të burgosur politikë", pohon Natasha Kandiç, drejtore e Fondit.

Amnestia në këto hapësira nuk është një institucion i panjohur. Në janar të vitit 1996 me propozim të Këshillit suprem të mbrojtjes u propozua Ligji për amnisti për të gjithë atandaj të cilëve ishte ngritur aktpadi penale shkaku i ikjes së obligimeve ushtarake nga 1990 deri më dhjetor të 1995. Me këtë ligj, i cili u miratua thuajse afër gjysmë viti më pas, u përfshinë 12.455 persona.

Dënimet e parapara për mospërmbushje të obligimeve ushtarake arrinin deri më 20 vjet burgim sepse vendi ishte, nëse jo në luftë, së paku në rrezik lufte. Ky ligj mundësoi kthim të lirë në vend për të gjithë që e kishin braktisur për t'i ikur obligimit ushtarak, por i nuk i liroi nga obligimi që duhej ta kryenin, gjegjësisht shërbimin ushtarak. Amnistia nuk përfshiu falje as për vepra siç ishin marrje e armëve nga njësitë ushtarake që ishin braktisur gjatë luftës në Kroaci dhe BeH, kurse dezertorëve nga ushtria të cilët u strehuan jashtë vendit tek familjet e tyre, nuk iu kthye trashëgimia nga e cila ishin privuar gjithë ata që u konsideruan si dezertorë lufte. Kjo palogjikshmëri nuk u korigjua as tre vjet më pas kur Gjyqi Kushtetues i Serbisë vërtetoi se "dezertorëve nuk u përket trashëgimia” dhe se kjo nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ky përndryshe ishte ligji i dytë për amnisti në historinë e RFJ-së. I pari u propozua gjatë kohës së kryeministrit Millan Paniç më 1992, por ai u tërhoq nga procedura shkaku i kundërshtimit të një numri të deputetëve të atëhershëm të parlamentit. Para kësaj, në ish-RSFJ, praktikisht çdo dhjetë vjet u miratuan ligje për amnisti shkaku i ikjes së obligimeve ushtarake, duke filluar që nga ai i i faljes së gjithë pjesëtarëve të njësive çetnike dhe milicisë territoriale që nuk kishin bërë krime.

Iniciator i Ligjit më të ri për amnisti, gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, ishte Komiteti jugosllav i juristëve për të drejtat e njeriut, i cili që nga përfundimi i "intervenimit të NATO-s ka udhëhequr fushatë për amnisti të atyre që kishin brerje ndërgjegjeje, pra njerëz që nuk dëshiruan të merrnin pjesë në luftën që iu imponua, gjithashtu kërkuan nga organet shtetërore të liroheshin qytetarët e nacionalitetit shqiptar, të burgosur gjatë intervenimit të NATO-s, kundër të cilëve u kryen procedura ligjore dhe joligjore ", sqaron Biljana Kovaçeviç-Vuço, kryetare e këtij komiteti, qëndrimin e avokatëve eminent të Beogradit dhe ekspertëve të jurispondencës të grupuar rreth kësaj organizate joqeveritare duke pohuar se “pa amnisti të të burgosurve politikë nuk ka fillim të demokratizimit". Sipas fjalëve të saj "kryetari i RFJ-së ka të drejtë të japë lehtësime për vepra penale, sipas ligjeve federale, por amnistia ka mesazh të rëndësishëm politik. Kështu do të fshihej gjykimi, por kjo do të thoshte edhe fund i konfliktit, armiqësisë, luftës, fillim i ri". Gjorgje Mamula, avokat, përkujton se "amnestia gjithmonë ishte bilans i një politike, në këtë rast i politikës që shkaktoi humbjen e shumë jetërave, ngritjen e shumë flamujve të zinj anekënd Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjës. Jam i bindur se me miratimin e propozim ligjit do të ndryshojë edhe klima dhe se gjithë të rinjtë që kanë ikur nga vendi shkaku se nuk dëshironin të merrnin pjesë në luftë do të kthehen dhe do të japin kontributin për pushtimin e lirisë".

Kurse ata që nuk ikën, nuk do të jenë si gazetari malazez i painformuar se duhet të vuajë dënimin me burg sepse nuk e kishte ditur se i kishin dërguar ftesë për mobilizim para dy vitesh. Ose si i riu nga Subotica, shkaku i alarmit për rrezik nga ajri nga ana e NATO-s u vonua për tu paraqitur në njësinë e vet ushtarake ku kishte shërbyer tre muaj, prandaj u burgos pas një vit e gjysmë pas përfundimit të bombardimeve.

AIM Beograd

TATJANA STANKOVIÇ